Fjala e anëtarit të Autoritetit, z. Atin Hoxha në Simpoziumin shkencor: “Eksplorimi dhe Zhvillimi i sektorit të naftës nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit 1944-1991”, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave.
AIDSSH, 3 korrik 2026
Abstrakt
Ky punim trajton marrëdhënien midis zhvillimit të industrisë së naftës në Shqipëri dhe mekanizmave të kontrollit politik të ushtruar nga Sigurimi i Shtetit gjatë periudhës 1944–1991. Duke u mbështetur në dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, analizohen format e survejimit, ndjekjes dhe represionit ndaj specialistëve, inxhinierëve, gjeologëve dhe drejtuesve të sektorit të naftës, një prej degëve më strategjike të ekonomisë shqiptare. Studimi evidenton se dështimet teknike, mosrealizimi i planeve ekonomike apo divergjencat profesionale shpesh interpretoheshin si sabotazh, veprimtari armiqësore ose bashkëpunim me shërbime të huaja, duke sjellë arrestime, dënime të rënda dhe ekzekutime. Nëpërmjet analizës së dosjeve hetimore, statistikave arkivore dhe rasteve konkrete, punimi hedh dritë mbi ndikimin e terrorit politik në zhvillimin e shkencës dhe industrisë së naftës, si dhe mbi pasojat njerëzore të këtij represioni. Njëkohësisht, ai nënvizon rëndësinë e studimit dhe publikimit të këtyre dokumenteve për ndërtimin e kujtesës historike dhe për vlerësimin e kontributit të specialistëve që u bënë viktima të regjimit komunist
1.Historiku i kerkimit te naftes ne territorin shqiptar.
Fillimet e industrisë së kërkimit të naftës në Shqipëri daton në vitin 1903 nga shoqëria italiane AGIP e cila realizoi edhe shpimin e parë në afërsi të Drashovicës, në vitin 1918, nje shpim deri ne 200 m i cili pati te dhena premtuese. Në vitin 1925, Qeveria Shqiptare filloi kontratat e para koncesionare me kompani perendimore për kërkime për hidrokarbure.
Kështu më 11.3.1925 mori koncesionin e parë “Anglo Persian Oil C.” (APOC), që zhvilloi kërkime për naftë në rajonet bregdetare në një sipërfaqe prej 34412 ha ku përfshiheshin Kryevidhi, Divjaka, Ardenica, Patosi e Buzmadhi. Kjo shoqëri shpoi 14 puse kërkimi me një metrazh prej 10910 ml në Ardenicë dhe në Patos.
Ne 12.3.1925 “Azienda Italiana-Petroli Albania” (AIPA) bëri kërkime për naftë në rajonet bregdetare nga Semani në gjirin e Vlorës, si dhe në rajonet e Lushnjes dhe të Kuçovës, në një sipërfaqe prej 47213 ha.
Më 2.5.1925 “Societa Italiana Miniere di Selenizza” (SIMSA) mori ne koncesion për kërkimin e naftës rajonin e Penkovës dhe Drashovicës, në një sipërfaqe prej 2148 ha.
“Standard Oil C. of Neë Yersey” më 29.6.1925 mori në koncesion për kërkimin e naftës një sipërfaqe prej 51500 ha, ku përfshiheshin këneta e Karavastasë dhe kodrat në lindje të Durrësit.
Shoqëria “H.H.Ruston” më 12.8.1925 mori në koncesion rajonet në veri të Patosit dhe depresionin e Myzeqesë dhe bëri kërkime për naftë në një sipërfaqe prej 8600 ha.
Shoqëria “Syndicat Franco Albanais” mori në koncesion një sipërfaqe prej 118193 ha dhe bëri kërkime për naftë në luginën e lumit të Shushicës (Vlorë), në Kuçovë, në fushën e Shkodrës dhe të Korçës. Ajo shpoi vetëm 6 puse me një metrazh prej 2766 ml. në Korçë, Penkovë dhe Kuçovë, në këtë të fundit dy puse zbuluan pak naftë. Në vitin 1932 kjo shoqëri pushoi aktivitetin e saj.
Shoqëria “Ferrovie dello Stato del Regno d’Italia” mori në koncesion 116825 ha në Dumre, Mallakastër, vargun e malit të Dajtit dhe një sipërfaqe të vogël në afërsi të Vlorës, në të cilat kreu kërkime për naftë. Në vitet 1930-1932 shoqëritë angleze, amerikane dhe franceze i ndërprenë kërkimet për naftë dhe u larguan nga Shqipëria.
Kërkimet për naftë u përqëndruan në duart e shoqërive italiane. Shoqëritë italiane AIPA dhe SIMSA shpuan 21860 ml, duke zbuluar në vitin 1928 naftë në Kucovë. Pas këtyre rezultateve, nga viti 1930 AIPA përqëndroi punimet në rajonin e Kuçovës, duke shtuar volumin e shpim kërkimeve dhe i shtriu kërkimet edhe në Patos, Zhabokikë, Elbasan, Belsh etj.
Në vitin 1934 AIPA filloi shfrytëzimin e naftës në Kuçovë.; ndërsa prodhimi i naftës arriti nivelin më të lartë me 148 mijë ton në vitin 1941. Kërkimet dhe Punimet Gjeologjike të kryera nga shteti Shqiptar në këtë periudhë karakterizohet nga kryerja e kërkimeve dhe punimeve gjeologjike në mënyrë të planifikuar dhe të investuara plotësisht nga Buxheti i Shtetit Shqiptar, si dhe të drejtuara nga institucionet përkatëse të tij.
2.Veprimtaritë dhe kërkimet e bëra pas vitit 1945.
Në janar të vitit 1945 Qeveria Shqiptare shpalli vendimin mbi konfiskimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme të shoqërive të huaja italiane, siç ishte ajo e naftës AGIP, ato të mineraleve të ngurta Feralba, AMMI, AcaJ etj. Me këto veprime filloi shtetëzimi i industrisë së naftës dhe asaj minerale, me të gjithë repartet ndihmëse.
Qeveria Shqiptare, duke vlerësuar rëndësinë që kishte industria e naftës në zhvillimin e ekonomisë, në vitin 1949, mori vendimin për ngritjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit të Naftës me qendër në Kuçovë, që merrej me gjithë veprimtarinë e industrisë së naftës. Ndërkohë ishin krijuar bazat e bashkëpunimit me grupe dhe ekspedita gjeologjike nga Bashkimi Sovjetik për vënien ne eficence te vendburimeve ekzistues dhe kërkimin e naftës e gazit ne rajone te rinj. Filloi përmirësimi i teknologjive te kërkimit, duke futur edhe metoda te reja si sizmika, gravimetria, elektrometria, gjeokimia, etj. Si rezultat i këtyre zhvillimeve u be e mundur te zbulohen ne vite një sere vendburimesh nafte si: Marinza – 1957, Visoka – 1963, Gorisht-Koculi – 1965, Ballësh-Hekal – 1966, Finiq-Krane – 1973, Cakran-Mollaj – 1977, Amonica – 1980, Delvina – 1989; dhe njëkohësisht vendburimet e gazit: Divjaka – 1963, Frakulla – 1965, Ballaj-Kryevidhi – 1983, Povelça – 1987, Panaja – 1988.
3. Industria e Naftes gjate regjimit komunist, shkencetaret dhe inxhinieret e naftes nen terrorin e Sigurimit te Shtetit.
Qeveria komuniste nëpërmjet strukturave të veta, vecanrisht Sigurimit të Shtetit, pati një focus të vecantë për industrinë nxjerrëse dhe përpunuese të mineraleve, ku industria e naftës dhe e gazit do të kthehej në një makth të vërtetë presioni dhe survejimi që nga punëtori më i thjeshte dhe deri tek stafi inxhiniero teknik dhe drejtuesit e sektorëve të naftës në nivelin më të lartë hierarkik.
Perballja e pare e sigurimit te shtetit ishte me specialistët italiane të cilët mbetën në Shqipëri si ish punonjes të kompanive AIPA dhe AGIP qe shfrytëzonin koncesionet e naftës në Shqipëri. Më shumë se 50 specialistë italianë, të vendosur në Kucovë dhe Tiranë do të ishin në optikën e sigurimit të shtetit dhe do të përballeshin me një urejtje dhe përndjekje nga strukturat e sapodala nga lufta, që përfaqsonin sigurimin e shtetit. Një pjesë e tyre si inxhinier nafte Andrea Taraskoni dhe Mario Cetti do te ekzekutoheshin në vitin 1945, te tjere si Vicenso Andrizoni, Vitorio Profili, Aldo Cavalini, Don Plestro Scavalini, Antonio Meneguni, Nicola Achile, Otavio Benetti, Lusi Maechisio u arrestuan dhe u burgosën.
Në vitin 1946 do te denoheshin me vdekje si sabotatore dhe tregti te paligjshme Profesor Venezio Lozi dhe Salvadore Gombia, me 101 vite burgim ing Ludoviko Petrasi me 20 vjet Albero Agostinone dhe me nga 10 vjet Antonio Demarkchis dhe Vicenzo Gallo, aryeja kryesore e denimit tentuan te ktheheshin ne vendin e tyre.
Goditjen e radhes sigurimi i shtetit pas specialistëve italiane, në zonën e Kucovës do ta organizonte kunder Pandi Furxhit, Koco Gjika dhe Augosto Betti.
Pak muaj me vonë do të vecoheshin si te dyshimte katër grupe. Grupi i pare i drejtuar nga Inxhinier Riza Alizoti (ekzekutuar ne vitin 1946) që do të konsiderohej si grupi i intelektualëve te Kucovës. Në këtë grup vec Alizotit bejnë pjesë Tefik Sykja, Miti Tapija, Petro Pajani, Koco Xega, Dhionis Lika dhe Sokrat Karalliu.
Grupi i Dyte i të dyshuarve quhej rrethi i të huajve dhe përbehëj nga: Profesor Zuber, Paolo Saggioti, Eugjenio Marineli, Andena Pietro dhe Ferdinanto Stefinlongo.
Grupi i tretë ishte grupi i distilerisë nr 1 dhe perbehej nga: Franc Cepin, Lili Qirjako, Sefedin Tabaku dhe Jani Miho.
Grupi i katert i të dyshuarve ishte rrethi i spitalit i përberë nga: Dr. Nikolla Haxhistasa, Kristina Findiku, Fiqri Kadilliu, Argjir Thomaj dhe Halit Dervishi.
Të gjithë të përmendurit më lart janë arrestuar dhe dënuar me gjyqe të montuara nga sigurimi i shtetit.
Ky presion i vazhdueshëm midis politikës boshe të kohës, ku nga njëra anë shfaqet injoranca në drejtimin politik të vendit, plane të parealizueshme, jo product i projekteve dhe zhvillimeve shkencore të mirefillta, orientime për shkencën që ishin propagande e servilëve, spiunëve dhe të paafteve, orientime që tregonte partia shtet, se ku do të kryheshin shpime të reja, cfarë sasie do të merrej nga puset ekzistuese dhe nëse keto objektiva pa asnjë bazë shkencore nuk realizoheshin mendjet diabolike shpiknin dhe sajonin, sabotazh, agjitacion, agjentë të shërbimeve të huaja, shpërdorues të pasurisë socialiste, lidhje te fazhmizmit, nazizmit, pra armiq.
4.Statistika mbi funksionimin e Sigurimit të Shtetit, dega e naftës, grupet e sabotatorëve.
Në vitin 1970 për shkak të rëndësisë të naftës dhe gazit, Sigurimi i shtetit nepermjet një urdhri të Ministrit të Brendshëm do të krijonte Degën e Sigurimit të Naftës me seksione ne Berat, Kucove, Vlore, Sarandë, Lushnje dhe qendër në Fier.
Kjo degë do të fokusohej në 39 objekte të naftës dhe gazit duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme në Patos, Instituti i kërkimeve të naftës dhe gazit, Instituti gjeologjik, ndermarrjet e shpimit dhe nxjerrjes, uzinat e perpunimit. nderrmarrjet dhe linjat e transportit dhe depozitat e naftës. Të gjitha këto objekte do të trajtoheshin si objekte të rendësisë së vecantë. Cdo object do të mbulohej disa bashkëpunëtore.
Në këtë kuadër Sigurimi i shtetit do të rekrutonte një numër të madh bashkëpuntorësh, rreth 350 në kategorinë informator dhe agjent dhe shumë të tjerë resident dhe strehues. Pra në këtë sektor vec vështirësive që ofronte vetë natyra e punës, stresi, avaritë, fontanat, vështirësitë teknologjike, mungesa e mjeteve dhe instrumentave, prezenca e shtuar e sigurimit të shtetit, presioni i vazhdueshëm i tyre, moskuptimi nga ana e tyre e proceve teknike dhe paraqitja e tyre gjithmonë si tentative sabotazhi apo më keq akoma si veprime për llogari të shërbimeve të huaja krijoi një klimë mosbesimi dhe pesimizmi në sektorin e naftës. Në një farë mënyre vetë Partia shtet duke synuar që nëpërmjet naftës të gjej mundësira financiare, nxiste prodhim të sforcuar dhe fiktiv, jashtë kritereve të shfrytëzimit optimal të vendurimeve pa kuptuar që shkenca ka ligjet e veta dhe nëse nuk i respekton, sigurisht do të ketë avari, fontana, dështime.
Kështu në vitet 70 kur pritshmeritë nga sektori i naftës ishin që të arrihej të merreshin 3 milion ton naftë dhe kur shifrat ishin krejt ndryshe dhe kurba filloi zbritjen, nuk po arrihej as rezultati maksimal i arritur në vitin 1972 prej 2.3 milion tonë naftë, sigurimi filloi fushatën më të egër në sektorin e naftës. Nën orientimin e Partisë presioni filloi për Sekretarin e Parë të Partisë në Fier Piro Gusho në prill të vitit 1975. Ai është thirr në Komitetin Qëndror të Partisë, ka dëgjuar se cfarë kanë thënë të deleguarit në mbledhjen e Drejtorisë së përgjithsme të naftës dhe sigurisht duke e njohur mirë partinë e tij e kuptoi se cfarë e priste dhe me shpresën se mund të shpëtonte të tjerët dhe familjen u vetvra. Në fakt Piro e dinte shumë mirë se për të realizuar detyrat që i kish ngarkuar Partia duheshin bërë disa lojra me shifrat dhe këtë në mënyrë të vazhdueshme e ka kërkuar nga zinxhiri komandues i sektorit të naftës, nga Filip Nashi dhe Beqir Alia. Por Sigurimi do ta shpallte armik dhe pas vdekjes do ti hapte fashikull për të mbledhur raporte për të. Dhe pasi u shpall armik, rezultoi se vinte nga një familje e pasur, e lidhur me qeveritë e mëparshme duke i shërbyer atyre. Pra edhe në këtë moment shfaqet fasititeti i regjimit o ishte Sekretar i parë i Partisë, ose shërbëtor i qeverive të mëparshme.
Kjo vetëvrasjë nuk do ta ndalte sigurimin e shtetit të arrestonte gjithë zinxhirin komandues të industrisë së naftës. Duke filluar me Abdyl Këllezin dhe Koco Theodhosin, Ramadan Xhangollin dhe Teki Bicakun, Filip Nashin dhe Beqir Aliaj, Protoko Murati dhe Koco Plaku, Milto Gjikopulli dhe Jani Konomi, Thoma Nasto dhe Nuredin Skrapari. Akuzat për të gjithë të përmendurit më lart dhe shumë të tjerë që në fakt përfaqsonin dijen, shkollimin, shkencën, Abdyl Këllezi, Koco Theodhosi, Koco Plaku, Milto Gjikopulli dhe Ramadan Xhangolli do të dënoheshin me vdekje, Fili Nashi dhe Beqir Alija me 25 vjet, Protoko Murati me 23 vjet, po kaq vite edhe për Jani Konomi, Thoma Nasto dhe Nuredin Skrapari nga 20 vjet. Vargu i akuzave për inxhinieret drejtuesit e asaj kohe do të fillonte që me sabotazh, agjente të shërbimeve të huaja, shpërdorim fondesh, dëmtim të pasurisë socialiste. Ndaj këtyre njerëzve hetuesia dhe sigurimi do të tregonte gjithë mizorinë e vet. Tortura, presion, forma dhune nga më të tmershmet për ti detyruar të akuzuarit të pranonin akuzat. Ajo që duket lehtësisht në këto dokumenta të sigurimit të shtetit është fakti qe këto procese janë të montuara, janë me urdhër nga lart nga partia, nuk janë rezultat i një pune të mëparshme të sigurimit të shtetit, apo strukturave të tjera të shtetit, pra të gjitha dosjet janë hapur pas arrestimit të tyre, ky fakt tregon më së miri se sigurimi i shtetit ishte një vegël qore e partisë shtet. Pas arrestimit të tyre fillojnë biografitë, janë tentuar të gjejnë ndonjë lidhje me ballin apo ndonjë qëndrim jo i mirë gjatë luftës, apo spiunët të tregonin ndonjë histori të tjetërsuar apo sajuar për periudhën e tyre të shkollimit, pasi duhet evidentuar se të gjithë të lartëpërmendurit ishin një plejadë e mirëarsimuar në universitet të njohura për kohën në B.S , në Francë, në Ceki, Hungari dhe Rumani.
Nga dokumentat qe disponojme (pasi dosjet e bashkpunetoreve dhe një pjese fondeve, 4 dhe 132 të cilat janë dokumentat e sektorit të naftës ende nuk janë hapur), sipas informacionit të përgatitur nga drejtoria e arkivit rezultojnë, 101 dosje të prodhuara nga sigurimi i shtetit me 14871 fletë. Dosje hetimore gjyqësore megjithse nuk janë të numerizuara sipas një përllogaritje bazuar në volumet e tyre rezultojnë më shumë se 100 mijë faqe dokumenta. Në arkivën e ish sigurimit të shtetit rezultojnë të ndjekur nga Sigurimi i Shtetit në sektorin e naftës më shumë se 250 persona dhe nje pjesë e konsiderueshme e tyre e arrestuar, burgosur, ekzekutuar. Një pjesë kanë përfunduar me demaskime dhe këshillime dhe sikurse thamë dhe më lart rreth 350 persona me vullnetarizëm nga ana e tyre apo me shterngim dhe presion nga Sigurimi i shtetit, kanë bashkëpunuar me këtë të fundit. Ky process i sapo nisur nga Autoriteti do të pasohet me kërkime më të detajuara në arkiv për të bërë të mundur hapjen dhe publikimin e të gjithë dokumentave që lidhen me fondin e naftës dhe gazit dhe sipas pritshmërive, janë mbi 100 mijë faqe dokumentash të prodhuara nga sigurimi i shtetit, më shumë se 700 kartela, përpunimesh apo bashkpuntorësh. Duke filluar që nga viti 1945, per shume drejtues të lartë të regjimit të kaluar, fatet e tyre kanë qenë të lidhura ngushtë edhe me sektorin e naftës. Ministri Nako Spiro u akuzua për implikime në sektorin e naftës lidhje e me Andrea Xega dhe Sulo Klosi, Beqir Balluku vec të tjerash u akuzua për lidhje me Piro Gusho dhe Filip Nashi, Abdyl Këllezi dhe Koco Theodhosi të dy anëtar të byrosë politike për lidhje të drejtë per drejtë me këtë sector, Kico Ngjela u akuzua edhe për problemet e naftës.
Duke marre indicie nga ky event, nga keto dokumenta qe une kam studjuar, nga problematikat qe trajtohen, nga lidhja qe evidentohet me fonde te tjera te sigurimit te shtetit do ta vleresoja me shume interes qe keto dokumenta te shfrytezoheshin nga studjues, historian por qofte edhe nga stafi akademik i Fakutetit Gjeologji Miniera, pasi ne mund te behet nje vleresim me shkencor dhe real i ketij fond arkivor.
5.Kujtimi i inxhiniereve te denuar detyrim per institucionet shteterore.
Pra megjithse nuk është hera e parë që përkujtohen inxhinierët që u ekzekutuan, torturuan, burgosën dhe u shantazhuan gjatë regjimit komunist, megjithse familjarët nuk kanë reshtur të mësojnë të vërtetën për fatin e prindërve, gjyshërve të afërmëve të tyre, madje për një pjesë të tyre nuk rreshtin kërkimet për të gjetur eshtrat, për të patur një var për ti kujtuar, për të vendosur një tufë lule, unë do ta vlerësoja këtë iniciativë të institucioneve shtetërore si një pikë nisje më të organizuar së pari për tu bashkuar me dhimbjen dhe përpjekjet e familjarëve për njerëzit e afërt të tyre për të zbardhur gjithë historitë, për të publikuar dhe vendosur në shërbim të tyre cdo document që qartësojnë fatet e tyre. Por kërkesa ime që në këtë rast është një propozim për institucionet vendmarrëse është të ndërtohet një memorial për kujtimin e tyre, ku të shënohen emrat e gjithë specialistëve, inxhinierëve dhe drjetuesve të sektorit të naftës duke filluar me ata që mënyrë macabre regjimi ju mori jetën, me ata që u burgosën dhe u terrorizuan. Ky do të ishte minimalimalisht një gjest që mund të qetësonte sadopak shpirtrat e tyre që ende aty ku prehen nuk arrijnë të kuptojnë se cfarë bënë keq që shteti veproi ndaj tyre me egërsi të pashoq. Në këtë mënyrë ne koontribojmë që brezat të mësojnë të kaluarën në mënyrë që historia të dhimbshme si këto të mos përsëriten më.
Ju faleminderit.
3 korrik 2026

