Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Dinjitetit nuk internohet kurrë!

Fjala e Kryetares së Autoritet Dr. Gentiana Sula në ceremoninë e nderimit për Lekë Tasit nga Bashkia Divjake, 18 shkurt 2026

Sot nuk jemi mbledhur rastësisht. Kjo ditë ka peshë, ka kujtesë, ka simbolikë.

Sot hapim ekspozitën fotografike “Historitë e patreguara të Lushnjës”, nderojmë figurën e Lekë Tasit dhe njëkohësisht kujtojmë se 35 vjet më parë, po në këtë periudhë, studentët e Universitetit të Tiranës hodhën një nga aktet më të guximshme të ndërgjegjes qytetare. Ata kërkuan heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti, u mblodhën, puthën flamurin dhe hynë në grevë urie, në një akt sakrifice që mobilizoi gjithë qytetin dhe çoi në rrëzimin e statujës së diktatorit – simbol i një sistemi ideologjik monopartiak që po shembej.

Sot, këto tri momente – ekspozita, Lekë Tasi dhe lëvizja studentore – takohen në të njëjtën ide: dinjitetin njerëzor përballë padrejtësisë.

Ekspozita që çelim sot na kthen në një realitet të gjatë dhe të dhimbshëm. Lushnja dhe Myzeqeja u shndërruan për dekada në hapësira të internimit masiv, jo një kamp i vetëm, por një kamp i shpërndarë. Mijëra familje jetuan për vite e dekada nën izolim, në kushte të rënda, me punë të papërshtatshme dhe profesione që nuk i zgjodhën kurrë vetë.

Fshatra si Savra, Plug, Gradishtë, Grabian, Rrapëz, Gjazë, Imsht, Çermë, Karavasta, Bedat, Remas, Gërmenj, Hysgjokaj, Bishçukas, Zgjan dhe Toshkëz u bënë pjesë e kësaj harte kontrolli.

Burra, djem, gra, fëmijë, të moshuar, të gjithë të ndëshkuar pa faj individual, pa proces të drejtë ligjor, thjesht sepse konsideroheshin rrezik për një regjim që kishte frikë nga vetëdija, inteligjenca, besimi në Zot, përkatësia, aftësitë sipërmarrëse, talenti.

Internimet mbeten edhe sot një padrejtësi e gjatë dhe e papërballur plotësisht – as nga historiografia, as nga politikat e

rehabilitimit.

Për dekada, reformat agrare, koletivizimi u paraqitën si sukses. Lushnja ishte emblemë. Por pas tyre fshihej pushkatimi i pronarëve të tokave, puna e detyruar, zhvendosja me dhunë dhe shkatërrimi i jetëve. Kjo ekspozitë na ndihmon të rishikojmë Lushnjën e djeshme me sy njerëzor, jo si mit propagande, por si hapësirë vuajtjeje, qëndrese dhe mbijetese.

Në këtë histori qëndrese përfshihet edhe Lekë Tasi. Jeta e tij nuk është thjesht një histori personale. Është historia e një brezi të tërë, i përjashtuar nga institucionet kulturore, i internuar për vite me radhë, i privuar nga liria dhe zgjedhja.

Por – dhe kjo është thelbësore – përkundrazi nga sa synonte sistemi, krijimtaria e tij nuk u shua. Ajo shpërtheu nëpërmjet pikturave, nëpërmjet shkrimeve, nëpërmjet librave të tij, që sot shkëlqejnë edhe në kolanën e Klubit të Librit “Mësojmë nga e kaluara”.

Tek Lekë Tasi, dinjiteti dhe krijimtaria janë të pandara. Krijimtaria u bë mënyra për të mos u thyer, për të dokumentuar përvojën, për ta kthyer vuajtjen në dëshmi, sepse aty ku ruhet dinjiteti, lind edhe fjala, edhe imazhi, edhe kujtesa.

Shumë nga ata që kaluan nëpër këto fshatra internimi, ose pasardhësit e tyre, sot janë pjesë aktive e shoqërisë. Viola është konsulle, Ervini është profesor, Josefi është studiues, autor dhe influencues. Këto nuk janë thjesht histori suksesi. Janë prova se qëndresa morale ka vazhdimësi.

Fotografitë që shihni sot janë një dhuratë nga z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit në mandatin e parë dhe vetë dëshmitar i kësaj historie. Ne i kemi riekspozuar jo vetëm për të kujtuar, por për të mbledhur rreth tyre dëshmitarët e kohës, që të tregojnë çfarë ndodhi, që kjo histori të mos mbetet e heshtur dhe të mos përsëritet. Kjo ekspozitë do të na ndihmojë edhe në ndërtimin e një katalogu të plotë: me fotografi, me kontekst, me emra dhe me historinë e njerëzve – ku ishin dje dhe ku janë sot. Një mjet për të kuptuar më mirë të shkuarën dhe për të mësuar prej saj.

Sot, duke nderuar Lekë Tasin, duke hapur këtë ekspozitë dhe duke kujtuar aktin e studentëve të vitit 1991, ne po lidhim fijet e së njëjtës histori. Një histori që na tregon se edhe në errësirë ekziston një hartë e triumfit moral. Një histori që na mëson si mbijetohet, si solidarizohet, dhe mbi të gjitha – si mbetet njeri.

Faleminderit,

18 shkurt 2026

@followers Vilma MirakaAnton DukagjiniViola KaloshiTeuta NdreuJozef RadiSokol MirakajSimon MirakajNeritan Kolgjini