Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Pogradec, vijon dialogu  për figurat e pastra, të zhdukurit dhe edukimin historik

Pogradec, 11 dhjetor 2025 -Në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit dhe me praninë e 14 përfaqësuesve të bashkive dhe këshillave bashkiakë të prefekturave Elbasan dhe Korçë, u zhvillua takimi i radhës i Dialogut të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me pushtetin vendor, në kuadër të nismës për verifikimin e kandidatëve për tituj vendorë të nderit dhe për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike; identifikimin dhe trajtimin e vendvarrimeve të viktimave të komunizmit; si dhe promovimin e kujtesës historike përmes muzeve, bibliotekave dhe institucioneve arsimore.

Nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit, znj. Entela Gusho, mirëpriti të pranishmit duke e vlerësuar takimin si një mundësi të rëndësishme për informim, bashkëpunim dhe ndërgjegjësim të ndërsjellë mes Autoritetit dhe pushtetit vendor. Ajo theksoi se bashkitë mbartin një rol të veçantë në ruajtjen e kujtesës historike dhe morale të komuniteteve lokale dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me Autoritetin.

Pas vlerësimeve për manualin e prezantuar, ajo deklaroi se Bashkia e Pogradecit do të jetë bashkëpunuese edhe në aktivitete të tjera të Autoritetit, duke nënvizuar se, edhe për shkak të pozitës së tij si qytet kufitar, Pogradeci e ka ndjerë më fort mënyrën se si ka funksionuar ish-Sigurimi i Shtetit.

Verifikimi i kandidatëve për tituj vendorë të nderit dhe për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike

Z. Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit, foli për ndryshimet e fundit ligjore në ligjin për dekoratat dhe titujt e nderit, duke theksuar se kriteret për përfitimin e tyre janë forcuar dhe zgjeruar. “Manuali ofron procedura të qarta dhe orientime në përputhje me rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesve të të përndjekurve politikë, si dhe pasqyron praktika të mira, përfshirë ngritjen e komisioneve këshillimore pranë këshillave bashkiakë; ndaj rekomandohet që të fillojnë procedurat për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe datave që i përkasin regjimit komunist, si dhe verifikimi pranë Autoritetit për çdo rast.”

Z. Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit, theksoi se dialogu me pushtetin vendor është thelbësor, pasi bashkitë kanë përgjegjësinë për emërtimin e shesheve, muzeve dhe hapësirave publike, duke nënvizuar se në vitin 2025 nuk duhet të vendosen emra të dyshimtë që lëndojnë kujtesën dhe familjet që kanë përjetuar persekutimin e regjimit komunist. Ai theksoi se përballja me të kaluarën është një kusht për ndërtimin e një shoqërie më të civilizuar, të hapur dhe pa frikë nga e vërteta.

“Ky proces do të shërbejë që të kemi një shoqëri të shëndetshme dhe të kemi bërë ndarjen nga e kaluara komuniste njëherë e mirë. Është në respekt të të gjithë qytetarëve që të ecin në rrugë dhe hapësira publike, emërtimet e të cilave të mos lëndojnë ndjenjat apo kujtimin e vuajtjeve të tyre në të kaluarën.”

Z. Ioann Celi, specialist pranë Drejtorisë së Verifikimit të Figurave, specifikoi kuadrin ligjor të përcaktuar nga ligji nr. 139/2015 për pushtetin vendor, duke theksuar ndarjen e qartë të kompetencave mes iniciuesit të kërkesës dhe organit vendimmarrës për dhënien e titujve të nderit. Ai nënvizoi se ligji përcakton qartë kriteret dhe se personat që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit nuk mund të pajisen me tituj nderi.

Duke paraqitur statistika nga Autoriteti, ai theksoi një rritje të ndjeshme të kërkesave nga bashkitë gjatë vitit 2024. Përmes shembujve konkretë, z. Celi evidentoi problematikat më të shpeshta në kërkesat e paraqitura dhe dha rekomandime për formulimin e saktë të tyre dhe për procesin e verifikimit paraprak nga ana e bashkive.

Të zhdukurit – identifikimi dhe trajtimi i vendvarrimeve të viktimave të komunizmit

Manuali synon të vendosë një qasje të unifikuar të bashkëpunimit institucional, duke theksuar rolin kyç të pushtetit vendor në identifikimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e vendvarrimeve të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist. Gjatë takimit u prezantua ecuria e punës së Autoritetit dhe u nënvizua rëndësia e trajtimit të këtyre vendndodhjeve si vende kujtese dhe pjesë e rrugëve të kujtesës, që përfaqësojnë një hartë të dhimbjes historike dhe të ndërgjegjësimit shoqëror.

Në këtë drejtim, anëtari i Autoritetit, z. Hoxha, tha se bashkëpunimi me pushtetin lokal për identifikimin e personave të zhdukur është i rëndësishëm, veçanërisht për zonat kufitare si Pogradeci, Kolonja dhe Korça, për sinjalizimin e rasteve dhe vendndodhjeve të dyshuara, me qëllim rikuperimin e trupave të të zhdukurve gjatë diktaturës. “Nëpërmjet këtyre dialogëve dhe manualeve do të jetë më e lehtë të rritet fryma e mirëkuptimit midis institucioneve që përfaqësojmë.”

Drejtuesja e Drejtorisë për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të viktimave të komunizmit, znj. Nertila Seitaj, informoi mbi bashkëpunimin ndërinstitucional për mbledhjen e dokumenteve arkivore, intervistat me familjarë dhe dëshmitarë, bashkëpunimin me shoqatat e të përndjekurve politikë, shenjëzimin e vendvarrimeve të dyshuara në bashkërendim me bashkitë, si dhe kërkimet jo-invazive në disa lokacione, të realizuara me mbështetjen e ICMP-së dhe ekspertëve ndërkombëtarë.

“Rikuperimi i eshtrave është një akt drejtësie dhe një hap i domosdoshëm drejt pajtimit shoqëror, që kërkon përgjegjësi morale dhe angazhim të përbashkët. Roli i bashkive është thelbësor në njoftimin e Autoritetit për informacione të reja, mbrojtjen e vendvarrimeve nga çdo ndërhyrje dhe zbatimin e udhëzimeve të Manualit.”

Diskutimet dhe angazhimi i përfaqësuesve vendorë dëshmuan një ndjeshmëri në rritje për këtë çështje, duke u nënvizuar se mbrojtja e vendeve të kujtesës është jo vetëm detyrim ligjor, por mbi të gjitha një detyrim njerëzor.

Promovimi i kujtesës historike përmes muzeve, bibliotekave dhe institucioneve arsimore

Nga Drejtoria e Mbështetjes Shkencore dhe Edukimit Qytetar, Dr. Edlir Orhani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë të AIDSSH-së me pushtetin vendor në fushën e edukimit qytetar, si një kusht thelbësor për realizimin dhe qëndrueshmërinë e projekteve edukative. Ai vuri në dukje se DMSHEQ është nismëtare e projekteve si “Klubi i Filmit: Mësojmë nga e kaluara”, “Klubi i Filmit” dhe “Klubi i Librit”, të orientuara drejt edukimit të brezit të ri.

Bashkëpunimi me pushtetin lokal, sipas tij, mbështetet në tri shtylla kryesore: arsimin, muzetë dhe objektet e kujtesës, si dhe bibliotekat. Në këtë kuadër, roli i pushtetit vendor është vendimtar në ofrimin e mbështetjes organizative, logjistike dhe financiare, si dhe në promovimin e vendeve të kujtesës, përfshirë guidën dhe dokumentarin për burgun e Spaçit.

Dr. Orhani theksoi se falë këtij bashkëpunimi janë arritur rezultate konkrete dhe të qëndrueshme, përfshirë realizimin e aktiviteteve edukative me nxënësit dhe botimin e librave “Spaçi: Historia e një revolte” dhe “Dielli lind në Spaç”, të cilat kontribuojnë në forcimin e kujtesës historike dhe edukimin qytetar të brezave të rinj.

Si përfundim

Në përfundim, nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit, si dhe 14 përfaqësuesit e bashkive të prefekturave Korçë dhe Elbasan, vlerësuan dialogun si një model të frytshëm bashkëpunimi institucional dhe shprehën gatishmërinë për projekte të përbashkëta me Autoritetin në fushën e kujtesës historike, edukimit qytetar dhe promovimit të vlerave demokratike.

Vendimmarrja finale të mbetet kompetencë e pushtetit vendor, në përputhje me kuadrin ligjor po parimisht udiskutua për ngritjen e një komisioni të posaçëm pranë këshillit bashkiak për shqyrtimin e emërtimeve ekzistuese të rrugëve dhe hapësirave publike. Rishikimi i emërtimeve të vendosura në vitet 2010–2011, në funksion të ndjeshmërisë shoqërore dhe historike. Trajtimi rast pas rasti i emërtimeve që lidhen me nomenklaturën komuniste. Mbështetja e vendimmarrjes në verifikimin e figurës pranë Autoritetit.