Në vigjilje të Turit Shenjues Përkujtimor “Peizazhe të Internimit”, që do të zhvillohet më 24 gusht, Autoriteti ishte në Lushnjë për të përgatitur nga afër itinerarin dhe, mbi të gjitha, për të dëgjuar njerëzit që mbajnë kujtesën e internimit.
Ndalesa e parë – Bashkia Lushnjë
Kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, priti përfaqësuesit e Autoritetit dhe shprehu gatishmërinë e plotë të Bashkisë për të mbështetur organizimin e turit përmes strukturave dhe institucioneve vendore, si dhe për t’iu bashkuar këtij udhëtimi përkujtimor më 24 gusht.
Për Bashkinë, ruajtja dhe përcjellja e kujtesës së internimeve është edhe pjesë e historisë së vetë Lushnjës dhe komunitetit të saj. Kryetarja Sefa vlerësoi rëndësinë e evidentimit të këtyre vendeve dhe të historive njerëzore që lidhen me to, veçanërisht për t’ua bërë të njohura brezave të rinj.
Me drejtuesin e muzeut te qytetit, Niko Ferro u diskutua mbi historinë dhe gjurmët që ruajnë këto vende.
Takimi u pasurua me një grup përfaqësuesish të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të qytetit, si Gëzim Baruti, përkthyes i frëngjishtes, Elhami Agolli, profesor i matematikës, dhe Shpëtim Brahamaj, i lindur në internim dhe sot drejtues i shoqatës.
Bisedat me ta sollën dëshmi, të dhëna dhe kujtime që do të ndihmojnë për t’i dhënë turit jo vetëm saktësi historike, por edhe zërin e njerëzve që e kanë përjetuar atë kohë.
Ndalesa e dytë – Savër
Nga Lushnja u nisëm drejt Savrës.
Udhërrëfyesi ynë ishte Sofo Kuqeshi, i rritur në internim, i cili na shoqëroi nëpër vendet ku dikur jetonin familjet e internuara.
Bashkë me Vilma Mirakajn, e lindur në internim në Savër, hymë në shtëpitë-kasolle ku dikur ishin detyruar të jetonin familje të të përndjekurve politikë. Vizituam edhe zonjën e familjes Kaba, në një prej banesave që ende mbart gjurmët besnike të asaj kohe.
Pamë hapësirat, dëgjuam kujtimet dhe mblodhëm të dhëna për jetën e përditshme të familjeve të internuara.
Siç shkruan kryetarja e Autoritetit në shënimet e saj nga Savra:
“Internimi ishte një akt administrativ që mund të të merrte jetën pa të shpallur fajtor. Nuk duhej domosdoshmërisht të kishe kryer një vepër. Mjaftonte prejardhja, mbiemri, lidhja familjare. Faji bëhej familjar. Ndëshkimi trashëgohej.”
Në Savër, familje të tëra u detyruan të jetonin për vite e dekada në hapësira minimale, të punonin aty ku u caktohej dhe të rrisnin fëmijët nën peshën e një “biografie” që nuk e kishin zgjedhur.
Por Savra nuk mund të tregohet vetëm me barakat. Ajo tregohet nga njerëzit. Dhe pikërisht këtu patëm edhe një takim të papritur me Zamira Tole Hysa, e cila kishte përjetuar jetën e internimit dhe sot është rikthyer të jetojë sërish aty ku ka ngritur tashme shtepine e saj te re.
Historitë e Sofo Kuqeshit, Vilma Mirakajt, Zamira Tole Hysa, familjes Kaba dhe të njerëzve që takuam në Lushnjë na kujtojnë se pas fjalës “internim” qëndrojnë jetë konkrete: fëmijëri nën kufizime, arsim i penguar nga “biografia”, punë e detyruar dhe mundësi të mohuara.
Por edhe diçka që internimi nuk mundi ta administronte: dijen, dinjitetin dhe dëshirën për të qenë i lirë.
Memoriali në qëndër të Savres sot mban emrat e atyre që u internuan pafaj. Barakat mbajnë edne gjurmët. Njerëzit mbajnë kujtesën.
Më 24 gusht do të ecim nëpër Savër, Plug, shkollën “Lek Pervizi”, Burgun e Grave në Kosovë dhe Gjazë, duke lidhur vendet me dokumentet dhe, mbi të gjitha, me dëshmitë e atyre që e jetuan historinë.
Për të parë vendet. Për të dëgjuar njerëzit.
Për ta njohur historinë aty ku ajo ka ndodhur.
Gentiana Mara SulaEriselda SefaPeizazhe të Internimit- Tur Shenjues PërkujtimorSkender VrioniGjergj MarkuAltin HoxhaVilma Miraka @Sofo Kuqeshi Gezim Baruti @Zamira Hysa Tole Dorian ZanaliuMigena DemirxhiOrnela EleziRovena Rrozhani – Shkrimtare per femije































