Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

A do të kemi një film të ri mbi historinë e vërtetë të Kënetës së Maliqit?

Vijojmë rrugëtimin e Klubit të Filmit “Mësojmë nga e Kaluara”, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), një nismë edukimi dhe reflektimi mbi kinemanë e periudhës komuniste si produkt i propagandës së regjimit. Në këtë kuadër u diskutua filmi “Vitet e para” (1965), realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, bazuar në romanin “Këneta”, si një vepër tipike e realizmit socialist dhe dëshmi e kohës së vet.

Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit tŕ Dosjeve theksoi rëndësinë e një vështrimi kritik ndaj filmit “Vitet e Para”, duke nënvizuar se ai duhet të lexohet përtej narrativës artistike, si një produkt me ndikim afatgjatë në formimin e brezave të rinj. Sipas tij, filmi duhet të shoqërohet me një histori të plotë dhe të dokumentuar mbi fatin e rreth 2.500 të burgosurve politikë në kampin e Vloçishtit, Maliq, mes tyre figura të njohura si Sami Repishti, Arshi Pipa, Jusuf Vrioni, Vexhi Buharaja, Kujtim Beqiri dhe Abdyl Shara.

Ai rikujtoi se në procesin gjyqësor për tharjen e Kënetës së Maliqit, gjykata i shpalli të pandehurit “sabotatorë” dhe “armiq të popullit”, duke dënuar me vdekje Vasil Mano, Kujtim Beqiri, Eugenio Scaturo, Abdul Shara dhe Zyrika Mano; me burgim të përjetshëm Mario Guarnieri dhe Pandeli Zografi; me burgime afatgjata Mihal Stratoberdha dhe Anastas Risto; si dhe me një vit burgim me kusht Jani Vasili. Për të dënuarit me pesë vjet burgim e lart u urdhërua konfiskimi i pasurisë, duke e shtrirë ndëshkimin edhe mbi familjet e tyre.”

Drejtori i Arkvit Qëndror të Filmit. z.Eljan Tanini u shpreh se Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ruan kujtesën filmike të vendit si një trashëgimi me vlera artistike dhe historike,

“Ky cikël aktivitetesh synon ta shohë kinemanë me sy kritik. ‘Vitet e para’ përfaqëson një nga aktet më komplekse të kinematografisë shqiptare të periudhës komuniste: një lloj traktati pamor mbi marrëdhënien mes njeriut dhe tokës, ku njeriu shfaqet njëkohësisht si protagonist dhe si vegël e sistemit.

Estetika e baltës dhe ideja e ‘lindjes së njeriut të ri’ përbëjnë boshtin vizual të filmit. Në kohën e vet, ai u perceptua si një fitore ideologjike, por sot lexohet edhe si dëshmi e lindjes së një gjuhe të re filmike, ku ‘njeriu i vogël’ vendoset përballë horizontit, natyrës dhe pushtetit.

Tensioni historik që filmi mbart e ka kthyer atë në një instrument politik, ku gjyqi dhe ndëshkimi vulosin fatin e elitës teknike dhe intelektuale. Ky dualitet – histori e shpallur suksesi dhe njëkohësisht histori persekutimi – e bën filmin njëkohësisht propagandë dhe vepër arti.

Mjeshtëria filmike, balta e Maliqit, loja e dritës dhe hijes nuk janë boshllëqe të kohës, por elemente që sot na lejojnë ta rilexojmë këtë vepër si një udhëkryq mes mitit të njeriut që mposht natyrën dhe realitetit të shtetit totalitar. Pikërisht këtë synon të sjellë ky debat: një përballje të ndershme mes artit, propagandës dhe historisë.”

Moderatorja e këtij eventi, Rovena Rozhani, specialiste e edukimit qytetar, përmes slajdeve të punimit të saj mbi historinë e filmit “Vitet e para”, solli për audiencën një qasje aktive dhe të argumentuar, duke ndërthurur dokumente arkivore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit nga AIDSSH, si dhe dëshmi të fëmijëve të inxhinierëve të vrarë dhe të familjeve të tyre të përndjekura.

Në këtë kontekst, ajo theksoi se: “Tragjedia e Kënetës së Maliqit u thellua dhe u bë edhe më e ashpër nga arti dhe letërsia e propagandës, të cilat, përveç dhunës fizike, u dhanë viktimave një dënim të dytë moral, duke i stigmatizuar dhe turpëruar. Për këtë arsye, zhbërja e kësaj tragjedie duhet të nisë nga arti vetë, aty ku u ndërtua narrativa e rreme dhe ku sot mund të rikthehet e vërteta dhe dinjiteti njerëzor.”

Për audiencën e zgjedhur, të përbërë nga profesorë, studiues të historisë, mësues dhe studentë të historisë, si edhe juristë të ardhshëm, erdhi i plotë edhe studimi i Prof. As. Dr. Sonila Boçi, “Fajtorë pafaj:gjyqi kundërinxhinierëvetë Kënetës së Maliqit” :

“ Publiku shqiptar është prej vitesh i përfshirë në debatin mbi mënyrën se si duhet trajtuar kinematografia dhe teatri i prodhuar gjatë regjimit komunist: mes kërkesave për censurë dhe nevojës për përballje kritike. Në regjimet totalitare, propaganda ishte një armë po aq e fuqishme sa dhuna, ndërsa kinematografia u përdor për të ndërtuar një realitet të rremë, për të stigmatizuar “armikun e popullit” dhe për të justifikuar dështimet e pushtetit.

Filmi “Vitet e para”, i bazuar në romanin “Këneta”, është një shembull i qartë i këtij mekanizmi: një narrativë propagandistike që glorifikon pushtetin dhe fajëson specialistët e projektit të Maliqit për dështime strukturore, duke fshehur realitetin e persekutimit, shfrytëzimit të të burgosurve politikë dhe mungesës së kushteve teknike.

Sot, falë dokumenteve arkivore dhe dëshmive reale, kemi mundësinë të dallojmë propagandën nga e vërteta historike. Censura nuk është zgjidhje; përkundrazi, shfaqja e këtyre veprave e shoqëruar me analizë kritike, fakte dhe kontekst historik është mënyra më e përgjegjshme për të ndërtuar ndërgjegjësim, për të nderuar viktimat dhe për të forcuar vlerat e demokracisë, mendimin kritik dhe kulturën e kujtesës.”

Dr. Anxhela Çikopano, studiuese e teatrit pranë Qendrës së Studimit të Arteve, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, i parashtroi këto qëndrime në punimin e saj “E përdala dhe shenjtorja: gruaja në filmin ‘Vitet e para’.” Kinematografia e realizmit socialist shpesh u përdor nga pushteti komunist si mjet për të përligjur gënjeshtrën dhe dhunën e tij. Pyetja thelbësore nuk është nëse këta filma duhen parë apo jo, por si duhen parë. Në “Vitet e para”, kinemaja përqafon qartësisht një logjikë patriarkale dhe ideologjike, ku gratë vendosen në dikotominë “shenjtore/kurvë”, një formulë e njohur për ndarjen morale të shoqërisë. Personazhet femërore shenjtërohen vetëm nëse përqafojnë revolucionin dhe flijojnë veten për rendin e ri, ndërsa seksualiteti i lirë dhe mosbindja ndëshkohen simbolikisht dhe fizikisht. Fati i Zyrakës, i lidhur vizualisht me ekzekutimet reale të Maliqit, e shndërron filmin në një instrument propagandistik që legjitimon eliminimin e “armikut” përmes gjuhës së artit. Kështu, “Vitet e para” mbetet një shembull i qartë se si kinemaja u përdor për të ndërtuar mite, për të justifikuar krimin dhe për të deformuar kujtesën historike.

Sipas doktorantes Kejsi ZIU, juriste dhe drejtuese projekti pranë Këshillit të Evropës, me ekspertizë në drejtësinë tranzitore dhe sundimin e ligjit, e cila ka marrë në studim shkeljen e të drejtave të njeriut përmes rastit të gjyqit të inxhinierëve të Maliqit dhe simbolikës së shprehur në filmin “Vitet e para”:

“Një shoqëri demokratike funksionon vetëm kur ligji qëndron mbi politikën dhe drejtësia është e pavarur, e bazuar në prova dhe jo në ideologji. Asnjë interes shtetëror nuk mund të justifikojë shkeljen e të drejtave themelore të njeriut, torturën apo ekzekutimet pa gjyq. Regjimet autoritare përdorin artin dhe kinemanë si mjete propagande për të deformuar realitetin dhe për të ndarë shoqërinë në ‘të mirë’ dhe ‘armiq’. Prandaj, sot është thelbësore që këto vepra të lexohen kritikisht, të shoqëruara me fakte dhe dokumente, në mënyrë që demokracia të mbështetet në institucione të forta, liri shprehjeje dhe qytetarë.”

A duhej tharë këneta ? Kësaj pyetje iu pergjigj urbanistja , Dr. Dorina Pojani, e cila tha se : Rasti i kënetës së Maliqit tregon se si ideologjia socialiste e paraqiti natyrën si armik që duhej nënshtruar në emër të progresit. Përmes letërsisë dhe filmit, një projekt ekologjikisht i dëmshëm dhe njerëzisht kriminal u mitizua si fitore e shkencës dhe e Njeriut të Ri. Në këtë narrativë, puna e detyruar e të burgosurve politikë dhe dhuna ndaj grave u zhdukën ose u deformuan qëllimisht. Ironikisht, sot zona përballet sërish me përmbytje dhe kriza mjedisore, duke zbuluar dështimin e këtij vizioni linear të zhvillimit.”

Agron Sharra, nipi i inxhinierit të pushkatuar pa faj Andyl Sharra, u shpreh se: “Nuk e kam parë filmin në kohën kur u shfaq, por brenda familjes sonë ne e njihnim shumë mirë atë histori. Për ne, filmi ishte pjesë e një realiteti të dhimbshëm që e dinim se nuk përputhej me të vërtetën. Sot është e domosdoshme të vendoset një raport i ndershëm mes historisë reale dhe mënyrës se si ajo është deformuar nga propaganda.

Arti i realizmit socialist, i parë edhe nga këndvështrimi juridik, duhet të shoqërohet me një shpjegim dhe referencë historike për publikun, në mënyrë që audienca dhe veçanërisht të rinjtë të kuptojnë kontekstin e vërtetë të ngjarjeve dhe të jenë në gjendje t’i vlerësojnë këto vepra me mendim kritik.

Ende nuk ka një qëndrim zyrtar apo një kërkim-falje për atë që ka ndodhur, dhe është në nderin e këtij institucioni që ta trajtojë këtë çështje me ndershmëri.

Kur më vonë erdhën ekspertë rusë për të vijuar projektin e tharjes së kënetës, ata kërkuan të silleshin inxhinierët shqiptarë. Kur u tha se ata ishin ekzekutuar, përgjigjja ishte: ‘Vazhdoni projektin sipas atij plani’. Këneta u tha pikërisht ashtu siç kishin parashikuar inxhinierët tanë. Ata ishin personalitete të kohës, profesionistë që kanë ndërtuar ura dhe vepra që qëndrojnë ende sot.”

Përgjegjësja e edukimit, Brunilda Cerraga, e cila e shtroi diskutimin e këtij Klubi Filmi “Mësojmë nga e kaluara” në dialog të drejtpërdrejtë me mësuesit e historisë dhe letërsisë, theksoi se këto vepra, pavarësisht vlerës së tyre artistike, kërkojnë një lexim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në mjedisin arsimor.

Ajo nënvizoi se trajtimi i filmave të realizmit socialist duhet të shërbejë si mjet edukimi qytetar, për të ndihmuar nxënësit të kuptojnë dallimin mes propagandës dhe realitetit historik, duke nxitur mendimin kritik dhe respektin për të vërtetën historike, veçanërisht në kontekstin e një shoqërie demokratike.

U ndamë nga ky takim me pyetjen e ngritur nga moderatorja e takimit, Rovena Rozhani – “A do të kemi film të ri për historinë e errët të tharjes së Kënetës së Maliqit?” , një pyetje që na fton të reflektojmë jo vetëm mbi nevojën e një rrëfim të ri artistik, por mbi përgjegjësinë për ta treguar historinë me ndershmëri, fakte dhe respekt për viktimat, duke e çliruar artin nga propaganda, shpifja, denigrimi njerëzor dhe duke ia kthyer atë së vërtetës.

Historia e vërtetë e tharjes së Kënetës së Maliqit ndërthur të gjithë elementët e dhunës së një regjimi diktatorial: burgosjen politike të elitës, punën e detyruar, torturat, zhdukjen e trupave, dënimin me vdekje të inxhinierëve, ndëshkimin fizik dhe moral të grave, deri te vrasja e foshnjës.

Kjo histori që kërkon të rrëfehet me fakte, ndershmëri dhe respekt për viktimat.