KONTEKSTI
Arsimi dhe kujtesa historike luajnë një rol thelbësor në mënyrën se si shoqëria njeh, kupton dhe përballet me të kaluarën e saj, veçanërisht me trashëgiminë e regjimeve diktatoriale. Njohja e historisë së diktaturës komuniste në Shqipëri, e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe e pasojave të saj mbi individët dhe shoqërinë, përbën një element të rëndësishëm të edukimit të brezave të rinj me vlerat demokratike, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe parandalimin e përsëritjes së shkeljeve të së kaluarës.
Sistemi arsimor ka përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim, përmes integrimit të historisë së regjimit komunist në kurrikulë dhe zhvillimit të metodave të mësimdhënies që nxisin mendimin kritik, reflektimin dhe një kuptim të bazuar në fakte të së kaluarës. Megjithatë, trajtimi i kësaj periudhe vijon të përballet me sfida që lidhen me përmbajtjen dhe qasjen në materialet mësimore, pajisjen e mësuesve me njohuri në këtë fushë, aksesin në burime historike e dokumentacion arkivor, si dhe lidhjen ndërmjet edukimit formal dhe institucioneve që merren me studimin dhe dokumentimin e së kaluarës.
Në këtë kontekst, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore, institucioneve të kujtesës dhe kërkimit historik, universiteteve, mësuesve dhe shoqërisë civile është i rëndësishëm për të siguruar një trajtim sa më të plotë, të saktë dhe të përgjegjshëm të historisë së diktaturës. Arkivat, dokumentet historike, dëshmitë e të mbijetuarve dhe burimet e tjera dokumentuese ofrojnë mundësi të rëndësishme për pasurimin e procesit mësimor dhe për ta bërë historinë më të prekshme dhe kuptimplotë për nxënësit.
Në këtë drejtim, është e nevojshme të shqyrtohen arritjet dhe sfidat aktuale në përfshirjen e kësaj periudhe historike në edukimin shkollor, të identifikohen nevojat e sistemit arsimor dhe të diskutohen mundësitë për një bashkëpunim më të strukturuar ndërinstitucional.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) organizojnë këtë tryezë teknike ndërinstitucionale me synim krijimin e një hapësire për shkëmbimin e përvojave dhe pikëpamjeve ndërmjet institucioneve përgjegjëse për arsimin, historinë dhe kujtesën. Pjesëmarrësit do të ftohen të diskutojnë mbi sfidat dhe nevojat prioritare, të ndajnë praktika dhe përvoja konkrete, si dhe të propozojnë rekomandime dhe hapa të mëtejshëm për forcimin e edukimit historik dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë fushë.
Pjesëmarrësit: Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), strukturave rajonale të arsimit, Institutit të Historisë, Arkivit Qendror Shtetëror, Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, universiteteve publike, si dhe mësues historie, autorë dhe ekspertë të teksteve shkollore dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Gjuha: Shqip.
Orari: 09:30–13:40, pasuar nga dreka.
Vendndodhja: Hotel Rogner, Tiranë, Salla “Antigonea”

























