Dua ta nis me një vlerësim për punën e dosjeve. Puna që bëhet në këtë institucion është drejtësi e vonuar. Për dekada, e vërteta e këtij vendi u mbajt me çelës, e klasifikuar si sekret shtetëror. Çdo dosje që autoriteti hap dhe çdo ekspozitë si kjo e sotmja zëvendëson një version zyrtar të gënjeshtrës me një të vërtetë të dokumentuar. Dhe fakti që sot e bën këtë bashkë me Dhomën e Avokatisë ka një simbolikë të veçantë: institucioni i kujtesës dhe institucioni i mbrojtjes qëndrojnë në të njëjtën anë. Aty ku duhet të kishin qenë gjithmonë, në fakt.
Por për të kuptuar se çfarë u godit në vitet që kjo ekspozitë dokumenton, duhet kuptuar më parë se çfarë është avokati.
Vetë fjala Advocatus, në latinisht, do të thotë ai që thirret pranë. Që në Romën antike, qytetari që përballej me akuzën kishte të drejtë të thërriste dikë në krah të vet. Por parimi është më i vjetër se Roma: askush nuk duhet të përballet i vetëm me pushtetin.
Ka një të vërtetë që pushteti e harron shpesh: e vërteta në gjykatë gjendet vetëm nga përballja e barabartë e dy palëve. “Të dëgjohet edhe pala tjetër” nuk është formalitet procedural. Është mënyra se si ndajmë drejtësinë nga hakmarrja. Dhe avokati është mishërimi institucional i këtij parimi. Avokati nuk është as shërbëtor i shtetit dhe as ndihmës i gjykatës. Një gjykatë pa mbrojtje të pavarur mund të prodhojë vendime, por nuk prodhon dot drejtësi.
Pikërisht këtë e kuptoi shumë mirë regjimi që u vendos në vitin 1944, i cili në fakt sulmoi avokatët përpara se të sulmonte partitë politike. Regjimi e boshatisi karrigen e mbrojtjes përpara se të zbrazte bankat e opozitës. Opozita u vra nëpër salla gjyqi dhe këto gjyqe kërkonin si kusht paraprak eliminimin e mbrojtjes së të akuzuarve.
Prova më e qartë është vetë Gjyqi Special i pranverës 1945 ku avokatë të rinj, të shkolluar për drejtësi në Itali, morën përsipër mbrojtjen e të pandehurve: Muzafer Pipa, Suat Asllani, Ndrek Kakariqi dhe Haki Karapici. Siç dëgjuam edhe sot, të katërt e paguan shtrenjtë guximin për të ushtruar detyrën e tyre.
Muzafer Pipa mori përsipër mbrojtjen e klerikëve katolikë në gjyqin special të Shkodrës, ku vuri në pikëpyetje vetë legjitimitetin e trupit gjykues dhe u përjashtua nga mbrojtja në mes të procesit. Në shtator të po atij viti u arrestua dhe vdiq nën tortura, në moshën 32-vjeçare. Krimi i tij ishte ushtrimi i profesionit të avokatit.
Erifili Bezhani ishte avokatja e parë shqiptare. E diplomuar për drejtësi në Francë dhe e kthyer në Shqipëri pasi kishte ushtruar profesionin në Marsejë, u dënua bashkë me grupin e deputetëve dhe përfundoi në burg krah Musine Kokalarit.
Procesi u çua deri në fund logjik: në vitin 1966 u suprimua Ministria e Drejtësisë dhe një vit më vonë institucioni i avokatisë u shkri me ligj. Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë që e zhduku profesionin e avokatit me dekret. Karrigia e mbrojtjes jo vetëm mbeti bosh, por u nxor fare nga salla.
Regjimi nuk i ndëshkoi këta njerëz pavarësisht se ishin avokatë. I ndëshkoi sepse ishin avokatë. Vetë akti i mbrojtjes u kthye në provë fajësie.
Si Avokat i Popullit, nuk jam këtu vetëm për të kujtuar, por për të mësuar nga historia jonë. Kur raporti ynë vjetor konstaton të mitur të marrë në pyetje pa praninë e prindit, psikologut apo mbrojtësit, kjo është shkelje e së drejtës së mbrojtjes. Kur 57 për qind e të burgosurve mbahen në paraburgim pa një vendim të formës së prerë dhe kur proceset zgjasin vite, e drejta e mbrojtjes është de facto e mohuar.
Prandaj e ftoj Dhomën e Avokatisë të ngrejë një kanal komunikimi, që kur një avokati i pengohet ushtrimi i detyrës nga një institucion publik, përgjigjja të jetë e përbashkët. Pengimi i avokatit nuk është problem i avokatit, por shkelje e të drejtave kushtetuese të qytetarit që ai përfaqëson.
Një shoqëri që nuk e njeh mekanizmin e shtypjes së djeshme nuk e dallon dot as versionin e zbutur të saj që mund të ndodhë nesër. Prandaj puna që znj. Sula dhe ekipi i saj po bëjnë është një kontribut i paçmuar dhe këto ekspozita janë mënyra më e mirë për të mos harruar.
Monumenti më i mirë për Muzafer Pipën, Erifili Bezhanin dhe Koço Dilon është një sallë gjyqi ku asnjë avokat nuk ka frikë të mbrojë askënd.
Ju faleminderit.
17 korrik, 2026, AIDSSH