Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Si t’ua mësojmë diktaturën brezave që nuk e jetuan?

AIDSSH, Ministria e Arsimit dhe ASCAP drejt një qasjeje të përbashkët edukimi, me mbështetjen dhe nxitjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

24 nëntor 2026 -Përditësimi i kurrikulave, pasurimi i teksteve shkollore, formimi profesional i mësuesve, përdorimi i burimeve të hapura digjitale dhe hartimi i një plani të përbashkët veprimi për vitin 2027 ishin në qendër të tryezës teknike të organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Tryeza, me temë “Nga politikat arsimore te mësimdhënia e historisë së diktaturës komuniste (1944–1991): Arritjet, sfidat dhe perspektivat e bashkëpunimit ndërinstitucional”, bëri së bashku përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), institucioneve të kujtesës, universiteteve, studiues të historisë, ekspertë të edukimit, drejtues shkollash, mësues dhe studentë.

Tryeza u moderua nga Erjola Likaj, këshilltare ligjore pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në hapje të aktivitetit, ambasadori Michel Tarran, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, nënvizoi rëndësinë e edukimit historik si pjesë e proceseve të drejtësisë tranzicionale. Ai theksoi nevojën që nxënësit të kenë informacion të besueshëm mbi diktaturën komuniste, shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe pasojat e tyre për individët dhe shoqërinë.

Tarran evidentoi rëndësinë e integrimit të dokumenteve arkivore, dëshmive gojore, burimeve digjitale dhe vendeve të kujtesës në procesin mësimor, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të mësuesve.

“Mënyra se si e mësojmë historinë pasqyron vlerat që dëshirojmë t’u përcjellim brezave të ardhshëm”, u shpreh ai.

Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH-së, e nisi fjalën e saj me pyetjen: “Çfarë di për diktaturën një nxënës që ulet sot në bankën e shkollës?”, duke evidentuar përgjegjësinë e institucioneve arsimore dhe të kujtesës përballë nostalgjisë, gjysmë të vërtetave dhe dezinformimit.

Duke iu referuar mendimit historiografik, nga Tukididi, Ciceroni dhe Ibn Khalduni deri te metodologjitë bashkëkohore të edukimit historik, Sula nënvizoi rëndësinë e verifikimit të burimeve, ballafaqimit të dëshmive, kontekstualizimit të ngjarjeve dhe zhvillimit të mendimit kritik te nxënësit.

“Diktatura nuk burgosi vetëm njerëz. Burgosi edhe të kaluarën. Rishkroi tekstet, fshiu emra nga fotografitë, i ktheu fëmijët në ‘biografi të keqe’ dhe kujtesën në faj”, tha Sula, duke theksuar se shkolla, që dikur u përdor për të fshehur të vërtetën, duhet të bëhet vendi ku ajo zbulohet, pyetet dhe kuptohet.

Duke iu referuar përvojës dhjetëvjeçare të Autoritetit në hapjen e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, kryetarja theksoi se njohja e së kaluarës mbetet një proces i papërfunduar dhe se nxënësit duhet të bëhen pjesë aktive e zbulimit të saj.

“Një dosje e Sigurimit nuk është e vërteta. Është zëri i atij që përndiqte. E vërteta lind kur nxënësi pyet: kush e shkroi, me çfarë qëllimi, kush mungon në këtë faqe dhe çfarë thonë burimet e tjera?”, u shpreh Sula.

Ajo evidentoi rolin e historianëve në kërkimin e zërit që mungon në dokumentet e përndjekjes: atë të viktimës, familjes dhe dëshmitarit, duke kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet historianëve, universiteteve, arkivave, institucioneve të kujtesës dhe mësuesve, sepse, siç u shpreh ajo, “një studim që nuk arrin në klasë mbetet në gjysmë të rrugës”.

Për ta sjellë arkivin në klasë, Sula propozoi tri drejtime konkrete bashkëpunimi: trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve të historisë, ndërtimin e përbashkët të burimeve të hapura digjitale dhe hartimin e një kalendari ndërinstitucional për vitin 2027, me përgjegjësi të qarta dhe hapa të matshëm.

Politikat arsimore në fushën e kujtesës historike

Shkëlqim Allkaj, drejtor i Zhvillimit të Politikave të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, prezantoi zhvillimet në politikat arsimore dhe përfshirjen e bashkëpunimit me Autoritetin e Dosjeve, si dhe të datave të kujtesës historike, në udhëzimet e vitit shkollor.

Ai evidentoi nevojën për akses të barabartë në burimet edukative, përfshirë shkollat në zonat rurale, pasurimin e bibliotekave shkollore dhe koordinimin ndërmjet strukturave arsimore për zbatimin dhe monitorimin e aktiviteteve.

Gerti Janaqi, drejtor i përgjithshëm i ASCAP-it, vlerësoi progresin në përfshirjen e tematikave të diktaturës komuniste në kurrikulat kombëtare të historisë, duke theksuar se sfida e sotme është përshtatja e mësimdhënies me mënyrën se si brezat e rinj marrin dhe përpunojnë informacionin.

Ai evidentoi rëndësinë e edukimit mediatik, digjitalizimit dhe përdorimit të materialeve audiovizuale, veçanërisht për të shmangur deformimin e së vërtetës historike përmes shkëputjes së fakteve nga konteksti.

“Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bën një punë fantastike, por nëse nuk investojmë në trajnimin e mësuesve, për mua kjo betejë është e cunguar”, u shpreh Janaqi.

Në kuadër të marrëveshjes me AIDSSH-në, ai bëri të ditur se po punohet për planet e veprimit për vitet 2027 dhe 2028, pasurimin e platformës “Mësojmë nga e Kaluara” dhe zhvillimin e moduleve specifike të trajnimit, me përfshirjen e universiteteve dhe rrjeteve profesionale. Ai preku gjithashtu mundësitë që ofron inteligjenca artificiale për përpunimin e dokumentacionit, pa cenuar autenticitetin e fakteve historike.

Dr. Ornela Arapi, drejtore e Mbështetjes Shkencore dhe Edukimit Qytetar në AIDSSH, theksoi se edukimi për demokraci nuk kufizohet në njohjen e institucioneve dhe rregullave demokratike, por kërkon kuptimin kritik të së kaluarës dhe ndërgjegjësimin për pasojat e diktaturës.

“Kujtesa historike është një burim i rëndësishëm për këtë proces, sepse ndihmon të kuptojmë se demokracia nuk është e mirëqenë, por kërkon njohje, angazhim dhe mbrojtje të vazhdueshme.”

Arapi prezantoi kontributin e Autoritetit përmes veprimtarive edukative, botimeve, dokumentarëve, vizitave në arkiv dhe burimeve digjitale, që synojnë ta shndërrojnë dokumentin historik në një mjet për të nxënit dhe reflektimin qytetar.

Arkivi, dëshmia, kurrikula dhe mjediset digjitale

Ines Todhe, eksperte e Zhvillimit të Kurrikulave në ASCAP, prezantoi zhvillimet në kurrikulën e historisë, ku tematikës “Shqipëria gjatë regjimit komunist, 1944–1990” i kushtohen 12 orë mësimore. Ajo theksoi nevojën për të kaluar nga përshkrimi i ngjarjeve dhe renditja e formave të represionit drejt analizës së pasojave të tyre në jetën e individëve dhe të shoqërisë.

Ndër zhvillimet e propozuara për vitin 2027 është edhe moduli me zgjedhje “Aspekte të jetës gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri”, që krijon mundësi për trajtimin e historisë lokale, historive familjare dhe përvojave individuale.

“Një brez e rrëfen atë që ka jetuar. Brezi tjetër, duke bërë pyetje dhe duke kërkuar prova, mëson ta kuptojë. Kështu kujtesa bëhet pjesë e edukimit historik”, u shpreh Todhe.

Dr. Brunilda Çërraga, përgjegjëse e Edukimit Qytetar në AIDSSH, prezantoi një model të propozuar për integrimin e dokumentacionit arkivor në procesin mësimor, të strukturuar në pesë hapa: identifikimi i burimeve, verifikimi dhe kontekstualizimi historik, përpunimi didaktik, përdorimi në klasë dhe vlerësimi i të nxënit e reflektimit qytetar.

Përmes shembujve konkretë, si dokumentet dhe dëshmitë mbi burgun e Spaçit, kampet e internimit në Valias e Kamëz dhe ballafaqimi i filmave propagandistikë me dokumentacionin arkivor, ajo evidentoi mundësitë që ofrojnë burimet e Autoritetit për mësimdhënien e historisë.

Prof. Dr. Enriketa Pandelejmoni, pedagoge në Departamentin e Historisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës, solli përvojën universitare në edukimin mbi drejtësinë tranzicionale, duke evidentuar rëndësinë e qasjes ndërdisiplinore, praktikave profesionale, shkollave verore e dimërore, vizitave studimore dhe nismave si History Lab.

Përvoja evropiane u prezantua nga Urszula Bijoś, koordinatore e platformës edukative “Hi-Story Lessons” pranë Rrjetit Evropian të Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS), e cila solli modele të përdorimit të burimeve historike, ekspozitave, materialeve audiovizuale dhe ushtrimeve edukative për identifikimin e narrativave të njëanshme, manipulimit të informacionit dhe propagandës.

Diskutime të hapura – Nga kujtesa historike te edukimi

Sesioni i tretë iu kushtua problematikave të hasura në praktikën mësimore, nevojave të mësuesve dhe perspektivave të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Kujtim Lamthi, drejtues i shkolles se mesme në Koplik, evidentoi mungesën në tekstet shkollore të ngjarjeve të rëndësishme historike të Malësisë së Madhe dhe nevojën për një përfaqësim më të gjerë të historisë lokale.

Mësueset Yllka Muka, Albana Janko dhe Mirela Golem Sakej sollën përvojat e tyre nga procesi mësimor, duke ngritur çështjen e mungesës së burimeve plotësuese dhe të trajtimit të pamjaftueshëm të disa ngjarjeve dhe figurave historike, veçanërisht të disidencës shqiptare.

Mirela Sakej, mësuese historie e shkolles “Oso Kuka” dhe drejtuese e rrjetit profesional, solli në diskutim përvojat e vendeve të tjera ish-komuniste dhe nevojën për zhvillimin e metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies.

Ergys Mërtiri, përgjegjës i Sektorit të Edukimit në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), solli kontributin e institucionit në edukimin e brezave të rinj dhe problematikat e hasura ndër vite në bashkëpunimin ndërinstitucional për përfshirjen e burimeve të kujtesës në procesin mësimor.

Prof. Dr. Merita Poni, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, evidentoi arritjet e programit të masterit në drejtësi tranzicionale dhe potencialin e tij për të ndikuar në formimin e mësuesve të ardhshëm, përmes ndërthurjes së historisë me shkencat sociale, drejtësinë dhe edukimin.

Prof. Rudina Mita, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, vlerësoi nismën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të kujtesës dhe atyre arsimore.

Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit, propozoi krijimin e një grupi trajnerësh, me përfshirjen e mësuesve nga rajonet dhe studentëve të viteve të fundit të historisë, për të zgjeruar përdorimin e burimeve arkivore në shkolla dhe për të mbështetur mësuesit në trajtimin e historisë së diktaturës komuniste.

Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit, propozoi realizimin e një anketimi të ri kombëtar, duke iu referuar studimit të publikuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në vitin 2016 mbi njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste.

Një dekadë pas ngritjes së Autoritetit, përsëritja e këtij studimi do të mundësonte vlerësimin e ndryshimeve në njohuritë, perceptimet dhe qëndrimet e shoqërisë shqiptare ndaj diktaturës, përfshirë fenomenin e nostalgjisë për regjimin komunist. Gjetjet do të shërbenin për orientimin e mëtejshëm të politikave të edukimit dhe kujtesës historike.

Në diskutime u përfshinë edhe studentët, të cilët evidentuan rëndësinë që marrëveshjet dhe politikat institucionale të gjejnë zbatim konkret në auditorë dhe në klasat e shkollave.

Një platformë e përbashkët dhe një plan veprimi për vitin 2027

Në përmbyllje të tryezës, kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, bëri të ditur se është nënshkruar kontrata për zhvillimin teknik të platformës “Mësojmë nga e Kaluara: Burime të Hapura 1944–1991”.

Ajo propozoi që platforma të zhvillohet si një hapësirë e përbashkët bashkëpunimi, me një strukturë kolegjiale ku institucionet e kujtesës, ASCAP-i, universitetet, studiuesit dhe mësuesit të kontribuojnë në pasurimin, verifikimin dhe përshtatjen pedagogjike të përmbajtjes.

AIDSSH do të mund të ofrojë mbështetjen teknike dhe dokumentare, ndërsa partnerët do të kontribuojnë me ekspertizën historike, shkencore dhe pedagogjike. Platforma synon të krijojë mundësi edhe për përfshirjen e historive lokale, dokumenteve familjare, botimeve, filmave dhe dëshmive.

Ndër prioritetet dhe propozimet e diskutuara për bashkëpunimin gjatë vitit 2027 ishin:

-Realizimi i një anketimi të ri kombëtar mbi njohuritë dhe perceptimet e shoqërisë shqiptare ndaj së kaluarës komuniste, në funksion të një analize krahasuese me gjetjet e vitit 2016.

-Pasurimi i teksteve dhe bibliotekave shkollore me burime mbi diktaturën komuniste, disidencën dhe historinë lokale.

-Zhvillimi i paketave didaktike dhe pilotimi i tyre në shkolla.

-Hartimi i moduleve specifike për trajnimin e mësuesve, në bashkëpunim me universitetet dhe rrjetet profesionale.

-Pasurimi i platformës së burimeve të hapura me materiale të verifikuara dhe të përshtatura sipas grupmoshave.

-Zgjerimi i veprimtarive edukative me shkollat, klubeve të librit dhe filmit, vizitave në arkiv dhe vendet e kujtesës.

-Mbështetja e nismave krijuese të mësuesve, përfshirë shqyrtimin e mundësisë së një fondi për projekte edukative.

-Hartimi i një kalendari të përbashkët ndërinstitucional me objektiva dhe përgjegjësi të matshme.

Në mesin e dhjetorit parashikohet një takim i mëtejshëm me partnerët dhe zhvilluesin e platformës, për konkretizimin e hapave të bashkëpunimit.

Puna edukative e AIDSSH-së

Që prej marrëveshjes së 18 marsit 2021 me Ministrinë e Arsimit, AIDSSH ka zgjeruar programet edukative për njohjen e historisë së diktaturës komuniste. Në vitin 2023 u prezantua projekti i burimeve arsimore të hapura, ndërsa në vitin 2026 u thellua bashkëpunimi me ASCAP-in.

Gjatë viteve 2024–2025, Turi i Leximit u shtri në 10 qytete, me 520 nxënës dhe 30 mësues. Klubi i Librit përfshiu 446 pjesëmarrës, Arkivi i Hapur 574 pjesëmarrës, ndërsa Klubi i Filmit, i çelur në bashkëpunim me AQSHF-në në nëntor 2025, përfshiu 265 pjesëmarrës gjatë atij viti.

Krahas këtyre programeve, Autoriteti ka zhvilluar produkte edukative, ndër të cilat botimet “Dielli lind në Spaç” dhe “Kufij të thyer”, filmin “3 ditët e lirisë në Spaç”, dokumentarin “Ana tjetër e Valiasit”, Mediatekën, Fototekën dhe faqen Spac.al.

Projekti “Mësojmë nga e Kaluara: Burime të Hapura 1944–1991” synon ta vërë këtë pasuri dokumentare dhe edukative në shërbim të mësuesve dhe nxënësve.

Nga arkivi te mendimi historik, nga mendimi historik te klasa – për një brez që e njeh të kaluarën, di të shqyrtojë provat dhe kupton rëndësinë e mbrojtjes së lirive dhe vlerave demokratike.

@followers Gentiana Mara Sula OSCE Presence in Albania Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar Ornela Elezi Sofi Noti Skender Vrioni Altin Hoxha Ergys Mertiri Enriketa Papa Mirela Golemi Sakej Yllka Muka @Shkelqim Allkaj @Gert Janaqi @Bruna Çerraga