Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

AIDSSH prezanton dokumentimin e Spaçit dhe hetimet për personat e zhdukur në aktivitetin e Komisionit Parlamentar dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian

Mirditë, 13 korrik, 2026- Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) mori pjesë në aktivitetin “Spaçi, nga kujtesa te mbrojtja e të drejtave të njeriut”, të organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik i Kuvendit të Shqipërisë, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, në ambientet e ish-Burgut të Spaçit.

Në aktivitet morën pjesë Kryetarja e Komisionit, znj. Jorida Tabaku, Zëvendëskryetarja znj. Iris Luarasi, deputeti z. Gjin Gjoni, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, përfaqësues të institucioneve publike, historianë, studiues, ish-të përndjekur politikë dhe ekspertë të fushës.

Diskutimet u përqendruan te e drejta për të vërtetën, drejtësia dhe kujtesa historike, me fokus të veçantë te personat e zhdukur gjatë regjimit komunist, dokumentimi i rasteve të pazgjidhura, identifikimi i vendvarrimeve të dyshuara dhe rëndësia e aksesit në arkivat historike si një element thelbësor për zbardhjen e së vërtetës.

Në emër të Autoritetit, anëtari Gjergj Marku prezantoi punën shumëvjeçare të institucionit për dokumentimin e historisë së kamp-burgut të Spaçit. Ai paraqiti platformën www.spac.al, e cila është konsoliduar si arkivi më i plotë digjital kushtuar Spaçit, duke bashkuar në një hapësirë të vetme dokumente arkivore, dëshmi gojore, fotografi, letra nga burgu, botime, materiale kërkimore dhe edukative. Platforma dokumenton historinë e mbi 2.200 të dënuarve politikë, përmban listën më të plotë të të burgosurve politikë të Spaçit, 250 profile individuale të publikuara deri më sot dhe rreth 400 profile të tjera në proces përpunimi.

Marku u ndal edhe te rubrika kushtuar Revoltës së Spaçit, ku, përmes dokumenteve autentike, rindërtohet kronologjia e revoltës, evidentohen katër të pushkatuarit, proceset e ridënimit dhe mekanizmat represivë të përdorur nga regjimi komunist. Ai theksoi se në minierën e Spaçit janë nxjerrë rreth 4.3 milionë tonë mineral bakri përmes punës së detyruar të të burgosurve politikë, duke e cilësuar Spaçin një nga simbolet më të forta të terrorit komunist.

Në fjalën e tij ai mbështeti ngritjen e Muzeut Kombëtar të Kujtesës së Krimeve të Komunizmit në ish-Burgun e Spaçit dhe kërkoi një trajtim më dinjitoz ekonomik e social për të mbijetuarit e regjimit komunist.

Rovena Rrozhani, koordinatore e platformës www.spac.al dhe autore e librit për fëmijë “Dielli lind në Spaç”, prezantoi procesin e ndërtimit dhe pasurimit të platformës, e cila mbështetet në mbi 560 dosje arkivore, dokumente të AIDSSH-së, të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Arkivit Qendror të Shtetit, si edhe në dëshmi e koleksione private. Ajo theksoi se platforma përmban edhe 60 dëshmi gojore, botime, analiza, dokumentarë, materiale didaktike dhe rubrikën “Bëhu pjesë”, e cila fton ish-të burgosurit politikë, familjarët dhe qytetarët të kontribuojnë me dokumente, fotografi, artefakte dhe dëshmi për pasurimin e mëtejshëm të kujtesës historike. Rrozhani prezantoi gjithashtu librin “Dielli lind në Spaç”, i cili synon t’ua përcjellë brezave të rinj historinë e Spaçit dhe vlerat e lirisë përmes një gjuhe të përshtatur për fëmijët.

Në vijim, Dorian Zenaliu, autor i ekspozitën fotografike me portreteve të ish-të dënuarve politikë dhe pjesëmarrësve në Revoltën e Spaçit,  solli në vëmendje historitë personale të qëndresës, sakrificës dhe dinjitetit njerëzor.

Dëshmitë e mbledhura nga personazhet e kesaj ekspozite synojne t’u japë identitet viktimave të regjimit komunist dhe ta afrojë publikun me historinë e Spaçit.

Gjatë aktivitetit, Autoriteti ekspozoi gjithashtu botimet e tij, materialet informuese mbi veprimtarinë institucionale, ekspozitën me portretet e ish-të burgosurve politikë dhe vendosi kode QR në ambientet e ish-Burgut të Spaçit, të cilat u mundësojnë vizitorëve akses të drejtpërdrejtë në platformën www.spac.al.

Pas vizitës në ambientet e ish-Burgut të Spaçit, pjesëmarrësit u zhvendosën në Shpal të Mirditës, ku anëtari i Autoritetit, Altin Hoxha, prezantoi rezultatet e punës shumëvjeçare të AIDSSH-së për qartësimin e fatit të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist.

Ai shpjegoi se, mbi bazën e dokumenteve arkivore, dëshmive të ish-të burgosurve politikë dhe familjarëve të tyre, si edhe verifikimeve në terren, Autoriteti ka zhvilluar hetime administrative që kanë çuar në dokumentimin e 29 personave të zhdukur gjatë vuajtjes së dënimit në kamp-burgun e Spaçit.

Hoxha prezantoi edhe punën për identifikimin e tre vendvarrimeve të dyshuara, të publikuara tashmë edhe në platformën www.spac.al.

Dy prej tyre ndodhen në zonën e Shpalit, Mirditë, ku Autoriteti ka vendosur tabela shënjëzuese në bashkëpunim me pushtetin vendor. Njëri vendvarrim dyshohet se përmban mbetjet mortore të ish-të burgosurve politikë që humbën jetën gjatë vuajtjes së dënimit në Spaç dhe trupat e të cilëve nuk iu dorëzuan familjarëve, ndërsa vendvarrimi i dytë lidhet me katër të pushkatuarit pas Revoltës së Spaçit.

Ai bëri të ditur se këto rezultate janë arritur pas një procesi të gjatë kërkimor dhe në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), i cili ka kryer verifikime në terren me metoda shkencore jo-invazive, përmes specialistëve të arkeologjisë dhe antropologjisë forenzike. Sipas rezultateve paraprake, janë përforcuar indiciet për praninë e mbetjeve mortore në këto zona, duke krijuar bazën për vijimin e procedurave të identifikimit dhe rikthimin e dinjitetit të viktimave.

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit vizituan nga afër dy vendvarrimet e dyshuara në Shpal, ku u njohën me procesin e ndjekur nga Autoriteti për evidentimin dhe dokumentimin e tyre.

Gjatë diskutimeve, Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, theksoi domosdoshmërinë që Spaçi të shndërrohet në një qendër kombëtare kujtese dhe të rikthehet dinjiteti i familjeve që prej dekadash kërkojnë fatin e të afërmve të tyre.

Ndërsa Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, bëri thirrje për vijimin e hetimeve, gërmimeve shkencore dhe bashkëpunimit institucional për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke theksuar se ballafaqimi me të kaluarën është një kusht i domosdoshëm për drejtësinë, kujtesën dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike.