Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

𝐒𝐮𝐥𝐚: 𝐏𝐫𝐨𝐤𝐮𝐫𝐨𝐫𝐢𝐚 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐚𝐫𝐫𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐪𝐲𝐫𝐭𝐢𝐦 𝐠𝐣𝐞𝐭𝐣𝐞𝐭 – 𝐈𝐂𝐌𝐏 𝐤𝐨𝐧𝐟𝐢𝐫𝐦𝐨𝐧 𝐦𝐛𝐞𝐭𝐣𝐞 𝐦𝐨𝐫𝐭𝐨𝐫𝐞, 𝐩𝐫𝐨𝐯𝐚 𝐭𝐞̈ 𝐟𝐨𝐫𝐭𝐚 𝐩𝐞̈𝐫 𝐡𝐞𝐭𝐢𝐦

“Sot shënojmë përmbylljen e një faze të rëndësishme bashkëpunimi me ICMP, të mbështetur nga Bashkimi Europian. Një fazë që nuk është thjesht një projekt i përfunduar, por një hap konkret drejt një përgjegjësie të vonuar prej shumë vitesh: qartësimit të fatit të personave të zhdukur. Gjatë kësaj periudhe, kemi bërë një ndryshim themelor në mënyrën si punojmë.

Nga një qasje fragmentare dhe e shpërndarë, kemi kaluar drejt një procesi më të strukturuar, më të verifikueshëm dhe më të përdorshëm ligjërisht.

“Çdo dokument i saktë është një derë që mund të hapet. Çdo derë e hapur është një familje më afër së vërtetës.”

Kjo ka qenë filozofia jonë gjatë gjithë kësaj faze.

Puna jonë është zhvilluar në dy drejtime kryesore.

Së pari, njerëzit.

Kemi kërkuar në arkiva, brenda dhe jashtë institucionit. Kemi mbledhur dëshmi nga familjarët, nga ata që kanë dijeni, nga institucionet qendrore dhe vendore. Regjistrat e gjendjes civile, shërbimet funerale, strukturat vendore kanë qenë një pjesë e mozaikut.

Sepse e vërteta nuk gjendet në një vend të vetëm. Ajo ndërtohet copë-copë, me durim dhe me përgjegjësi.

Së dyti, vendet.

Vendvarrimet e dyshuara të raportuara nga familjarët, nga studiuesit, nga shoqatat janë verifikuar në terren me metoda joninvazive të avancuara, me asistencën e drejtpërdrejtë të ICMP.

Dhe mbi të gjitha, janë mbrojtur.

“Sepse ruajtja e tyre sot është kusht për të vërtetën nesër.”

Sot kemi 17 vendvarrime në proces, 6 prej tyre të vlerësuara me metoda shkencore.

Hetimet janë në fazë finalizimi dhe hapi tjetër është i qartë: përcjellja e materialeve në prokurori.

Këtë herë me një ndryshim thelbësor: prova më të plota, dokumentim më i strukturuar dhe një bazë më e fortë për hetim të thelluar.

Që prokuroritë të mund të bëjnë atë që u takon: të thellojnë hetimet, të përdorin mjetet e tyre dhe të avancojnë procesin drejt drejtësisë.

Kemi ndërtuar edhe bazën e të dhënave.

Sot, rreth 410 persona të zhdukur ose të pagjetur janë të regjistruar, së bashku me të dhënat e familjarëve të tyre.

“Këto nuk janë vetëm shifra. Janë emra. Janë fytyra. Janë njerëz që dikush i pret ende.”

Është miratuar gjithashtu Udhëzuesi për qartësimin e fatit – një hap drejt standardizimit dhe një proces më të besueshëm e të qëndrueshëm institucional.

Por jemi ende në rrugë.

Përpara kemi hapa të domosdoshëm: rivlerësimin e marrëveshjes me ICMP për një rol më aktiv të AIDSSH dhe ndërtimin e bashkëpunimit të plotë me mjekësinë ligjore, policinë shkencore dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Gërmimet, ekzaminimet, identifikimi – këto nuk janë thjesht procedura. Janë aktet finale të dinjitetit njerëzor.”

Pa këto kapacitete të plota, fazat më të vështira mbeten të vështira. Dhe ne nuk mund të pranojmë që të vështira të thotë të pamundura.

Për familjarët, çdo vonesë është e gjatë.

Çdo vit që kalon pa përgjigje është një barrë që ata e mbajnë në heshtje, me durim, por me një dhimbje që nuk shuhet.

“Dhe kjo është një e vërtetë që institucionet duhet ta mbajnë gjithmonë parasysh – jo vetëm sot, por çdo ditë që kalon pa një përgjigje.”

Në përfundim, dua të falënderoj të gjithë ata që e bënë të mundur këtë fazë. Bashkimin Europian, për mbështetjen e vazhdueshme.

ICMP, për ekspertizën dhe angazhimin.

Institucionet shqiptare dhe çdo profesionist të përfshirë.

Por mbi të gjitha – familjarët.

Ata që nuk hoqën dorë. Ata që mbajtën gjallë kujtimin kur sistemi heshti. Ata që erdhën çdo herë kur i thirrëm, me dokumentet e tyre, me fotografitë e tyre, me shpresën e tyre.

Ata nuk kërkojnë favor. Kërkojnë atë që u takon prej dekadash: emrin e të dashurit të tyre dhe një vend ku të shkojnë të qajnë.

Arritjet e kësaj faze nuk janë të vogla. Dhe përgjegjësia jonë është e qartë:

“Të vazhdojmë deri në ditën kur asnjë familje të mos mbetet pa një përgjigje.””

Kjo është Fjala që Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, mbajti sot në aktivitetin përmbyllës AIDSSH–ICMP ku u prezantua rezultatet e projektit “Mbështetja e drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimi me të kaluarën në Shqipëri”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

ICMP theksoi se 6 ne vendvarrimet e dyshuara të hetuara dhe të ruajtura nga AIDSSH rezultojnë qartësisht me mbetje humane.

Megjithatë, mungesa e miratimit të një VKM-je që përcakton përgjegjësitë institucionale po pengon nisjen e gërmimeve praktike.

Në takim u theksua se pa angazhimin e plotë të Ministrisë së Brendshme dhe koordinimin me Ministrinë e Drejtësisë, shumë vendvarrime të dyshuara rrezikojnë të mbeten të paprekura, duke sjellë humbje të provave.

Miratimi i VKM-së u konsiderua një domosdoshmëri urgjente për të hapur rrugën e një procesi të besueshëm dhe të standardizuar të rikuperimit dhe identifikimit të personave te zhdukur në diktaturë.

Gentiana Mara Sula International Commission on Missing Persons – ICMP Kërkojmë të Zhdukurit – Autoriteti i Dosjeve të Ish-Sigurimit

Dinjitetit nuk internohet kurrë!

Fjala e Kryetares së Autoritet Dr. Gentiana Sula në ceremoninë e nderimit për Lekë Tasit nga Bashkia Divjake, 18 shkurt 2026 Sot nuk jemi mbledhur rastësisht. Kjo ditë ka peshë,