Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Kufiri Shqipëri–Kosovë: nga represioni dhe ndarja, te arkivat, dija dhe bashkëpunimi akademik

Shkëmbimet akademike që dikur zhvilloheshin nën ideologjinë e dy regjimeve, në kushtet e shtypjes së të drejtave kombëtare, të kontrolluara dhe të survejuara, por që megjithatë ndodhën dhe lanë gjurmë, sot mund të vijojnë si një bashkëpunim i lirë, i hapur dhe i pandërprerë mes institucioneve dhe studiuesve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Tiranë, 15 shtator 2026 – Një kufi që ndau familje, prodhoi viktima dhe vendosi individin nën kontrollin e dy regjimeve, por që nuk arriti të ndërpresë plotësisht qarkullimin e dijes, të gjuhës dhe lidhjeve akademike mes shqiptarëve.

Këto shkëmbime u zhvilluan në një realitet të ndërlikuar: në kuadrin e dy regjimeve komuniste, nën peshën e ideologjisë, në kushtet e shtypjes së të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi dhe nën mekanizma kontrolli e survejimi. Megjithatë, ato ndodhën, prodhuan dije dhe lanë gjurmë.

Me këtë tablo shumëdimensionale u përmbyll në Tiranë konferenca shkencore ndërkombëtare “Kalimi i kufirit Shqipëri–Kosovë (Jugosllavi) gjatë viteve 1944–1991: Analizë dypalëshe e dimensionit politik dhe njerëzor”.

Studiues nga Shqipëria dhe Kosova ballafaquan dokumente arkivore, burime diplomatike, studime historiografike dhe dëshmi personale për të rindërtuar historinë e një kufiri që nuk ndau dy popuj, por shqiptarët në të dyja anët e tij.

Konferenca e analizoi kufirin në disa plane njëherësh: si mekanizëm politik dhe ideologjik; si hapësirë survejimi dhe represioni; si vijë që përcaktoi fate njerëzore; por edhe si barrierë që, megjithëse kufizoi komunikimin, nuk arriti të ndërpresë plotësisht shkëmbimet akademike, gjuhësore dhe kulturore mes Tiranës dhe Prishtinës.

Kufiri si front për individin

Dy shtetet nuk ishin në luftë, por për njeriun që tentonte të kalonte kufirin, ajo vijë mund të funksiononte si një front lufte. Të vrarë, të plagosur, të burgosur, të internuar e të zhdukur; familje të ndara për dekada, njerëz të survejuar dhe të stigmatizuar – ky ishte dimensioni njerëzor që konferenca vendosi në qendër.

Në hapje të punimeve, Dr. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, e solli këtë histori edhe përmes përvojës së familjeve të ndara nga kufiri.

Duke kujtuar historinë e gjyshes së saj, Refikës, dhe motrës së saj të martuar në Pejë, të cilat, megjithëse i ndante një distancë e vogël gjeografike, u takuan vetëm një herë në disa dekada, Sula solli përvojën e shumë familjeve shqiptare për të cilat kufiri e ktheu takimin familjar në privilegj dhe udhëtimin në objekt dyshimi.

“Dhuna e kufirit matet edhe me takimet që nuk ndodhën, familjet që u ndanë dhe njerëzit që, për dekada, pritën dikë të vinte nga ana tjetër”, nënvizoi Kryetarja e AIDSSH-së.

Por kryetaja theksoi se aty ku dikur kufiri pengonte qarkullimin e njerëzve, ushtronte kontroll mbi idetë dhe dijen, sot institucionet akademike dhe të kujtesës mund të krijojnë ura të reja bashkëpunimi.

Në qendër të këtij procesi qëndron dokumentacioni historik. Dokumentet, dëshmitë dhe materialet arkivore krijojnë mundësinë për të kaluar nga kujtesa individuale te analiza shkencore dhe për të rindërtuar fatet e njerëzve, studiuesve dhe institucioneve të prekura nga mekanizmat e kontrollit politik.

Prof. Dr. Naim Berisha, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Shkencor të Institutit Albanologjik të Prishtinës, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Tiranës dhe Prishtinës dhe nevojën për thellimin e tij përmes kërkimit të përbashkët. Ai e vendosi studimin e kufirit përtej dimensionit territorial, si një hapësirë që ndikoi drejtpërdrejt në jetën dhe marrëdhëniet e shqiptarëve në të dyja anët.

Prof. Dr. Teuta Shala-Peli, Drejtoreshë e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e krijuar me Autoritetin dhe perspektivën për ta thelluar atë në fushën e kërkimit shkencor dhe të ballafaqimit të burimeve të ruajtura në Tiranë dhe Prishtinë.

Politika dhe ideologjia që përcaktuan fatin e kufirit

Kumtesat rindërtuan momente dhe procese politike që ndryshuan jo vetëm marrëdhëniet mes shteteve, por edhe jetën e njerëzve në të dyja anët.

Msc. Valdon Bytyçi, në punimin “Prishja e marrëdhënieve Tito–Stalin (1948) dhe ndikimi në mbylljen e kufirit Kosovë–Shqipëri”, analizoi kthesën e vitit 1948 dhe ndikimin që përplasja politike dhe ideologjike pati në mbylljen e kufirit.

Msc. Adeljana Shehaj, me kumtesën “Pasojat politike Shqipëri–Kosovë gjatë periudhës komuniste”, e zgjeroi analizën drejt pasojave politike që marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë prodhuan mbi raportet Shqipëri–Kosovë dhe mbi kontaktet e komunikimin mes shqiptarëve në të dyja anët.

Dr. Zekirja Shabani, me punimin “Kufiri Shqipëri–Jugosllavi (Kosovë), 1948–1955 në dokumentet e arkivit diplomatik turk”, solli në konferencë perspektivën e burimeve të një pale të tretë. Dokumentacioni diplomatik turk krijon mundësinë që tensionet kufitare dhe marrëdhëniet Shqipëri–Jugosllavi të lexohen edhe përtej dokumentacionit të prodhuar nga vetë dy regjimet.

Prof. Dr. Lush Culaj, në kumtesën “Relacioni mbi bandat e armatosura në Shqipëri, 1945–1948, sipas dokumenteve të Autoritetit të Dosjeve”, solli dokumentacion mbi vitet e para të pasluftës dhe mënyrën se si strukturat shtetërore evidentonin dhe kategorizonin veprimtarinë e grupeve të armatosura në Shqipëri.

Muxhahid Ismaili, me punimin “Impaktet socio-politike të kufirit ideologjik në ndërtimin e nacionalizmit shqiptar”, e analizoi kufirin përtej dimensionit fizik, duke e lidhur atë me proceset politike, shoqërore dhe identitare që ndikuan në ndërtimin e nacionalizmit shqiptar.

Këto këndvështrime treguan sesi vendimet politike dhe përplasjet ideologjike në nivel shtetëror përktheheshin në pasoja konkrete për individin: në mundësinë për të lëvizur, për të komunikuar, për të takuar familjen, për të studiuar apo në mënyrën se si ai klasifikohej dhe vlerësohej nga pushteti.

Gjuhëtarët mes Tiranës dhe Prishtinës: dija kalonte një kufi të survejuar

Një nga dimensionet e rëndësishme të konferencës ishte historia e shkëmbimeve akademike, gjuhësore dhe kulturore mes Tiranës dhe Prishtinës.

Prof. Asoc. Dr. Abdurrahim Maxhuni, në kumtesën “Lëvizjet e gjuhëtarëve midis Tiranës e Prishtinës pas vitit 1970”, solli historinë e kontakteve dhe lëvizjeve të gjuhëtarëve mes dy qendrave akademike.

Këto shkëmbime nuk zhvilloheshin në një hapësirë të lirë komunikimi. Ato ndodhën në kuadrin e dy regjimeve komuniste, nën peshën e ideologjisë, në kushtet e shtypjes së të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi dhe nën mekanizmat e kontrollit e të survejimit. Marrëdhëniet akademike dhe lëvizjet e studiuesve kushtëzoheshin nga raportet politike mes dy shteteve dhe nga filtrat ideologjikë të kohës.

Megjithatë, shkëmbimet ndodhën dhe lanë gjurmë. Përmes tyre qarkulluan dije, libra, studime dhe ide; u krijuan marrëdhënie mes studiuesve dhe u mbajtën gjallë lidhjet në gjuhësi, albanologji dhe kulturën shqiptare.

Këtu shfaqet një nga paradokset më domethënëse të periudhës: ndërsa pushteti dhe ideologjia vendosnin kufij, kontrollonin kontaktet dhe diferenconin individët, gjuha dhe dija krijonin ura mes shqiptarëve në të dyja anët.

Prof. Dr. Nuridin Ahmeti, me kumtesën “Shqipëria dhe Kosova gjatë viteve 1970–1980 në optikën e historianëve shqiptarë”, e plotësoi këtë dimension duke trajtuar mënyrën se si historianët shqiptarë e panë dhe e interpretuan Kosovën dhe marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë gjatë kësaj periudhe.

Konferenca nuk i shkëputi këto shkëmbime nga konteksti represiv në të cilin u zhvilluan. Përkundrazi, rëndësia e tyre historike qëndron edhe në faktin se ato prodhuan dije në një kohë kur kontaktet kontrolloheshin, të drejtat kombëtare shtypeshin dhe marrëdhëniet akademike mund të bëheshin objekt i vëmendjes së strukturave shtetërore.

Selman Riza – shkencëtari ndërmjet dy diktaturave

Tensioni mes dijes, identitetit dhe pushtetit u bë konkret përmes historisë së Prof. Selman Rizës.

Prof. Dr. Arbër Hadri, në kumtesën “Ndërmjet dy diktaturave: Përndjekja dhe pengimi i veprimtarisë shkencore të Prof. Selman Rizës”, solli historinë e një personaliteti të rëndësishëm të albanologjisë, jeta dhe veprimtaria shkencore e të cilit u prekën nga përndjekja dhe ndërhyrja politike.

Rasti tregoi se kufiri mes dy sistemeve nuk ishte vetëm territorial. Pushteti mund të ndikonte hapësirën e veprimit të intelektualit, mundësinë për të punuar, komunikuar dhe zhvilluar veprimtarinë shkencore.

Havzi Nela – kalimi i kufirit dhe ekzekutimi

Një nga rastet më të forta njerëzore u soll nga Adil Olluri, përmes studimit “Dosja e Havzi Nelës – Kalimi i kufirit dhe ekzekutimi”. Rasti i poetit Havzi Nela e zhvendosi diskutimin nga politika e përgjithshme e kufirit te fati konkret i individit. Kalimi i kufirit, përndjekja dhe ekzekutimi ndërthuren këtu në historinë e një njeriu dhe tregojnë pasojat që mekanizmi represiv mund të prodhonte mbi individin.

Nga emigrant jugosllav në “armik të popullit”

Një tjetër histori njerëzore u soll nga Nestor Topençarov, përmes dëshmisë “Nga emigrant jugosllav në ‘armik të popullit’: Historia e një familjeje nën survejimin dhe represionin e Sigurimit të Shtetit”.

Historia e familjes Topençarov tregoi se kalimi i kufirit nuk nënkuptonte domosdoshmërisht fundin e dyshimit dhe kontrollit. Individi mund të bëhej sërish objekt survejimi, kategorizimi politik dhe represioni.

Këto raste evidentuan edhe mënyrën se si pushteti diferenconte individët, duke i kategorizuar sipas biografisë, prejardhjes, kontakteve, aktivitetit apo vlerësimit politik që strukturat shtetërore ndërtonin për ta.

7,3 milionë fletë arkivore, dhe pyetja se çfarë ende mungon

Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua vetë dokumentit dhe mënyrës se si duhet lexuar arkivi.

Në punimin e saj tematik, Dr. Gentiana Sula u ndal te dallimi ndërmjet rrjetit sekret të ngritur nga një diktaturë për kontrollin e shoqërisë dhe funksionimit të shërbimeve informative në një shtet demokratik, duke e vendosur dokumentacionin e ish-Sigurimit në kontekstin e mekanizmave të survejimit dhe represionit.

Z.Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit si dhe kryetar i grupit të punës për këtë konferencë, solli një analizë të strukturës dhe përmasës së arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit.

Dokumentacioni i identifikuar dhe evidentuar deri më sot arrin në 7.339.347 fletë arkivore. Prej tyre, 5.079.044 fletë, ose 69,2%, kanë si burim SHISH; 2.240.958 fletë, ose 30,53%, Ministrinë e Brendshme; dhe 19.345 fletë, ose 0,26%, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Një nga përfundimet me rëndësi ishte se 7,3 milionë fletët e identifikuara nuk mund të konsiderohen automatikisht i gjithë dokumentacioni i krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit.

Fragmentimi institucional dhe lëvizja e dokumentacionit pas vitit 1991 e bëjnë të domosdoshëm rikompozimin e kontekstit të arkivit. Vlera e tij nuk matet vetëm me numrin e dosjeve apo fletëve të ruajtura, por edhe me aftësinë për të rindërtuar marrëdhënien ndërmjet dokumentit, strukturës që e prodhoi dhe historisë që ai dëshmon.

Në dimensionin arkivor, , Selami Zalli, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Trajtimit të Kërkesave në AIDSSH, e zhvendosi vëmendjen nga kufiri si vijë fizike te mënyra se si ai u shndërrua në një mekanizëm kontrolli mbi njerëzit, lidhjet familjare dhe komunikimin me Kosovën. Dokumentacioni i ish-Sigurimit, theksoi ai, duhet lexuar në mënyrë kritike dhe të ballafaqohet me arkivat e Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë, dëshmitë individuale dhe kujtesën familjare, për të rindërtuar më plotësisht historinë e marrëdhënieve Shqipëri–Kosovë. Për Zallin, hapja e dosjeve nuk është qëllim në vetvete: dokumentet duhet t’i ndihmojnë studiuesit të kalojnë nga historia e individit te historia e institucioneve dhe nga pyetja “kush ishte spiun?” te pyetja “si funksiononte sistemi?”

Në këtë proces kërkimor, një burim me rëndësi është edhe “Fondi Kosova”, i identifikuar nga AIDSSH me 11.630 fashikuj, ku ruhen, ndër të tjera, dokumente mbi demonstratat e viteve 1981–1982, raportimet nga Beogradi, zhvillimet politike në Kosovë, arrestimet, dhunën dhe torturat ndaj shqiptarëve, shpërnguljet e detyruara dhe forma të tjera të represionit shtetëror.

Një histori që duhet rindërtuar nga Tirana, Prishtina dhe Beogradi

Të marra së bashku, kumtesat treguan një histori komplekse dhe shpesh kontradiktore. Kufiri ndau familje, por përmes tij lëvizën edhe gjuhëtarë e studiues. Ai pengoi veprimtarinë e intelektualëve, siç dëshmon rasti i Selman Rizës, por nuk arriti të ndërpresë plotësisht komunikimin akademik. Ai ishte kufiri që Havzi Nela tentoi të kalonte dhe që u bë pjesë e historisë së përndjekjes së tij. Ai mund ta kthente emigrantin në objekt survejimi dhe më pas në “armik”, si në historinë e familjes Topençarov. Ai ndryshonte kuptim sa herë ndryshonin marrëdhëniet politike mes shteteve – ndërsa individi jetonte pasojat konkrete të vendimeve të pushtetit dhe politikës. Dhe, megjithatë, brenda këtij realiteti të kontrolluar pati shkëmbime akademike që prodhuan dije dhe krijuan ura.

Dr. Edlir Orhani: Shkenca si hapësirë e lirisë dhe e përballjes me të kaluarën

Në përmbyllje të punimeve, Dr. Edlir Orhani e vendosi dimensionin akademik ndër shtyllat themelore të konferencës, duke theksuar se pikërisht përmes shkencës, dijes dhe kujtesës akademike bëhet i mundur një lexim më i thellë i marrëdhënieve Shqipëri–Kosovë.Konferenca, sipas tij, nuk e trajtoi shkencën vetëm si fushë të prodhimit të dijes, por edhe si hapësirë të lirisë intelektuale, komunikimit dhe përballjes me të kaluarën.

Diskutimet mbi pozitën e shkencës dhe të shkencëtarëve gjatë diktaturës sollën në vëmendje faktin se shkenca nuk zhvillohet e shkëputur nga rrethanat politike dhe shoqërore. Në kushtet e regjimeve totalitare, liria akademike u kufizua, qarkullimi i ideve u pengua dhe hapësira e kërkimit shkencor iu nënshtrua mekanizmave të kontrollit ideologjik.

Shkencëtarët, studiuesit dhe intelektualët u përballën me kufizime që prekën jo vetëm veprimtarinë e tyre profesionale, por edhe të drejtën për të menduar, hulumtuar dhe komunikuar lirisht.

Bashkëpunimi ndërmjet Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë nuk është thjesht bashkëpunim mes institucionesh por njw bashkëpunim i dijes, kujtesës dhe të përgjegjësisë akademike, që synon të vendosë në dialog burimet, përvojat dhe kapacitetet kërkimore të Shqipërisë dhe Kosovës.

Gentiana Sula: Nga konferenca te një strategji e përbashkët Shqipëri–Kosovë

Duke nxjerrë përfundimet e konferencës, Dr. Gentiana Sula e vendosi vijimin e këtij bashkëpunimi në një perspektivë më ambicioze: ndërtimin gradual të një strategjie të përbashkët Shqipëri–Kosovë në fushën e arkivave, kujtesës dhe kërkimit shkencor.

Një nga përfundimet ishte se Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për një strategji më të gjerë dhe të përbashkët në këtë fushë. Përvojat e vendeve të tjera të rajonit dhe Europës tregojnë nevojën për më shumë bashkëpunim mes institucioneve shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë.

Një nga bazat e këtij bashkëpunimi duhet të jetë dokumentacioni arkivor: mbledhja, identifikimi, ballafaqimi dhe vënia në dispozicion e sa më shumë dokumenteve, në mënyrë që studiuesit të kenë mundësi më të mëdha për kërkim.

Një drejtim tjetër është digjitalizimi: krijimi i hapësirave të përbashkëta digjitale për kërkim, ekspozitat dokumentare, botimi i koleksioneve tematike të dokumenteve për Kosovën dhe, në perspektivë, krijimi i koleksioneve dokumentare të kërkueshme në një mediatekë digjitale.

Kjo agjendë synon që energjitë, projektet dhe kapacitetet ekzistuese në institucionet dhe komunitetet akademike shqiptare të lidhen më fort mes tyre dhe të krijojnë një bashkëpunim afatgjatë.

Konferenca u mbyll kështu jo vetëm duke parë pas, por duke përcaktuar edhe një drejtim për të ardhmen. Shkëmbimet akademike që dikur zhvilloheshin nën ideologjinë e dy regjimeve, në kushtet e shtypjes së të drejtave kombëtare, të kontrolluara dhe të survejuara, por që megjithatë ndodhën dhe lanë gjurmë, sot mund të vijojnë si një bashkëpunim i lirë, i hapur dhe i pandërprerë mes institucioneve dhe studiuesve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në të njëjtën kohë, mbetet e hapur një nga pyetjet më njerëzore të këtij kërkimi:

Kush ishin personat e vrarë, të plagosur, të arrestuar, të dënuar apo të zhdukur gjatë kalimit të kufirit Shqipëri–Kosovë? Ku u varrosën? Çfarë dokumentesh ruhen për ta në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd?

Ballafaqimi i arkivave, dëshmive dhe kërkimit shkencor synon pikërisht këtë: dokumentit t’i rikthehet emri, emrit historia njerëzore dhe ndarjes së dikurshme t’i përgjigjet sot një bashkëpunim i lirë dhe i pandërprerë.Nga një kufi që dikur ndante njerëzit, kontrollonte lëvizjen e ideve dhe kufizonte lirinë e dijes, te një hapësirë ku takohen arkivi, akademia dhe kujtesa – ky është drejtimi që konferenca la të hapur mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Foto: Dorian Zanaliu

Teksti: Migena Demirxhiu