Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Firmoset marrëveshja AIDSSH–ASCAP: Platforma “Mësojmë nga e Kaluara me burime parësore ’44-‘ 91” në programet lëndore në vitin 2027

Tiranë, 30 tetor 2026 – Dokumentet arkivore dhe dëshmitë mbi diktaturën do të mbështesin mësimin e historisë në shkolla përmes platformës digjitale “Mësojmë nga e Kaluara: Burime të Hapura 1944–1991”. Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Gentiana Sula, dhe drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), Gerti Janaqi, firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit për përdorimin arsimor të këtyre burimeve dhe mbështetjen e mësuesve në trajtimin e së shkuarës komuniste.

Gjatë takimit, z. Janaqi tha se platforma, së bashku me produktet e saj edukative, do të jetë në vitin 2027 pjesë e programeve lëndore, në përputhje me planet vjetore të punës të të dy institucioneve. Ai e lidhi këtë zhvillim me rritjen e veprimtarive praktike në mësimdhënie, përdorimin e teknologjisë dhe përgatitjen e mësuesve për të punuar me materiale burimore. Platforma mund të mbështesë edhe veprimtari që lidhin historinë me edukimin qytetar dhe të drejtat e njeriut.

Në takim morën pjesë edhe znj. Dorina Rapti, drejtore e Drejtorisë së Kurrikulës dhe të Kualifikimit, dhe znj.Ines Todhe, përgjegjëse për kurrikulën e historisë, pranë ASCAP-it, në varësi të Ministrisë së Arsimit.

Në qendër të diskutimeve ishte pasurimi i kurrikulës dhe i veprimtarive mësimore mbi periudhën komuniste. Përndjekja politike, burgjet, kampet dhe vendet e vuajtjes u trajtuan si tema që mund të shpjegohen më gjerësisht përmes dokumenteve dhe historive njerëzore, duke i ndihmuar nxënësit të kuptojnë pasojat e represionit në jetën e individëve, familjeve dhe shoqërisë.

Znj. Ines Todhe vlerësoi kontributin që platforma mund të japë në mësimdhënien e historisë, duke u ofruar mësuesve burime historike parësore dhe udhëzime për përdorimin e tyre në klasë. Këto materiale u krijojnë nxënësve mundësi të analizojnë dokumentet, të shqyrtojnë rrethanat në të cilat janë hartuar, të krahasojnë burimet dhe të ndërtojnë interpretime të argumentuara mbi të shkuarën.

Znj. Ornela Arapi, drejtore e Mbështetjes Shkencore dhe Edukimit Qytetar në AIDSSH, prezantoi përmbajtjen dhe mënyrën e përdorimit të platformës, e cila është në fazë ndërtimi. Ajo shpjegoi se parashikohen dy mënyra aksesi, të përshtatura për mësuesit dhe nxënësit. Për mësuesit do të ofrohen paketa didaktike, udhëzime metodologjike, materiale burimore dhe pyetje orientuese për organizimin e orës mësimore. Për nxënësit parashikohen materiale me gjuhë të përshtatshme, intervista, lojëra edukative dhe kuize.

Arapi theksoi se dokumentet, filmat dhe dëshmitë do të shoqërohen me pyetje e detyra praktike, duke lidhur udhëzimin e mësuesit me punën aktive të nxënësit. Për fazën e parë janë mbledhur materiale, përfshirë libra për fëmijë, ndërsa paketat didaktike po përgatiten në bashkëpunim me ekspertë të fushës. Platforma parashikon edhe webinarë praktikë mbi trajtimin e periudhës komuniste dhe përdorimin e burimeve në klasë.

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, propozoi që hulumtimi i nxënësve të nisë edhe nga historia e personit emrin e të cilit mban shkolla e tyre. Dokumentet arkivore, fotografitë dhe dëshmitë mund t’i ndihmojnë të njohin jetën dhe përvojën e këtyre figurave, duke e lidhur historinë e shkollës dhe të komunitetit me historinë kombëtare. Kjo qasje nxit një njohje të mbështetur në burime dhe shqyrtimin kritik të së shkuarës, përtej idealizimit, demonizimit apo interpretimeve të politizuara.

Sula theksoi gjithashtu se platforma do të jetë e hapur ndaj kontributeve të mësuesve, studiuesve, universiteteve dhe shoqatave që punojnë me historinë dhe kujtesën, për t’u pasuruar vazhdimisht me materiale të dobishme për mësimdhënien.

Sipas marrëveshjes, AIDSSH-ja do të vërë në dispozicion dokumente arkivore të deklasifikuara dhe materiale të përpunuara për përdorim arsimor.

Në bashkëpunim me institucione kërkimore dhe ekspertë, do të kujdeset për saktësinë historike dhe integritetin dokumentar të tyre.

ASCAP-i do të kontribuojë me ekspertizë pedagogjike e metodologjike, rekomandime për përdorimin e materialeve në përputhje me kurrikulën dhe mbështetje për zhvillimin profesional të mësuesve.

Marrëveshja parashikon një bashkëpunim katërvjeçar, me plane pune që përcaktojnë veprimtaritë, afatet dhe përgjegjësitë e institucioneve.

Platforma do të shërbejë si burim plotësues për mësimdhënien dhe përdorimi i saj nga shkollat e mësuesit do të jetë vullnetar. Përzgjedhja dhe përdorimi i materialeve do të respektojnë legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Gentiana Mara Sula Gentiana Sula Faqja Zyrtare @Gerti Janaqi Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit ParauniversitarAidssh – Platforma: “Mësojmë nga e kaluara”Ornela Elezi#BrunaÇërragaRovena RrozhaniDorian ZanaliuMigena Demirxhi