Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

AIDSSH merr pjesë në panelin “Kujtesë, Trashëgimi, Identitet” për Muzeun “Besa”

Tiranë, 19 maj 2026 – Dr. Gentiana Sula, Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, mori pjesë sot në panelin “Kujtesë, Trashëgimi, Identitet”, organizuar nga Fondacioni Besa në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave e Shqipërisë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.

Në fjalën e saj, Dr. Sula vlerësoi historinë e “Besës” si një nga historitë më të fuqishme morale të shqiptarëve.

“Është historia e familjeve, komuniteteve dhe individëve që, në kohën më të errët të Europës, zgjodhën të mbrojnë jetën njerëzore, duke vendosur dinjitetin dhe humanizmin mbi frikën dhe rrezikun personal”, u shpreh ajo.
Kryetarja e AIDSSH theksoi se kjo kulturë e solidaritetit, mbrojtjes së tjetrit dhe përgjegjësisë morale u përball më pas me një sistem që ndërtoi frikën si mekanizëm qeverisjeje.
Sipas saj, arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit tregojnë qartë përplasjen mes kulturës tradicionale shqiptare të solidaritetit dhe logjikës totalitare të dyshimit, survejimit dhe izolimit.
Duke iu referuar misionit të Fondacioni Besa për promovimin e vlerave themelore të traditës shqiptare, Dr. Sula e cilësoi Muzeun “Besa” si një hapësirë etike të kujtesës, ku historitë njerëzore, humanizmi dhe dinjiteti ruhen dhe transmetohen ndër breza.

Ajo theksoi se historia e shpëtimit dhe mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk mund të kuptohet pa përmendur kontributin e familjeve shqiptare, komuniteteve lokale, por edhe të strukturave shtetërore dhe personaliteteve të kohës që ndihmuan në mbrojtjen e jetës njerëzore.

“Duke lexuar dosjet e Sigurimit, kuptojmë gjithashtu se njohja jonë për elitën politike shqiptare të periudhës para vitit 1939 dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore është ndërtuar shpesh përmes gjuhës së armiqësisë ideologjike.

Figura si Ahmet Zogu, Mehdi Frashëri, Eqrem Libohova, Mustafa Kruja, Kadri Cakrani, Xhafer Deva, por edhe prefektë e administratorë lokalë, janë trajtuar për dekada vetëm përmes etiketimit politik të regjimit komunist.

Ndërkohë, dokumentet dhe kërkimi historik nxjerrin edhe një tablo tjetër, më komplekse dhe shpesh të panjohur, ku disa prej këtyre figurave patën role konkrete në mbrojtjen, strehimin apo mosdorëzimin e hebrenjve gjatë luftës.

Kjo nuk kërkon glorifikim dhe as rehabilitim automatik. Por kërkon ndershmëri historike. Kërkon guximin për ta parë historinë jashtë skemave bardhë e zi.
Historia bëhet më e drejtë jo kur thjeshtohet, por kur kuptohet në kompleksitetin e saj njerëzor dhe historik.”

Dr. Sula nënvizoi se edhe Autoriteti i Dosjeve mund të japë kontributin e tij në pasurimin e kësaj kujtese muzeale, përmes dokumenteve arkivore, dëshmive dhe historive që ndihmojnë në kuptimin e marrëdhënies mes solidaritetit njerëzor dhe represionit politik në periudha të ndryshme historike.

#AutoritetiDosjeve #MuzeuBesa #HolokaustiShqipëri

𝐀𝐈𝐃𝐒𝐒𝐇 𝐝𝐡𝐞 𝐔𝐏𝐓 𝐦𝐚𝐫𝐫𝐞̈𝐯𝐞𝐬𝐡𝐣𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐤𝐞̈𝐫𝐤𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐬𝐡𝐤𝐞𝐧𝐜𝐨𝐫, 𝐭𝐞𝐤𝐧𝐨𝐥𝐨𝐠𝐣𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢𝐟𝐢𝐤𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐯𝐚𝐫𝐫𝐢𝐦𝐞𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐝𝐲𝐬𝐡𝐮𝐚𝐫𝐚

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Universiteti Politeknik i Tiranës firmosën sot një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e kërkimit

Njoftimin për Konsultim Publik të PBA-së 2027-2029

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, më datë 20.04.2026, do të zhvillojë pranë ambienteve të institucionit një takim konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të