Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Fjala e anëtarit të Autoritetit, Skënder Vrioni – Ndalesa në Plug, gjatë Turit Shenjues ‘Peizazhe të Internimit’”, mbajtur më 24 gusht 2026

Ndalesa në Plug, gjatë Turit Shenjues “Peizazhe të Internimit”m 24 gusht 2026

PLUGU – VEND PËR TË MOS U HARRUAR

Të nderuar të pranishëm,
Të dashur ish-të internuar dhe familjarë,

Dua ta nis me një thënie: “Fjala, koha dhe rasti i humbur nuk kthehen më.”

Pikërisht këtë rast nuk doja ta humbisja: së pari, për të qenë pjesë e këtij Turi Shenjues në kampin e internimit të Plugut; së dyti, për të shprehur respektin tim për familjet që vuajtën këtu dhe në shumë vende të tjera internimi; dhe së fundi, për t’u rikthyer në një vend që e kam vizituar për herë të parë në vitin 1985.

Kanë kaluar rreth 41 vjet nga dita kur nëna ime theu frikën e kohës dhe vendosi të vinte këtu, duke më marrë edhe mua me vete. Sot rikthehem në Plug në një realitet tjetër, por me kujtimin e asaj kohe ende të gjallë.

Ky vend nuk duhet parë vetëm si një hapësirë gjeografike. Plugu është dëshmi e jetëve të mbajtura nën kontroll, e familjeve të ndëshkuara pa faj dhe e fëmijëve që u rritën me privime, nën apel dhe nën hijen e përndjekjes.

Pas çdo barake qëndronte një familje. Pas çdo emri, një histori që diktatura kërkoi ta heshtte. Por familjet i ruajtën kujtimet, fotografitë dhe rrëfimet, duke mos lejuar që vuajtja dhe qëndresa e tyre të zhdukeshin.

Prandaj ndodhemi sot këtu: jo për ta mbajtur gjallë urrejtjen, por për të mos lejuar harresën. Këto vende duhet të shenjohen, të ruhen dhe të kthehen në hapësira të vizitueshme kujtese, ku brezat e rinj të mësojnë se çfarë ndodhi dhe pse nuk duhet të përsëritet.

Si anëtar i Autoritetit, besoj se detyra jonë nuk përfundon me hapjen e dokumenteve. Ajo vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve, dokumentimin e historive dhe rikthimin e emrave e të dinjitetit të njerëzve që regjimi u përpoq t’i kthente vetëm në numra.

Sot nuk rikthehemi vetëm fizikisht në Plug. Rikthejmë në kujtesën publike njerëzit që jetuan dhe vuajtën këtu.

Sepse Plugu është një vend për të mos u harruar. Dhe kujtesa është përgjegjësia jonë ndaj atyre që vuajtën dhe ndaj brezave që do të vijnë.

Ju faleminderit.

PLUGU – VEND PËR TË MOS U HARRUAR…

Po e filloj me një thënie që kam lexuar:

“Fjala, koha dhe rasti i humbur nuk kanë kthim pas.”

Është pikërisht ky rast që nuk doja ta humbisja: së pari, për të qenë pjesëmarrës në këtë Tur Shenjues, si anëtar i Autoritetit, në ish-kampin e internimit në Plug; së dyti, për privilegjin që më jepet të them edhe unë disa fjalë në respekt të familjeve të internuara këtu dhe në vende të tjera; dhe, së fundmi, për ta rivizituar këtë kamp, jo si i internuar, por si “vizitor”.

Vizitën time të parë këtu e kam bërë në vitin 1985. Kanë kaluar rreth 41 vjet nga dita kur nëna ime vendosi të thyente frikën e asaj kohe dhe të vinte në këtë kamp bashkë me mua, për të takuar dy kushërirat tona. Ato ishin martuar në familje fisnike dhe të pasura përpara vendosjes së regjimit komunist, por më pas ishin internuar në Plug: në familjen e Sulo Veshit dhe në familjen Lamçe.

Nuk kam harruar asgjë nga ajo ditë, edhe pse kanë kaluar 41 vjet. Ishte një ditë e mbushur me emocione, tension dhe frikë, sepse hafijet e regjimit komunist përgjonin çdo lëvizje të vizitorëve që takonin familjet e internuara dhe të etiketuara si “reaksionare”.

Nga ana tjetër, kishte shumë mall dhe gëzim, por të strukur në një qoshe të shpirtit, thuajse të padukshëm për të dyja palët: ne, nga keqardhja për fatin e tyre; ata, nga shqetësimi për “sakrificën” dhe rrezikun që merrnim për t’i vizituar.

Ata jetonin çdo ditë ashpërsinë e asaj që quhej “lufta e klasave”: një luftë e padrejtë, ku njëra palë sulmonte dhe persekutonte, ndërsa tjetra nuk kishte asnjë mundësi të mbrohej.

Plugu, të cilin regjimi e konsideronte “qendër reaksioni”, u kthye për familjet e internuara në një vend ku jeta humbi kuptimin dhe përcaktohej nga urdhrat, kufizimet dhe pasiguria.

Ata njerëz nuk u sollën këtu për shkak të një krimi të provuar, por për shkak të prejardhjes familjare, qëndrimit politik të të afërmve apo etiketimit si “elementë armiq”. Në shumë raste, kryefamiljarët ishin arratisur ose vuanin dënime të gjata në burgjet politike.

Në Plug, ashtu si në vendet e tjera të internimit, familjet u përballën me një realitet të ashpër: larg shtëpisë, larg pronës dhe larg njerëzve të tyre. Për shumë prej tyre, internimi nuk ishte një episod i shkurtër, por një dënim që zgjati me vite, nën presion psikologjik, dhunë verbale, varfëri dhe kufizime të skajshme të të drejtave njerëzore.

Brenga më e madhe e njerëzve që takova atë ditë ishte për fëmijët e tyre. Me sa dhimbje dhe me çfarë thellësie flisnin për vështirësitë që ata përjetonin!

Fëmijëria ka një përparësi ndaj çdo periudhe tjetër të jetës: fëmijët nuk kanë të shkuar. Por fëmijët e Plugut e kishin një të shkuar të paracaktuar. Ata ishin fëmijët e “atyre që shteti nuk i donte”.

Megjithatë, historia e Plugut nuk është vetëm histori vuajtjeje. Ajo është edhe histori qëndrese.

Njerëzit e internuar këtu vazhduan të punonin, të rrisnin fëmijët dhe të ruanin familjet e tyre. Ata nuk lejuan që dhuna t’ua merrte dinjitetin. Në kushte të vështira, krijuan lidhje njerëzore, ndihmuan njëri-tjetrin dhe ruajtën kujtimet e vendlindjeve që kishin lënë pas.

Sot, kur flasim për Plugun, nuk duhet të flasim vetëm për të shkuarën. Duhet të flasim edhe për kujtesën.

Një shoqëri që nuk kujton rrezikon të humbasë jo vetëm historinë, por edhe mësimin që ajo mbart. Vendet e internimit janë dëshmi të gjalla të një kohe kur shteti mund t’i merrte një familjeje lirinë e lëvizjes, shtëpinë, pronën dhe mundësinë për ta zgjedhur vetë jetën e saj.

Prandaj, Plugu meriton të kujtohet përmes emrave të njerëzve që jetuan këtu, historive të familjeve, dokumenteve arkivore dhe dëshmive të atyre që e përjetuan.

Sepse Plugu nuk është vetëm një vend ku njerëzit u internuan. Është një vend ku duhet të dëgjohet zëri i atyre që vuajtën, por edhe i atyre që, pavarësisht gjithçkaje, vazhduan të jetonin me dinjitet.

Ndoshta kjo është mënyra më e drejtë për t’i kujtuar: jo vetëm duke folur për dhimbjen e tyre, por duke nderuar qëndresën dhe dinjitetin e tyre në çdo ditë të shënuar të kujtesës.