Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

“Rrmaji – Vend Kujtese dhe Kërkimi”/Sula: Shteti u ka ende borxh familjeve një përgjigje

AIDSSH përuroi në Shkodër ekspozitën e përhershme dhe kërkoi vijimin e hetimeve për gjetjen e të zhdukurve të komunizmit

Shkodër, 28 gusht 2026 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përuroi pranë Varrezave të Rrmajit Ekspozitën e Përhershme Informuese “Rrmaji – Vend Kujtese dhe Kërkimi”.

Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Arqipeshkvinë Metropolitane Shkodër–Pult, Shoqatën e Ish-të Përndjekurve Politikë, Dega Shkodër, Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës dhe Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në ceremoni morën pjesë familjarë të personave të zhdukur, ish-të përndjekur politikë, përfaqësues të institucioneve, studiues, pedagogë, qytetarë dhe përfaqësues të komunitetit fetar.

Në qendër të aktivitetit ishte mesazhi i Kryetares së AIDSSH-së, Dr. Gentiana Sula, e cila theksoi se Rrmaji nuk është vetëm një vend kujtese, por edhe një vend kërkimi, ku historia mbetet e gjallë për shkak të mungesës së mijëra njerëzve që nuk u kthyen kurrë pranë familjeve.

“Shteti u ka ende borxh familjeve një përgjigje. Për familjen që kërkon, e vërteta nuk vjetrohet,” theksoi Sula, duke e cilësuar 30 Gushtin, Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, jo vetëm si një ditë kujtese, por si një thirrje për veprim: për të kërkuar, për të ditur, për të identifikuar dhe, kur është e mundur, për t’ua kthyer të zhdukurit familjeve të tyre.

Kryetarja e AIDSSH-së bëri të ditur se nga verifikimi i thelluar i nisur në vitin 2023 janë evidentuar 372 persona të vrarë ose të zhdukur në qarkun e Shkodrës, ndërsa për 13 prej tyre të dhënat e mbledhura e lidhin vendvarrimin e mundshëm me territorin pranë Rrmajit.

“Ekspozita që hapim sot nuk e zëvendëson kërkimin. E bën atë të dukshëm. Nuk e zëvendëson drejtësinë. Na kujton se drejtësia ende ka punë për të bërë”, tha Sula.

Duke iu referuar goditjes së elitës intelektuale, klerit dhe familjeve qytetare të Shkodrës, ajo nënvizoi se represioni komunist nuk i privoi vetëm familjet nga njerëzit e tyre, por i hoqi Shqipërisë dije, kulturë, ide dhe modele njerëzore që mund të kishin ndikuar në zhvillimin e vendit.

Mesazhin e saj Sula e mbylli me thirrjen “Kurrë më”, duke shprehur synimin që një ditë familjet të mos vijnë më në Rrmaj për të kërkuar një të zhdukur, “por të vijnë për të vendosur një lule. Mbi një emër. Mbi një varr.”

z.Gjergj Marku, anëtar i Autoritetit dhe kryetar i grupit të punës, u ndal te puna konkrete për gjurmimin e personave të zhdukur, përmes dëshmive të familjarëve, verifikimit të dokumentacionit, identifikimit të vendvarrimeve të dyshuara dhe kërkimeve në terren me teknologji të avancuar, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe ICMP-në.

Ai shpjegoi se ekspozita është konceptuar në tri pjesë: Rrmaji si vend ekzekutimesh; përmasat e shtypjes së disidencës dhe lirisë; si dhe ngjarjet kryesore të rezistencës antikomuniste në Shkodër.

“Çdo dokument, çdo dëshmi, çdo emër që rikthehet në kujtesë dhe çdo vendvarrim i identifikuar është një hap drejt së vërtetës”, tha Marku, duke nënvizuar se mungesa e dokumentacionit dhe gjurmët e fshira apo të asgjësuara nga regjimi e bëjnë qartësimin e fatit të të zhdukurve një mision të vështirë, por thellësisht human ndaj familjeve që ende presin përgjigje.

Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër–Pultit, i cili vlerësoi rëndësinë e kujtesës, dinjitetin e viktimave dhe të drejtën e familjeve për të ditur të vërtetën.

“Sot jemi këtu jo për të ushqyer urrejtjen dhe as për të hapur plagët e së kaluarës, por për të mos lejuar që ato të mbulohen nga harresa. Kujtesa e vërtetë nuk kërkon hakmarrje; ajo kërkon të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin”, u shpreh Imzot Peragine.

Rrmajin një vend dëshmie, dhimbjeje dhe kujtese për shumë burra e gra që vuajtën për shkak të bindjeve, fesë dhe fjalës së lirë, mes tyre meshtarë, intelektualë dhe qytetarë të Shkodrës. Kjo ekspozitë wshtw një shërbim ndaj së vërtetës dhe brezave që vijnë.

Testimonies

Fjalë dhe dëshmi sollën gjithashtu përfaqësues të familjeve dhe të shoqatave të ish-të përndjekurve, të cilët kërkuan vijimin e kërkimeve dhe ndërhyrjen konkrete të institucioneve përgjegjëse.

Ndoc Ashta: “Familja ime ka 12 të pushkatuar; tre prej tyre ende pa varr”

Ndoc Ashta solli historinë e xhaxhait të tij, Gjelosh Lulashit, sot martir i Kishës Katolike, i pushkatuar më 4 mars 1946 pranë Rrmajit, së bashku me Atë Gjon Shllakun, Atë Daniel Dajanin, Atë Giovanni Faustin, Mark Çunin dhe Qerim Sadikun.

“Gjyshja vendosi një shenjë hekuri në murin e varrezave dhe shkonte aty për të ndezur një qiri. Më pas, mbi atë territor u ngritën ndërtime dhe gjurmët e varreve u zhdukën”, dëshmoi Ashta. Ai u bëri thirrje historianëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve të dokumentojnë të plotë represionin komunist dhe fatin e familjeve që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve.

Gjergj Neli: “Prek Cali ende nuk ka një varr”

Gjergj Neli, familjar i Prek Calit, solli shqetësimin se prijësi i Kelmendit, i njohur për angazhimin

në mbrojtjen e Vermoshit dhe të kufirit verior të Shqipërisë, ende nuk ka një varr ku të nderohet. Prek Cali u pushkatua më 25 mars 1945 pranë Rrmajit, por trupi nuk iu kthye familjes dhe vendvarrimi mbetet i panjohur.

Neli kujtoi se sot nuk ekziston më as kulla e Prek Calit, ndërsa familja dhe pasardhësit e tij u përndoqën, u internuan dhe u dënuan me vdekje nga regjimi komunist. Ai u bëri thirrje historianëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve të hulumtojnë e ta paraqesin më gjerësisht këtë figurë, me të gjithë rolin dhe peshën e saj në historinë e Shqipërisë.

Lazër Thepi: “Kërkimi duhet të vazhdojë dhe historia e tyre duhet të shkruhet”

Lazër Thepi, familjar i Ndue Lazër Palit, kërkoi vijimin e kërkimeve për gjetjen e eshtrave dhe dokumentimin e plotë të historisë së viktimave. Ndue Lazër Pali u ekzekutua më 14 korrik 1945 dhe dyshohet se eshtrat e tij ndodhen pranë Varrezave të Rrmajit, ndërsa vendvarrimi i saktë mbetet i panjohur. Pas ekzekutimit të tij, familja dhe i gjithë trungu familjar u përndoqën për vite nga regjimi komunist.

“Bashkë me kërkimin e eshtrave duhet të vazhdojë edhe shkrimi i historisë së tyre”, ishte mesazhi i Lazër Thepit.

Exhibitions

Ekspozita përbëhet nga tri struktura informuese, të cilat paraqesin Rrmajin si vend kujtese dhe kërkimi, të drejtën e familjeve për të ditur dhe historinë e represionit komunist në Shkodër. Nëpërmjet dokumenteve, dëshmive dhe materialeve digjitale të aksesueshme me kode QR, vizitorët mund të njihen me ngjarjet, mekanizmin e shtypjes dhe përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur.

Në kuadër të hetimit administrativ për qarkun e Shkodrës, AIDSSH ka vendosur edhe dy tabela shenjuese në vendvarrime të dyshuara. Njëra është vendosur pas murit të Varrezave të Rrmajit, ku, sipas dëshmisë së Hamza Kazazit dhe të dhënave të administruara, dyshohet se mund të jenë varrosur eshtrat e të atit, Jup Kazazi.

Tabela tjetër është vendosur në Gruemirë, në fshatin Vorfë, në territorin ku dyshohet se mund të jetë varrosur Jaho Sali Gjonaj, ishte partizan në batalionin “Perlat Rexhepi” dhe dyshohet se u ekzekutua nga bashkëluftëtarët në muajt e fundit të luftës.

Më 9 maj 2026, AIDSSH u përcolli Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorive përkatëse, Policisë së Shtetit, bashkive dhe institucioneve të tjera përgjegjëse dokumentacionin për pesë vendvarrime të dyshuara në vend. Autoriteti kërkoi shqyrtimin juridik të rasteve, autorizimin e gërmimeve dhe zhvarrimeve të kontrolluara, si dhe koordinimin ndërinstitucional për kërkimin, rikuperimin dhe identifikimin e mbetjeve mortore.

Kryetarja Sula u bëri thirrje institucioneve që procesi të mos mbetet në dokumente, por të vijojë me veprime konkrete në terren.

“Ne nuk mund ta kthejmë kohën pas, por mund të mos lejojmë që zhdukja fizike të pasohet nga zhdukja prej kujtesës. Kërkimi i së vërtetës do të vazhdojë, sepse emrat e tyre janë pjesë e kujtesës së Shkodrës, fati i tyre është pjesë e historisë së Shqipërisë, ndërsa gjetja e tyre është detyrim i shtetit dhe i ndërgjegjes sonë shoqërore”, përfundoi Sula.

@followers Gentiana Sula Faqja Zyrtare Gentiana Mara Sula Gjergj Marku @Nertila Seitaj Bukurie Sokoli Luan Ismaili @Arqipeshkwvia Shkodwr Pult @Besnik Bucaj @Anila Zajmi @ Jonel Hibo @Ornela Besho @ Dorian Zanaliu @Liljana Çoçoli @Eglantina Daulle