Si na udhëheq vepra e Daut Gumenit drejt së vërtetës historike dhe dimensionit njerëzor të qëndresës
Të nderuar të pranishëm,
Po marr guximin të flas mbi romanin “Ditari i një Sammarpunuesi” të zotit Gumeni, më shumë si shprehje e një dëshire që më buron nga zemra për të kujtuar të kaluarën dhe për të ringjallur ato ndjesi të thella, të vërteta e reale, të cilat vetëm një ish i burgosur politik, apo fëmija i një të burgosuri politik – siç jam unë – mund t’i përjetojë në atë mënyrë të pashpjegueshme për të tjerët. Këto ndjesi vijnë në roman aq lirshëm e natyrshëm, sa lexuesi udhëhiqet përmes tyre drejt një bote që nuk duhet harruar.
Kam dëgjuar të thuhet se e kaluara është një vend që duhet vizituar, por jo për t’u kthyer për të jetuar sërish në të. Autori, me përshkrimet e tij aq të gjalla e realiste, ma krijoi mundësinë të njoh të kaluarën e tij, por edhe të “vizitoj” të kaluarën time. Ajo që më ka lënë më shumë mbresa dhe që më ka dhënë një ndjesi të veçantë, lidhet me përdorimin aq mjeshtëror të fjalës shqipe: thënie të bukura, aforizma, metafora, ironi e deri sarkazëm therëse, që e bëjnë romanin jo vetëm letrar, por edhe një akt kujtese e rezistence shpirtërore.
Autori sjell në roman figura që mbeten në mendje. Tek xha Kanani, për shembull, kujton thënien e Eleanor Roosevelt-it se “të rinjtë e bukur janë rastësi e natyrës, por të moshuarit e bukur janë vepra arti”. Është një vlerësim për një njeri të hijshëm, të pastër dhe plot krenari e virtyte, që e bën lexuesin të kuptojë se autori di të shohë bukurinë aty ku ajo ka mbijetuar edhe përtej dhunës së kohës. E njëjta ndjesi përcillet për shumë figura të ngjashme: burra të moshuar, të cilët ruajtën dinjitetin edhe atëherë kur gjithçka rreth tyre u përpoq t’ua zhdukte.
Në një tjetër reflektim të autorit, shfaqet mendimi se “lajthitjet e të diturve dëmtojnë jo vetëm ata vetë, por sidomos njerëzit e thjeshtë dhe popullin e varfër”. Kjo thënie lidhet me figurën e Sejfulla Malëshovës, një mendje e ndritur që u përmbys nga regjimi. Autori pyet me ironi të hidhur: “Ç’dreqin pati Malëshova që u përzie me kaçamakun e citakëve?”, një frazë që shpalos absurditetin dhe tragjedinë politike të atyre viteve.
Një skenë tjetër e fuqishme është ajo e gjyqeve të inskenuara, ku dëshmitarët e përzgjedhur paraprakisht “flisnin me gjuhën e Partisë”, ndërsa autori e përjeton thellë dhimbjen e humbjes së një shoku të tij të mençur. Po aq prekës është përshkrimi i besimit tek Zoti, i trashëguar nga babai i autorit, i cili, me një gotë raki në dorë, dukej sikur u thoshte atyre që përpiqeshin t’i mbyllnin derën se vatra e ndezur nga besimi dhe mirëqenia nuk shuhet nga fryma e sëmurë e diktaturës.
Autori përdor shpesh metafora të forta. Në një prej tyre, ai shprehet se regjimi “të majmte për të të ngrënë me gjithë rrecka”, duke përshkruar mjeshtërisht strategjinë e sistemit për t’i përdorur intelektualët deri në momentin që ata s’ishin më të dobishëm. Në një tjetër rast ironizon “Hamletin partizan”, një figurë që simbolizon deformimin e artit dhe kulturës nën presionin ideologjik.
Sa e mprehtë është kritika e tij ndaj propaganda-s së pushtetit, që përpiqej të mbulonte zullumet me festivale folklorike dhe me lëvdata boshe, ndërsa në terren njerëzit e pafajshëm punonin deri në shterim fizik. Dhe pastaj vjen reflektimi i thellë mbi nënshtrimin: si ka mundësi që ne pranojmë aq shumë vuajtje në heshtje, me shpresën e rreme se drejtësia do të vijë vetvetiu? A ishte kjo një nemë që e bartnim, apo një frikë e mbjellë me dhunë? Autori i pyet këto gjëra me dhimbje, por edhe me qartësi tronditëse.
Në këtë roman, autori sjell edhe një moment të fortë ku thotë se heshtja e ujqërve të pyllit mund të jetë më njerëzore se zyrtarët e pushtetit që nuk gjejnë dot as instinktin minimal të dhembshurisë. Më tej, ai kritikon mendësinë e kohës kur njerëzit kërkonin që qeveria “të zgjidhte hallet e popullit me sopatën e dardharit”, duke treguar se sa thellë ishte futur ideologjia e luftës së klasave në mendjen edhe të më të rinjve.
Autori vëren po ashtu se “fucitë plot fundosen, ndërsa fucitë bosh dalin mbi ujë”, një metaforë e fuqishme që tregon se si njerëzit e ndershëm dhe të aftë u shtypën, ndërsa mediokrit morën lartësi të pamerituara. Dhe për tragjedinë e madhe morale të diktaturës, ai shprehet se “bijat e krimit dhe të shëmtimit talleshin me viktimat e tyre të ndershme”, duke bërë të qartë se ai e ka përjetuar thellë këtë përmbysje të vlerave.
Të gjitha këto krijojnë një tablo të pasur dramatike, të cilën autori e mbyll me tone të hidhura e ironike: se “ligjet popullore e socialiste kishin vetëm një nen të ligjshëm për armiqtë: plumbin ballit”. Një shprehje që të ngurtëson, sepse është e vërtetë.
Të nderuar miq,
Dua ta mbyll këtë fjalë me një thënie të Albert Camus, që m’u kujtua teksa lexoja librin:
“Në thellësinë e dimrit mësova se brenda meje fshihej një verë e pathyeshme.”
Këto fjalë i shkojnë në mënyrën më të bukur zotit Daut Gumeni. Në jetën dhe në veprën e tij gjejmë atë verë të pathyeshme: shpirtin që nuk u thye nga dimrat e gjatë të padrejtësisë, penën që mbeti e lirë edhe atëherë kur trupi u robërua, vullnetin që nuk u përkul para dhunës së pushtetit.
Qëndresa e tij, vuajtjet që ka përballuar dhe dinjiteti që ka ruajtur janë një monument i gjallë i dinjitetit njerëzor. Dhe dinjiteti është i vetmi emër që nuk ka shumës; nuk ka “dinjitete”, ka vetëm dinjitet.
Për këtë që ju jeni, i dashur Daut, ne ju falënderojmë dhe ju nderojmë. Jam i bindur se fjala juaj, vepra juaj dhe jeta juaj do të mbeten një model frymëzimi për brezat.
Ju faleminderit.
*Fjalim nga Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit mbajtur në aktivitetin “Dialog me Daut Gumenin”, i organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit me 5 dhjetor 2025.