U themelua në Shkodër Klubi i Librit “Mësojmë nga e kaluara”, një nismë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bashkinë Shkodër, Bibliotekën Publike “Marin Barleti” dhe ZVA Shkodër.
Takimi i parë iu kushtua librit memuaristik “Nëpër shtigjet e ferrit” të Viktor Martinit, një dëshmi tronditëse mbi përsekutimin e familjes Martini gjatë diktaturës komuniste.
Në aktivitet morën pjesë mësuese nga shkolla të ndryshme të qytetit të Shkodrës, të cilat shprehën interesin dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij klubi si një hapësirë reflektimi, edukimi dhe ndërgjegjësimi për brezat e rinj.
Aktiviteti u moderua nga znj. Rovena Rozhani, punonjëse e AIDSSH-së dhe shkrimtare e librave për fëmijë, e cila vuri theksin tek puna që Autoriteti zhvillon në fushën e edukimit qytetar, përmes platformave dhe produkteve edukative të përshtatura për fëmijë dhe të rinj, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe ASCAP.
Në emër të AIDSSH-së foli znj. Brunilda Cerraga, Përgjegjëse e Sektorit të Projekteve dhe Edukimit, e cila prezantoi synimet dhe qëllimin e Klubeve të Librit “Mësojmë nga e kaluara”, letërsinë që trajtohet në këto takime, si edhe rëndësinë e ndërthurjes së librit me dëshminë gojore dhe dokumentin arkivor për të kuptuar më mirë të kaluarën. Ajo diskutoi gjithashtu mbi materialet arkivore që gjenden në arkivin e AIDSSH-së për familjen Martini, për babain Zef Martini dhe katër djemtë e tij, ndër ta edhe Viktor Martinin.
Më pas, z. Leka Ndoja, Drejtor i Arkivës së ISKK-së, foli mbi vlerën e dëshmive gojore, rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe rolin që luan letërsia memuaristike në përcjelljen e kësaj kujtese tek brezat e rinj.
Gjatë aktivitetit, znj. Rovena Rozhani lexoi dy pjesë të rëndësishme nga libri, të cilat pasqyrojnë momentet që e kanë bërë Viktor Martinin të ndihet si një trashëgimtar i detyrës për të treguar historinë e familjes së tij dhe për të kontribuar në fushën e kujtesës përmes rrëfimit autobiografik. Libri sjell historinë e persekutimit të familjes Martini, por edhe qëndresën e jashtëzakonshme të nënës së tij, e cila u dha gjithmonë shpresë bijve të saj përballë vuajtjeve dhe represionit.
Takimi vijoi me diskutimet e mësueseve Merita Kastrati, Orjeta Dushi, Rudina Prendi dhe Mirela Sakej, të cilat ndanë reflektime mbi rëndësinë e trajtimit të historisë së diktaturës në shkollë dhe tek të rinjtë.
Klubi i Librit “Mësojmë nga e kaluara” synon të përdorë letërsinë memuaristike, kujtesën dhe dokumentin arkivor si mjete edukimi historik dhe qytetar, me qëllim që historia e diktaturës të njihet përmes fateve konkrete njerëzore dhe kujtesës së dokumentuar.
Fjalimet gjatë aktivitetit
- Qasja me dëshmitë e protagonistëve të fillimeve demokratike si burim etik për historinë, rasti i Viktor Martinit nga Dr. Leka Ndoja
- Nga dosja te rrëfimi: Historia e familjes Martini nga Dr. Brunilda Çërraga.
- Përshkrim i romanit “Nëpër shtigjet e ferrit” nga mësuese Rudina Llazari.
- Analizë e romanit “Nëpër shtigjet e ferrit” i Viktor Martinit nga mësuese Merita Kastrati.