Gjyqi Special i vitit 1945 (1 mars–13 prill) përbën një nga momentet më të rëndësishme në historinë politike dhe juridike të Shqipërisë. I zhvilluar pak muaj pas marrjes së pushtetit nga Fronti Nacionalçlirimtar, ai nuk ishte vetëm një proces penal ndaj 60 funksionarëve të regjimeve të mëparshme, por edhe akti themelues i drejtësisë së re të pasluftës.
Përmes këtij procesi, regjimi i ri hodhi bazat e modelit të drejtësisë popullore, duke e përdorur gjykimin si mjet për legjitimimin e pushtetit të ri politik dhe për spastrimin e elitës politike, administrative, ushtarake e intelektuale të periudhës së mëparshme.
I krijuar posaçërisht për këtë proces, me kompetenca të jashtëzakonshme dhe me një trup gjykues të përbërë kryesisht nga drejtues politikë e ushtarakë, Gjyqi Special u zhvillua mbi bazën e Ligjit nr. 41, datë 23 janar 1945. Në përfundim, 17 të pandehur u dënuan me vdekje, 40 me gjithsej 486 vjet burg, ndërsa 3 u shpallën të pafajshëm.
Edhe pse Gjyqi Special është studiuar gjerësisht nga këndvështrimi politik dhe historik, një aspekt ka mbetur pothuajse i paeksploruar: roli i avokatëve mbrojtës. Ky punim synon të analizojë strategjitë e tyre juridike, argumentimin, ndërhyrjet procedurale dhe mënyrën se si prokuroria dhe gjykata iu përgjigjën mbrojtjes, duke e parë procesin edhe si një moment kyç në historinë e avokatisë shqiptare.
Risia e këtij punimi qëndron në analizimin e Gjyqit Special nga këndvështrimi i historisë së avokatisë shqiptare, duke u përqendruar te argumentet juridike të mbrojtjes dhe te mënyra se si ato u trajtuan nga prokuroria.
Përballë akuzës së përfaqësuar nga Bedri Spahiu, dhjetë avokatë, të diplomuar në universitetet më prestigjioze të Evropës, morën përsipër mbrojtjen e 60 të pandehurve. Dokumentacioni i Dosjes nr. 3715-A të Fondit H-GJ në AIDSSH dëshmon se ata përgatitën mbrojtje të argumentuara, depozituan dokumente dhe ndërhynë aktivisht gjatë procesit, duke sjellë në sallën e gjyqit kulturën juridike të avokatisë shqiptare të kohës.
| Nr. | Avokati | Të pandehurit që mbrojti | Mbrojtja e paraqitur | Dokumente shtesë |
| 1 | Aristidh Totozani | Fejzi Alizoti, Daut Çarçani, Kostandin Kotta, Zef Kadarja, Ibrahim Biçakçiu, Akile Tasi | Mbrojtje me shkrim | Mbrojtje me një sasi deklaratash dhe dokumente për secilin të pandehur |
| 2 | Spiro Stringa | Sulejman Vuçiterni, Bajram Pustina, Zef Shiroka, Sokrat Dodbiba, Koço Kotta | Mbrojtje me shkrim | Mbrojtje prej 56 faqesh me deklarata dhe dokumente për secilin të pandehur |
| 3 | Haki Karapici | Rrok Gera, Et’hem Cara, Javer Hurshiti, Sami Koka, Aqif Përmeti | Mbrojtje me shkrim | 61 faqe, deklarata dhe dokumente të ndryshme |
| 4 | Ilia Çipi | Xhevat Korça, Gustav Mirdaç, Mahmut Golemi, Umat Kryeziu, Abdurrahman Telqiu | Mbrojtje me shkrim | 38 faqe, dokumente, deklarata, fletore zyrtare dhe 6 kopje librash këndimi për Xhevat Korçën |
| 5 | Muzafer Pipa | Andon Kozmaqi, Tahsin Bishqemi, Manush Peshkëpia, Lazër Radi, Abedin Xhiku | Mbrojtje me shkrim | Mbrojtje të veçanta për secilin të pandehur |
| 6 | Vasil Xhaja | Refat Begolli, Zejnel Prodani, Tefik Mborja, Ndoc Naraçi, Zef Benussi, Ihsan Libohova, Zija Bejleri | Mbrojtje me shkrim | 32 faqe, deklarata, raporte, akte zyrtare dhe gazeta |
| 7 | Kristo Çevi | Mihal Sherko, Emin Toro, Mihal Zallari, Koço Tasi, Xhavit Leskoviku, Reshit Merlika, Vangjel Goxhamani, Luigj Filaj | Mbrojtje me shkrim | 40 faqe, citime nga revista “Tomori”, kopje aktesh, deklarata e dokumente |
| 8 | Suad Asllani | Shuk Gurakuqi, Shyqri Borshi, Ismail Golëmi, Dik Cami, Nedim Kokona, Ded Jakova | Mbrojtje me shkrim | Deklarata në favor të Ismail Golëmit, Shyqri Borshi dhe Dik Camit |
| 9 | Kristaq Niço | Kol Tromara, Bahri Omari, Qemal Vrioni, Terenc Toçi, Gjergj Bubani, Bilal Nivica, Vasfi Sami-Vllasi | Mbrojtje me shkrim për secilin veçmas | Dokumente, deklarata dhe një ekzemplar i librit “Nana Kosovë” të Vasfi Sami-Vllasit |
| 10 | Vasil Bidoshi | Beqir Valteri, Hilmi Leka, Fiqri Llagami, Rifat Tatari, Jakov Milaj, Rrok Kolaj | Mbrojtje me shkrim | 56 faqe, deklarata, gazeta dhe dokumente |
Tabela paraqet dhjetë avokatët, të pandehurit që mbrojtën dhe dokumentacionin që depozituan. Siç shihet, mbrojtja ishte serioze dhe e argumentuar.
Procesverbalet tregojnë se avokatët nuk patën një rol formal. Ata paraqitën mbrojtje të shkruara, depozituan prova dhe ngritën çështje themelore mbi ligjshmërinë, përgjegjësinë individuale dhe të drejtën e mbrojtjes. Argumentet e tyre na lejojnë të rindërtojmë kulturën juridike të avokatisë shqiptare në prag të transformimit të sistemit të drejtësisë.
Për shkak të kohës, do të ndalem vetëm te pesë prej tyre, të cilët përmenden edhe në pretencën e Bedri Spahiut.
| Avokati | Vendlindja | Viti i lindjes | Arsimi | Dënimi / Përndjekja | Viti i vdekjes |
| Suad Asllani | Nepravishtë, Libohovë | 1903 | Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Napolit (Itali) | Arrestuar më 23.1.1946,bashkë me Gjergj Kokoshin dhe Musine Kokalarin dënuar me 15 vjet burg, u lirua më 1960 dhe më pas internim familjar. | 1966 |
| Muzafer Pipa | Bursa, Turqi | 1914 | Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Padovës (Itali) | Arrestuar më 1946; vdiq gjatë hetuesisë pas torturave.“Qytetar Nderi i Shkodrës“, „Nderi i Kombit“ 2008, | 1946 |
| Haki Karapici | Tiranë | 1913 | Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Bolonjës (Itali) | Arrestuar më 1947; dënuar në procesin e “Grupit të Deputetëve”; kaloi 15vite në burg në TR dhe Burrel. U lirua më 1962. Mbeti i survejuar dhe i diskriminuar nga regjimi deri në fund të jetës. | 1990 |
| Spiro Stringa | Vlorë | 1902 | Doktor në Drejtësi, Universiteti i Romës | 1952: U arrestua si “agjent anglo-amerikan” dhe “ndërlidhës me Abaz Kupin”. Akuzat ishin të pabaza dhe pas 6 muajsh hetuesie u lirua i pafajshëm. Vazhdoi të punonte si avokat deri në 1966, kur u suprimua avokatia në Shqipëri. | 1973 |
| Ilia Çipi | Korçë | 1906 | Studime juridike në Montpellier (Francë) | Nuk rezulton të jetë dënuar politikisht; u godit nga suprimimi i profesionit të avokatit. | 1978 |
Pretenca e Bedri Spahiut, paradoksalisht, na ka ruajtur thelbin e argumentimit të avokatëve. Në mungesë të teksteve të plota të mbrojtjeve, ajo shndërrohet në një burim me vlerë për të rindërtuar debatin juridik të zhvilluar në sallën e gjyqit.
Suad Asllani
Suad Asllani, i diplomuar në Universitetin e Napolit, argumentoi se periudha e pushtimit nuk mund të gjykohej me ndarje të thjeshta politike mes “patriotëve” dhe “tradhtarëve”. Sipas tij, jo i gjithë populli mund të dilte në mal dhe përgjegjësia duhej të vlerësohej sipas rrethanave konkrete të secilit individ. Një vit më vonë ai u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg, duke u kthyer vetë në objekt të drejtësisë politike.
Muzafer Pipa
Muzafer Pipa, i diplomuar në Padova, e zgjeron këtë argument duke theksuar se pranimi i funksioneve publike gjatë pushtimit nuk duhej të konsiderohej automatikisht tradhti. Sipas tij, në rrethana të caktuara kompromisi mund të kishte synuar mbrojtjen e popullsisë dhe se motivi i veprimit kishte rëndësi juridike. Bedri Spahiu e hodhi poshtë këtë argument, duke e cilësuar si justifikim të tradhtisë. Në vitin 1946 Pipa u arrestua dhe humbi jetën gjatë hetuesisë.
Spiro Stringa
Një qasje tjetër paraqet Spiro Stringa, i cili e zhvendos debatin në fushën e së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare. Ai argumentoi se pas kapitullimit të Italisë shteti shqiptar duhej të siguronte vazhdimësinë institucionale. Referenca e tij ndaj Makbethit, që gjyqtarët të mos përndiqeshin nga “hija e të pafajshmëve”, u kundërshtua nga Bedri Spahiu me një kundërargument politik dhe emocional.
Haki Karapici
Haki Karapici argumentoi se interesi kombëtar nuk identifikohej vetëm me luftën e armatosur, por edhe me mbrojtjen e popullsisë civile. Në Gjyqin Special ai paraqiti një mbrojtje të shkruar prej 61 faqesh, të shoqëruar me dokumente dhe deklarata, çka dëshmon seriozitetin profesional të mbrojtjes. Dy vjet më vonë u arrestua dhe u dënua në procesin e “Grupit të Deputetëve”.
Ilia Çipi
Ilia Çipi, duke folur në emër të trupës mbrojtëse, theksoi se avokati nuk identifikohet me klientin, por kryen një funksion në shërbim të drejtësisë. Ai kërkoi që çdo mangësi e mbrojtjes të mos interpretohej në dëm të të pandehurve. Ky është ndoshta formulimi më i qartë i etikës profesionale të avokatit në të gjithë procesin.
Fatet e mëvonshme të këtyre juristëve tregojnë se dobësimi i së drejtës së mbrojtjes nuk u realizua vetëm brenda sallës së gjyqit. Shumë prej avokatëve u bënë vetë objekt i ndjekjes penale, çka shënon fillimin e kufizimit të pavarësisë së avokatisë shqiptare.
Përplasja me prokurorinë
Pretenca e Bedri Spahiut nuk kufizohet në kundërshtimin e argumenteve juridike të mbrojtjes. Ajo vë në diskutim vetë legjitimitetin e rolit të avokatit. Argumentet mbi amnistinë, mosveprimin prapaveprues të ligjit, përgjegjësinë individuale apo interpretimin e interesit kombëtar nuk trajtohen si çështje juridike, por si qëndrime politike. Në këtë mënyrë, polemika nuk zhvillohet vetëm mbi faktet, por edhe mbi vetë funksionin e mbrojtjes në procesin penal.
Në këtë kuptim është domethënës formulimi i Bedri Spahiut:
“MBROJTJA E T’AKUZUARVE PARA GJYQIT ËSHTË NJË TJETËR AKUZË PËR TA.”
Kjo tregon se mbrojtja nuk shihej si ushtrim i një të drejte procedurale, por si vazhdim i qëndrimit politik të të pandehurve.
Një formulim edhe më i drejtpërdrejtë është:
“MBI KËTË DËRRASË TË KALBUR SHTRUAN MBROJTJEN E TYRE DISA NGA AVOKATËT.”
Këtu nuk kritikohet vetëm argumenti juridik. Delegjitimohet vetë pozita profesionale e avokatit dhe kultura juridike që ai përfaqësonte.
Nga analiza e procesverbaleve dhe e pretencës së Bedri Spahiut del qartë se në Gjyqin Special u përballën dy mënyra të ndryshme të konceptimit të së drejtës: një kulturë juridike e mbështetur në ligj, procedurë dhe përgjegjësi individuale, dhe modelit të drejtësisë popullore të ndërtuar mbi legjitimitetin politik të pushtetit të ri. Kjo përplasje sintetizohet në tabelën e mëposhtme.
Argumentet kryesore të mbrojtjes, prokurorisë dhe gjykatës në Gjyqin Special të vitit 1945:
| Plani i Analizës | Argumentet e Avokatëve | Qëndrimi i Prokurorisë (Bedri Spahiu) | Vendimi i Gjykatës |
| Strategjia juridike | – Ndalimi i fuqisë prapavepruese të ligjit penal – Interpretimi i Kodit Penal ekzistues – Dispozitat e ligjit të amnistisë – Respektimi i procedures | – Nuk polemizon me nenet – Kthen çdo argument juridik në moral ose politik | – Refuzon interpretimin e amnistisë – Refuzon mosveprimin prapaveprues – Refuzon Kodin Penal të mëparshëm |
| Strategjia historiko-politike | – Muzafer Pipa: kompromisi si mjet për mbrojtjen e interesit kombëtar – Suad Asllani: jo gjithë populli mund të dilte në mal, zgjedhjet individuale duhen gjykuar ndryshe | – Kompromisi = tradhti – Mbrojtja shihet si relativizim i bashkëpunimit | – Zëvendëson kriterin juridik me kriterin politik – “Interesat e popullit” dhe “lufta” si burim të së drejtës |
| Strategjia e interesit kombëtar | – Haki Karapici: përgjegjësia vlerësohet sipas interesit kombëtar – Stringa: interesi kombëtar nuk identifikohet vetëm me një forcë politike | – Paraqet mbrojtjen si sulm ndaj Luftës Nacionalçlirimtare | – Vendimi bazohet në “frymën e ligjit” dhe legjitimitetin politik |
| Strategjia morale | – Motivet dhe rrethanat kanë rëndësi – Përgjegjësia individuale ≠ përgjegjësia kolektive | – Ridimensionim moral: çdo gabim = tradhti | – Nuk pranon relativizimin moral, përdor kriterin revolucionar |
| Ndërhyrjet procedurale | – Pyetje ndaj dëshmitarëve – Kërkesa për dokumente – Kundërshtime procedurale – Individualizimi i përgjegjësisë | – Polemizon drejtpërdrejt me avokatët (“Suad Asllani tha…”) | – Lejon diskutimin, por nuk pranon asnjë argument kryesor |
| Argumentimi juridik | – Nullum crimen sine lege – Mosveprimi prapaveprues – Interpretimi restriktiv i amnistisë – Përgjegjësia individuale- Prova – Procedura | – Zëvendëson analizën juridike me gjuhë politike: populli, lufta, tradhti, morali revolucionar | – Vendimi mbështetet në legjitimitetin e pushtetit të ri, jo në normën juridike |
Përfundimi
Procesverbalet e Gjyqit Special dëshmojnë se avokatia shqiptare nuk ishte një element pasiv i procesit. Avokatët paraqitën argumente juridike të mirëstrukturuara dhe mbrojtën parime që edhe sot përbëjnë themelin e procesit të rregullt ligjor: përgjegjësinë individuale, respektimin e ligjit dhe të drejtën e mbrojtjes.
Megjithatë, në një proces të dominuar nga modeli i drejtësisë popullore, këto argumente nuk mund të gjenin pranim. Në këtë kuptim, Gjyqi Special nuk shënon vetëm gjykimin e elitës politike të paraçlirimit, por edhe një moment kyç në historinë e avokatisë shqiptare, ku për herë të parë u përballën hapur kultura juridike e avokatisë dhe koncepti i ri i drejtësisë së pasluftës.
Në këtë kuptim, historia e këtyre avokatëve nuk është vetëm histori profesionale. Ajo është pjesë e historisë së marrëdhënies ndërmjet avokatit, drejtësisë dhe pushtetit në Shqipëri.
Mesazhi final
Në Gjyqin Special të vitit 1945 nuk u gjykuan vetëm 60 të pandehurit. U vu në provë edhe vetë ideja e mbrojtjes juridike. Dhe pikërisht këtu fillon historia moderne e përplasjes ndërmjet avokatit dhe pushtetit në Shqipëri.
Ju faleminderit!