Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Hapja e arkivave të diktaturës mes represionit dhe përgjegjësisë akademike

Ligjëratë e Dr. Gentiana Sula, Kryetare e Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) mbajtur për Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe komunitetin akademik në Kosovë, 15-16 dhjetor 2025.

1. Hyrje: e vërteta historike si kusht i demokracisë

Shoqëritë që kanë kaluar përvoja diktatoriale apo autoritare përballen me një sfidë të dyfishtë: nga njëra anë, nevojën për të ndërtuar institucione demokratike funksionale dhe, nga ana tjetër, detyrimin moral dhe shkencor për t’u përballur me trashëgiminë e dhunës shtetërore. Në këtë kontekst, e vërteta historike nuk është thjesht çështje akademike, por parakusht i besimit publik dhe i rendit demokratik.

Hannah Arendt ka theksuar se e vërteta faktike përbën bazën e gjykimit moral dhe të veprimit politik. Ndryshe nga e vërteta ideologjike apo opinioni, e vërteta faktike mbështetet në dokument, dëshmi dhe verifikim. Regjimet totalitare nuk synojnë vetëm të gënjejnë, por të shkatërrojnë vetë konceptin e së vërtetës, duke e zëvendësuar atë me narrativa të prodhuara nga pushteti. Për këtë arsye, rikthimi i së vërtetës pas diktaturës është proces i ndërlikuar, por i domosdoshëm.

2. Shqipëria dhe Kosova: dy përvoja represioni, një përgjegjësi e përbashkët

Shqipëria, nga viti 1944 deri në vitin 1991, përjetoi një diktaturë totalitare të tipit stalinist, të karakterizuar nga izolim ekstrem, centralizim absolut i pushtetit dhe përdorim sistematik i dhunës shtetërore. Sigurimi i Shtetit u shndërrua në mekanizmin kryesor të kontrollit social, përmes një rrjeti të gjerë survejimi, ndëshkimi dhe frike, që preku jo vetëm individët, por edhe familjet dhe komunitetet e tëra.

Në të njëjtën periudhë, shqiptarët e Kosovës jetuan nën një regjim tjetër autoritar, atë të Jugosllavisë socialiste. Edhe pse ky sistem kishte forma institucionale të ndryshme nga diktatura shqiptare, për shqiptarët e Kosovës ai prodhoi represion politik, diskriminim kombëtar dhe ndjekje sistematike të elitave intelektuale. Ngjarjet e viteve 1968 dhe 1981 dëshmojnë se mendimi kritik, angazhimi studentor dhe kërkesa për barazi politike u trajtuan si kërcënim për rendin shtetëror.

Këto dy përvoja historike, ndonëse të ndryshme në formë, ndajnë të njëjtën logjikë represioni dhe krijojnë sot një përgjegjësi të përbashkët akademike për një qasje kritike, të bazuar në dokumente dhe etikë profesionale.

3. Qasja teorike: e vërteta, kujtesa dhe drejtësia tranzicionale

3.1 Hannah Arendt: e vërteta faktike dhe gjykimi moral

Arendt dallon mes së vërtetës racionale dhe së vërtetës faktike, duke theksuar se kjo e fundit është më e brishta, por edhe më thelbësorja për jetën publike. E vërteta faktike është ajo që dokumentohet dhe verifikohet; ajo nuk i përket ideologjisë, por realitetit historik. Pa të, debati publik rrëshqet në relativizëm dhe manipulim.

3.2 Tony Judt: kujtesa kundër harresës politike

Tony Judt paralajmëron se shoqëritë post-totalitare që shmangin përballjen me të kaluarën rrezikojnë të ndërtojnë demokraci formale, por pa themel etik. Harresa, sipas tij, nuk është neutralitet, por zgjedhje politike që favorizon vazhdimësinë e strukturave të vjetra të pushtetit.

3.3 Aleida Assmann: memoria kulturore si politikë publike

Assmann e koncepton kujtesën si proces institucional. Kujtesa kulturore nuk është akt individual përkujtimi, por kërkon arkiva, muze, edukim dhe politika shtetërore. Pa këto mekanizma, e kaluara mbetet peng i narrativave selektive dhe interesave politike.

3.4 Ruti Teitel: drejtësia tranzicionale

Ruti Teitel e sheh drejtësinë tranzicionale si një proces dinamik që lidh të kaluarën represive me ndërtimin e institucioneve demokratike. Qëllimi i saj nuk është hakmarrja, por rikthimi i dinjitetit të viktimave dhe ndërtimi i besimit publik përmes së vërtetës dhe përgjegjësisë.

4. Dhuna ndaj dijes dhe shkatërrimi i lirisë akademike

Një nga dimensionet më pak të trajtuara të diktaturave është dhuna ndaj dijes. Regjimet autoritare e perceptojnë mendimin kritik si kërcënim. Në Shqipëri, liria akademike u shkatërrua përmes censurës, përjashtimit institucional, burgosjes dhe eliminimit fizik të studiuesve dhe intelektualëve. Figura si Musine Kokalari dhe Sabiha Kasimati simbolizojnë shkatërrimin sistematik të elitës intelektuale.

Pasojat e kësaj politike ndihen ende sot, përmes autocensurës, mungesës së debatit kritik dhe dobësimit të kulturës akademike.

5. Drejtësia tranzicionale në Shqipëri: kronologji dhe sfida

Procesi shqiptar i drejtësisë tranzicionale ka qenë i fragmentuar dhe i politizuar. Ligji i pafajësisë i vitit 1991 pati vlerë simbolike, por u shoqërua me mungesë mekanizmash të qëndrueshëm zbatimi. Dëmshpërblimet për të përndjekurit politikë dhe kthimi i pronave u karakterizuan nga zbatim i ngadaltë dhe shpesh selektiv.

Përpjekjet për lustracion në vitet ’90 dhe ligji i vitit 2008 dështuan për mungesë konsensusi politik dhe akses të plotë në dokumente. Vetëm me miratimin e Ligjit nr. 45/2015 për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit u krijua një bazë institucionale e qëndrueshme për ballafaqimin me të kaluarën.

6. AIDSSH: funksione, mision dhe risi institucionale në drejtësinë tranzicionale

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është konceptuar si një institucion i drejtësisë tranzicionale që ndërthur administrimin arkivor me funksione etike, edukative dhe kërkimore. Ai nuk operon vetëm si depo dokumentesh, por si aktor aktiv i politikave të kujtesës dhe i garantimit të së drejtës për të vërtetën.

Në këtë kuadër, AIDSSH përfaqëson një risi institucionale në Shqipëri, duke kaluar nga një qasje e fragmentuar ndaj së kaluarës në një model të integruar që lidh arkivin, edukimin qytetar, kërkimin shkencor dhe përgjegjësinë publike.

6.1 Verifikimi i figurës dhe integriteti i institucioneve publike

Një nga funksionet më të ndjeshme të AIDSSH është verifikimi i figurës së personave që synojnë ose ushtrojnë funksione publike. Ky proces nuk ka karakter ndëshkues apo penal, por synon garantimin e integritetit moral të institucioneve demokratike dhe të besimit publik.

Verifikimi realizohet vetëm mbi bazë kërkese institucionale dhe mbështetet në dokumentacion arkivor të verifikuar. Ai përbën një mekanizëm etik të transparencës, i cili ndihmon institucionet të marrin vendime të informuara, pa cenuar parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.

6.2 Arkivat: nga instrument represioni në burim kërkimi shkencor

Fondet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit përbëjnë një trashëgimi dokumentare jashtëzakonisht të ndjeshme. Këto dokumente janë produkte të një aparati represiv, por njëkohësisht burime të pazëvendësueshme për studimin e mekanizmave të dhunës shtetërore, të kontrollit social dhe të ndërtimit të frikës institucionale.

AIDSSH ka ndërtuar një infrastrukturë moderne arkivore që përfshin:

– identifikimin dhe inventarizimin sistematik të dokumenteve,

– restaurimin dhe ruajtjen fizike të tyre,

– digjitalizimin dhe sigurimin e aksesit të kontrolluar,

– garantimin e integritetit dhe autenticitetit të burimit historik.

Këto procese krijojnë kushtet për kërkim shkencor të qëndrueshëm, të verifikueshëm dhe metodologjikisht korrekt.

6.3 Dëshmitë gojore: rikthimi i zërit njerëzor në histori

Dokumentet arkivore të ish-Sigurimit flasin për individët dhe komunitetet e ndëshkuara, por rrallëherë me zërin e tyre. Për këtë arsye, AIDSSH ka zhvilluar programe të strukturuara për mbledhjen dhe arkivimin e dëshmive gojore të të mbijetuarve të burgjeve, kampeve të internimit dhe familjarëve të personave të ekzekutuar ose të zhdukur.

Dëshmia gojore nuk është thjesht burim historik, por akt etik dhe proces i rikthimit të dinjitetit njerëzor. Ajo plotëson dokumentin arkivor, ndriçon boshllëqet e tij dhe kontribuon në ndërtimin e një historie më të plotë dhe më humane.

6.4 Edukimi qytetar dhe edukimi historik: nga arkivi në shoqëri

Një nga dimensionet më afatgjata dhe strategjike të misionit të AIDSSH është edukimi qytetar dhe historik. Ky edukim synon të ndërtojë tek brezat e rinj një kulturë demokratike të bazuar në njohjen kritike të së kaluarës.

AIDSSH zhvillon këtë mision përmes:

– programeve edukative me nxënës dhe studentë,

– ekspozitave dokumentare dhe projekteve muzeale,

– botimeve edukative dhe shkencore,

– platformave digjitale që e bëjnë arkivin të aksesueshëm për publikun e gjerë.

Edukimi historik në këtë kuptim nuk synon thjesht transmetimin e fakteve, por zhvillimin e mendimit kritik, të ndjeshmërisë etike dhe të ndërgjegjësimit qytetar për pasojat e autoritarizmit.

6.5 Kërkimi dhe ndriçimi i fatit të personave të zhdukur

Fenomeni i zhdukjeve me forcë përbën një nga plagët më të rënda të diktaturës komuniste. AIDSSH luan një rol kyç në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, pasi arkivat shpesh janë burimi i vetëm i besueshëm i informacionit mbi arrestimet, ekzekutimet dhe vendet e varrimit.

Përmes kërkimit arkivor, bashkëpunimit me institucione të tjera shtetërore dhe organizata ndërkombëtare, si dhe përfshirjes së dëshmive gojore, Autoriteti kontribuon në rikthimin e së drejtës për të ditur për familjarët dhe në ndërtimin e një kujtese publike të bazuar në të vërtetën.

6.6 Mediateka dhe platforma edukative “Mësojmë nga e Kaluara”: arkivi si hapësirë publike dhe pedagogjike

Në përputhje me misionin e saj për ta kthyer arkivin nga hapësirë e mbyllur në burim publik të dijes, AIDSSH ka zhvilluar mediatekën dhe platformën edukative të burimeve të hapura “Mësojmë nga e Kaluara”, të cilat përfaqësojnë një hap cilësor në ndërthurjen e arkivit me edukimin qytetar dhe historik.

Mediateka: publikimi dhe ndërmjetësimi i arkivit

Mediateka funksionon si një formë e re publikimi arkivor, ku dokumentet, dëshmitë, materialet audiovizive dhe burimet dytësore përzgjidhen, kontekstualizohen dhe bëhen të aksesueshme për publikun e gjerë. Ndryshe nga arkivi tradicional, i cili kërkon kompetencë të specializuar për përdorim, mediateka ndërton ura ndërmjet dokumentit arkivor dhe lexuesit jo-profesionist, duke ofruar shpjegime, narrativa historike dhe korniza interpretimi.

Në këtë kuptim, mediateka nuk e thjeshton dokumentin, por e përkthen atë në gjuhë publike, duke ruajtur integritetin e burimit historik dhe duke shmangur keqinterpretimin ose instrumentalizimin e tij. Ajo shërben si mjet i rëndësishëm për transparencën, edukimin dhe komunikimin institucional me shoqërinë.

“Mësojmë nga e Kaluara”: platformë edukative për arsimin formal dhe joformal

Platforma “Mësojmë nga e Kaluara” është konceptuar si një mjet edukimi historik dhe qytetar, i përshtatur për përdorim në shkolla, universitete dhe programe jashtëkurrikulare. Ajo ofron burime të hapura, materiale didaktike, dosje tematike dhe përmbajtje multimediale të ndërtuara mbi dokumente arkivore autentike.

Në arsimin formal, platforma përdoret si material mbështetës për kurrikulat ekzistuese, duke ndihmuar mësuesit dhe nxënësit të trajtojnë tema si diktatura, të drejtat e njeriut, liria akademike dhe shteti i së drejtës përmes burimeve primare dhe analizës kritike. Në këtë mënyrë, historia nuk paraqitet si narrativë lineare, por si proces interpretimi dhe reflektimi.

Në arsimin joformal dhe aktivitetet jashtëkurrikulare, platforma shërben si hapësirë e të nxënit aktiv, duke nxitur debat, mendim kritik dhe ndërgjegjësim qytetar. Ajo krijon mundësi për projekte shkollore, punë kërkimore dhe ndërveprim ndërmjet brezave, duke e vendosur kujtesën historike në qendër të formimit demokratik.

Në të dyja rastet, “Mësojmë nga e Kaluara” synon të zhvillojë tek të rinjtë jo vetëm njohuri historike, por edhe kompetenca qytetare, ndjeshmëri etike dhe aftësi për të dalluar propagandën nga faktet historike.

7. Etika e hapjes së dosjeve: dilema morale dhe përgjegjësi institucionale

Hapja e dosjeve të policive politike përbën një nga proceset më delikate të drejtësisë tranzicionale, sepse ajo vendos përballë njëra-tjetrës disa parime themelore të rendit demokratik. Nga njëra anë qëndron e drejta për të ditur dhe nevoja shoqërore për transparencë; nga ana tjetër, mbrojtja e dinjitetit njerëzor, e privatësisë dhe parandalimi i riviktimizimit.

Hannah Arendt paralajmëron se e vërteta, nëse nxirret jashtë një kornize etike dhe institucionale, mund të shndërrohet në instrument të një dhune të re. Për këtë arsye, hapja e dosjeve nuk mund të jetë akt i pakontrolluar publikimi, por proces i strukturuar, i bazuar në ligj, profesionalizëm dhe etikë.

Në këtë kuadër, skema morale e hapjes së dosjeve përfshin disa tensione thelbësore:
– transparencë kundrejt privatësisë,
– drejtësi kundrejt hakmarrjes,
– e vërtetë kundrejt rrezikut të riviktimizimit.

Detyra e institucioneve të kujtesës, si AIDSSH, është të menaxhojnë këto tensione duke garantuar akses në dokumente, por njëkohësisht duke mbrojtur dinjitetin e individit dhe duke shmangur përdorimin sensacionalist ose politik të së kaluarës. Etika e hapjes së dosjeve është, në thelb, një etikë e përgjegjësisë.

8. Nëse dosjet nuk do të hapeshin: pasojat për historinë dhe demokracinë

Një mënyrë thelbësore për të kuptuar rëndësinë e hapjes së dosjeve është analiza kundërfaktike: çfarë do të ndodhte nëse dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit do të mbeteshin të mbyllura?

Së pari, mos-hapja e dosjeve do të prodhonte harresë institucionale. Pa dokumente, historia do të mbetej e varur nga kujtesa individuale, e cila është e fragmentuar, selektive dhe shpesh e ndikuar nga frika apo interesi.

Së dyti, do të forcoheshin mitet dhe nostalgjia për regjimin e kaluar. Në mungesë të provave arkivore, narrativat idealizuese do të kishin terren të favorshëm për t’u riprodhuar, duke relativizuar krimet e diktaturës dhe duke minimizuar vuajtjet e viktimave.

Së treti, demokracia do të ndërtohej mbi heshtje dhe mos-përgjegjësi, jo mbi transparencë dhe besim. Siç thekson Tony Judt, shoqëritë që nuk përballen me të kaluarën e tyre rrezikojnë të riprodhojnë forma të reja autoritarizmi.

Në këtë kuptim, hapja e dosjeve nuk është vetëm akt retrospektiv, por mekanizëm preventiv demokratik.

9. Kosova në arkivat e AIDSSH: dokumente për një histori të përbashkët

Arkivat e AIDSSH përmbajnë një fond të veçantë dokumentar mbi Kosovën, i njohur si Fondi “Kosova”, me mbi 11.600 fashikuj. Këto dokumente dëshmojnë ndjekjen e veprimtarëve politikë kosovarë, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe monitorimin e lëvizjeve studentore dhe intelektuale, veçanërisht gjatë viteve 1981–1982.

Ky fond ka rëndësi të dyfishtë. Së pari, ai ndriçon mënyrën se si aparatet e sigurisë së dy shteteve socialiste bashkëpunonin ose ndërvepronin në ndjekjen e individëve dhe ideve. Së dyti, ai krijon mundësi për një historiografi të përbashkët shqiptare, të bazuar në burime primare, jo në narrativa të ndara kombëtare.

Bashkëpunimi ndërmjet AIDSSH, Institutit të Historisë “Ali Hadri” dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës synon pikërisht këtë: ndërtimin e një hapësire të përbashkët kërkimore, ku historia trajtohet si proces shkencor, jo si instrument politik.

10. Përfundim: e vërteta, kujtesa dhe përgjegjësia akademike 

Në përfundim, hapja e dosjeve të policive politike nuk duhet parë si akt hakmarrjeje ndaj së kaluarës, por si akt përgjegjësie ndaj së ardhmes. Arkivat janë mekanizma përmes të cilëve shoqëritë post-diktatoriale ndërtojnë kujtesën, rikthejnë dinjitetin e viktimave dhe forcojnë besimin publik.

Pa të vërtetën nuk ka kujtesë të qëndrueshme; pa kujtesën nuk ka drejtësi; dhe pa drejtësinë nuk ka demokraci funksionale. Kjo është arsyeja pse komuniteti akademik ka një rol të pazëvendësueshëm: të lexojë dokumentet në mënyrë kritike, të shmangë instrumentalizimin politik të historisë dhe të kontribuojë në ndërtimin e një kulture demokratike të bazuar në dije dhe etikë. Në këtë proces, AIDSSH përfaqëson jo vetëm një institucion arkivor, por një aktor aktiv të drejtësisë tranzicionale dhe të politikave të kujtesës, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke garantuar që e vërteta të mos mbetet peng i heshtjes.

Për më shumë klikoni linkun: