5 dhjetor 2025, Athinë:  Në ambientet e Qendrës Kulturore të Bashkisë së Athinës, në amfiteatrin “Antonis Tritsis”, u organizua aktiviteti i përbashkët mes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, me titull “Dialog me Daut Gumenin”.  Aktiviteti kishte në qendër krijimtarinë letrare të autorit, veprimtarinë e tij si ish-diplomat dhe përndjekjen e gjatë që ai vuajti në burgjet komuniste, si she shenoi botimin në gjuhen greke te romani “ Ditari i një Sammarpunuesi:#

Mbrëmja u hap nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e cila veçoi se “Daut Gumeni nuk është vetëm një shkrimtar që rrëfen historinë e jetës. Ai është një ambasador i kujtesës, një dëshmitar i së vërtetës, një intelektual që e ktheu dhimbjen në rrëfim, heshtjen në fjalë, ndërsa fjalën e ktheu në akt shërimi.” Duke na rikujtuar se memoria nuk është luks dhe kujtesa është përgjegjësi, Ambasadorja Hajdaraga theksoi se “liria mbijeton tek njeriu që nuk dorëzohet dhe letërsia kthehet në dëshmi të dinjitetit njerëzor. Përpjekja për të prezantuar veprën e tij për publikun grek dhe për Trupin Diplomatik është një dëshmi e fuqisë së dialogut kulturor dhe e afërsisë mes shoqërive tona.”

Përfaqësuesi i Autoritetit të Dosjeve, z. Altin Hoxha, vlerësoi punën e Daut Gumenit si ish-anëtar i Autoritetit dhe prezantoi për publikun dosjet që ish-Sigurimi i Shtetit kishte mbajtur për të. Në fjalën e tij, z. Hoxha u shpreh:“Është një nder i veçantë të flasim sot për Daut Gumenin, si një nga zërat më të guximshëm që u përballën me mekanizmin represiv të diktaturës. Historitë e tilla na kujtojnë se dhuna shtetërore, megjithëse përpiqet të kontrollojë mendimin dhe fjalën, nuk arrin kurrë të shuajë dinjitetin njerëzor.

Pëe më shumë klikoni link-un:

Autoriteti i Dosjeve mbetet i përkushtuar të dokumentojë me saktësi këtë të shkuar të dhimbshme, për t’i dhënë shoqërisë sonë njohjen e plotë për atë që ka ndodhur dhe për t’u bërë nder të gjithë atyre që u përballën me padrejtësinë.

Në vijim, anëtari i Autoritetit, z. Skënder Vrioni, theksoi rëndësinë e veprës së Gumenit dhe ndikimin e saj në kujtesën kolektive:

Daut Gumeni, me romanin Ditari i një Sammarpunuesi, na ka dhënë një nga dëshmitë më të fuqishme të kujtesës sonë të plagosur. Përmes fjalës së tij të lirë, ai ringjall jo vetëm dhimbjen personale, por edhe dinjitetin e një brezi që nuk u përkul para dhunës së regjimit.Letërsia e tij na udhëheq drejt një të shkuare që duhet vizituar për ta kuptuar, por jo për të qëndruar brenda saj. Qëndresa e tij shpirtërore, humori, ironia dhe ndershmëria e penës së tij janë modele të rralla në historinë tonë.Dauti vazhdon të na ndriçojë përmes së vërtetës dhe dinjitetit.”

Vetë shkrimtari, Daut Gumeni tha : “Shpesh më pyesin: ‘Si ia dole të mbijetosh?’. U them se njeriu i burgosur fizikisht mund të shkelet, të zhvishet nga gjithçka, por nëse arrin të mbash të gjallë një grimcë lirie brenda vetes, atëherë nuk të kanë mposhtur dot. Letërsia ime lindi pikërisht nga ajo grimcë – nga nevoja për të mos harruar, nga detyrimi për ta thënë të vërtetën, dhe nga një humor i brendshëm që, për fat të mirë, regjimi nuk arriti ta shkulë.

Kur shkruajta ‘Ditari i një Sammarpunuesi’, nuk kisha qëllim të bëja një akt heroizmi. Kisha thjesht dëshirën të rrëfeja se ç’ndodh me njeriun kur i kërkohet të jetë dikush tjetër nga ai që është. Ai libër është, në thelb, një akt dëshmie për brezat që nuk e kanë jetuar atë kohë – dhe ndoshta edhe një akt qetësimi për shpirtin tim.|- tha shkrimatri në këtë takim.

Anëtari i Autoritetit z. Gjergj Marku dhe znj. Brunilda Çërraga, përfaqësuese e Drejtorisë së Hulumtimit Shkencor, i dorëzuan studiuesit të mirënjohur Dr. Stavro Dajo dokumente studimore nga arkivi, duke vlerësuar rëndësinë e kërkimeve shkencore dhe duke ftuar të pranishmit të aplikojnë për materiale arkivore.

Gjatë aktivitetit, Dr. Stavro Dajo vlerësoi punën e Autoritetit dhe solli aspekte të emigracionit politik në Greqi gjatë komunizmit, si edhe të ndërveprimit kulturor greko-shqiptar përmes përkthimeve dhe promovimit të letërsisë.

Takimi vijoi me prezantimin e krijimtarisë së Gumenit në gjuhën greke nga përkthyesi Kosta Jani, si dhe me transmetimin e një fragmenti nga dokumentari i regjizorit Ylli Pepo, i dedikuar jetës dhe veprimtarisë së tij.

Aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga ish-ambasadori i Greqisë në Kosovë, Dimitris Moscopulos, dhe gazetari i televizionit grek TV ERT, Christos Nikolaidis, i cili vlerësoi punën e Autoritetit dhe u ndal në dokumentarin që pati realizuar së fundmi për televizionin SKAI TV.

Autoriteti pati mundësinë të rrisë kontaktet me anëtarë të shoqatave shqiptare që veprojnë në Athinë, duke i informuar për veprimtarinë e tij dhe mundësitë që ofron për aplikime, kërkime dhe dokumentacion.

Në fund, u zhvillua një bashkëbisedim mes Daut Gumenit dhe publikut, i moderuar nga poeti Panajot Boli. Takimi u shoqërua me interpretime të veprës së autorit, recitime poetike dhe një fragment monodrame.

Në përmbyllje të takimit, u theksua se puna e Autoritetit të Dosjeve mbetet thelbësore për ruajtjen e kujtesës historike, si një detyrim ndaj së vërtetës dhe brezave që vijnë. Kujtesa nuk është luks, por një proces i domosdoshëm për të shmangur deformimin e historisë dhe për të mos lejuar që viktimat të harrohen, ndërsa fajtorët të dalin të pastër.

Takimi u mbyll me mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe me vlerësimin se historia e Gumenit nuk është vetëm histori personale, por pjesë e kujtesës së mijëra shqiptarëve që përjetuan dhunën e diktaturës.