Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Për rezistencën dhe dinjitetin njerëzor përballë diktaturës, Lekë Tasi nderohet me titullin e nderit nga Bashkia e Divjakës.

Tirane 18.2.2025-Në një ceremoni të zhvilluar sot në ambientet e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të shtatores së dikatorit u nderua me titullin e nderit shkrimtari dhe ish-i përndjekuri politik Lekë Koço Tasi, për kontributin e tij në dokumentimin e së shkuarës dhe për qëndresën njerëzore përballë padrejtësive.

Titulli iu dorëzua nga nënkryetarja e Bashkisë Divjakë, znj. Silvana Keku, bazuar në Vendimin Nr. 15, datë 24.02.2025, të Këshillit Bashkiak, me motivacionin: “Për rezistencë dhe dinjitet njerëzor të ish-të përndjekurit, si person aktiv në dokumentimin e së shkuarës.”

Vlerësimi erdhi pas propozimit të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të angazhimit për të nxjerrë në dritë historitë e panjohura të së kaluarës dhe për të nderuar dëshmitarët e saj.

Po me këtë ceremoni Autoriteti rihapi ekspozitën fotografike “Historitë e patreguara të Lushnjës”, pjesë e projektit “Dinjiteti përballë totalitarizmit”, i mbajtur në vitin 2019 në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës, ku përmes fotove dokumentohet jeta e të internuarve në në fshatrat e zonës , Savër, Plug, Gradishtë, Grabian, Rrapëz, Gjazë, Imsht dhe Çermë, por edhe në zona të tjera si Karavasta, Bedat, Remas, Gërmenj, Hysgjokaj, Bishçukas, Zgjan apo Toshkëz, mbledhur dhe dhuruar nga ish-anëtari i Autoritetit, z. Simon Mirakaj.

Në fjalën e saj, kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, e vendosi këtë ceremoni në një kontekst më të gjerë historik, duke lidhur hapjen e ekspozitës, figurën e Lekë Tasit dhe lëvizjen studentore të viteve ’90 si shprehje të së njëjtës vlerë: dinjitetit njerëzor përballë padrejtësisë.

Ajo theksoi se Lushnja dhe Myzeqeja për dekada u kthyen në një “kamp të shpërndarë” internimi, ku mijëra familje jetuan nën izolim dhe pa të drejta, ndërsa kujtesa e kësaj historie mbetet ende një detyrë e papërfunduar për shoqërinë shqiptare.

“Internimet mbeten një padrejtësi e gjatë dhe e papërballur plotësisht , as nga historiografia, as nga politikat e rehabilitimit.

Sot, këto tri momente, ekspozita, figura e Lekë Tasit dhe lëvizja studentore e vitit 1991, takohen në të njëjtën ide: dinjitetin njerëzor përballë padrejtësisë. Një histori që na mëson se edhe në errësirë ekziston nje drite e triumfit moral dhe se, mbi të gjitha, njeriu mund të mbetet njeri.”

Me dorëzimin e titullit tij, z. Lekë Tasi falënderoi për vlerësimin dhe e cilësoi këtë nderim si një thirrje për reflektim shoqëror mbi të kaluarën. Ai theksoi se pasojat e 45 viteve të diktaturës vijojnë të ndihen edhe sot, duke ndikuar në mënyrën si perceptohet historia dhe si ndërtohen marrëdhëniet në shoqëri.

Sipas tij, mungesa e një rishqyrtimi të plotë dhe të paanshëm të kësaj periudhe ka ndikuar në mosvendosjen e drejtë të vlerave dhe figurave historike. Ai vuri në dukje se ende mbeten të pranishme ndikime të mendësive të trashëguara nga historiografia e kohës, të cilat shpesh reflektohen në perceptimet shoqërore.

Megjithatë, z. Tasi theksoi se përtej ideve dhe bindjeve, janë karakteri dhe vlerat njerëzore ato që përcaktojnë marrëdhëniet mes njerëzve. Ai solli shembuj të solidaritetit njerëzor në periudha të vështira per familjen e tij , duke theksuar se pikërisht integriteti dhe ndjeshmëria kanë bërë të mundur mbështetjen mes njerëzve, pavarësisht rrethanave.

Studiues dhe miq të tij, si akademiku Stefan Çapaliku, studiuesi Leka Ndoja e Jozef Radi theksuan se dëshmitë e tij për periudhën e internimeve nuk janë vetëm rrëfime personale, por burime me vlerë për të kuptuar dimensionin njerëzor të asaj kohe. Përmes shkrimeve dhe kujtimeve të tij, ai ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndërtimin e kujtesës kolektive.

Njëkohësisht, doli në pah edhe krijimtaria e tij në pikturë, e cila është vlerësuar nga artistë dhe studiues të artit si një formë e veçantë shprehjeje, ku përvoja jetësore dhe reflektimi personal marrin formë artistike.

Ceremonia u zhvillua në praninë e përfaqësuesve institucionalë, studiuesve dhe qytetarëve, ndërsa ekspozita “Historitë e patreguara të Lushnjës” sjell në vëmendje përmes fotografive dhe dëshmive një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së vendit – internimet masive në zonën e Myzeqesë.

*****

Lekë Tasi u lind më 15 prill 1929. Punoi violonçelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, kishte qenë Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Pas Revolucionit të qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi. Arrestohet dhe dënohet në gjyqin special në vitin 1945. Xhaxhai Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e luftës, me profesion gazetar, vdiq në burgjet e diktaturës.

Leka u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjes, 1975-1990. Jetën e kësaj periudhe e ka rrëfyer në librin autobiografik “Grabjani rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009, një burim parësor informacioni për brezat e ardhshëm mbi jetën e të internuarve.

Aktiviteti i tij kryesor është piktura. Megjithëse autodidakt, ka punuar seriozisht qysh herët duke kopjuar sipas natyrës dhe duke mësuar nga mjeshtrit e mëdhenj. Pas internimit, në Tiranë më 1990, ai rifillon të pikturojë dhe ka ekspozuar në vitet 1992, 2003, 2007, në Galerinë Kombëtare të Arteve etj.

Vijon edhe sot veprimtarinë aktive për dokumentimin e krimeve dhe pasojave të diktaturës si dhe punon për integrimin shoqëror të njerëzve të goditur në mënyra të ndryshme nga sistemi diktatorial.