Nga Dr. Gentiana Mara Sula,
Konferenca shkencore e organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përmbyllet sot me një ndjenjë të qartë arritjeje, por edhe me vetëdijen se puna kërkimore mbi mekanizmat e përndjekjes politike në Shqipërinë komuniste ka hyrë në një fazë më të thelluar, më sistematike dhe më ndërdisiplinore.
Kjo konferencë nuk ishte vetëm një takim akademik. Ajo ishte një hap i rëndësishëm në përpjekjen për të kuptuar më mirë mënyrën se si u ndërtua, u administrua dhe u përditësua dhuna shtetërore ndaj individit, familjes dhe shoqërisë shqiptare gjatë viteve 1944–1991.
Gjatë punimeve të konferencës u trajtuan tre dimensione themelore të sistemit represiv: baza ligjore dhe institucionale e përndjekjes; mekanizmi operativ i ndjekjes, hetimit, gjykimit, internimit dhe izolimit shoqëror; si dhe profili i bashkëpunëtorëve, zyrtarëve dhe strukturave që e mbajtën në funksion këtë sistem.
Diskutimet hapën fusha të reja kërkimore, nga qasjet psikosociale dhe sociologjike, te mikrohistoria, analiza institucionale dhe statistika deskriptive. Një nga propozimet më të rëndësishme metodologjike ishte konceptimi i sistemit represiv si një ekosistem i dhunës shtetërore klasore, ku ligji, Partia, Sigurimi, hetuesia, gjykatat, burgjet, kampet, internimet, shkolla, vendi i punës, banesa dhe organizatat e masave vepronin të lidhura në një mekanizëm të vetëm kontrolli.
Në konferencë u diskutuan procedurat penale pa garanci reale të prezumimit të pafajësisë; sistemi biografik që përcaktonte fatin e individit dhe të familjes; internimet dhe përjashtimet shoqërore; rrjeti i burgjeve dhe kampeve; si dhe literatura e jetuar, kujtimet, dëshmitë gojore dhe rrëfimet familjare si burime të pazëvendësueshme për kërkimin shkencor.
Vlerë të veçantë i dhanë konferencës mikrohistoritë. Ato treguan fuqinë e madhe të përjetimit personal dhe të analizës konkrete në çdo nivel të këtij ekosistemi represiv. Përmes historive individuale u bë më e dukshme se si instrumentet e shtetit, shpesh në mënyrë automatike, pa ndërgjegje dhe pa shpirt, hynin në jetën e njeriut, në familje, në biografi, në profesion, në arsim, në banesë dhe në të ardhmen e brezave.
Këto mikrohistori ngritën edhe çështjen e madhe të përgjegjësisë personale: përgjegjësisë së zyrtarëve, të bashkëpunëtorëve dhe të atyre që, në kushte të caktuara historike, morën pjesë në dhunën institucionale ndaj njerëzve të pambrojtur. Kjo është një çështje që nuk lidhet me hakmarrjen, por me etikën publike, me të drejtën për të ditur dhe me përgjegjësinë morale të kujtesës.
Në një shoqëri demokratike mbetet e hapur pyetja: a mund të fshihet gjithçka nga biografia publike? A duhet që rolet e mbajtura në mekanizmat represivë të kenë të paktën një vend të qartë në kujtesën institucionale dhe në CV-të publike? A duhet që media, studiuesit dhe publiku të pyesin jo vetëm “çfarë ka ndodhur?”, por edhe “a ka pasur pendesë?”, “a ka ndodhur zhvendosja morale?”, “a do të bëheshin të njëjtat zgjedhje sot, nëse viktimat do të ishin sërish të pambrojtura përballë abuzimit?”.
Konferenca e bëri të qartë se puna me dokumentet e represionit nuk është vetëm punë arkivore, juridike apo historike. Ajo hap domosdoshmërisht edhe një fushë të vështirë etike: fushën e përgjegjësisë personale dhe të zhvendosjes morale.
Dosjet nuk flasin vetëm për viktimat. Ato flasin edhe për ata që urdhëruan, firmosën, ndoqën, raportuan, heshtën, përfituan apo u përshtatën. Prandaj u ndje nevoja që në vijim këto çështje të trajtohen jo vetëm në nivel teorik, por edhe praktik: si lexohet përgjegjësia në dokument? Si dallohet bindja nga zelli? Si kuptohet pendesa? Si matet, nëse mund të matet, zhvendosja morale e njeriut nga roli i dikurshëm në qëndrimin e sotëm publik?
Kjo nuk është vetëm çështje e së shkuarës së mbyllur. Është çështje e etikës demokratike sot. Një shoqëri që nuk di të lexojë mekanizmat e përshtatjes, frikës dhe bashkëpunimit me dhunën, rrezikon t’i riprodhojë ato në forma të reja. Prandaj trajtimi teorik dhe praktik i etikës, përgjegjësisë dhe zhvendosjes morale duhet të bëhet pjesë e punës së ardhshme kërkimore, edukative dhe publike mbi trashëgiminë e diktaturës.
Në këtë kuptim, konferenca na kujtoi se pasojat e represionit nuk ishin vetëm të menjëhershme. Ato prekën personin, familjen, brezat, dinjitetin njerëzor dhe vetë trupin moral të shoqërisë shqiptare. Siç shprehej Uran Kostreci: “Mund t’i fal për atë që më bënë mua, por a mund t’u falet ajo që i bënë Shqipërisë?”. Kjo pyetje mbetet një nga boshtet etike të punës sonë.
Konferenca solli disa risi metodologjike që duhet të shërbejnë si bazë për punën e ardhshme.
Së pari, qasja multidisiplinare me ekipe të plota kërkimore duhet të kthehet në model të qëndrueshëm për studimet mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Asnjë dokument represioni nuk mund të lexohet vetëm nga një këndvështrim. Ai kërkon lexim historik, juridik, arkivor, etik, sociologjik, psikosocial dhe, aty ku është e mundur, edhe statistikor.
Së dyti, statistika deskriptive duhet të përdoret më gjerësisht për t’u dhënë shkallë, masë dhe krahasueshmëri fenomeneve represive. Numrat nuk e zëvendësojnë vuajtjen njerëzore, por ndihmojnë për të kuptuar përmasën, shtrirjen, përsëritjen dhe strukturën e dhunës.
Së treti, materialet dokumentare të reja të prezantuara në konferencë duhet të bëhen të aksesueshme për publikun dhe studiuesit përmes mediatekës së AIDSSH, duke ruajtur emrin e studiuesit që i ka identifikuar, përshkruar dhe sjellë i pari në vëmendje. Kjo është e rëndësishme si për transparencën, ashtu edhe për etikën e punës kërkimore.
Së katërti, bashkëpunimi ndërmjet brezave u shfaq si një vlerë e veçantë. Brezi që e ka jetuar diktaturën solli ndjeshmërinë, kujtesën dhe autenticitetin e përjetimit. Brezi i ri solli kuriozitetin, instrumentet e reja metodologjike dhe një vështrim më të distancuar e më të paanshëm. Së bashku, këto breza mund të ndërtojnë një kuptim më të plotë të së kaluarës për të sotmen dhe për të ardhmen.
Nga diskutimet doli gjithashtu nevoja për të thelluar studimin mbi levat e Partisë dhe organizatat e masave: Frontin Demokratik, organizatat e gruas, të rinisë, të pionierëve, strukturat e vendit të punës, shkollës dhe komunitetit. Këto nuk ishin elemente periferike. Ato ishin kanale të rëndësishme për përcjelljen e indoktrinimit, frikës, kontrollit social, censurës dhe disinformimit. Përmes tyre, represioni nuk mbetej vetëm akt policor apo gjyqësor, por kthehej në mënyrë jetese, në disiplinë të përditshme dhe në kontroll të brendësuar shoqëror.
Hapat e mëtejshëm të punës sonë do të jenë të qartë.
Do të synojmë organizimin e simpoziumeve tematike të ngushta për çështje specifike, ku secila temë të trajtohet me thellësi, me dokumente, dëshmi, bibliografi dhe qasje krahasuese.
Do të punojmë për zhvillimin e konferencave periodike, gjashtëmujore ose vjetore, në mënyrë që kërkimi mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të mos mbetet episodik, por të bëhet proces i qëndrueshëm shkencor dhe institucional.
Do të nxisim përgatitjen e botimeve dokumentare, përmbledhjeve tematike dhe artikujve shkencorë për revista kombëtare dhe ndërkombëtare.
Do të vijojmë publikimin e materialeve në mediatekën e AIDSSH, duke e kthyer atë në një hapësirë të gjallë kërkimi, edukimi dhe kujtese.
Do të hapim diskutimin mbi temat e ardhshme kërkimore, sepse ky proces nuk mund të mbyllet me një konferencë. Propozimet mbi temat, metodat dhe fushat e kërkimit mbeten të hapura për studiuesit, institucionet, universitetet, të mbijetuarit dhe familjet e viktimave.
Falënderime të veçanta u takojnë studiuesve, për orët e gjata të punës arkivore, verifikimeve dhe procedurave administrative; Bordit Shkencor, për rigorozitetin dhe përkushtimin në vlerësimin e punimeve; moderatorëve, për detyrën e vështirë të drejtimit të diskutimeve dhe përmbajtjes së pasionit e interesit të lartë të sallës; organizatorëve, për koordinimin e një aktiviteti të kësaj shkalle; përkthyesve, për urën gjuhësore që bëri të mundur dialogun ndërkombëtar; si dhe fakultetit pritës, për mikpritjen e ngrohtë dhe hapjen e dyerve të tij.
Shpresa jonë është që prania e institucioneve akademike të rritet në aktivitetet e ardhshme dhe që materialet e kësaj konference të gjejnë rrugën drejt revistave shkencore, botimeve universitare dhe programeve të edukimit historik e qytetar.
Në përmbyllje, AIDSSH merr përsipër disa zotime konkrete.
Punimet e kësaj konference do të përgatiten për botim, pas një procesi të kujdesshëm redaktimi, citimi të saktë të dokumenteve, verifikimi bibliografik dhe referimi të dëshmive gojore.
Materialet dokumentare të reja të prezantuara do të publikohen në mediatekën e AIDSSH, me emrin e studiuesit që i ka përshkruar i pari.
Bashkëpunimi i nisur midis institucioneve, disiplinave dhe brezave do të vijojë.
Sepse e vërteta për të kaluarën nuk është detyrë e një brezi të vetëm. Ajo është projekt i përbashkët i memories kolektive shqiptare, i drejtësisë morale dhe i ndërtimit të një shoqërie që nuk pranon më shfytyrimin e njeriut në emër të shtetit, ideologjisë apo frikës.
Kjo konferencë na kujtoi se dokumenti nuk është vetëm letër arkivore. Ai është gjurmë pushteti, gjurmë vuajtjeje, gjurmë përgjegjësie dhe, njëkohësisht, mundësi për të rindërtuar të vërtetën. Detyra jonë është ta lexojmë me rigorozitet, me ndershmëri dhe me guxim moral.
Vetëm kështu kujtesa bëhet dije.
Vetëm kështu dija bëhet përgjegjësi.
Dhe vetëm kështu përgjegjësia bëhet garanci që e shkuara të mos përsëritet.
Gentiana Mara Sula,#GentianaSulaOfficialPage,, Altin Hoxha, Skender VrioniGjergj Marku,Albert Nikolla