Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Dokumentet arkivore dhe kujtesa e kufirit Shqipëri – Kosovë/Jugosllavi: nga dokumentimi i përvojës te edukimi i brezave të rinj

Z. Selami Zalli

(Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Trajtimit të Kërkesave AIDSSH)

Në parantezë kam zgjedhur një postulat të përshtatur, konkretisht, “Tokat kthehen dhe mbeten VATAN jo vetëm kur vaditen me gjak, por edhe me dije, studime, me të vërteta, kurajo për të kërkuar ndjesë e dhënë dashuri.”

Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit një proces jo i lehtë ama i rëndësishëm sidomos për problematikat dhe çështjen e Kosovës dhe anembanë kufirit “shqiptaro – shqiptar”. Ky proces dhe kjo procedurë nuk është dhe as mund të ishte hapje e plagësh të së kaluarës por një proces njohje e reflektimi mbi të vërteta mbi baza dokumentare, studimesh të thelluara, analize objektive të bazuar në prova e burime alternative. Nuk ka ndodhur as mund të ndodhë që një komb të ketë ndërtuar narrativën e tij historike mbi heshtje, burime e dokumente të njëanshme, kujtime selektive apo mite të krijuara nga tejngopja dhe në funksion të mbajtjes së pushtetit, por mbi dokumente të verifikueshme e të gatshme e të mundshme për tu ballafaquara. Arkivat mund të na tregojnë çfarë është ditur, çfarë është raportuar, çfarë është fshehur dhe si është trajtuar çështja e Kosovës nga aparati shtetëror shqiptar. Prandaj, hapja e tyre është jo vetëm detyrim ligjor por edhe kombëtar e moral. Nisur nga kushtet tona përbën domosdoshmëri shkencore për të kaluar nga kujtesa tek historia, nga rrëfimi te prova dhe nga dyshimi te faktet. Kjo duke bërë kujdes e qenë skeptik në mënyrën e trajtimit dhe përdorimit të këtij dokumentacioni arkivor, që ka të bëjë me një nga strukturat më famëkeqe, mjetin kryesor represiv në mbajtjen e pushtetit nga një forcë politike e krijuar dhe aleate e hapur dhe e fshehtë e regjimit që vepronte në Kosovë e ish Jugosllavinë e kohës. Arkivë kjo, e krijuar, përdorur e mbajtur fshehur, që me gjasa do të ruajë gjatë këtë status quo, pa harruar e seleksionuar deri në shkatërrime masive periodikisht, në përpjekje për glorifikim e mbulim të akteve kriminale deri të tradhtisë kombëtare.

Model apo precedenti më i mirë, i mbrojtjes dhe hapjes së dosjeve, pa dyshim me ndikim pozitiv në zgjidhjen e çështjeve nacionale të mbetura pezull mbetet Gjermania, si komb e shtet i ndarë në mbrojtje tëshoqëris në Perëndim dhe shërimin e asaj në Lindjen komuniste. Në krahasimin midis Shqipërisë e Gjermanisë, ekzistojnë dallime të rëndësishme në mënyrën, kohën and kuadrin institucional si u trajtuan dokumentet e ish-policive sekrete:

Krahasimi mund të përmblidhet në disa dallime themelore: Gjermania – Stasi/ Shqipëria – ish-Sigurimi i Shtetit (OSSH). …

Mbi këtë dallim mund të kuptohen më mirë edhe disa prej pikave kryesore të krahasimit, hapja e dosjeve të Stasit nuk u trajtua vetëm si një proces njohjeje me dokumentet për të kuptuar “kush spiunoi kë”, por u shndërruan në një instrument (proces) për të kuptuar se si ishte organizuar dhe funksiononte ky aparat represiv në kuadër të diktaturës. Arritja më me vlerë ishte kalimi nga dosja (dokumentet) si provë individuale te dokumentet si burim për të kuptuar sistemin, strukturat e tij, mekanizmat e kontrollit dhe mënyrën se si represioni funksiononte në të gjitha nivelet e pushtetit. Kjo u bë e mundur edhe për shkak të epërsisë, mundësisë dhe vullnetit të qartë politik e institucional që arkivi të ruhej dhe të vihej i tëri në dispozicion, dhe jo të trajtohej në mënyrë të copëzuar, siç ndodhi tek ne. Për këtë arsye, pa një qasje të plotë ndaj dokumentacionit, është e vështirë të kuptohet dhe të rindërtohet mënyra se si funksiononte sistemi represiv shqiptar.

Një gjetje intriguese mbetet fakti se, gjermanët shumë shpejt kuptuan, rrezikun e ndikimit të ish-punonjësve të STAS-it në këtë proces. Ata jo vetëm nuk u lejuan të ndërhynin në administrimin dhe trajtimin e këtij dokumentacioni, por u mbajtën larg procesit të përballjes me të kaluarën.

Hapja e dosjeve ka një ndikim të rëndësishëm në mënyrën e leximit, analizimit dhe rishkrimit të historisë, duke i kthyer ato në një burim të rëndësishëm për historianët dhe studiuesit. Dokumentet mundësuan përballjen dhe krahasimin e versionit zyrtar të historisë, me atë që vetë aparati shtetëror kishte shkruar. Në këtë mënyrë, historia nuk mbështet më vetëm në kujtime, deklarata politike apo dokumente publike, por edhe në “dëshmitë” e prodhuara nga vetë aparati represiv (kjo po ndodh aktualisht në Kosovë nga TV), duke krijuar mundësi për një lexim më kritik, më të plotë dhe më të verifikueshëm të së kaluarës.

Ashtu si edhe në vendet e tjera, edhe tek ne u tregua kujdes që, me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 45/2015, të mos krijoheshin apo hapeshin konflikte të reja, por, mbi parimin universal të rolit dhe vlerës së vërtetës, plagët të mbylleshin përmes saj, pasi e vërteta shëron. Përkundrazi, shtrembërimi, pengimi, keqpërdorimi, abuzimi apo manipulimi i së vërtetës trazon shoqërinë dhe krijon premisa për rreziqe të reja. Hapja e dosjeve, dokumentimi i fakteve dhe njohja e viktimave janë pjesë e një procesi që shkon përtej njohjes së thjeshtë, shuarjes së kureshtjes apo rrëmimit në jetët e të tjerëve. Ato, nëse trajtohen si pjesë e një procesi shkencor dhe shoqëror, marrin kuptim në funksion parimit themelor që, pa të vërtetën nuk ka drejtësi historike, pa drejtësi historike, pajtimi nuk mund të jetë real dhe i qëndrueshëm, por mbetet vetëm retorikë. Prandaj, pjesëmarrja në procesin e së vërtetës nuk është vetëm detyrim ndaj së shkuarës, por edhe përgjegjësi ndaj së ardhmes. Mospjesëmarrja, kur bëhet fjalë për zbardhjen e dokumenteve dhe fakteve historike, aq më tepër kur në to bëhet fjalë dhe gjenden krime, nuk mund të shitet si neutralitet. E keqja nuk vdes me rënien e një regjimi, ndryshimin e status quo-në apo të rrethanave subjektive. Ajo mbijeton kur heshtja trashëgohet, kur arkivat mbyllen, kur e vërteta shtyhet dhe kur status quo-ja mbrohet në emër të “pajtimit”. Prandaj, pengesat e sotme nuk janë thjesht vonesa administrative. Nëse e vërteta pengohet me vetëdije, atëherë vetë pengesa bëhet pjesë e problemit që ligji synon të zgjidhë. Hapja e dosjeve nuk është të hapësh luftë me të kaluarën, por të mbyllësh llogarinë me të, për faktin se e vërteta nuk negociohet dhe pa të nuk ka shërim, ajo çlirohet kur dokumenti hapet, verifikohet dhe e vërteta nuk ka më nevojë për leje.

Një nga problematikat më delikate mbetet raporti me të vërtetën, dhe përpjekjet për ta relativizuar, zbehur apo nxjerrë jashtë vëmendjes. Kjo ndodh veçanërisht kur dokumenti ndriçon një të shkuar të pakëndshme dhe sfidon narrativat që synojnë të glorifikojnë individë, struktura apo periudha të caktuara. Në këto rrethana, dokumenti kthehet në objekt për t’u heshtur, mbajtja e tij në gjëndje të shenjëzuar (klasifikuar), kufizuar, deformuar apo, në rastin më ekstrem, fshehur. Viktimës i kërkohet të heshtë, kujtesës të harrojë, ndërsa përgjegjësit rrethohen me lavdi. Kur dokumenti mungon, boshllëku që krijohet nuk është thjesht mungesë informacioni, ai bëhet terren për interpretime të pakufizuara, relativizime, kakofoni narrativesh. Kjo ndikon jo vetëm në atë që dimë për të shkuarën, por edhe në mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta kuptojnë dhe do ta gjykojnë atë.

Këtu qëndron edhe rëndësia themelore e arkivave. Ato nuk janë thjesht hapësira ku ruhen dokumente, por institucione që duhet të garantojnë vazhdimësinë, autenticitetin dhe aksesin ndaj dëshmive të së shkuarës. Një arkiv i besueshëm … i shërben faktit.

“Arkivi nuk glorifikon – dëshmon”. “Dokumenti nuk hakmerret – rrëfen, verifikon e konfirmon”. Nëpërmjet tij, e shkuara mund të shqyrtohet mbi bazën e fakteve …. Një shoqëri që nuk ka akses te dokumenti e ka të vështirë të ndërtojë një marrëdhënie të shëndetshme me historinë e saj. Kur faktet bëhen të paarritshme, kujtesa rrezikon të ndërtohet jo mbi atë që ka ndodhur, por mbi atë që është lejuar të tregohet. E vërteta … nuk kërkon mbrojtje nga dokumenti, kërkon që dokumenti të mos i nënshtrohet frikës, interesit apo harresës. Kur dokumenti është i lirë të dëshmojë, e vërteta nuk ka nevojë për zëdhënës. Ajo flet vetë. Një shoqëri që ka guximin të hapë arkivat, të përballet me dokumentet dhe të dëgjojë pa frikë atë që ato dëshmojnë, është një shoqëri që ka guximin të përballet me hijet e së shkuarës.

“Arkivi nuk shkruan historinë – e dëshmon”. “Dokumenti nuk e gjykon të shkuarën – e verifikon”.

“E vërteta e fshehur mund të vonohet, por nuk mund të zhbëhet. Dokumenti mund të mbyllet në një dosje, mund të heshtë për një kohë të gjatë, por nuk mund të varroset përgjithmonë e vërteta që ai mbart. Arkivi mund të ruajë heshtjen, por historia kërkon të flasë. Dhe sa më gjatë të mbahet e mbyllur e vërteta, aq më e madhe bëhet përgjegjësia për ta nxjerrë atë në dritë”.

E gjithë kjo hyrje, mbi hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të një sesioni shkencor për “çështjen e kufijve dhe të Kosovës”, nuk është hapje e plagëve të së kaluarës, është nxjerrje në dritë e dokumenteve, ballafaqim me faktet dhe njohje me të vërtetat, deri te krimet që, në përpjekjet e vazhdueshme për t’i mbuluar, relativizuar apo glorifikuar, jo vetëm çorientojnë dhe deformojnë të vërtetën, por vazhdojnë të prodhojnë pasoja dhe të shkaktojnë dëm … Një komb nuk e ndërton historinë mbi heshtje, kujtime selektive apo mite, por mbi dokumente të verifikueshme. Arkivat mund të na tregojnë çfarë është ditur, çfarë është raportuar, çfarë është fshehur dhe si është trajtuar çështja e Kosovës nga aparati shtetëror shqiptar. Prandaj, hapja e tyre është jo vetëm detyrim moral, por edhe domosdoshmëri shkencore për të kaluar nga kujtesa te historia, nga rrëfimi te prova dhe nga dyshimi te faktet, ky konceptim i ngulitur nga E. Orhani, “ide permanente dhe autentike e tij”, në vlerësimin tim, me vlerë përkufizimi në studime të kësaj fushe e punime të kësaj natyre.

Në këtë kontest nuk kemi si t’i shmangemi dhe ta lëmë pa trajtuar njërin prej elementeve rreth dhe në kurriz të të cilit në dukje, vërtiteshin të gjitha këto problematika, tek “fajtori” i padënueshëm dhe pa faj – “Kufiri si nocion gjeografik, juridik, politik dhe moral”.

Nga shqyrtimi i veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së regjimit komunist, kufiri me Kosovën paraqitet si një hapësirë me rëndësi të veçantë politike, operative dhe të sigurisë. Kontrolli nuk lidhej vetëm me ruajtjen fizike të kufirit, por edhe me parandalimin dhe evidentimin e kontakteve të popullsisë … me të afërmit dhe komunitetet shqiptare përtej kufirit, si dhe me çdo informacion që autoritetet e konsideronin me karakter politik. Në këtë kuadër dhe kontekst janë thurur shumë intriga dhe janë kryer krime, çka mbetet detyrë dhe detyrim i studiuesve për t’i trajtuar, analizuar dhe ndriçuar mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve.

Për më tepër, mbikëqyrja, survejimi, dokumentimi dhe veprimet operacionale të OSSH-së pretendohet se shtriheshin përtej vijës fizike të kufirit. Në zonat kufitare ndiqeshin jo vetëm tentativat për kalim të paligjshëm, por edhe lëvizjet, marrëdhëniet familjare, kontaktet dhe komunikimet e personave që mund të kishin lidhje me Kosovën. Lidhjet familjare me Kosovën merrnin rëndësi operative. Familjet që kishin të afërm në Kosovë mund të përfshiheshin në dokumentacionin dhe vëzhgimin e organeve të sigurimit, sidomos kur këto lidhje shoqëroheshin me kontakte të paautorizuara ose me dyshime politike. Kontrolli i kufirit lidhej edhe me parandalimin e arratisjev, për këtë arsye, banorët e zonave kufitare dhe personat që dyshoheshin mund t’i nënshtroheshin masave të ndryshme të kontrollit.

Nga njohja dhe studimi i këtij dokumentacioni duhet qenë syçelë dhe me mendje të hapur, pa ndikime dhe reminishenca, për të parë raportet me Kosovën në kontekstin e marrëdhënieve Shqipëri – Jugosllavi. Për periudha të ndryshme, intensiteti dhe mënyra e kontrollit ndryshuan, në varësi të situatës politike dhe të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Ky dokumentacion bëri të mundur njohjen e mekanizmave të represionit dhe krijoi hapësirën që studiuesit të kalonin nga historia e individit te historia e institucioneve. Përtej përcaktimit, se kush ishte bashkëpunëtor, dokumentacioni mundëson të kuptohet: si rekrutohej bashkëpunëtori? detyrat që kryente? Çfarë informacioni i kërkohej? Si përdorej dhe ruhej ky informacion? Kush e analizonte dhe merrte vendimin? çfarë pasojash prodhonte ai informacion …?

Jo pa ndikim dhe pa rol ky proces në kujtesën kolektive. Hapja e dosjeve ka sjellë në hapësirën publike histori që më parë mund të kishin mbetur të mbyllura brenda familjeve ose të humbura nëpër këto magazina të padepërtueshme me emrin arkiva.

Në këtë kuptim, vlera e dosjeve shqiptare do jetë kur ato ato të mund të na tregojnë mënyrën se si funksiononte sistemi, duke u dhënë përgjigje çështjeve madhore, përtej pyetjes “kush ishte spiun?”, drejt pyetjes themelore, “si funksiononte sistemi?”

Nëse dosjet analizohen në tërësinë e tyre, ato mund të ndihmojnë në rindërtimin mekanizmat e shtypjes, por aty gjënden e duhen kërkuar dhe evidentohen edhe format e qëndresës, solidaritetit dhe mbijetesës njerëzore që u shfaqën përballë tyre. Këto dëshmi të qëndresës dhe solidaritetit përbëjnë vlerë të veçantë, dëshmojnë jo vetëm forcën e individit dhe të komunitetit për t’i bërë ballë represionit, por edhe vlerat njerëzore që nderojnë një shoqëri dhe një popullatë.

Hapja e arkivit nuk do të thotë automatikisht rishkrim i historisë. Arkivi dhe kërkimi arkivor krijojnë mundësinë për thellimin deri edhe rishikimin e saj. Historia rishkruhet përmes kritikës së burimeve, krahasimit të dokumenteve, dëshmive të viktimave, burimeve institucionale dhe vendosjes së tyre në kontekstin historik. Një dosje e Sigurimit nuk duhet marrë automatikisht si “e vërteta absolute”, përkundrazi, dokumentet duhen lexuar, analizuar dhe ballafaquar në mënyrë kritike. Ato janë prodhuar nga një aparat represiv, janë mbajtur, përdorur dhe seleksionuar në mënyrë të fshehtë dhe sipas qëllimeve të caktuara, ndaj mund të përmbajnë gabime, interpretime, informacione të pasakta ose të dhëna të manipuluara qëllimisht.

Prandaj, detyra e historianit nuk është thjesht të hapë dosjen, por ta lexojë atë në mënyrë kritike. Paralelizmi në njohje e shqyrtim i këtij dokumentacioni në lidhjet e korelacionin Shqipëri – Kosovë e më gjërë në troje, tregon se rëndësia e hapjes së dosjeve nuk matet vetëm me numrin e dokumenteve të bëra të aksesueshme apo me numrin e emrave që dalin prej tyre. Matet me atë se sa e aftë bëhet një shoqëri për ta kuptuar më mirë sistemin që ka kaluar. Në këtë kuptim, “hapja e dosjeve nuk është fundi i historisë, është fillimi i një historie më të dokumentuar”.

Burimet historike për shkrim dhe rishkrim të historisë janë të ndryshme, por dosjet e Sigurimit të Shtetit, të ballafaquara me burimet alternative, përbëjnë dhe mbeten një burim i dorës së parë. Këto, të krahasuara me burimet e tjera kjo e ilustruar me rastet e dokumenteve dhe shkrimeve të sjella nga Nuredin Ahmeti, Bejtullah Destani, Veton Surroi, studiuesit nga Tetova Skënder Asani tek “Ilegalja”, Qerim Lita, emisionet televizive të gazetarit Panduri etj., marrin një rëndësi të veçantë. Roli i njohjes me dosjet dhe premisat, ndikimi i tyre në rishkrimin e historisë, si dhe mundësitë, mbështetja, promovimi, ndikimi dhe pushteti që kanë shkruesit e librave të historisë, janë çështje që meritojnë vëmendje të veçantë. Nëse kjo nuk do të ndodhte, në mënyrën se si është shkruar historia dhe në raport me mundësitë, mbështetjen, promovimin dhe ndikimin që kanë autorët e saj (Xhufi etj), Kampi i Tepelenës (gulagu – minimalisht) do t’u servirej brezave që vijnë si “kamp pushimi”, edhe pse aty ka pasur vdekje masive, të shkaktuara nga kushtet e krijuara, jo dhoma gazi, por kapanone antihumane, pa higjenë, të ftohta, mungesë ushqimi, kalorish dhe mjekimi. Në vështrimin tim, kjo ishte një vdekje e simuluar përmes krijimit të kushteve që çonin në vdekje, çka mund të konsiderohet edhe më e rëndë e më e dhimbshme se vrasjet e kryera me mjete të posaçme, si pushka, litari, gazi etj, për nga menjëhershmëria. Të tilla metoda kanë përdorur edhe jugosllavët në kampet e punës në Istria, ato emigratore në Gerovo etj. Ngjashmëritë dhe koincidencat e shpeshta mes këtyre përvojave meritojnë vëmendje, shpjegim dhe një arsyetim të argumentuar.

Në kuadër të punës së përditshme për studimin dhe vlerësimin e dokumentacionit që lidhet me ish-Jugosllavinë, me fokus kryesor dokumentacionin që u përket trevave të banuara nga shqiptarët, si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj., konstatohet rëndësia e veçantë që paraqet njohja, identifikimi dhe studimi i këtij dokumentacioni. Kjo … për të krijuar një ide sa më të saktë mbi atë se çfarë dokumentacioni disponojmë, çfarë përmban ai, cilat janë strukturat që e kanë prodhuar dhe administruar, si dhe në çfarë mase ky dokumentacion mund t’u shërbejë publikut dhe studiuesve. Vetëm përmes një njohjeje të plotë të dokumentacionit, të shoqëruar me analizë, klasifikim dhe ballafaqim me burime të tjera, mund të arrihet në konkluzione dhe përfundime sa më të sakta. Për këtë arsye, kemi vlerësuar se studimi duhej të fillonte nga njohja dhe interpretimi i akteve bazë mbi të cilat ka vepruar OSSH-ja, veçanërisht Platformat dhe Rregulloret e Sigurimit, si dhe ato të Zbulimit. …

Nga proceset e deritanishme të informimit dhe në kuadër të përpunimit të dokumentacionit, kemi hasur në terma dhe struktura të ndryshme, ndër të cilat edhe SRV-ja (Sektori i Rëndësisë së Veçantë). Evidentimi dhe kuptimi i saktë i këtyre strukturave është i rëndësishëm, pasi përmes tyre mund të ndiqet jo vetëm origjina e dokumentacionit, por edhe funksioni që ai ka pasur and lidhja e tij me dokumentacione të tjera të prodhuara nga struktura të ndryshme.

Në këtë kuadër, jemi gjithashtu në dijeni për ekzistencën e dokumentacionit që lidhet me kampet e emigracionit në Llakatund, Seman, Zvërnec dhe Çermë, si dhe me të ashtuquajturit “Terrenistë” persona që hidheshin ose vinin këtej kufirit, kryesisht nga Kosova, por edhe persona që përfshiheshin në kontingjentet e të arratisurve. Po kështu, dokumentacioni që lidhet me Qendrat e Filtrimit, si dhe me personat e hedhur në arrati, të përfshirë në emigracion apo të riatdhesuar. Këto kategori dokumentacioni duhen parë dhe studiuar si pjesë të një procesi të ndërlidhur dhe jo si dokumente apo raste të veçuara.

Njohja e akteve bazë, e strukturave që kanë vepruar mbi bazën e tyre dhe e terminologjisë së përdorur prej tyre na krijon mundësinë të ndjekim zinxhirin dokumentar dhe të rindërtojmë lidhjet ndërmjet dokumenteve, strukturave, personave dhe ngjarjeve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për dokumentacionin që lidhet me trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, ku veprimtaria e strukturave të Sigurimit dhe Zbulimit ndërthurej me çështje të kufirit, emigracionit, arratisjeve, riatdhesimeve dhe veprimtarisë së personave apo grupeve të konsideruara prej tyre si objekt ndjekjeje.

Për rrjedhojë, qëllimi i studimit nuk duhet të jetë vetëm evidentimi sasior i dokumentacionit që disponohet, por edhe njohja e përmbajtjes, strukturës dhe lidhjeve të tij të brendshme. Vetëm nëpërmjet këtij procesi mund të krijohet një panoramë sa më e plotë e dokumentacionit, të përcaktohen më saktë boshllëqet dhe mundësitë për kërkime të mëtejshme, të krijohen kushtet që ky dokumentacion t’u shërbejë në mënyrë sa më të dobishme publikut dhe studiuesve.

Vetëm nga njohja me regjistrat me titull “Regjistër Inventar i Fondit Kosovës”, rezulton se kemi të bëjmë me persona (individë) që jetojnë (nin) në ish – Jugosllavi, të cilët mund të kenë qënë apo të kenë ushtruar aktivitet në vendin tonë. …

Në këta regjistra, nuk gjëndet (veç rasteve të rralla) elementi Kosovar i ardhur në Shqipëri nëpërmjet rrugës ilegale (arratisjes), të cilët në varësi të kohës (periudhës) së mbërritjes dhe problematikave që ajo mbart, mund të përcaktohet edhe grupi (objekti) përkatës studimor.

Nga kjo ndarje dhe problematikë, mund të përcaktohet dokumentacioni përkatës mbi aktivitetin dhe veprimtarinë e kryer nëpër qëndrat e filtrimit, që kanë ekzistuar në Tiranë, Shijak, Laç etj.

Vlen për tu përmendur se nga njohja e SRV (Sektori i Rëndësisë së Veçantë), mësohet rreth ekzistencës, mënyrës së organizimit e funksionimit të kampeve të emigracionit në Llakatund, Seman e Zvërnec, Cermë.

Me rëndësi të veçantë për t’u njohur dhe studiuar mbeten mënyrat e përzgjedhjes dhe pranimit të emigrantëve, vendosja e tyre, mënyra e organizimit dhe funksionimit të këtyre qendrave, si dhe trajtimi i emigrantëve gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së tyre. Po kështu, rëndësi paraqet edhe mënyra e shpërndarjes dhe sistemimit të tyre pas mbylljes së këtyre qendrave (kampeve), si dhe dokumentacioni që pasqyron fatin e tyre në periudhat e mëvonshme.

Problematikë e rëndësishmë në këtë proces njohës e studimor mbetet, prezenca, roli, ndikimi, format dhe metodat e punës të implementuara nga specialistët jugosllavë në strukturat e OSSH dhe roli i ambasadës jugosllave në Tiranë, kjo e shprehur në veprimtarinë e dy emrave shumë publik e të njohur në dy anët e kufirit, pjesmarrës në luftë, herë aleat e herë “kundërshtar” si Pedrag Ajtiç e Rexhep Xhija.

Ky proces njohje (studimor) synon, zbardhjen e të vërtetave historike dhe edukimit qytetar referuar dokumentacionit që disponon AIDSSH-ja, nëpërmjet një bashkpunim kualitativ siç dhe është bërë përpjekje në rastin konkret me dy institucione prestigjoze në Kosov, me Institutin Albanologjik dhe atë të Historisë “Ali Hadri”. …

Për këtë arsye, mbetet detyrë vënia në dispozicion dhe njohja me të gjitha aktet e përpiluara, si dhe me “Rregulloren e Evidencës Operative të Shërbimit të Zbulimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, nr. 01-47, datë 21.XI.1980, e cila është shfuqizuar me hyrjen në fuqi të Rregullores së vitit 1986. Po kështu, është e nevojshme njohja edhe me rregulloret e mëparshme, në kronologjinë e tyre, me qëllim që të mund të kuptohet zhvillimi i rregullave të evidencës, administrimit dhe ruajtjes së këtij dokumentacioni në periudha të ndryshme.

Njohja me regjistra, kartela, pasqyra statistikore dhe akte rregullatore është, në këtë kuptim, pjesë e domosdoshme e hulumtimit. Ajo na mundëson të mos e shohim dokumentin vetëm si një material të shkëputur, por brenda sistemit në të cilin është krijuar, regjistruar, administruar dhe ruajtur. Vetëm nëpërmjet këtij ballafaqimi mund të vlerësohen më me siguri saktësia, autenticiteti, plotësia, vijueshmëria dhe besueshmëria e dokumentacionit që po shqyrtojmë.

Mbetet detyrë për ekipet e përbashkëta, studiuesit e veçantë, që të punojnë shumë për grupimin e dosjeve individuale dhe atyre problematike. Metodologjia që do të ndiqet, sipas kohës së ardhjes nëpërmjet kufirit në vendin tonë të çdo individi, moshës, nivelit arsimor e kulturor, kontributeve dhe problematikave të periudhës (kohës), të tilla si:

  • Grupet e Rezistencës, menjëherë pas luftës e në vijim;
  • Bashkpunimin ushtarak për zbulimin dhe eleminimin e rezistencës Kosovare …
  • Informbyroistët, 1949–1954;
  • Çarmatimi (otkupi);
  • Demonstratat, sipas periudhave e viteve;
  • Emigracioni (LPK etj.).

Nëpërmjet këtij angazhimi, veç të tjerash synohet dalja me një konkluzion të saktë dhe objektiv, larg diskurseve me qëllim denigrimin apo nihilimin e gjithçkaje të OSSH-së. Mbi të gjitha të mos lejohen apo krijohen rrethana e kushte për glorifikimin e kësaj strukture, e cila ishte arma më e fortë e besnike e diktaturës. Mjafton të përmendim se si rezultat i aktivitetit të veprimtarisë që ka ushtruar, janë shkaktuar një numër i konsiderueshëm viktimash, rrënuar jetë njerëzish e familjesh, deri nga ato me tradita dhe kontribute të pamatëshme në favor të çështjes kombëtare në breza.

Ky proces, sipas dokumentacionit në dispozicion, fillon me njohjen e regjistrave (inventarëve) të Fondit Kosova në dritën e Rregullores së Evidencës Operative të Zbulimit, e cila percaktonte tersinë e rregullave e të normave për krijimin, evidentimin, administrimin, ruajtjen dhe shfrytëzimin e këtij dokumentacioni.

Në funksion të përgatitjes të një materiali orientues (grupor) sipas problematikave, emrave e traditës në funksion të lehtësisë së identifikimit, sherbimit dhe orientimit të studiuesve dhe publikut është e nevojshme që, listat emrore të verifikohet … .

  • Mbiemrat e traditës; Figurat historike; Figura të njohura dhe publike; Politikane; Profesorët; Artistët; Sportistë; Shkrimtarë; Gazetarë.

Gjatë përpunimit dhe trajtimit të dosjeve, si dhe mbi bazën e njohurive të fituara, leximeve dhe informacioneve të bëra publike në media, janë identifikuar një numër emrash dhe profilesh që mund të shërbejnë si pikënisje për këtë sistemim. … Një qasje e tillë do të mundësonte jo vetëm evidentimin më të saktë të dokumentacionit ekzistues, por edhe orientimin më të shpejtë të studiuesve dhe publikut drejt fondeve dhe dosjeve përkatëse. Kjo nevojë për sistemim, verifikim dhe ballafaqim të burimeve lidhet drejtpërdrejt edhe me një çështje më të gjerë, mënyrën se si dokumentacioni arkivor shndërrohet në burim të kujtesës historike.

Nëse marrim për ilustrim, librin e Veton Surroit “Viti i Qirinjve” …, jo vetëm si një rrëfim mbi një periudhë vendimtare të historisë së Kosovës, por edhe si një pikënisje për të menduar marrëdhënien midis kujtesës, dëshmisë dhe dokumentit. Në këtë kuptim, vepra mund të konsiderohet edhe si një lloj “manuali i kujtesës kolektive”, ….

…, ngjarje si Konferenca e Bujanit marrin një rëndësi të veçantë. … episode të historisë së Kosovës, por edhe si pika takimi të historive politike, shoqërore dhe institucionale të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. Po kështu, … figurave që kanë mbetur më pak të njohura ose janë trajtuar vetëm pjesërisht …

figurave politike e shoqërore që kanë pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimet e Kosovës, por rreth të cilave ekzistojnë interpretime, vlerësime ose boshllëqe të ndryshme në kujtesën historike. Emra si Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli dhe të tjerë mund të shërbejnë si raste studimore për ballafaqimin e narrativave të krijuara ndër vite me dokumentacionin arkivor.

Një hap i mëtejshëm do të ishte ndërtimin e një pasqyre më të gjerë statistikore mbi persona nga Kosova janë ndjekur, survejuar, hetuar apo dënuar në Shqipëri, (Dosjet HGJ = 460 mbi 500 persona + Formulare etj. Kastrioti …?!kategoritë e tyre, në çfarë periudhash dhe çfarë arsyesh.

Në cdo rast, dëshmia dhe dokumenti nuk qëndrojnë në konkurrencë me njëri-tjetrin, por plotësojnë njëri-tjetrin. … Në rastin e Kosovës, kjo qasje bëhet edhe më e rëndësishme, sepse dokumentacioni i ish-Sigurimit të Shtetit mund të ndriçojë jo vetëm veprimtarinë e strukturave të sigurisë, por edhe mënyrën se si Shqipëria e ka parë Kosovën, shqiptarët e Kosovës, emigracionin dhe zhvillimet politike e shoqërore atje.

Për këtë arsye, “Projekti për Kosovën” në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit … mund dhe duhet të shndërrohet në një proces sistematik kërkimi, ku emrat dhe ngjarjet e evidentuara në libra, dëshmi dhe burime të tjera shërbejnë si pika orientimi për kërkimin në indekse, inventarë, dosje dhe fonde. Pikërisht këtu dokumentacioni i ish-Sigurimit të Shtetit merr vlerën e tij më të madhe: si burim transparence, si material për historiografinë dhe si një mundësi për të lidhur kujtesën individuale me kujtesën kolektive dhe dokumentin me të vërtetën historike, pa pretenduar se asnjë burim i vetëm mund ta zotërojë atë tërësisht.

Për kujtesën, dokumenti dhe identifikimi i figurave historike në Projektin për Kosovën me vlerë të veçantë metodologjike janë konsultat dhe propozimet e Dr. Edlir Orhanit, të hartuara në kuadër të “Fondit Kosova”, për përcaktimin e konceptit të figurës historike dhe të personalitetit të shquar publik. Sipas këtij përcaktimi: “figurë historike” konsiderohet personi emri i të cilit lidhet me ngjarje të rëndësishme të historisë së një kombi dhe veprimtaria, qëndrimet apo aktet e të cilit kanë tërhequr vëmendjen e historianëve dhe studiuesve, gjithashtu, ai që ka luajtur një rol të dallueshëm në ngjarje me rëndësi kombëtare ose ndërkombëtare dhe që dëshmohet në dokumente me karakter historik”.

Prandaj, pyetja themelore e projektit nuk duhet të jetë vetëm se cilët janë emrat e njohur, por edhe, cilët persona kanë lënë gjurmë në historinë e Kosovës dhe në marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë and çfarë gjurmësh të kësaj veprimtarie ruhen në dokumentacionin shtetëror shqiptar?

Një nga premisat themelore të “Projektit për Kosovën” mbetet percaktimi dhe trajtimi i “figurës historike, e cila nuk duhet konsideruar vetëm si një kategori e mbyllur, e përcaktuar përpara kërkimit, por si një kategori që mund të pasurohet dhe të rishikohet nëpërmjet vetë procesit kërkimor”.

Përfundim

Në përfundim, studimi i marrëdhënieve Shqipëri – Kosovë gjatë regjimit komunist kërkon që kufiri të mos shihet thjesht si një vijë mbi hartë. Për dekada, ai ishte kufi politik, institucional, njerëzor, por edhe kufi gjakatar, i cili ndau familje, kufizoi lëvizjen dhe komunikimin, prodhoi pasoja të rënda njerëzore. Ai nuk ndante vetëm dy hapësira politike; në shumë raste, ai ndante njerëzit nga njerëzit, familjet nga familjet dhe individin nga e drejta për të zgjedhur lirisht fatin e tij.

Sot, kur ajo barrierë politike nuk ekziston në të njëjtën formë, nuk duhet të lejojmë që kufiri i dikurshëm të shndërrohet në një kufi të ri shkencor. Përkundrazi, është koha të ndërtojmë një hapësirë të përbashkët kërkimi, ku dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, arkivat shqiptare, arkivat e Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë, dëshmitë individuale dhe kujtesa familjare të vendosen përballë njëra-tjetrës, të krahasohen dhe të verifikohen.

AIDSSH nuk duhet të shihet vetëm si një institucion që hap dosje, por si një nyje e rëndësishme e kërkimit historik, që mund të ndihmojë në rindërtimin e mekanizmave përmes të cilëve regjimi e interpretoi, e kontrolloi dhe administroi çështjen e Kosovës dhe marrëdhëniet përtej kufirit.

Këtu merr rëndësi bashkëpunimi me institucionet kërkimore të Kosovës, veçanërisht me Institutin e Historisë “Ali Hadri” dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës. Një kërkim i përbashkët Shqipëri – Kosovë do ndihmonte të kuptonim jo vetëm çfarë ka ndodhur, por edhe si u ndërtuan mekanizmat politikë, institucionalë dhe represivë që e shndërruan kufirin në një pengesë për njerëzit, për dijen, komunikimin, ndërgjegjen dhe për kujtesën kombëtare.

Prandaj, mesazhi ynë sot duhet të jetë i qartë: kufiri që dikur ishte ndarës, pengues dhe gjakatar, nuk duhet të ndajë më studiuesit, arkivat dhe kujtesën.

Kufijtë mund të ndajnë tokat, të vendosin vija mbi harta e të ngrenë barriera mes njerëzve, por nuk mund të fshijnë kujtesën, gjuhën, kulturën dhe historinë që i lidh ata. Vijat mbi hartë mund të ndryshojnë hapësirat, por nuk duhet të ndryshojnë të vërtetën.

Ndoshta këtu qëndron edhe mësimi më i madh se: “tokat nuk bëhen atdhe vetëm sepse vaditen me gjak, por sepse ruhen me kujtesë, ndërtohen me dije dhe trashëgohen me dashuri. Prandaj, e ardhmja nuk duhet të kërkohet te muret që na ndajnë, por te urat që na bashkojnë”.

Shqipëria dhe Kosova, pavarësisht vijave të vendosura mbi hartë, mbeten pjesë e një hapësire të përbashkët gjuhësore, kulturore dhe historike. Kjo lidhje nuk ka nevojë të dëshmohet përmes konfliktit, por përmes shkencës, arsimit, kulturës, ruajtjes së kujtesës dhe bashkëpunimit.

“Një popull nuk bëhet më i fortë duke harruar të kaluarën, por duke e njohur me ndershmëri, duke e studiuar me përgjegjësi dhe duke ua përcjellë brezave që vijnë. Vetëm një histori e njohur dhe e dokumentuar mund të bëhet themel i një të ardhmeje më të drejtë, më të bashkuar dhe më të denjë”.                                   

Faleminderit