THIRRJE PËR KUMTESA

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë organzizon:

                        KONFERENCËN SHKENCORE NDËRKOMBËTARE

“Kalimi i kufirit Shqipëri–Kosovë/Jugosllavi gjatë viteve 1944–1990”
Një analizë dypalëshe e dimensionit politik dhe njerëzor

Pas vitit 1948, kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës së atëhershme jugosllave u shndërrua në një vijë të ndarjes politike, ideologjike dhe ushtarake, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mijëra shqiptarëve. Kalimet ilegale, arratisjet dhe përpjekjet për shpëtim tregojnë historinë e guximit dhe shpresës që sfidoi çdo rrezik, shpesh me çmim të lartë për ata që guxonin.
Ky kufi u bë një hapësirë tensioni, frike, por edhe shprese të ndaluar, ku çdo përpjekje për të kaluar kishte një kuptim më të madh se vetë distanca që ndante dy anët e tij. Gjatë periudhës 1944–1990, janë të dokumentuara kalime ilegale nga Kosova drejt Shqipërisë, të nxitura nga shtypja politike dhe kombëtare, padrejtësitë ekonomike, diskriminimi institucional dhe ndjekjet ideologjike brenda Jugosllavisë. Banorë të ndryshëm, intelektualë, artistë, mësues, ish-të përndjekur politikë, nxënës e studentë ndërmorën përpjekje të rrezikshme për të kaluar kufirin, duke e parë Shqipërinë si një hapësirë shpëtimi kombëtar dhe ideologjik.
Nga ana tjetër, në dekadat e mëvonshme u shfaqën kalime ilegale nga Shqipëria drejt Kosovës dhe pjesëve të tjera të Jugosllavisë, të nxitura nga izolimi ekstrem, varfëria dhe mungesa e lirive themelore. Kufiri nuk ishte thjesht një vijë ndarjeje shtetërore; ai u bë një hapësirë e tensionit të përditshëm, e arratisjes, por edhe e shpresës së ndaluar, ku çdo guxim individual tregonte dëshirën për liri dhe jetën përtej frikës.

RËNDËSIA SHKENCORE DHE SHOQËRORE
Kjo konferencë përbën një hap të rëndësishëm drejt institutionalizimit të studimeve mbi kufijtë politikë dhe pasojat e tyre shoqërore në kontekstin shqiptar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Duke ndërthurur kërkimin arkivor të thelluar, analizën kritike historike dhe dëshmitë personale të dokumentuara, konferenca synon të kontribuojë në ndërtimin e një paradigme të re historiografike, e cila vendos përvojën njerëzore, vuajtjet dhe rezistencën në qendër të reflektimit shkencor.
Njëkohësisht, kjo nismë kërkimore aspiron të shërbejë si një urë lidhëse mes shkencës akademike dhe kujtesës kolektive, duke ofruar një platformë reflektimi mbi pasojat e thella dhe afatgjata të ndarjeve ideologjike, represionit shtetëror dhe traumat historike. Në këtë kontekst, konferenca jo vetëm dokumenton të shkuarën, por edhe ndihmon në formësimin e një dialogu të ndërgjegjshëm mbi përgjegjësitë historike dhe memorien kolektive, duke u bërë një pikë referimi për studime të mëtejshme dhe ndërveprim akademik ndërkombëtar.

TEMATIKAT KRYESORE TË KONFERENCËS
• Prishja e marrëdhënieve Tito–Stalin (1948) dhe ndikimi i saj në mbylljen e kufirit Kosovë–Shqipëri;
• Kufiri si instrument ideologjik dhe politik gjatë Luftës së Ftohtë;
• Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe reflektimi i tyre në kontrollin kufitar ndër vite
• Kalimet ilegale në kufirin Kosovë–Shqipëri dhe në vendet e tjera ish-komuniste të Evropës;
• Legjislacioni shqiptar dhe jugosllav mbi kalimet ilegale të kufirit;
• Motivet ekonomike dhe sociale të kalimeve ilegale;
• Nacionalizmi shqiptar (dashuria për atdheun) dhe kërkimi i “atdheut amë” si shtysë për kalimin e kufirit;
• Roli i arsimit, propagandës (shtypit, medias) dhe miti për Shqipërinë;
• Trajtimi i emigrantëve ilegalë në Shqipëri dhe Jugosllavi;
• Pasojat politike, shoqërore dhe personale të kalimeve ilegale të kufirit;
• Riatdhesimi dhe kthimet me forcë të emigrantëve dhe pasojat në vendet e origjinës;
• Kujtesa kolektive mbi kalimet ilegale të kufijve;
• Pasqyrimi në shtypin e kohës i kalimeve ilegale;
• Trajtimi i çështjes së kalimeve ilegale në letërsi;
• Kufiri në këngët popullore dhe rrëfimet gojore.

KËSHILLI SHKENCOR

  • Prof. Dr. Nuridin Ahmeti
  • Dr. Ornela Arapi
  • Dr. Brunilda Çërraga
  • Prof. Dr. Arbër Hadri
  • Dr. Edlir Orhani
  • Prof. Dr. Teuta Shala-Peli

Udhëzime mbi dorëzimin e abststrakteve
• Abstrakti duhet të jetë i qartë, i strukturuar, dhe të reflektojë konceptin dhe metodologjinë e studimit.
• Gjatësia: 250–300 fjalë
• Formati: Times New Roman, madhësia e shkrimit 12
• Të përfshijë: titulli i prezantimit, emri dhe mbiemri, institucioni, adresa e e-mailit, fotografia
• Bashkëngjitur të vendoset Bio e shkurtër me fotografi

DATA TË RËNDËSISHME DHE VENDI I ZHVILLIMIT
• Afati i dorëzimit të abstraktit: 20 prill 2026
• Data e konferencës: 15 shtator 2026
• Vendi: Tiranë

Dërgimi i abstrakteve në adresën email: info@autoritetidosjeve.gov.al