Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Spaçi, një klasë e hapur kujtese përmes librit memuaristik dhe dokumentevë arkivor nga AIDSSH

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me KIE, zhvilloi në ambientet e ish-kamp-burgut të Spaçit një aktivitet edukativ dhe reflektues me nxënës të shkollës 9-vjeçare Shkolla 9-vjeçare “Jeronim De Rada” dhe nxënës të shkollës së mesme Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Oso Kuka”.

Nxënësit u njohën me historinë e kamp-burgut të Spaçit, rëndësinë e përkujtimit të Revoltës së Spaçit, si edhe me punën e bëre në kuadër të projektit për edukimin për qytetari demokratike “Mësojmë për të kaluarën, veprojmë për të ardhmen”.

🔹 Nxënësit e shkollës “Jeronim De Rada” zhvilluan një guidë në ambientet e kamp-burgut të Spaçit nën drejtimin e znj. Rovena Rrozhani, e cila kishte përgatitur materiale orientuese dhe fletëpalosje informuese mbi historikun e kampit. Gjatë guidës, nxënësit dëgjuan edhe dëshmitë e z. Ioan Çeli dhe z. Artan Murrizi, të cilët dikur, në moshën e tyre, kishin vizituar Spaçin për të takuar baballarët e burgosur politikë.

Përmes këtyre rrëfimeve dhe vizitës në ambientet e kampit, nxënësit u njohën nga afër me historinë dhe funksionimin e një prej simboleve më të rënda të diktaturës komuniste. Pas guidës, ata realizuan punime artistike të frymëzuara nga informacioni, emocionet dhe përjetimet e marra gjatë kësaj eksperience edukative dhe reflektuese.

🔹 Ndërkohë, nxënësit e shkollës së mesme “Oso Kuka” zhvilluan një aktivitet të Klubit të Librit mbi veprën “Drama e jetës” të z. Nestor Topencarov. Përmes këtij libri me karakter memuaristik, ata u njohën me përvojën e rëndë që autori përjetoi në kamp-burgun e Spaçit, vuajtjet, përballjen me dhunën e sistemit komunist dhe qëndresën njerëzore në kushte çnjerëzore.

Diskutimi i librit u kthye në një moment reflektimi për të rinjtë mbi rëndësinë e kujtesës historike, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

Gjatë aktivitetit, specialistet e Drejtorisë së Informacionit, znj. Elibjana Buçpapaj dhe znj. Anxhela Dervishi, u shpjeguan nxënësve mënyrën se si funksiononte Sigurimi i Shtetit, duke i njohur ata me mekanizmat e survejimit, kontrollit dhe përsekutimit që regjimi komunist ushtronte ndaj qytetarëve.

Përmes një materiali të përgatitur në bashkëpunim me znj. Mirela Murrizi, nxënësve iu prezantua edhe dosja e z. Nestor Topencarov procesi i hapjes së saj, si dhe dokumentet dhe informacionet që ajo përmban mbi periudhën e persekutimit dhe jetën në kamp-burgun e Spaçit.

Nxënësit dëgjuan rrëfimin prekës të autorit mbi kalvarin e vuajtjeve që ai përjetoi në burgun e Spaçit, të pasqyruara në librin “Shtigje të Ferrit”, dhe më pas vijuan guidën në ambientet e ish-kamp-burgut së bashku.

Një rol të rëndësishëm në këtë aktivitet patën edhe mësueset e shkollave pjesëmarrëse: Audenarda Balliu, Elona Pepa, Albana Kali, Jonida Vrapi dhe Vjolla Dedja, si edhe ekspertja e edukimit në zyrën e Këshillit të Europës, Anila Saljani, të cilat orientuan dhe mbështetën nxënësit gjatë gjithë aktivitetit edukativ dhe reflektues.

Në përmbyllje të aktivitetit, nxënësit e dy shkollave u mblodhën në sheshin ku, në vitin 1973, ish-të burgosurit politikë ngritën flamurin shqiptar pa yllin komunist, simbol i qëndresës dhe i aspiratës për liri. .

Gjimnazi “OSO KUKA” – Faqja Zyrtare Shkolla Jeronim De Rada

Gentiana Sula Faqja Zyrtare Council of Europe Office in Tirana