Tiranë, 26.02.2026 – Aktiviteti njëjavor “Udha e Kujtesës”, i organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), u përmbyll sot me projeksionin e shfaqjes teatrale “Mendje të bukura, shpirtra të lirë”, për nxënës dhe mësues të shkollave “1 Maji” dhe “Albanët”.
Në kuadër të këtij aktiviteti, nxënësit patën mundësinë të njiheshin me një nga ngjarjet më të rënda të historisë së diktaturës komuniste. Ata u informuan mbi ngjarjet e shkurtit 1951, kur një shpërthim në Ambasadën Sovjetike u përdor si pretekst për arrestimin dhe ekzekutimin pa gjyq të 22 intelektualëve shqiptarë, mes tyre edhe shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Kjo pjesë u prezantua nga përgjegjësja e sektorit në Drejtorinë e Mbështetjes Shkencore dhe Edukimit Qytetar, dr. Brunilda Çërraga.
Më tej, regjisorja e shfaqjes, Suela Bako, theksoi rëndësinë e artit si një mjet i fuqishëm për të përcjellë historinë, ndërsa autorja e dramës, Rovena Rrozhani, zhvilloi një bashkëbisedim interaktiv me nxënësit, duke u ndalur në jetën dhe kontributin e Sabiha Kasimatit.
Shfaqja “Mendje të bukura, shpirtra të lirë”, e ndjekur nga 41 nxënës dhe 4 mësues, është një projekt artistik i ideuar nga mësuesja e ndjerë Ina Kasimati, e cila kërkoi realizimin e një vepre kushtuar tre grave shkencëtare: Sabiha Kasimati, Marie Curie dhe Rosalind Franklin. Edhe pse nuk u njohën kurrë me njëra-tjetrën, ato përfaqësojnë modele të qëndresës dhe kontributit në shkencë, përballë patriarkatit dhe, në rastin e Kasimatit, edhe diktaturës.
Pas shfaqjes, nxënësit dhe mësuesit zhvilluan një bashkëbisedim me autoren dhe regjisoren, duke reflektuar mbi rolin e artit në njohjen e historisë, si dhe mbi figurën e Sabiha Kasimatit si shkencëtare dhe simbol i dinjitetit njerëzor.
Mësuesit e pranishëm vlerësuan aktivitetin si një formë të suksesshme të ndërthurjes së historisë me artin.
Mësuesja e historisë në shkollën “1 Maji”, Mireta Nasto, e cilësoi shfaqjen si një përvojë që integron në mënyrë të natyrshme historinë, shkencën dhe artin, duke sjellë reflektim mbi të kaluarën. Ndërsa mësuesja Anila Goduni theksoi se përçimi i historisë përmes artit rrit vëmendjen dhe përfshirjen e nxënësve. Koordinatorja e karrierës, Erina Dervishi, u shpreh se aktivitete të tilla ndihmojnë në nxitjen e pasionit dhe të mendimit kritik te të rinjtë.
Autorja e dramës, Rovena Rrozhani, theksoi se përmes kësaj vepre janë evidentuar betejat e grave në shkencë, përballë paragjykimeve dhe sistemeve shtypëse, duke veçuar figurën e Sabiha Kasimatit si një shembull i guximit për të thënë të vërtetën dhe për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin.
Ndërsa regjisorja Suela Bako vlerësoi dimensionin njerëzor të projektit, duke kujtuar se kjo shfaqje u realizua edhe si një amanet i mësueses Ina Kasimati, e cila, pavarësisht sfidave personale, kërkoi të linte një mesazh frymëzues për brezat e rinj.
Përmes aktiviteteve të tilla, AIDSSH synon të afrojë historinë me brezin e ri, duke e bërë atë më të kuptueshme dhe më të prekshme përmes ndërthurjes së dokumentit, dëshmisë dhe artit. /aidssh/
Për me tepër reflektimet e mesueseve, autores dhe regjisores pas shfaqjes:
MIRETA NASTO, MËSUESE E HISTORISË NË SHKOLLËN “1 MAJI”
Nuk e prisja që të ishte një shfaqje kaq e bukur. Si mësuese historie, shumë e dhënë në studimin e historisë sonë dhe të pjesës së errët, të diktaturës ku jemi rritur pashë shkencën, pashë artin, pashë historinë, të integruara shumë bukur dhe të sillen me pasion nga të rinjtë. U impresionova. Ju ndoshta ishit më shumë në fushën e artit, por ne shohim veten të vendosur në atë system dikur. Edhe fjalët e Sabihasë përballë diktatorit janë shumë domethënëse, të kuptuara në atë kohë janë me shumë rëndësi, ndërkohë që të tjerët nuk e kuptonin dot se ajo që po ndodhte ishte diktaturë.
ANILA GODUNI, MËSUESE E HISTORISË NË SHKOLLËN JOPUBLIKE “ALBANËT”
Sa herë që vij në këtë institucion (AIDSSH) kam pasur vlerësim Edhe unë që jam mësuese sot, gjithmonë mësoj nga dicka të re. kështu që për ju ka shumë më tepër për të mësuar. Kur vjen nëpërmjet artit është akoma më e bukur, sepse sjell vëmendjen më të madhe, sjell argëtim tek ju, por ndoshta edhe përqendrimin që ju duhet më tepër. Mendoj se kombinimi i historisë me artin siç erdhi në këtë formë ishte gjëja më e realizuar. Urime!
ERINA DERVISHI, KOORDINATORE E KARRIERËS NË SHKOLLËN “1 MAJI”
Unë jam mësuese e anglishtes, por mbuloj edhe rolin e koordinatore së karrierës dhe shpeshherë jam në kërkim të këtyre aktiviteteve sepse dua që të nxis te fëmijët, pasionin që duket se ndonjëherë nuk e stimulojmë sa duhet dhe ky aktivitet sot vërtet na mbushi të gjithëve shpirtërisht. Jam shumë e lumtur dhe ju uroj shumë suksese të gjithëve që bëtë këtë realizim të shfaqjes. Kishin merak disa nga fëmijët se po thoshin që mund të humbasin ndonjë orë fizike apo kimie, por më bukur se kjo shfaqje që tregoi kaq shumë dhe u realizua edhe lënda e kimisë dhe fizikës, nuk ka. Duhet të dalim jashtë kornizave për të kuptuar artin e vërtetë. Suksese pafund! Na kënaqët!
ROVENA RROZHANI, AUTORE E DRAMËS
Janë zgjedhur pikat kyce që identifikonin betejat e këtyre 3 grave në kohën e tyre, si patriarkati në shkencë dhe diktatura. Veçoj, Sabihanë, e cila la të ardhmen e saj jashtë për t’u rikthyer në një Shqipëri të pas luftës së dytë botërore me qëllimin për të dhënë kontributin e saj në shkencën shqiptare. Por iu desh të përballej me diktaturën. Tek Sabiha Kasimati kemi dinjitetin e një shkencëtareje që nuk zgjodhi të heshtte, por të thoshte të vërtetën, të fliste për lirinë, për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
SUELA BAKO PËR INA KASIMATIN PAS SHFAQJES
Besojmë se diku në univers janë shpirtrat dhe kjo është korniza e këtyre tri grave që nuk janë më mes nesh, por ndoshta i ka bashkuar qielli. Dhe Ina duhet të jetë aty dhe e merr këtë energji tani, me shpresën e Zotit. Ka qenë një moment shumë delikat, sepse Ina vetë ka qenë duke u kuruar për sëmundjen e saj, e cila i mori edhe jetën, dhe misioni u bë vërtet shumë sfidues, sepse ne duhet ta bënim për hir të Inës dhe duhej të dilte një shfaqje shumë e mirë për hir të saj. Jam shumë e lumtur që shfaqja ka dalë vërtet shumë e mirë, duke përfshirë edhe misionin që kishte në brendësi të saj.
Nuk ishte e lehtë t’i bënim këto elemente bashkë, për faktin që nuk i bashkon as gjeografia dhe as historia; nuk i bashkon as lloji i shkencës. Por unë besoj se ju nuk ndjetë ndonjë ngërç në kalimet nga një personazh te tjetri. Në fakt, çfarë i bashkon? I bashkojnë arritjet e grave në shkencë.
Ne mund të veçonim vetëm këto tri gra, por sigurisht që janë edhe 3003 gra të tjera që nuk mund të përfshihen në një shfaqje. Por besoj se, nëse ju jeni ngacmuar ose frymëzuar sadopak, mund të bëni bashkë tri të tjera ose bashkëkohëset tuaja, për të dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të grave në shkencë.





















