Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Nga vendvarrimet e dyshuara te Mediateka, AIDSSH paraqet bilancin e vitit 2025 në Kuvend

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut mbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025, duke paraqitur arritjet, sfidat dhe objektivat e Autoritetit në procesin e përballjes me të kaluarën komuniste, ruajtjen e kujtesës historike dhe forcimin e transparencës publike.

Në fjalën e saj, Kryetarja theksoi se shoqëritë që kanë kaluar përvoja diktatoriale përballen me detyrën e dyfishtë të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të përballjes me të kaluarën, ndërsa nënvizoi se e vërteta historike mbetet themel i besimit publik, drejtësisë dhe kulturës demokratike. Ajo vlerësoi vitin 2025 si një etapë të rëndësishme në konsolidimin e Autoritetit si institucion i kujtesës, transparencës dhe edukimit demokratik.

𝐊𝐞̈𝐫𝐤𝐞𝐬𝐚𝐭 𝐩𝐞̈𝐫 𝐢𝐧𝐟𝐨𝐫𝐦𝐢𝐦 𝐝𝐡𝐞 𝐦𝐛𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐣𝐚 𝐞 𝐤𝐞̈𝐫𝐤𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐬𝐡𝐤𝐞𝐧𝐜𝐨𝐫

Gjatë raportimit u bë e ditur se në vitin 2025 Autoriteti trajtoi 936 kërkesa nga qytetarë, studiues, media dhe institucione, ndërsa u vunë në dispozicion mbi 250 mijë faqe dokumente arkivore. Sipas Kryetares, këto shifra dëshmojnë rritjen e interesit të publikut për njohjen e së kaluarës dhe forcimin e besimit ndaj institucionit.

Në fushën e kërkimit shkencor, u trajtuan 154 kërkesa studimore, u konsultuan 1,092 dosje me mbi 135 mijë faqe dokumente dhe 47 studiues përdorën sallën e studimit në 163 raste. Një arritje e rëndësishme ishte publikimi i Udhëzuesit për Gazetarët dhe Studiuesit në bashkëpunim me OSCE Presence in Albania, me synimin për të përmirësuar përdorimin profesional të dokumenteve arkivore.

𝐒𝐭𝐮𝐝𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐦𝐛𝐢 𝐤𝐮𝐟𝐢𝐣𝐭𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐝𝐨𝐤𝐮𝐦𝐞𝐧𝐭𝐚𝐫𝐢 “𝐀𝐧𝐚 𝐭𝐣𝐞𝐭𝐞̈𝐫 𝐞 𝐕𝐚𝐥𝐢𝐚𝐬𝐢𝐭”

Kryetarja ndaloi veçanërisht te puna kërkimore mbi kufijtë gjatë diktaturës komuniste. Pas simpoziumit kushtuar kufijve të diktaturës, gjatë vitit 2025 u organizua simpoziumi “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944–1991”, i cili zgjeroi studimin në zona të tjera kufitare si Liqeni i Shkodrës dhe Hani i Hotit. Këto kërkime synojnë të rindërtojnë historitë njerëzore të shqiptarëve që e panë kufirin si mundësinë e vetme për liri.

Po ashtu u veçua dokumentari “Ana tjetër e Valiasit”, i cili solli përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive personale historinë e kampit të internimit të Valiasit, duke afruar publikun me dimensionin njerëzor të përndjekjes politike.

𝐀𝐫𝐤𝐢𝐯𝐢 𝐢 𝐝𝐞̈𝐬𝐡𝐦𝐢𝐯𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐞𝐝𝐮𝐤𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐛𝐫𝐞𝐳𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐫𝐢

Një pjesë e rëndësishme e raportimit iu kushtua arkivit të dëshmive gojore. Gjatë vitit 2025 u mblodhën dhe u transkriptuan 36 dëshmi të reja, duke e çuar në 165 numrin e përgjithshëm të dëshmive të mbledhura që nga viti 2018. Këto dëshmi janë përdorur në studime dhe projekte kushtuar Spaçit, Valiasit, kufijve dhe historisë së përndjekjes politike.

Në fushën e edukimit, Autoriteti vijoi programet për të rinjtë përmes platformës “Mësojmë nga e Kaluara – Burime Arsimore të Hapura 1944–1991”, si dhe përmes Turit të Leximit dhe Informimit, i cili përfshiu 11 takime në qytete të ndryshme të vendit. Në këto aktivitete morën pjesë 302 nxënës dhe 23 mësues, ndërsa ndikimi i programit u shtri te rreth 2,500 të rinj. Gjithashtu, Klubet e Librit dhe Klubet e Filmit u vlerësuan si hapësira reflektimi mbi kujtesën historike, lirinë dhe të drejtat e njeriut.

𝐊𝐞̈𝐫𝐤𝐢𝐦𝐢 𝐩𝐞̈𝐫 𝐩𝐞𝐫𝐬𝐨𝐧𝐚𝐭 𝐞 𝐳𝐡𝐝𝐮𝐤𝐮𝐫

Një nga temat kryesore të raportimit ishte procesi i kërkimit të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist. Kryetarja bëri të ditur se gjatë vitit 2025 u administruan 69 kërkesa të reja nga familjarët, duke e çuar në 410 numrin e rasteve të trajtuara nga Autoriteti që prej nisjes së këtij procesi.

Gjatë vitit u identifikuan pesë vendvarrime të reja të dyshuara, ndërsa numri i përgjithshëm i vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara arriti në 16. Kërkimet u zhvilluan në Shënvasil të Himarës, Shpal të Mirditës, Rrmaj të Shkodrës, Bolenë të Selenicës dhe Shelegur të Kolonjës, duke përdorur për herë të parë në mënyrë sistematike teknologji të avancuara si radarët nëntokësorë, dronët dhe analizat gjeofizike.

Kryetarja nënvizoi gjithashtu integrimin e Shqipërisë në sistemin ndërkombëtar iDMS për menaxhimin e të dhënave mbi personat e zhdukur, si një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve ndërkombëtare në këtë proces. Ajo kërkoi mbështetje për plotësimin e kuadrit nënligjor që do të mundësojë kalimin në fazën e gërmimeve dhe identifikimit të eshtrave.

𝐕𝐞𝐫𝐢𝐟𝐢𝐤𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐟𝐢𝐠𝐮𝐫𝐞̈𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐛𝐚𝐬𝐡𝐤𝐞̈𝐩𝐮𝐧𝐢𝐦𝐢 𝐦𝐞 𝐩𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐨r

Në funksion të transparencës dhe integritetit publik, gjatë vitit 2025 Autoriteti verifikoi 242 kandidatë për funksione publike, dekorime dhe tituj nderi. Për 15 prej tyre u konstatuan të dhëna në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. U shqyrtuan rreth 22,400 faqe dokumente dhe u morën 123 vendime.

Në diskutimet e komisionit u vlerësua edhe zgjerimi i bashkëpunimit me pushtetin vendor, veçanërisht pas hartimit të Udhëzuesit për Pushtetin Vendor. Ndërkohë, u evidentua nevoja që subjektet politike të tregojnë një angazhim më të madh në procesin e verifikimit të figurës së kandidatëve.

𝐃𝐞𝐤𝐥𝐚𝐬𝐢𝐟𝐢𝐤𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐝𝐨𝐤𝐮𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐟𝐢𝐝𝐚𝐭 𝐥𝐢𝐠𝐣𝐨𝐫𝐞

Një pjesë e rëndësishme e raportimit iu kushtua procesit të deklasifikimit. Gjatë vitit 2025 u deklasifikuan 390,690 faqe dokumente dhe 5,207 njësi arkivore, ndërsa u krijuan mbi 1.3 milionë fusha të reja të dhënash nga përpunimi i kartotekës dhe mjeteve të kërkimit.

Kryetarja theksoi se hyrja në fuqi e ligjit nr. 10/2023 “Për Informacionin e Klasifikuar” dhe më pas e VKM nr. 822/2024 sollën procedura shtesë administrative që kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmin e deklasifikimit. Ajo nënvizoi se Autoriteti ka qenë aktiv në diskutimet për harmonizimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor, duke propozuar ndryshime që do të lehtësonin procesin dhe do të garantonin akses më të shpejtë të publikut në dokumente.

𝐌𝐞𝐝𝐢𝐚𝐭𝐞𝐤𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐭𝐫𝐚𝐧𝐬𝐟𝐨𝐫𝐦𝐢𝐦𝐢 𝐝𝐢𝐠𝐣𝐢𝐭𝐚𝐥

Gjatë raportimit u prezantua edhe progresi i projektit të Mediatekës, një nga investimet më të rëndësishme të Autoritetit. Kryetarja e cilësoi Mediatekën si një ekosistem të ri të kujtesës, ku dokumentet arkivore, dëshmitë, fotografitë, materialet audiovizive dhe produktet multimediale do të bëhen të aksesueshme për publikun.

Ajo theksoi se për herë të parë qytetarët dhe familjarët do të kenë mundësi të kontribuojnë me dokumente dhe dëshmi të tyre, duke e kthyer Mediatekën në një hapësirë bashkëpunuese të kujtesës kombëtare.

𝐕𝐥𝐞𝐫𝐞̈𝐬𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐞 𝐝𝐞𝐩𝐮𝐭𝐞𝐭𝐞̈𝐯𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐤𝐨𝐦𝐚𝐧𝐝𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐞 𝐊𝐮𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐭

Gjatë diskutimeve, relatorja e çështjes Zegjine Çaushi dhe deputetët e Komisionit vlerësuan progresin e Autoritetit në përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit, duke theksuar se shumica e tyre janë adresuar me sukses gjatë vitit 2025. U kërkua vijimi i përpjekjeve për përshpejtimin e deklasifikimit, avancimin e procesit të kërkimit të personave të zhdukur dhe forcimin e programeve edukative për të rinjtë.

Deputetët ngritën gjithashtu çështjen e memorializimit të vendeve të internimit dhe burgjeve politike, duke theksuar nevojën që vendet ku u internuan mijëra qytetarë shqiptarë dhe familje të tëra të dokumentohen, të ruhen dhe të shndërrohen në hapësira kujtese për brezat e ardhshëm.

Në përfundim, Komisioni vlerësoi punën e Autoritetit si një kontribut të rëndësishëm në procesin e drejtësisë tranzicionale, ruajtjen e kujtesës historike dhe forcimin e kulturës demokratike në Shqipëri.

Raportin Vjetor mund ta lexoni këtu: