Ekspozita e përhershme informuese në mjediset e ish-kampit të internimit në Tepelenë është një nismë e rëndësishme për kthimin e kësaj hapësire në një *vend kujtese* të vizitueshëm, me fokus edukimin e brezit të ri dhe nderimin e viktimave të regjimit komunist.
Përmbajtja e ekspozitës bazohet në kërkimet shkencore të kryera nga *Instituti i Historisë* dhe në të dhënat arkivore mbi personat e internuar në kampin me tela me gjemba gjatë periudhës 1949–1953. Pjesë thelbësore e kësaj ekspozite janë edhe skicat historike të realizuara me mjeshtëri nga *Lek Pervizi*, ish-i internuar në këtë kamp, të cilat dokumentojnë në trajtë vizuale jetën e përditshme, vuajtjet dhe sfidat e të dënuarve.
Që nga krijimi i tij në vitin 2017, AIDSSH ka iniciuar dhe mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nismat për muzealizimin e kampit, identifikimin e personave të zhdukur dhe kthimin e këtij vendi në një pikë referimi për drejtësinë tranzicionale. Çdo vit, më *23 gusht* (Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare), në këtë vend organizohen aktivitete përkujtimore në prani të familjarëve dhe trashëgimtarëve të atyre që vuajtën apo humbën jetën në këtë kamp.