Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Altin Hoxha : Çfarë gjeta në arkiv mbi survejimin politik të Daut Gumenin*

5 dhjetor, AthinëJam shumë i nderuar që ndodhem në këtë aktivitet në nderim të Daut Gumenit. Jam në një pozitë jo fort të mirë sonte, sepse më duhet të tregoj në mënyrë sistematike dhe të organizuar pjesën më të errët të regjimit, që në mënyrë arbitrare vendoste mbi fatin e qytetarëve të vet. Policia Sekrete, apo i ashtuquajturi ish-Sigurimi i Shtetit, ishte një strukturë sekrete që në formë embrionale kishte lindur që në Luftën e Dytë Botërore dhe ishte strukturuar e përsosur sipas modelit jugosllav dhe atij sovjetik menjëherë pas luftës. Nga regjimi, ajo konsiderohej një “armë” më shumë që shërbente për forcimin e pushtetit politik, duke u përzier me veprimtarinë e strukturave publike, si dhe me ato hetimore–gjyqësore.

Nëpërmjet përshkrimit të dosjeve të Daut Gumenit, që gjenden në arkivin të Autoritetit të Dosjeve në Tiranë, do të bëjmë edhe një panoramë të mekanizmit shtetëror të shtypjes dhe persekutimit të individit në Shqipërinë komuniste.

Në arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit janë gjetur 6 dosje me subjekt Daut Gumenin, që i përkasin periudhës 1967–1990 dhe kanë një vëllim prej 693 faqesh. Dosjet janë të llojit formularë (informative), dosje hetimore dhe gjyqësore. Ato përmbajnë informacione, proceset hetimore–gjyqësore që nga momenti i arrestimit të tij deri në momentin e lirimit, në vitin 1990.

Për Daut Gumenin, dosja hapet në momentin e arrestimit, në qershor 1967. Lidhur me arrestimin e parë, ai ka një dosje penale (hetimore) dhe një dosje gjyqësore. Hetimi përqendrohet te arsyet e arratisjes dhe shënimet e gjetura gjatë momentit të arratisjes. Edhe pse Dauti deklaron arsye personale, nuk ishte kjo që e rëndoi akuzën, por shënimet e mbajtura në fletore, poezitë e tij. Dauti pranon karakterin armiqësor, sipas këndvështrimit të pushtetit, të shënimeve e poezive dhe deklaron se nuk ndjehej i lirë për të thënë atë që mendonte.

Në aktakuzën e paraqitur në sallën e gjyqit, sipas prokurorisë, “arsyeja e vërtetë e arratisjes është armiqësia që kanë ushqyer kundër pushtetit popullor dhe sistemit socialist të vendit tonë… duke shkruar vjersha dhe shkrime të tjera me përmbajtje armiqësore, në të cilat shpreh urrejtjen për sistemin tonë socialist, mburr sistemet e urryera borgjeze-kapitaliste dhe bën thirrje për rrëzimin e pushtetit popullor dhe restaurimin e kapitalizmit, duke shpresuar dhe ëndërruar për një jetë të çthurur. Në disa nga shkrimet e tij shkruan: ‘Le ta marrë vesh gjithë bota se ne jemi ende në Mesjetë, po! … nuk më vjen keq për krenarinë e humbur, Jezusi ynë nuk qëndron në qiell, por në asfalt; kërbaçi i tij nuk është i tejdukshëm, por konkret, e shohin të gjithë me sy, e ndiejnë mbi kokë të rëndë e metalik… O vend i shtrenjtë, ligjet e xhunglës të kanë bërë rërë e zhurë, të kanë prishur bukurinë e pashoqe natyrale që ka admiruar edhe Bajroni, dhe të vjen turp përpara vëllezërve të dashur që të rrethojnë.’”

Dauti u dënua me 20 vjet burgim. Në arsyetimin e vet, gjykata përdori edhe elemente politikë dhe propagandistikë, duke thënë se “veprimtaria e të pandehurve në dëm të Republikës Popullore të Shqipërisë është kryer në një kohë kur populli ynë, me një ndjenjë të lartë patriotizmi, i është përveshur vendosmërisht gatishmërisë dhe përgatitjeve për mbrojtjen e kufijve të shenjtë të atdheut nga armiqtë e jashtëm të vendit tonë… në një kohë kur populli trim dhe patriotik i Kurveleshit festonte 25-vjetorin e çlirimit.”

Në ankimin drejtuar Gjykatës së Lartë, Dauti shkruan:

“Në qoftë se ndëshkohem për mendimet e shkrimet e mia, që pati gjykata për prova materiale, i lutem Gjykatës së Lartë që të vendosë për mua dënimin kapital, pa marrë parasysh moshën time të re (24 vjeç), ose në të kundërt, të shqyrtojë lutjen time për arsyet që radhita më lart.”

Tre vjet pasi vuante dënimin në burgun e Spaçit, në vitin 1969, dy bashkëpunëtorë me pseudonimet “Ai” dhe “Ti”, të vendosur nga Sigurimi i Shtetit në burg, në raportet mbi Dautin dhe kushëririn e tij Dervish, e rikthyen vëmendjen në çështjen e vëllait të madh të Dautit, i cili në vitin 1946 ishte akuzuar dhe më pas liruar për mungesë provash për vrasjen e një sekretari partie nga diversantët në vitin 1945. Në fakt, Dauti gjatë arratisë kishte marrë me vete një gazetë ku gjendej një artikull me titull “Verbimi politik”, në të cilin përmendej edhe rasti i vrasjes së njeriut të Partisë dhe ku akuzohej edhe vëllai i tij për moskallëzim krimi. Në vitin 1970, pikërisht përmes raportimeve të dy bashkëpunëtorëve, u inskenua një tjetër proces.

Gjykata e shkallës së parë do ta dënonte me 15 vjet për agjitacion e propagandë, si dhe për moskallëzim krimi (në vitin 1945 ishte fëmijë i vogël), dhe përfundimisht me 25 vjet burgim dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet. Vendimi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Pretenca e prokurorit edhe në këtë proces ishte e mbushur me elementë të propagandës, duke e vendosur organin e hetimit dhe atë të gjykatës në shërbim të politikës së Partisë:
“… Revolucioni socialist nuk përfundon me marrjen e pushtetit politik nga ana e klasës punëtore. Ai vazhdon me të gjithë forcën e tij pa ndërprerje deri në likuidimin e plotë të klasave të përmbysura dhe ka për objektiv ndërtimin e shoqërisë socialiste… vrasja e sekretarit të Partisë në vitin 1945 ishte një vepër e urryer e armikut të klasës kundër vijës së Partisë… Një bir i Kurveleshit ra në Gusmar, në atë natë të ftohtë të dhjetorit 1945. Një ra, por mijëra u ngritën për të marrë hakun dhe gjakun e komisarit… Revolucioni socialist vazhdon dhe marshon fitimtar gjithmonë përpara, duke shkallmuar çdo tentativë apo orvatjeje të armiqve të klasës…”

Jo më kot e lamë kaq të gjatë këtë fragment, pasi është gjuhë e panjohur jo vetëm për publikun e huaj, por edhe për brezin e sotëm të shqiptarëve.

Dënimin deri në lirim, Dauti do ta vuante në Burgun e Burrelit, një burg i krijuar që përpara Luftës së Dytë Botërore. Aty, për shkak të profilit të të dënuarve, gjeti një ambient të përshtatshëm për të zhvilluar idetë e tij politike. Gjatë survejimit në burg, sipas raportimeve, mësohet mbi bisedat politike të të dënuarve, pjesëmarrjen në organizimin politik brenda burgut (Partia Social-Demokrate), analizat për situatën ndërkombëtare nga shtypi i kohës, si dhe mbi përpjekjet e tij për të mbajtur gjallë ëndrrat e vet:

“Unë kam pasur një qëllim në jetë; njeriu pa qëllim fisnik është si bagëti. Qëllimi im, i mpleksur me një fantazi të gjallë, më ka shtyrë që me çdo kusht të bëhem i madh në dy fusha… Duke parë mizoritë e komunizmit, tek unë u rrit një urrejtje patologjike kundër tij. Pra, qëllimi im i parë është të marr në dorë atë pushtet e t’i kthej popullit lirinë… Qëllimi i dytë, të bëhem njeri i shquar i penës…”

Për shkak të veprimtarisë së tij armiqësore të perceptuar, Sigurimi rriti masën e survejimit në shkallën më të lartë (kategoria 2A). Sipas bashkëpunëtorit me pseudonimin “Dardha”:
“Dauti është shumë i mprehtë, lexon shumë, përkthen anglisht disa vjersha… ai nuk flet hapur, por ka një vendosmëri të theksuar në mbrojtjen e mendimeve të veta dhe një urrejtje të madhe për komunizmin.”

Nga raportimet e bashkëpunëtorëve, bisedat në burg ishin të larmishme, në fusha politike, ndërkombëtare, artistike, ekonomike. Armiqtë më të rrezikshëm, sipas Sigurimit, ishin edhe njerëzit më të lexuar e më të mençur. Nga miqësitë më të mira që krijoi në Burgun e Burrelit mund të përmendim Pjetër Arbnorin, Uran Kostrecin, Uran Kalakulën, Sami Dangëllinë e shumë të tjerë. Me këta e bashkonin idetë social-demokrate, të cilat u formalizuan edhe me krijimin e një partie në burg.

Ai ruajti humorin, ironinë dhe autoironinë gjatë gjithë asaj periudhe:

“Politika djeg dynjanë

Lule djemtë e nënave

Po vret vëllai vëllanë

Dhe e bën si qorr belanë

Derë më derë kasaphanë.”

Edhe pse ish-Sigurimi ka gjurmuar dhe ka shënjuar 23 vjet të jetës së Daut Gumenit, jeta brenda shpirtit dhe mendjes së tij të lirë gjendet jashtë dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Me shumë përulësi, do t’ju kërkoja edhe një herë ndjesë për kohën që ju mora me këtë dokumentim të një periudhe të trishtë, si për Daut Gumenin, ashtu edhe për shumë shqiptarë të tjerë të dënuar.

Ju faleminderit.

*Fjalim nga  Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit mbajtur në aktivitetin “Dialog me Daut Gumenin”, i organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit me 5 dhjetor 2025.