AIDSSH në turin e fshatrave të internimit të Lushnjës, Sula: Tranzicioni u soll me hipokrizi ndaj të përndjekurve; ndjesa e shtetit duhet të dëshmohet me vepra.
Presidenti i Republikës iu bashkua ceremonisë përkujtimore në Savër, të zhvilluar në kuadër të 23 Gushtit – Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
Kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, kritikoi zvarritjet, premtimet e pambajtura dhe mungesën e mbështetjes për viktimat e diktaturës: “Shumë prej tyre ikën pa gjetur eshtrat e njerëzve të tyre, pa rifituar pronën, pa marrë njohjen dhe kujdesin që meritonin.”
𝐋𝐮𝐬𝐡𝐧𝐣𝐞̈, 𝟐𝟒 𝐠𝐮𝐬𝐡𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟔– Me homazhe në Memorialin e Përndjekjes Politike në Lushnjë dhe me ceremoninë përkujtimore në Savër, nisi sot Turi Shenjues Përkujtimor “Peizazhe të Internimit”, i organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të aktiviteteve për 23 Gushtin, Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
Përmes një itinerari në fshatrat dhe vendet e internimit të Lushnjës, turi lidh dokumentet arkivore me dëshmitë e të mbijetuarve dhe me hapësirat ku qindra familje u detyruan të jetonin nën mbikëqyrje, apel, punë të detyruar dhe privim të lirisë.
Aktivitetin e nderoi me praninë e tij Presidenti i Republikës. Në ceremoni morën pjesë kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, ish-të internuar, familjarë, përfaqësues institucionalë, studiues dhe qytetarë.
Duke prezantuar qëllimin e turit, kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, deklaroi se përgjegjësia ndaj ish-të përndjekurve politikë nuk mbaron me dënimin e krimeve të diktaturës. Sipas saj, tranzicioni shqiptar nuk ua ktheu viktimave vitet e humbura dhe shpesh u soll ndaj tyre me hipokrizi, zvarritje dhe neglizhencë.
“Shumë viktima u përballën me pengesa të turpshme, zvarritje të pafundme, hipokrizi politike, neglizhencë dhe një administratë shpesh të mefshtë përballë vuajtjes së tyre. Mohimi nuk erdhi më gjithmonë me gjuhën e vjetër të propagandës. Ai vazhdoi përmes heshtjes, harresës, premtimeve të pambajtura dhe trajtimit sipërfaqësor të problemeve të viktimave”, deklaroi Sula.
Ajo solli në vëmendje njerëzit që u larguan nga jeta pa marrë përgjigje për fatin e familjarëve të zhdukur, pa rifituar pronën dhe pa marrë njohjen dhe kujdesin që u takonte.
“Shumë prej tyre ikën pa gjetur eshtrat e njerëzve të tyre, pa rifituar pronën, pa marrë njohjen dhe kujdesin që meritonin. Të tjerë vazhdojnë të mbijetojnë sot në ish-zonat e internimit ose në emigracion, të moshuar dhe të lodhur, pa e ndier seriozisht dorën mbrojtëse të shtetit”, u shpreh kryetarja e Autoritetit.
Sula theksoi se ndjesa e shtetit nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e fjalëve dhe ceremonive, por duhet të dëshmohet me njohje ligjore, mbështetje konkrete, drejtësi, kthim të të drejtave, kërkim për të zhdukurit, ruajtje të vendeve të kujtesës dhe garanci të mospërsëritjes.
“Ata nuk kërkuan dhe nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë të vërtetën, dinjitetin dhe drejtësinë që Republika ua ka ende borxh”, theksoi Sula.
Kreu i Shtetit, Sh.T. Z. Bajram Begaj bëri thirrje për veprim dhe bashkëpunim mes institucioneve për dokumentimin e plotë të historive dhe mbrojtja e vendeve të vuajtjes së ish-të përndjekurve për edukimin e brezave të rinj.
“Koha ikën, koha nuk pret. Dëshmitarët po pakësohen, gjurmët fizike po degradojnë dhe kujtesa e drejtpërdrejtë po bëhet gjithnjë e më e brishtë.
Prandaj duhet të veprojmë: të mbledhim dëshmitë, të ruajmë fotografitë, të digjitalizojmë dokumentet, të shënojmë dhe të mbrojmë vendet e vuajtjes dhe ta bëjmë këtë histori pjesë të edukimit të brezave të rinj. Kujtesa ka nevojë jo vetëm për përvjetorë dhe ceremoni si kjo, por për institucione që e ruajnë atë çdo ditë”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Në fund të fjalës së tij, Presidenti i Republikës garantoi ish-të përndjekurit se do të jetë gjithmonë një përkrahës i kauzës së ruajtjes dhe institucionalizimit të kujtesës historike:
“Si institucion dhe si person do të mbështes nismat që ndihmojnë dokumentimin e së kaluarës, ruajtjen e kujtesës dhe edukimin e brezave të rinj, me synimin që besoj e kemi të gjithë: të ndërgjegjësojmë për padrejtësitë e së kaluarën, të ndërtojmë të ardhmen e Shqipërisë si anëtarë të denjë të familjes evropiane.
Mënyra se si ne ruajmë kujtesën sot, do të tregojë se çfarë Shqipërie duam t’u lëmë brezave që do të vijnë: një Shqipëri të drejtë, demokratike, evropiane, por mbi të gjitha, një Shqipëri humane, e cila nuk harron, nuk harron ngjarje si kjo juaja”.
Kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, theksoi në fjalën e saj përgjegjësinë e institucioneve vendore për ruajtjen dhe shenjëzimin e vendeve të internimit, si pjesë e historisë së qytetit dhe kujtesës kombëtare.
Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish- përndjekurve politikë të Lushnjës, z. Shpëtim Brehamaj, i lindur në internim dhe pinjoll i një familjeje patriotike nga Mallakastra, solli përvojën e një brezi që vuajti pasojat e dënimit kolektiv për shkak të prejardhjes familjare.
Ai kërkoi nga shteti shqiptar njohjen ligjore të viteve të internimit për fëmijët e lindur në kampet dhe vendet e internimit, duke theksuar se drejtësia ndaj tyre nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e përkujtimit, por duhet të dëshmohet përmes vendimeve dhe veprimeve konkrete.
Në të njëjtën frymë, z. Et’hem Fejzollari, përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste të të Shoqata Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve Politik Demokrate të Shqipërisë , kërkoi përfundimin në kohë të procesit të dëmshpërblimit dhe trajtimin e drejtë të trashëgimtarëve të personave që regjimi komunist i pushkatoi pa faj.
Ai ngriti shqetësimin se, për efekt dëmshpërblimi, një personi të pushkatuar i përllogariten vetëm tetë vjet burg, ndonëse regjimi i mori jetën dhe familja e tij i vuajti pasojat për breza.
“Një i pushkatuar nuk mund të trajtohet sikur ka vuajtur vetëm tetë vjet burg. Atij iu mor jeta, ndërsa familjes iu mohua prindi, e drejta dhe dinjiteti. Shteti duhet ta njohë plotësisht këtë padrejtësi dhe të përmbushë pa vonesa detyrimet ndaj trashëgimtarëve”, theksoi Fezollari.
Harta e deritanishme e AIDSSH-së evidenton 16 fshatra dhe vendbanime të lidhura me internimin në Lushnjë. Sipas të dhënave të Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë dhe dokumentacionit të Arkivit të AIDSSH-së, në këto zona vuajtën internimin mbi 500 familje, me rreth 2,100 persona të evidentuar.
Këto shifra nuk përfshijnë plotësisht fëmijët që lindën ose u rritën në internim. Shumë prej tyre nuk figuronin në vendimet administrative dhe nuk e përfituan më vonë statusin ligjor të të internuarit, megjithëse vuajtën të njëjtat privime dhe të njëjtën stigmë politike si familjet e tyre.
“Mungesa e emrit në një dokument nuk e zhbën dëmin e pësuar. Njohja e tyre nuk është privilegj; është drejtësi e vonuar, dinjitet dhe përgjegjësi e shtetit”, deklaroi Sula, duke përsëritur rekomandimin e AIDSSH-së për korrigjimin e këtij boshllëku ligjor.
-Ndalesa në Savër, mes barakave që nesër duhet të jenë vende të vizitueshme të kujtesës
Presidenti i Republikës dhe pjesëmarrësit në tur vizituan barakat ku banonin familjet e internuara, vendin e apelit të përditshëm dhe hapësirat e ish-Ndërmarrjes Bujqësore. Ish-të internuar në këtë zonë Sofokli Kuqeshi, Vilma Mirakaj dhe Zamira Tole Hysa sollën dëshmitë e tyre për jetën nën apel, mbikëqyrjen e vazhdueshme, punën e detyruar dhe pengesat që e ashtuquajtura “biografi” u vendoste fëmijëve në arsimim dhe në jetën shoqërore.
Rrugëtimin në ndalesat e tjera të turit përkujtimor “Peizazhe të Internimit”, për të dëgjuar dëshmi dhe për t’u njohur me gjurmët e sistemit të internimit në territorin e Lushnjë.
-Ndalesa në Gjazë, pranë memorialit kushtuar Dom Mikel Koliqit
Pas Savrës, turi vijoi në Gjazë, ku deputeti Saimir Korreshi foli për gjurmët e internimit dhe historitë e familjeve të përndjekura në këtë zonë. Pranë memorialit të Dom Mikel Koliqit, ai nderoi viktimat e komunizmit dhe kërkoi që shtëpia ku kishte jetuar kleriku të restaurohet e të kthehet në muze, si pjesë e ruajtjes dhe muzealizimit të vendeve të kujtesës.
Dom Mikel Koliqi kaloi rreth 38 vjet të jetës së tij në burgje, kampe pune dhe internim nën regjimin komunist. Dënimin e fundit, me 15 vjet burg, e mori në vitin 1977, në moshën 75-vjeçare. Ai u lirua në vitin 1986.
-Ndalesa në ish-Burgun e Grave në Kosovë të Madhe,
Në ish-Burgun e Grave në Kosovë të Madhe, Elona Baci paraqiti gjetje historike dhe arkivore mbi gratë që vuajtën dënimin në këtë kamp-burg, kushtet e jetesës, punën e detyruar, dhunën, mbikëqyrjen dhe ndarjen e tyre nga familjet.
Reparti nr. 318 funksionoi në Kosovë të Madhe nga viti 1976 deri në vitin 1990. Rreth 450 gra u transferuan fillimisht në këtë repart dhe u detyruan të punonin në Ndërmarrjen Bujqësore Kosovë. Mes tyre kishte gra të dënuara për motive politike, shtetase shqiptare dhe të huaja. Dokumentet arkivore dhe dëshmitë e të mbijetuarave e ruajnë këtë vend si një nga dëshmitë më të forta të represionit të ushtruar ndaj grave gjatë regjimit komunist.
Ndërsa rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, prof. dr. Elvira Fetahu, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik me AIDSSH-në për studimin, dokumentimin dhe përcjelljen te brezat e rinj të historive të grave të burgosura gjatë regjimit komunist.dhe studiuesja as. prof. Fiona Todhri trajtojnë përvojën e grave të burgosura politikisht, punën e detyruar, ndarjen nga familjet, si dhe survejimin e tyre nga ish-Sigurimi i Shtetit.
Studiuesja as. prof. Fiona Todhri, bashkautore e dokumentarit “Gratë mes dhunës dhe stigmës në komunizëm”, solli historinë tronditëse të Fatime Degës, e arrestuar në vitin 1952, kur ishte vetëm 14 vjeçe, dhe e dënuar me shtatë vjet burg për “agjitacion e propagandë”. Gjatë hetuesisë, ajo u mbajt për rreth katër muaj e gjysmë në një qeli të errët, pa dritare dhe pa dyshek. Në burg punoi në repartin e artizanatit, ndërsa gratë e tjera e ndihmonin të plotësonte normën, duke parë tek ajo një fëmijë të ndarë dhunshëm nga nëna dhe familja.
Rrëfimi i Fatime Degës dëshmon se represioni komunist nuk kurseu as të miturit dhe se burgosja politike e grave shoqërohej me dhunë fizike, psikologjike, punë t
Ndër gratë që vuajtën dënimin në këtë burg ishin: Fatbardha Gjonmarkaj, Rukie Rama, Anxhe Kovaçi, Mynever Zaimi, Tefta Tasi, Asamble Hatibi, Azize Ferhati, Krisanthi Venediku, Besa Dume, Nadirja dhe Mina Shima, Lena Nikaj dhe Age Paja. Qerime Bome.
Në këtë burg u mbajtën edhe gra të huaja të martuara me shqiptarë, ndër to: Taisa Pisha, Nadia Sidorova, Zoje Gulina, Nina Puma, Barbara Haxhihyseni, Ina Shane, Elena Çami, Valja Sharanova, Igna Tarasova dhe Natalia Pengili.
Krisanthi Venediku dhe Mina Shima humbën jetën gjatë burgimit, ndërsa Age Paja vuajti 22 vjet burg. Historia e tyre dëshmon përndjekjen politike të grave, punën e detyruar dhe vuajtjen e gjatë larg fëmijëve e familjeve.
-Ndalesa në Plug dhe në shkollën 9-vjeçare “Lek Pervizi”
Turi u përmbyll në Plug, në shkollën 9-vjeçare “Lek Pervizi” , e cila mban emrin e piktorit, poetit dhe ish-të internuarit që vuajti dënimin në këtë kamp ku anëtari i Autoritetit, z. Skënder Vrioni, solli kujtimet e vizitës së tij të parë në kampin e Plugut, në vitin 1985, duke rikthyer atmosferën e frikës, mbikëqyrjes dhe izolimit, por edhe solidaritetin e dinjitetin e familjeve të internuara.
Në një moment të veçantë e emocional, Kryetarja e AIDSSH-së, dr. Gentiana Sula, i dhuroi drejtoreshës së shkollës një portret të Lek Pervizit, realizuar së fundmi. E emocionuar, ajo e pranoi veprën si një dëshmi që do të mbajë të gjallë lidhjen e shkollës me njeriun, emrin e të cilit ajo mban, dhe me historinë e vendit ku është ngritur.
Kështu, turi u mbyll aty ku kujtesa takohet me të ardhmen: në një shkollë. Portreti i Lek Pervizit nuk do të jetë vetëm një vepër e vendosur në mur, por dëshmia e një jete që dhuna nuk arriti ta nënshtrojë dhe një ftesë për nxënësit që të njohin historinë e vendit të tyre.
Sepse kujtesa bëhet e qëndrueshme vetëm kur u përcillet brezave që vijnë.









































