AIDSSH organizon në përkujtim të 30 Gushtit, Ditës Ndëkombëtare për personat e Zhdukur, Simpoziumin “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944–1991 – Shkodra përballë të kaluarës”.
28 gusht 2025, ora 9.30.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Pse Shkodra?
Për shkak të afërsisë me kufirin e Malit të Zi, Shkodra u bë nyja e izolimit: një territor i militarizuar, i survejuar nga forcat kufitare dhe ish-Sigurimi i Shtetit. Këtu u përqendruan përpjekjet për arratisje, goditjet ndëshkuese, internimet, zhvendosjet e detyruara të familjeve dhe, tragjikisht, ekzekutime pa gjyq e zhdukje pa varr.
Si lindi ideja?
Nga puna disavjeçare me dokumentet arkivore të AIDSSH dhe dëshmitë gojore në zonën Shkodër–Malësi e Madhe. Regjistra, statistika dhe raporte operative dëshmojnë qartë se “kufiri” u shndërrua në instrument kontrolli e frike. Kjo bazë burimesh e bëri të domosdoshëm një forum publik ku faktet flasin, dëshmitë dëgjohen dhe kujtesa bëhet e përbashkët.
Çfarë sjell simpoziumi?
Fakte arkivore: për arratisjet, ndalimet, ekzekutimet dhe zhdukjet; rolin e forcave kufitare dhe të ish-Sigurimit.
Zëra të kujtesës: rrëfime të të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave.
Dialog lokal për Shkodrën: histori lokale, strukturat e ish-Sigurimit, lidhje institucionale, vendet e vuajtjes, të pagjeturit dhe varret e dyshuara; disidenca, qëndresa, solidariteti.
Edukimi i brezave: kuptim më i thellë i vlerave të lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Drejtësia tranzitore: nga “e vërteta historike” te rekomandime për politika përkujtimore e hulumtim shkencor.
Memoriali “Muri i Gjakut”: një hapësirë e përhershme kujtese në nder të rreth 600 viktimave të komunizmit në Shkodër, përfshirë klerikët e zhdukur apo të vrarë.
Mesazhi ynë
Kujtesa nuk është e së shkuarës — është detyrim i së tashmes. T’u japim zë viktimave, të dokumentojmë faktet, të edukojmë brezat dhe të ndërtojmë bashkë një të ardhme që nuk lejon përsëritjen e së shkuarës.
Ky simpozium sjell në qendër të vëmendjes fatin tragjik të qindra shqiptarëve që u vranë në përpjekje për të kaluar kufirin gjatë diktaturës.
Organizohet nga AIDSSH, në bashkëpunim me:
Universiteti Shkodrës Luigj Gurakuqi
Shoqata “16 Qershori” të të vrarëve në kufi.
Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Shkodër
Shoqata Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve Politik Demokrate të Shqipërisë
Institutin për Integrimin e të Të Përndjekurit Politik
ICMP – International Commission on Missing Persons – ICMP
NJOFTIM SHTESË PËR PARTNERËT
Për shkak të masave të sigurisë dhe organizimit më të mirë të ngjarjes, ju lutemi që të na dërgoni listat e plota të pjesëmarrësve nga institucionet dhe organizatat tuaja. Kjo do të na ndihmojë të përgatisim ambientin në mënyrë të sigurt dhe të garantojmë një proces të rregullt të pranimit të të ftuarve.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.![]()