Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Takim në Hagë: AIDSSH dhe ICMP drejt një plani 10-vjeçar për personat e zhdukur

Hagë, 24 Shkurt 2026- Në zyrat qendrore të International Commission on Missing Persons (ICMP) u zhvillua një takim zyrtar ndërmjet përfaqësuesve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe drejtuesve të ICMP, me fokus forcimin e bashkëpunimit për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri, në përputhje me parimet e sundimit të ligjit (rule of law).

Takimi u zhvillua me pjesëmarrjen e Dr. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH, drejtuesve të ICMP të kryesuar nga znj. Kathryne Bomberger, si dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë z. Erio Mile dhe z. Saimir Korreshi.

Në fjalën e saj, znj. Bomberger theksoi se trajtimi i rasteve të personave të zhdukur kërkon një qasje të qëndrueshme të sundimit të ligjit, ku hetimet administrative dhe institucionale duhet të vijojnë pavarësisht kohës së kaluar, në përputhje me praktikat dhe përvojat ndërkombëtare.

Gjatë prezantimit, Dr. Gentiana Sula paraqiti hapat e ndërmarrë nga AIDSSH, mandatin ligjor aktual, numrin në rritje të kërkesave nga familjarët, veprimet joinvazive të realizuara në terren, si dhe vështirësitë ligjore dhe procedurale që ndikojnë në ritmin dhe efektivitetin e procesit.

Anëtarët e Autoritetit evidentuan nevojën për qartësim të mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe nënligjor, forcim të kapaciteteve institucionale dhe përcaktim më të qartë të roleve ndërinstitucionale, me qëllim përmbushjen efektive të mandatit të AIDSSH.

Deputetët e pranishëm shprehën mbështetjen e tyre për ndërmarrjen e ndryshimeve të nevojshme ligjore dhe institucionale, duke theksuar rëndësinë kombëtare të këtij procesi dhe nevojën për rezultate konkrete për familjarët.

Gjatë takimit, AIDSSH dhe ICMP u dakordësuan për: hartimin e një raporti vlerësimi mbi situatën aktuale, përgatitjen e një plani veprimi 10-vjeçar për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e procesit të gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur.

Në përfundim të takimit, u nënshkrua Marrëveshja e Përdoruesit Fundor (EULA) për përdorimin e sistemit IDMS, e cila rregullon aksesin, përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe kufizon përdorimin e informacionit vetëm për qëllime zyrtare.

Në vijim të agjendës së vizitës në Hagë, u zhvillua gjithashtu një takim informues dhe koordinues në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, ku u shkëmbyen informacionet mbi ecurinë e bashkëpunimit me ICMP dhe u diskutuan hapat e mëtejshëm që mund të ndërmerren për avancimin e këtij procesi, në koordinim me institucionet përkatëse.

Takimi në Hagë shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Rreth ICMP

International Commission on Missing Persons (ICMP) është një organizatë ndërqeveritare me seli në Hagë, e cila ndihmon shtetet dhe shoqëritë të adresojnë çështjen e personave të zhdukur si pasojë e konflikteve të armatosura, shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe fatkeqësive. ICMP vepron në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, duke ofruar asistencë teknike, ligjore dhe institucionale, përfshirë identifikimin shkencor përmes ADN-së dhe mbështetjen e familjarëve për të drejtën për të ditur të vërtetën.

Rreth znj. Kathryne Bomberger

Kathryne Bomberger është Drejtoreshë Ekzekutive e ICMP dhe një eksperte e njohur ndërkombëtarisht në fushën e personave të zhdukur, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Ajo ka drejtuar dhe kontribuar në procese komplekse identifikimi dhe ndërtimi institucional në vende që kanë kaluar konflikte të armatosura ose regjime represive, duke promovuar një qasje të qëndrueshme, të bazuar në ligj, përgjegjshmëri dhe respekt për dinjitetin e viktimave dhe familjarëve të tyre.

Kërkojmë të Zhdukurit – Autoriteti i Dosjeve të Ish-SigurimitNertila SeitajOrnela Besho @Bukurie Sokoli @Luan Ismaili