Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Uran Kostreci, babai i “Epopesë së Karkalecave”, në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit

29 janar 1938 lindi Uran Kostreci, babai i poemës “𝑬𝒑𝒐𝒑𝒆𝒋𝒂 𝒆 𝑲𝒂𝒓𝒌𝒂𝒍𝒆𝒄𝒂𝒗𝒆”, ose epopeja e komunistëve, siç e cilësoi Uran Kostreci, e cila lindi në burgun e Burrelit dhe autori e përfundoi së shkruari në fshatin Kurtaj të Peqinit në vitin 1986.

Disidenti, liberali, demokrati, Uran Kostreci, ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare. Shkruesi i soneteve, krijimeve satirike dhe komunikuesi elegant e njëherësh thumbues, u largua nga kjo botë më 12 korrik të vitit 2021. AIDSSH ka pasur privilegjin dhe kënaqësinë ta ketë në krah për shumë nisma të kujtesës.

Sot sjellim në vëmendje të lexuesit gjendjen e tij shpirtërore dhe më pas qëndresën, të dokumentuar edhe nga tre dosje, dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit.

Kostreci në dokumentet e Sigurimit të Shtetit, në fillimet e tij, ishte një i ri i mërzitur nga varfëria, i dëshpëruar nga pamundësia për t’u integruar në shoqëri, në ankth se kudo që shkonte duhet të mbante mbi supe etiketën si ”djali i armikut të popullit” .

Nga leximi i Dosjes hetimore-gjyqësore për shtetasin Uran Kostrecin me nr. 6561-A mësohet se 10 vitet e para në burgun e Burrelit e kthyen atë një krijesë politike. Në këtë burg ai ndërgjegjësohet se fatin e tij e kish paracaktuar regjimi. Kjo dosje mban të dhëna mbi tentativën e tij për t’u arratisur jashtë shtetit si dhe dënimin e tij me nenin 64.10 të Kodit penal, me 15 vjet burg.

“Veprа e të pandehurit Uran Kostreci është e rrezikshme nga pikëpamja shoqërore, për arsye se drejtohet kundër pavarësisë dhe sigurimit të jashtëm të Republikës Popullore të Shqipërisë. Vlen të theksohet gjithashtu edhe rrezikshmëria personale që paraqet vetë i pandehuri, babai i të cilit kohë më parë është dënuar për veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit.”(citim i dokumentit gjyqësor) nga zv/Prokurori ushtarak i Durrësit, Harito Çako.

Por Urani i ka arsyet kaq njerëzore: “Shikoja gjendjen e vështirë të pjesëtarëve të familjes dhe, duke mos pasur mundësi të ndihmoja më tepër se sa me gjysmën e rrogës time, dëshpërohesha në kulm dhe shpesh herë nxirrja pretekste për t’u larguar nga shtëpia, për më tepër qyteti më ishte bërë prej kohësh i neveritshme.

Në Dosjen formularë me nr. 5997 për Uran Kostrecin ka materiale të krijuara nga vitit 1971-deri, ditën kur nisi dënimin në këtë burg, e deri në vitin 1989. Materialet e krijuar i takojnë të Degës së Sigurimit në Elbasan. Aty lexohet për grevat e njëpasnjëshme të urisë, përballja me komandantin e kampit, qëndrimet e tij politike.

 “Burgu i Burrelit është një vend shfarosjeje, ku vdesin pothuaj çdo ditë të burgosur, të cilët i varrosin në qelinë e famshme. Burgu është i llahtarshëm. Edhe pse ky është një burg i tillë, unë nuk trembem dhe po të jetë nevoja, meqë unë do të flas atë që ndjej, mund të shkoj prapë, por kam bindje se edhe sikur të shkoja nuk do të qëndroj gjatë, sepse, sado që këta me gjithësesi çirren duke thënë se janë më të sigurt se sa kurrë, toka po u rrëshqet nën këmbë.”

Ridënimi i tij është kapitulli i fundit nga jeta e Uran Kostrecit ne burg. Për këtë mësojmë nga leximi i Dosjes hetimore-gjyqësore me nr. 10181/1-A Aty flitet rreth përplasjes së Uranit me autoritetet e burgut, akuzat dhe qëndrimin stoic të tij.

“Ju flisni për liri, por liri nuk ka; se po të kishte liri do të lejoheshin grevat e urisë, ndërrimi i udhëheqësve do të bëhej një herë në dy vjet ose do të ekzistonin shumë parti që populli të shprehte lirisht mendimet e tij.
Armik kam qenë dhe armik do të mbetem, sepse komunizmi është pushteti më i keq se po të qe ndryshe do ta kishte marrë gjithë bota.”

“Epopeja e Karkalecave”, si e shpëtova poemën në burg

🦗“Epopeja e Karkalecave” e shkruar prej tij në burgun e Burrelit ishte deklaratë politike, e cila e ktheu atë në sytë të burgosurve por edhe të Sigurimit, në kundërshtarin e vendosur të regjimit.

Nga shqyrtimi i dokumenteve të Ish-Sigurimit mësojmë se nëpërmjet bashkëpunëtorëve, drejtoria e burgut kish mësuar se

“Kostreci ka shkruar disa vjersha kundër Kongresit të 7-të të Partisë, por Urani i mban përmendësh dhe ka shkruar vetëm rreshtat e parë të strofave në letër. Në një strofë Urani ka shkruar ‘Karkaleci madh mbajti një fjalim (për Udhëheqësin e Partisë) dhe desh me çudit botën’. Të gjithë emrat e udhëheqësve i ka vënë emra zogjsh dhe insektesh. Këtë e ka bërë për kundër peshë të librit ‘Epopeja e Ballit Kombëtar’.”
(Bashkëpunëtori “Shkëmbi” raporton në nëntor të vitit 1979).

Historia e përndjekjes së poemës vijon, aty takohen letërsia dhe politika. Gjatë kohës që ishte në burg ai ja mëson njërit prej të dënuarëve, A. Z, tek i cili besonte dhe që arrinte të mbante mend. I burgosuri, A.Z ja recitonte shokëve në burg. Kjo përcjellje e vargjeve për një vepër letrare është jo vetëm mbijetesë, por edhe sukses i arritur.

Në një letër, të dokumentuar hetuesit e detyrojnë Uranin të shkruaj këtë deklaratë:

Me poshte deklarata para hetuesve:

“Unë Uran Kostreci, i dënuari për largim pa leje nga internimi me 3 vjet heqje lirie, i pyetur nga organet e Sigurimit të Shtetit, deklaroj sa vijon:

Para shumë vjetësh, kur vuaja dënimin në burgun e Burrelit, i dënuar si armik, pata bërë një shkrim (në vargje) me përmbajtje armiqësore ndaj shtetit, të cilën, duke e pas mësuar përmendësh, mbeti në kokën time edhe pasi dola nga burgu. Në Elbasan, duke mos guxuar t’ia lë dikujt që të mbetej kjo edhe mbas vdekjes time, e shkrova dhe e fsheha në tavanin e dhomës time ku banoja në qytet. Befas u internova. Shkrimi i fshehur mbeti në tavanin e dhomës. Kjo më bëri që më 1984, në janar, u largova pa leje nga internimi dhe shkova drejt në shtëpinë time, e nxora nga tavani atë shkrim kobëzi që nuk di dhe vetë pse e pata shkruar (që e marrë drejtë!) dhe sa e hoqa andej e dogja.

I lehtësuar që e zhduka atë shkrim që ish një provë fajësimi, u ktheva në fshat brenda ditës. Në kthim më kapën e më dënuan 1 vit e gjysmë për largim pa leje. Atje në “Përparim” ku vuaja dënimin, më bluante një mendim se ajo që pata shkruar do të humbiste me vdekjen time. Sepse nuk e fsheh që në atë kohë, mendoja akoma se duhej të mos humbiste ai shkrim. Por duhej të mbetej pas vdekjes time

Një marrëzi e vërtetë, natyrisht. Tani e kam të qartë. Pra, po shpjegoj si ndodh më tej. Aty u njoha me një Artur Zaçe. I prirur për letërsi. Dhe meqë e besoja si njeri, e duke pasur gjithmonë idenë fikse që shkrimi im të mos humbiste pas vdekjes time, m’u mbush mendja t’ia jap atij atë me amanetin, si të thuash, që ai ta fshihte e ta mbante atë edhe pasi të vdisja unë. E kuptoj mirë tani edhe veten time, se kjo e gjitha ishte një marrëzi dhe punë vërtet boshe. Por, ja që ashtu mendoja atë kohë

Ja dhashë pra atë shkrim me porosinë e vetme që ta fshihte si reliktin tim e të mos ja jepte askujt, por vetëm le të mbetej edhe pas vdekjes time.

Uran Kostreci

2 Tetor 1986.”

I detyruar nga policia sekrete ai thotë gjerat që ata dëshirojnë të dëgjojnë, por nuk i largohet thelbit të së vërtetës. Dhe Urani dinte të ishte sarkastik dhe spontan.

Fragmet nga poema Epopeja e Karkalecave

“Sot, prapë lodrës i ra kasneci
Dhe lajmëroi se karkaleci
Do të thjeshtojë program e shkollë,
T’i bihet shkurtas, të pritet hollë!

S’na duhen neve fillosofira, literaturë e historira!
Na duhen gjëra që hyjnë në punë,
Në jetën tonë, jo ti… jo unë…!

Për shembull foshjës i do mësuar
Qysh axhuzëja dje ka luftuar…
Pastaj shkollari me punë të rritet…
Të hap qilizma, që të stërvitet.

Kur, pa shkollari do të mësojë,
Për karkalecin veç të punojë.”

Referencat arkivore: Dosja hetimore-gjyqësore me nr. 10181/1-A.

Dosja formularë me nr. 5997 për Uran Kostrecin, e cila mban materiale të krijuara nga viti 1971 deri ditën kur nisi dënimin në këtë burg e deri në vitin 1989.

Shkroi: Migena Demirxhi

Vënë në dispozicion nga arkivistët : Anton Dukagjini, Irma Bataj, Gerald Vjollca.

Digjitalizimi : Aldi Dedndreaj

Letra anonime “armiqësore”, ndaj censurës komuniste

#Nëpragtë20shkurtit “𝑁𝑒̈ 𝑒𝑚𝑒̈𝑟 𝑡𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑟𝑖𝑛𝑗𝑣𝑒 𝑛𝑎𝑐𝑖𝑜𝑛𝑎𝑙𝑖𝑠𝑡𝑒̈, 𝑗𝑢 𝑏𝑒̈𝑗𝑚𝑒̈ 𝑡ℎ𝑖𝑟𝑟𝑗𝑒 𝑞𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑘𝑟𝑦𝑒𝑛𝑖 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟𝑚𝑏𝑦𝑠𝑗𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑟𝑟𝑢𝑓𝑒𝑠ℎ𝑚𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑟𝑒𝑛𝑑𝑖𝑡 𝑏𝑢𝑟𝑜𝑘𝑟𝑎𝑡𝑖𝑘 𝑛𝑒̈ 𝑓𝑢𝑞𝑖! 𝐽𝑢 𝑘𝑒𝑛𝑖 𝑓𝑎𝑟𝑘𝑒̈𝑡𝑢𝑎𝑟 𝑏𝑒𝑠𝑖𝑚𝑖𝑛 𝑒 𝑟𝑖𝑛𝑖𝑠𝑒̈ 𝑠ℎ𝑞𝑖𝑝𝑡𝑎𝑟𝑒 𝑑ℎ𝑒

Lef Nosi, një tjetër themelues pa varr

“Ka qenë 25-vjetori i Pavarësisë kur dajë Lefi, për të pamundësuar çdo falsifikim a manipulim të dokumentit të Pavarësisë, e fotografoi dhe e shtypi në qindra kopje, duke ia shpërndarë

Dita e Alfabetit

#DitaAlfabetit#MithatFrashërit i njohur në letra si Lumo Skëndo, kryetar i Kongresit të Manastirit dhe zv.kryetar i komisionit për alfabetin iu mohua roli i tij për gjysëm shekulli. Zgjedhja e tij