Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Autoriteti i Dosjeve sjell debatin shkencor mbi mekanizmat e kontrollit të ish-Sigurimit të Shtetit

Nga platformat sekrete te rrjeti i bashkëpunëtorëve, burgjet dhe trauma ndërbreznore – Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Aspekte të përndjekjes politike të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar (1944–1991)”

Tiranë, 29 qershor 2026- Si ndërtohej figura e “armikut”? Si funksiononte aparati i survejimit? Si prodhohej frika dhe kontrolli shoqëror? Dhe pse pasojat e këtij sistemi vazhdojnë të ndikojnë edhe sot?

Këto janë disa nga pyetjet që po marrin përgjigje në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Aspekte të përndjekjes politike të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar (1944–1991)”, organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), e cila mblodhi në Tiranë studiues shqiptarë dhe të huaj për të prezantuar kërkime të reja të mbështetura në dokumente autentike arkivore.

Në hapje të konferencës, Kryetarja e AIDSSH-së, Dr. Gentiana Sula, theksoi se Shqipëria po hyn në një etapë të re të studimit të së kaluarës komuniste, ku dokumentet arkivore nuk shërbejnë vetëm për të rikthyer kujtesën historike, por për të ndërtuar dije shkencore dhe për ta vendosur rastin shqiptar në debatin europian mbi policitë sekrete dhe regjimet totalitare.

Dokumentet zbulojnë mekanizmat e fshehtë të aparatit represiv

Punimet e ditës së parë sollën një sërë gjetjesh të reja mbi mënyrën se si funksiononte Sigurimi i Shtetit.

Evolucioni i Sigurimit të Shtetit pasqyron mënyrën se si u zgjerua aparati i represionit komunist

Një studim i prezantuar nga Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Elona Baçin, Irma Batajn, Endrit Tolin dhe Mirvjena Imamin, rindërton për herë të parë në mënyrë të plotë evolucionin strukturor të Sigurimit të Shtetit, nga krijimi i tij më 14 dhjetor 1944 deri në shpërbërjen në korrik 1991.

Studimi tregon se, ndonëse de jure Sigurimi u krijua si shërbim për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, de facto ai u shndërrua në instrumentin kryesor të shtypjes së kundërshtarëve politikë dhe të garantimit të mbijetesës së regjimit komunist.

Sipas autorëve, ndryshimet organizative dhe strukturore të Sigurimit gjatë afro pesë dekadave nuk ishin thjesht reforma institucionale, por pasqyronin fazat e ndryshme të terrorit politik, represionit dhe konsolidimit të pushtetit. Analiza evidenton se zgjerimi dhe transformimi i strukturave të tij shoqëroi evolucionin e mekanizmave të kontrollit mbi shoqërinë shqiptare.

Studimi ofron një kuadër të plotë historik dhe institucional për të kuptuar organizimin e aparatit të Sigurimit të Shtetit dhe krijon një bazë të rëndësishme kërkimore për studimet mbi funksionimin e sistemit totalitar dhe mekanizmat e përndjekjes politike në Shqipëri.

Kryetarët e degëve të Sigurimit ishin hallka kyçe e aparatit represiv në rrethe

Një studim i prezantuar nga Gjergj Marku, anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Marvina Shtyllën, Gerald Vjollcën, Eglantina Daullen dhe Elibjana Buçpapajn, hedh dritë mbi rolin e kryetarëve të degëve të Sigurimit të Shtetit si zbatuesit kryesorë të politikave represive në nivel lokal.

I mbështetur në dokumente origjinale arkivore, studimi evidenton se kryetarët e degëve nuk kishin vetëm detyrën të zbatonin urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por ushtronin një rol vendimmarrës në administrimin e përndjekjes politike në rrethe. Ata hartonin raporte sekrete, drejtonin veprimtarinë operative, mbikëqyrnin ndjekjen e kundërshtarëve politikë dhe mbanin përgjegjësi për zbatimin e internimeve, burgosjeve, konfiskimeve të pronave dhe masave të tjera represive.

Sipas studimit, analiza e dokumenteve synon të zbërthejë hierarkinë e funksionimit të Sigurimit në nivel vendor dhe të evidentojë se si vendimmarrja e drejtuesve lokalë ndikonte drejtpërdrejt në fatin e mijëra të përndjekurve politikë. Hulumtimi ngre gjithashtu pyetjen nëse, në raste të caktuara, këta drejtues tejkalonin urdhrat e marrë nga qendra, duke ushtruar një rol edhe më të gjerë në mekanizmin e represionit.

Studimi ofron një panoramë të re mbi funksionimin e aparatit të Sigurimit në rrethe dhe kontributin e strukturave lokale në zbatimin e politikave të kontrollit dhe të përndjekjes gjatë regjimit komunist.

Platformat e sigurimit jashtë bazës ligjore

Në sesionin kushtuar aspekteve operative dhe metodave të punës së Sigurimit të Shtetit, ekspertja ligjore e AIDSSH-së, Liljana Çoçoli, prezantoi studimin “Platformat e punës operative dhe baza ligjore e Sigurimit të Shtetit”, të realizuar nga grupi i punës i drejtuar nga Prof. Asoc. Dr. Albert Nikolla, anëtar i Autoritetit, në bashkëpunim me Adela Toporjen, Jonel Hibon, Liljana Çoçolin dhe Mirela Lamen (AIDSSH).

Studimi argumenton se veprimtaria operative e Sigurimit të Shtetit nuk mbështetej në ligje të miratuara nga organet shtetërore, por në platforma të brendshme sekrete, të cilat nuk morën kurrë statusin e dokumenteve zyrtare të shtetit.

Sipas autorëve, pikërisht këto platforma përcaktonin organizimin e rrjetit agjenturor, procedurat e rekrutimit, klasifikimit, drejtimit dhe mbikëqyrjes së bashkëpunëtorëve, duke krijuar një mekanizëm paralel kontrolli jashtë bazës ligjore.

Studimi evidenton se kjo praktikë e vendoste veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar të periudhës 1944–1990. Një tjetër përfundim i rëndësishëm është se rekrutimi i bashkëpunëtorëve nuk mbështetej vetëm në bindje ideologjike, por edhe në shtrëngim, manipulim dhe presion psikologjik, duke e shndërruar rrjetin agjenturor në një mekanizëm të organizuar kontrolli, frikësimi dhe nënshtrimi të shoqërisë.

Kontrasti mes retorikës për Kosovën dhe praktikës së survejimit

Ndërsa regjimi komunist e paraqiste bashkëpunimin me Kosovën si pjesë të unitetit kombëtar, dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit tregojnë një realitet krejt tjetër.

Ky është përfundimi i studimit të paraqitur nga Prof. Dr. Arbër Hadri, Sekretar Shkencor i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, i cili analizoi mënyrën se si Sigurimi i Shtetit i trajtonte qytetarët nga Kosova, diasporën shqiptare dhe vizitorët nga hapësirat shqiptare jashtë kufijve gjatë periudhës 1945–1991.

Sipas dokumenteve arkivore të analizuara, ndërkohë që bashkëpunimi në arsim, shkencë dhe kulturë promovohej zyrtarisht si prioritet kombëtar, shumë kosovarë dhe shqiptarë nga jashtë vendit konsideroheshin nga Sigurimi si rrezik potencial. Ata vendoseshin nën survejim, përballeshin me internime, burgosje ose përpjekje për rekrutim si bashkëpunëtorë.

Studimi arrin në përfundimin se logjika e kontrollit politik mbizotëroi mbi retorikën e solidaritetit kombëtar, duke nxjerrë në pah kontradiktën midis diskursit zyrtar të regjimit dhe praktikave të aparatit të Sigurimit.

Hetuesia dhe burgjet si instrumente të terrorit politik

Një studim i prezantuar nga Skënder Vrioni, në bashkëpunim me Dr. Edlir Orhanin, Elisabeta Gripshin, Gerla Kotkën dhe Elton Kryemadhin, argumenton se hetuesia e ish-Sigurimit të Shtetit nuk kishte vetëm funksionin e zbatimit të ligjit penal, por ishte një nga instrumentet kryesore të funksionimit të sistemit represiv komunist.

I mbështetur në dokumente arkivore, dosje procedurale, dëshmi të ish-të burgosurve politikë dhe analiza të burimeve historike, studimi evidenton se procesi hetimor përdorej për të prodhuar prova, dëshmi dhe rrëfime që legjitimonin ndëshkimin e kundërshtarëve politikë.

Sipas autorëve, përdorimi i dhunës fizike, manipulimi i dëshmive dhe terrori psikologjik nuk përbënin raste të izoluara, por pjesë të një mekanizmi të organizuar intimidimi, që synonte të siguronte nënshtrimin e individit dhe të mbështeste funksionimin e gjykatave, prokurorisë dhe gjithë aparatit represiv të regjimit.

Studimi arrin në përfundimin se hetuesia ishte një hallkë kyçe në ruajtjen e pushtetit totalitar, ndërsa pasojat e praktikave të saj shtrihen përtej proceseve gjyqësore, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën dhe traumën kolektive të shoqërisë shqiptare.

Sigurimi i Shtetit kontrollonte çdo aspekt të jetës së të burgosurve politikë edhe pas dënimit

Një nga studimet e prezantuara në konferencë nga PhD. Femi Sufaj argumenton se burgjet dhe kampet e internimit gjatë regjimit komunist nuk ishin vetëm institucione për ekzekutimin e dënimeve, por pjesë përbërëse e mekanizmit të kontrollit politik të Sigurimit të Shtetit.

I mbështetur në dokumente arkivore, studimi evidenton se strukturat e Sigurimit, të vendosura brenda burgjeve dhe kampeve, funksiononin në mënyrë të pavarur nga administrata e këtyre institucioneve dhe ushtronin kontroll të drejtpërdrejtë mbi jetën e të burgosurve politikë. Çdo vendim që lidhej me lirimin me kusht, transferimin, regjimin e vuajtjes së dënimit, vizitat familjare, korrespondencën apo edhe lehtësitë më të vogla, varej nga miratimi me shkrim i punëtorit operativ të Sigurimit.

Studimi tregon se të burgosurit politikë vazhdonin të konsideroheshin “armiq të popullit” edhe gjatë vuajtjes së dënimit, duke mbetur objekt i survejimit, hetimit dhe ridënimit. Dokumentet arkivore dëshmojnë se Sigurimi organizonte një rrjet të gjerë kontrolli përmes bashkëpunëtorëve të infiltruar në burgje dhe kampe, të cilët përdoreshin për mbledhjen e informacionit, provokimin e incidenteve, nxitjen e përçarjeve dhe zbulimin e çdo forme rezistence ndaj regjimit.

Duke iu referuar raporteve të viteve 1959 dhe 1962, autori evidenton se administrata e Sigurimit i konsideronte burgjet objekte të një rëndësie të veçantë, ku çdo shfaqje pakënaqësie interpretohej si veprimtari armiqësore. Për këtë arsye, të burgosurit transferoheshin nga një burg në tjetrin për të penguar organizimin e tyre, ndërsa rrjeti i bashkëpunëtorëve përdorej për të mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm të dënuarit politikë.

Sipas autorit, dokumentet provojnë se sistemi i burgjeve nuk kishte si funksion rehabilitimin e individit, por vazhdimin e kontrollit politik edhe pas vendimit të gjykatës. Në këtë mënyrë, burgjet dhe kampet u shndërruan në një zgjatim të aparatit të Sigurimit të Shtetit, ku mbikëqyrja, hetimi, manipulimi dhe ndëshkimi vazhdonin deri në përfundim të dënimit, madje edhe pas lirimit të të burgosurve.

Sigurimi i Shtetit përdorte bashkëpunëtorë paralelë për të survejuar edhe rrjetin e vet informativ

Një tjetër risi ishte studimi i Prof. Asoc. Dr. Artan Putos, sipas të cilit Sigurimi përdorte mekanizmin e “bashkëpunëtorëve paralelë”, ku informatorët kontrollonin edhe njëri-tjetrin, duke krijuar një sistem të shumëfishtë mbikëqyrjeje brenda vetë rrjetit informativ.

Prof. Asoc. Dr. Artan Puto, pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, zbulon se Sigurimi i Shtetit kishte ndërtuar një mekanizëm të kontrollit të ndërsjellë, ku bashkëpunëtorët nuk mbikëqyrnin vetëm objektivat e interesit, por edhe njëri-tjetrin.

Lajmin e plotë e gjeni këtu