Shkrel, Shkoder – Në kuadër të përgatitjeve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, më 28 gusht, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po zhvillon një seri verifikimesh administrative dhe inspektimesh në terren për evidentimin dhe shënjezimin e vendvarrimeve të dyshuara të viktimave të regjimit komunist.
Grupi i punës, i drejtuar nga anëtari i Autoritetit, Gjergj Marku, zhvilloi një vizitë pune në zonën e Shkrelit, Malësi e Madhe, si pjesë e procesit të kërkimit dhe dokumentimit të rasteve të personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste.
Qëllimi i vizitës ishte mbledhja e informacionit dhe verifikimi në terren i të dhënave që lidhen me vendndodhjen e mundshme të eshtrave të Dom Nikoll Gazullit, një prej figurave më të rëndësishme të klerit katolik shqiptar, i ekzekutuar pa gjyq nga regjimi komunist në vitin 1946 dhe që vijon të konsiderohet i zhdukur.
Gjatë vizitës, grupi i punës u prit nga Dom Nikoll Toma, meshtar i Kishës së Shënkollit në Shkrel, i cili prej vitesh ka zhvilluar një punë të vazhdueshme për mbledhjen e dëshmive, kujtesës gojore dhe të dhënave historike mbi vendin ku mendohet se janë varrosur eshtrat e Dom Nikoll Gazullit.
Informacioni i mbledhur ndër vite nga Dom Nikoll Toma përbën një udhërrëfyes të rëndësishëm për procesin e verifikimeve që po zhvillon Autoriteti. Dëshmitë e mbledhura prej tij, njohja e territorit dhe puna këmbëngulëse për ruajtjen e kujtesës historike janë një kontribut me vlerë për identifikimin e vendndodhjeve të dyshuara dhe për zbardhjen e fatit të një prej figurave më të shquara të kulturës dhe klerit shqiptar.
Grupi i punës inspektoi Kishën e Shënkollit, një nga të paktat kisha që i mbijetoi shkatërrimeve të regjimit komunist, si edhe zonën Stërkuj–Dedaj, ku u kryen verifikime në terren mbi vendndodhjen e dyshuar të eshtrave të Dom Nikoll Gazullit. Të gjitha të dhënat e mbledhura do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme administrative në funksion të procesit të identifikimit dhe shënjezimit të vendvarrimeve të dyshuara.
Vizita në Shkrel është pjesë e punës që Autoriteti zhvillon në disa qarqe të vendit për evidentimin e vendvarrimeve të viktimave të komunizmit, si dhe për përgatitjen e aktiviteteve përkujtimore të 28 gushtit, ditë që i kushtohet kujtimit të personave të zhdukur me forcë, nje dite qe kujtohet prej krijimit të këtij institucioni.
Në përfundim të vizitës, grupi i punës zhvilloi një takim me kryetarin e Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë të Shkodrës, Zenel Drangu, me të cilin u diskutua mbledhja e dëshmive, fotografive dhe materialeve dokumentare që do të pasurojnë Ekspozitën e Përhershme Informuese, e cila do të inaugurohet në Shkodër më 28 gusht 2026.
Ekspozita synon të sjellë për publikun historinë e persekutimit të klerit katolik dhe të viktimave të regjimit komunist në qarkun e Shkodrës, duke i kthyer dëshmitë individuale në kujtesë kolektive. Një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet figurave të meshtarëve dhe priftërinjve që u pushkatuan, u burgosën ose u zhdukën nga regjimi komunist, mes tyre edhe Dom Nikoll Gazullit.
Përtej funksionit përkujtimor, ekspozita është konceptuar edhe si një hapësirë edukimi për brezat e rinj. Përmes vizitave të organizuara me nxënësit dhe të rinjtë e zonës, ajo synon t’i njohë ata jo vetëm me jetën dhe veprën e Dom Nikoll Gazullit, por edhe me historinë e persekutimit të klerit katolik, rezistencën ndaj diktaturës dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike si garanci që këto ngjarje të mos përsëriten më.
Dom Nikoll Gazulli (1895–1946) ishte meshtar katolik, studiues, gjuhëtar dhe folklorist shqiptar, i njohur për kontributin e tij në studimin e gjuhës shqipe dhe mbledhjen e trashëgimisë folklorike. Ai shërbeu si famullitar në Malësinë e Madhe dhe u dallua për veprimtarinë e tij kulturore e atdhetare. Pas vendosjes së regjimit komunist, u shpall kundërshtar i pushtetit dhe më 23 mars 1946 u ekzekutua pa gjyq në zonën e Shkrelit. Eshtrat e tij vijojnë të jenë të pagjetura, ndërsa figura e tij mbetet një nga simbolet e persekutimit të klerit katolik gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
@followersGjergj MarkuNertila Seitaj @Bukurie Sokoli @Luan Ismaili








