Korçë, 27 tetor 2026 – Nga birucat e Korçës në galeritë e Spaçit, historia e përndjekjes së familjes Topencarov gjatë diktaturës komuniste, e dokumentuar në 1 806 faqe arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, u soll në qendër të takimit të Klubit të Librit “Mësojmë nga e Kaluara”, kushtuar veprës autobiografike “Drama e jetës” të Nestor Topencarovit.
Takimi u zhvillua në Bibliotekën Publike “Thimi Mitko” në Korçë, me pjesëmarrjen e pedagogëve të Departamentit të Historisë dhe Gjeografisë të Universitetit “Fan S. Noli”, mësuesve të sistemit parauniversitar dhe të interesuarve për historinë dhe kujtesën e diktaturës komuniste.
Selami Zalli, Drejtor i Përgjithshëm i Trajtimit të Kërkesave në AIDSSH, vlerësoi rëndësinë e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe mundësinë që u është krijuar individëve të përndjekur dhe familjarëve të tyre për t’u njohur me dokumentet që për dekada mbetën të fshehta.
Ai theksoi se përmes njohjes me dosjet, shumë histori personale dhe familjare po marrin formën e librave autobiografikë dhe dëshmive publike, duke sjellë para lexuesve të vërteta që dikur mbaheshin sekret. Në këtë mënyrë, dokumentet arkivore nuk mbeten vetëm burime për studiuesit, por shndërrohen në një mundësi për qytetarët që të njohin historinë e tyre dhe për shoqërinë që të kuptojë më mirë të kaluarën.
Dr. Orion Ago vlerësoi Klubin e Librit si një nismë që ndihmon njohjen më të thelluar të së kaluarës dhe përcjelljen e historisë te brezat e rinj përmes dëshmive personale dhe dokumenteve arkivore.
Sipas tij, mesazhet e veprës së Nestor Topencarovit mbeten aktuale, pasi njohja e së shkuarës na ndihmon të kuptojmë të sotmen dhe të vlerësojmë liritë dhe mundësitë që gëzojmë.
Ai u ndal veçanërisht te e drejta për arsimim, duke sjellë në vëmendje dallimin mes mundësive që kanë sot të rinjtë për të ndjekur studimet dhe një periudhe kur shumë individëve të etiketuar politikisht, si edhe fëmijëve të tyre, u mohohej mundësia për t’u arsimuar. Historia e Nestorit, të cilit iu ndërprenë studimet universitare për shkak të përndjekjes politike, shërben si një reflektim mbi vlerën e lirisë, të drejtave individuale dhe mundësive të barabarta.
Gjashtë dosje arkivore përballë dëshmisë autobiografike
Në qendër të diskutimit ishte punimi “Dosjet që heshtin, libri që flet: Kalvari i një familjeje nën thundrën e Sigurimit”, përgatitur nga Mirela Murrizi, Elibjana Buçpapaj dhe Anxhela Pulaj, juriste pranë Drejtorisë së Informacionit në AIDSSH, të cilat merren me shqyrtimin dhe përpunimin e kërkesave të individëve për njohjen me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Përmes studimit, ato sollën përballjen e rrëfimit autobiografik të Nestor Topencarovit me dokumentet arkivore të administruara nga Autoriteti, duke rindërtuar historinë e përndjekjes së një familjeje përgjatë disa dekadave.
Historia nis me dashurinë e Kostës dhe Marikës, të ndarë nga mbyllja e kufijve në vitin 1948, dhe vijon me përndjekjen që përfshiu të katër anëtarët e familjes: Kostën, Marikën, Nestorin dhe Ivanën.
Në vitin 1976, Kosta Topencarov u arrestua dhe më pas u dënua me 10 vjet burgim, ndërsa djali i tij, Nestori, student i veterinarisë, u arrestua dhe u dënua me 7 vjet heqje lirie për “agjitacion e propagandë”. Kosta vuajti dënimin në Ballsh, ndërsa Nestori përjetoi kushtet e rënda të burgut dhe punën e detyruar në galeritë e Spaçit.
Ndërkohë, Marika dhe Ivana iu nënshtruan survejimit, presionit psikologjik dhe izolimit shoqëror. Dokumentet tregojnë se përndjekja nuk u kufizua te personat e burgosur, por u shtri mbi të gjithë familjen.
Gjashtë dosje, 1 806 faqe dhe 246 raporte dokumentojnë mekanizmin e kontrollit dhe të përndjekjes së familjes Topencarov. Vetëm ndaj Nestorit, Sigurimi angazhoi 15 bashkëpunëtorë, ndërsa survejimi i familjarëve vazhdoi edhe pas lirimit të Kostës dhe Nestorit në vitin 1982.
Dëshmia e Nestor Topencarovit: Çfarë zbuloi pas hapjes së dosjeve?
Pjesëmarrësit në Klubin e Librit u njohën edhe përmes ekranit me dëshminë e Nestor Topencarovit, i cili ka rrëfyer publikisht përvojën e burgimit dhe zbulimet që bëri pasi u njoh me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Topencarov tregoi se marrja e dosjeve i zbuloi një dimension tjetër të përndjekjes: veprimtarinë e operativëve, provokimet dhe planet e ndjekjes së familjes së tij, të cilat kishin vijuar edhe pas daljes së tij nga burgu.
Ai rrëfua se përmes dokumenteve mësoi se edhe nëna dhe motra e tij kishin qenë nën ndjekje intensive, madje në rrezik arrestimi.
Një nga episodet më domethënëse lidhet me përpjekjen e Sigurimit për të rekrutuar motrën e tij, Ivanën, si bashkëpunëtore. Sipas dëshmisë së Nestorit, ajo refuzoi të bashkëpunonte dhe kërkoi që punonjësit e Sigurimit të mos e kontaktonin më.
Topencarov tregon gjithashtu se në vitin 1987, babai i tij, Kosta, u mor sërish nga Sigurimi dhe u mbajt për tri ditë nën presion, megjithëse e kishte përfunduar dënimin me burg.
Këto dëshmi tregojnë se përndjekja politike nuk përfundonte me lirimin nga burgu, por vijonte përmes survejimit, presionit dhe ndërhyrjes në jetën familjare.
Në vitin 1990, pas katër dekadash ndarjeje, burgimesh dhe përndjekjeje, familja Topencarov u largua nga Shqipëria.
Përmes librit “Drama e jetës”, Nestori i kthen përvojat personale dhe familjare në një dëshmi publike për brezat e ardhshëm.
“Çdo familje ka historinë e saj. Diku më të bukur, më të gëzueshme dhe diku më të hidhur, më tragjike”, shkruan ai, duke ia lënë historinë e familjes së tij publikut shqiptar.
Takimi u mbajt në kuadër të Platformës edukative me burime të hapura “Mësojmë nga e Kaluara 44–91”, përmes së cilës AIDSSH synon të nxisë përdorimin e dokumenteve arkivore, dëshmive njerëzore dhe veprave letrare si burime plotësuese për mësimdhënien e historisë.
Selami ZalliElibjana BuçpapajAnxhi PulajMirela Murrizi QoseDorian ZanaliuAidssh – Platforma: “Mësojmë nga e kaluara”Nestor Topencarov






















