Gjergj Marku është anëtar i zgjedhur i Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), duke shërbyer në këtë detyrë që nga viti 2022, në mandatin e tij të parë si pjesë e organit kolegjial të vendimmarrjes së institucionit. Ai ka një përvojë të gjatë në administratën publike dhe në angazhimin qytetar e shoqëror, veçanërisht në çështjet që lidhen me kujtesën historike, të drejtat e ish-të përndjekurve politikë dhe dokumentimin e krimeve të regjimit komunist në Shqipëri.
Në funksionin e tij aktual në AIDSSH, ai është pjesë e organit kolegjial të vendimmarrjes së institucionit, duke kontribuar në proceset e transparencës, dokumentimit dhe ruajtjes së kujtesës historike, si dhe në nismat për zbardhjen e ngjarjeve të regjimit komunist dhe promovimin e së vërtetës dokumentare.
Përvoja e tij profesionale përfshin një sërë funksionesh drejtuese dhe administrative në nivel vendor. Ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Zyrës së Punës së Rrethit Mirditë, si dhe të Drejtorit të Ujësjellës-Kanalizime sh.a. Mirditë. Gjithashtu, ka qenë anëtar i Bordit të Shoqatës së Ujësjellës-Kanalizimeve të Shqipërisë për dy mandate dhe ka ushtruar disa mandate si këshilltar rrethi dhe bashkie në Mirditë, duke kontribuar në administrimin publik dhe përfaqësimin e komunitetit lokal.
Megjithëse përfundoi gjimnazin në Rrëshen, gjatë regjimit komunist nuk iu dha mundësia për të vazhduar studimet për shkak të biografisë familjare. Dëshira për arsimim u realizua vetëm pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Ai u diplomua në Jurisprudencë në Universiteti i Tiranës, duke marrë titullin Jurist. Gjithashtu, ka përfunduar Akademinë Politike në Institutin Demokratik Amerikan në Tiranë dhe studimet Master i Nivelit të Dytë (MND) në të Drejtë Publike në Universiteti Europian i Tiranës.
Që në fillim, ai përkrahu ardhjen e demokracisë në vend, duke kontribuar që në themelimin e saj. Mbështeti pa rezerva ish-të përndjekurit politikë të Mirditës dhe më gjerë, duke qenë pjesë e drejtimit të tyre. Për kontributin e tij, Presidenti i Republikës e dekoroi me titullin “Pishtar i Demokracisë”. Ai është zgjedhur në disa mandate si anëtar kryesie dhe nënkryetar i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë. Gjatë angazhimit të tij publik dhe politik, ka ushtruar funksionet e Kryetarit të PD-së Mirditë, Sekretar i PD-së, anëtar kryesie, si dhe funksione të tjera drejtuese.
Një aktivitet me rëndësi të veçantë ishte pjesëmarrja në zhvarrimin e 14 burrave – 10 të pushkatuar dhe 4 të varur – më 27 shkurt 1991 në Qafë të Valmirit. Ai ka qenë gjithashtu pjesëmarrës aktiv dhe organizator i shumë tubimeve dhe aktiviteteve përkujtimore në ish-Burgun e Spaçit, Burrelit, Qafë-Barit, Bulqizë, burgun e Shkodrës, kampin e Tepelenës, Berat, Lushnjë e të tjera.
Angazhimi i tij i vazhdueshëm ka qenë i lidhur me insistimin për zbardhjen e ngjarjeve më të rëndësishme të regjimit komunist, duke kërkuar të vërtetën nëpërmjet dokumenteve dhe dëshmive historike. Ai ka kontribuar në evidentimin dhe dokumentimin e pushkatimeve masive, burgosjeve politike, kampeve të internimit, si dhe historisë së burgjeve politike në Shqipëri. Vëmendje të veçantë i ka kushtuar Burgut të Spaçit, ku janë burgosur mbi 2200 veta nga qershori 1968 deri në vitin 1991 – një sistem pune i detyruar që shpërtheu me revoltën e 21 majit 1973.
Ai ka kontribuar gjithashtu në dokumentimin e historisë së Burgut të Burrelit, Burgut të Qafë-Barit, internimeve në Tepelenë, Berat, Porto Palermo dhe në 11 fshatra të Lushnjës, të cilat kanë shërbyer si qendra internimi deri në vitin 1991.
Zoti Marku rrjedh nga një familje mbi të cilën është ushtruar një represion i egër dhe i gjatë nga regjimi komunist. Si pasojë, i pushkatohet xhaxhai i tij, Ndrec Mark Ndoj, së bashku me 13 burra të tjerë, në genocidin e ushtruar në Mirditë më 17 gusht 1949 nga regjimi komunist. Familjarët e tij internohen në kampin famëkeq të Tepelenës në vitet 1949–1954. Pasojat kanë qenë të shumta, si në jetën personale ashtu edhe familjare, duke mos iu dhënë as të drejtat minimale për punë dhe shkollim, nën damkën “i deklasuar”. Regjimi komunist pushkatoi në Mirditë 17 për 1000 banorë, i vetmi vend në Shqipëri që kishte këtë raport.
Ai i përmbahet vizionit se e kaluara shumë e vështirë dhe diskriminuese përbën një pjesë historie që nuk njihet mjaftueshëm, sidomos nga të rinjtë. Prandaj, mbetet detyrë që kjo histori të pasqyrohet, sado e trishtë dhe e dhimbshme të jetë, së bashku me përgjegjësinë e atyre që e kryen atë.