Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Në kërkim të 2,202 bashkëpunëtorëve: mes “patriotizmit”, përfitimit dhe shtrëngimit

“Ju falënderoj për punë të devotshme dhe sakrifica që keni treguar në luftë për zbulimin e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse, për mbrojtjen e interesave të popullit, Partisë dhe Atdheut tonë socialist.” Kjo fletë lavdërimi u gjet gjatë studimit të dosjes personale të bashkëpunëtorit me pseudonimin “Xhami”. Ky bashkëpunëtor, i cilësuar si “bashkëpunëtor birucash”, ishte një “i dënuar” për “agjitacion dhe propagandë”. Ai u përdor nga ish-Sigurimi i Shtetit në repartet e riedukimit në: Ballsh, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Dibër dhe Librazhd.

Dokumenti gjendet në një nga dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe mban firmën e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi.

Procedura ishte e tillë që bashkëpunëtori dërgohej në dhomat e hetuesisë për të kontaktuar me personat nën hetim. Atij i jepej një identitet i ndryshuar në çdo burg ku vendosej dhe paraqitej si i dënuar, njësoj si personat për të cilët do të përpilonte raportet. Si “bashkëvuajtës”, ai fitonte besimin e tyre dhe më pas raportonte informacionin tek organet e Sigurimit.

Ky mekanizëm përfaqëson një nga format më të ndërlikuara që përdorte Sigurimi për të rritur ngarkesën e fajit dhe, më pas, për të siguruar ridënimin e të burgosurve.

Sipas analizës së Drejtorisë së Informacionit, gjatë periudhës 2017–2025 janë trajtuar 179 kërkesa për zbardhje bashkëpunëtorësh, duke çuar në kërkimin e 2,202 bashkëpunëtorëve në dokumentet arkivore. 

Nga shqyrtimi i mbi 78,930 faqeve, janë identifikuar 702 prej tyre, ndërsa procesi vijon, duke reflektuar kompleksitetin e kërkimit dhe përpjekjen e vazhdueshme për të zbardhur çdo rast. Këto të dhëna tregojnë një proces kompleks dhe shpesh të vështirë.

“Ka raste kur një pseudonim ndiqet për muaj të tërë pa arritur të lidhet me një identitet të plotë. Dokumentet janë të fragmentuara dhe jo çdo gjurmë është e verifikueshme,” shpjegojnë specialistët e kësaj drejtorie.

Megjithatë, progresi është i dukshëm. Nga vetëm 11 kërkesa në vitin 2017 (një kërkesë mund të përfshijë mbi 10 pseudonime për kërkim), procesi ka arritur në 30 kërkesa në vitin 2025, duke reflektuar një rritje të interesit publik dhe të besimit në procesin e zbardhjes.

Si lexohet një dosje bashkëpunëtori? Kërkimi për gjetjen e një bashkëpunëtori lëviz nga një dosje tek tjetra. Një rrëfim i plotë ndërtohet nga lidhja e disa fragmenteve: pseudonime, raporte operative, shënime të punëtorëve operativë dhe të dhëna mbi vendin, kohën dhe personat e survejuar.

“Kërkimi nis nga një detaj i vogël: një pseudonim i përmendur në një dokument. Mbi këtë bazë ndërtohet një ‘hartë kërkimi’, e cila përfshin pseudonimin, punëtorin operativ, vendndodhjen dhe datat e raportimeve. Kjo skedë bëhet çelësi për të hyrë në arkiv dhe për të lidhur fragmentet dokumentare,” shpjegon specialistja.

Si krijohej një bashkëpunëtor? Dokumentet tregojnë se bashkëpunimi nuk ishte gjithmonë rezultat i një zgjedhjeje të lirë. Ai ndërtohej mbi presionin, shtrëngimin, premtimet për lehtësim dënimi apo mbijetesën. Më pas, sistemi e shoqëronte këtë proces edhe me forma të tjera legjitimimi, siç është edhe “Fleta e Lavdërimit”, duke e paraqitur bashkëpunimin si një akt në shërbim të interesave të shtetit. Ky ishte rasti ku rekrutimi bëhej me bindje ideologjike (patriotike) dhe përfitim material.  Por ajo që del më fort nga dokumentet e studiuar deri tani është përdorimi i materialit komprometues.

“Individët survejoheshin paraprakisht. Mblidheshin të dhëna që mund t’i çonin në arrest. Dhe më pas u ofrohej një “zgjedhje”: bashkëpunim ose ndëshkim.”- tregojnë juristët.

Sot, këto dokumente janë dëshmi e mënyrës se si ndërtohej dhe funksiononte rrjeti i bashkëpunëtorëve. Ato ndihmojnë për të kuptuar mekanizmat e kontrollit shoqëror, kufirin mes detyrimit dhe zgjedhjes, si dhe kompleksitetin e rolit të individit në një sistem represiv.

#raporti2025 #DrejtoriaiInformacionit