Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Klubi i Librit – Korçë- Odiseja e pafajsisë

Në Korçë me Klubin e Librit për “Odiseja e pafajësisë”, të autorit Leķë Previzi, një histori dashurie që i mbijetoi errësirës së regjimit komunist.Një histori dashurie e Valentinit dhe të fejuarës së tij italiane, të cilët ritakohen pas rënies së regjimit komunist, pas 47 vitesh nga ndarja e dhimbshme.

Valentin Previzi dhe e fejuara e tij italiane Goricia Mamin lënë Italinë dhe mbërrijnë në Shkodër më 10 tetor 1944. Mësojnë se familja e Valentinit, djalit të Preng Pervizit, gjeneralit të ushtrisë mbretërore shqiptare është shpallur “armike e popullit”. Disa muaj më vonë në qytetin e Shkodrës fillojnë arrestimet, burgosjet dhe pushkatimet e para. Në zallin e Kirit ekzekutohen me dhjetra burra pa gjyq, e për të vijuar më pas dhe në lagjet e rrugicat e qytetit, të gjithë të ashtëquajtur “armiq të popullit”. Në këto kushte Gori pas shumë përpjekjeve riatdhesohet në Itali me besimin së shumë shpjet çifti do të ribashkohej. Për Valentin Pervizin, si dhe për të gjithë familjen e mbetur nis odiseja e burgjeve dhe internimeve dhe për gjysëm shekulli ata mbeten larg njëri-tjetrit.Valentini, pas rënies së regjimit,  rigjen Gorin, e cila ende e priste në Bolonja, në vitin 1991. Kalojnë 8 vite së bashku dhe na lënë si mësim dashurinë e tyre që i mbijetoi errësirës komuniste. Më 2017 kjo histori erdhi për publikun nga Lek Pervizi, vëllai i Valentinit, në librin “Odiseja e Pafajësisë”, ku me nota autobiografike, historia e familjes së gjeneralit të mirënjohur shkrihet me historinë e errët të Shqipërisë nga viti 1944 deri në vitin 1991.  

Ky libër ishte sot, në qëndër të diskutimeve të Klubit të libri- “Mësojmë nga e kaluara” me pjesmarrjen e profesorëve dhe studentëve të Universitetit “Fan S. Noli”, mësuesve të historisë dhe letërsisë, të arsimit parauniversitar të qytetit të Korçës, si dhe të ftuarve të nderit, z. Ylber Merdani dhe znj. Eva Pervizi, mbesa e autorit dhe personazhit kryesor.

Nën moderimin e drejtuesit Prof.Dr. Metin Venxha, departamentit Histori-Gjeografi, Universiteti “Fan S. Noli”, dhe Dr. Brunilda Çërraga, AIDSSH, nisi diskutimi për librin, ku u përcoll mesazhi që njohja e së kaluarës historike edhe nëpërmjet teksteve letrare, të shkruara si histori personale, është një mundësi e shtuar diturie për rinjtë, mësuesit e nxënësit.

Dëshmitar i kohës, Z.Ylber Merdani,  “Qytetar nderi” i  qytetit të Korçës, ish i dënuar politik, pas përgëzimeve të rastit për nismën e Klubit të Libri rrëfeu sakrificat e të burgosurve, dhe shfrytwzimin e njeriut nga njeriu, nën regjimin komunist. Ai vjen nga një famije ku katër breza  kanë jetuar nën persekutim dhe trauma. Si i mbijetuar ai vlerëson se të rinjtë duhet ta njohin të kaluarën që ajo të mos përsëritet.

Dr. Orjon Ago, historian dhe zv/dekan i Fakultetit të Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli”, bëri një krahasim të historisë së librit dhe fakteve historike, si dhe theksoi se, ende historia ka nevojë për rishkime bazuar në dokumente dhe dëshmi të tilla që na vijnë nga të mbijetuarit.

Msc.Enxhi Bekastudiuese e historisë në AIDSSH-së, në analizën e saj sipas këndëvështrimit historik u shpreh se : “Romani, Odiseja e Pafajsisë nuk është vetëm odiseja e Valentin Previzit në veçanti, apo e familjes së Previzëve në tërësi, por simbolikisht është një- Odise Pafajsie- e shumë individëve duke filluar që nga një shtetas i thjesht që ka jetuar në vitet e regjimit komunist, e që për regjimin për shumë arsye ishte i papëlqyeshëm e duke vijuar nga figurat apo familjet më erudite të Shqipërisë së asaj kohe që kaluan nëpër një odise vuajtjesh, internimesh, ekzekutimesh e ata që mundën, mbijetese.”

Dr.Nuredin Nazarko, profesor i historisë, tha se  : “Ky libër është një gur që i shtohet mozaikut të kujtesës. Është e rëndësishme që e kaluara të mos mbulohet nga rrjedha e kohës. Populli që harron historinë është i paracaktuar që t’a përsërisë atë. Ende sot ka studentë që nuk dinë saktësisht se çfarë është komunizmi si ideologji  dhe çfarë e shkakton. Ideologjitë kanë fuqinë e ideve të mëdha. Komunizmi e përsosi idologjinë dhe e ngriti në piedestal. Duhet të shohim të vertetën lakuriqe.”

Msc. Leonora Hysolli, pedagoge e Departamentit të Letërsisë, Universiteti “Fan S. Noli”, në diskutimin e saj e trajtoi veprën nga pikpamja letrare: “Në libër gjejmë personazhe dhe ngjarje të një kohe të panjohur për lexuesin e ri. Ky libër sjell konceptin e dashurisë së vërtetë, e cila nuk  njeh kufinj kohorë dhe gjeografik.”

Brendon Salih, studiues i historisë e sheh librin në një qasje paradokse “ku  “armiku” që etiketohet vjen nga një kulturë perendimore për të kontribuar në vendin e vet, por që fatkeqesisht e ndjek një valë persekutimi në regjimin anti-njeri.”

Mbesa e Valentinit Eva Pervizi, në emër të familjes përcolli disa nga ngjarjet e jetës së përbashkët me xhaxhain e saj në internim dhe falenderon AIDSSH që këto histori që vijnë nga e kaluara i kthen në mësime për nxënësit dhe mësuesit e rinj.

Aktiviteti e Klubit të Librit synon pasurimin e platformës “Mësojmë mbi të shkuarën 1944-1991-burime arsimore të hapura”, produkt i marrëveshjes dypalëshe MAS-AIDSSh, e cila ka në fokus njohjen e brezave të rinj, me ngjarje e vende, që dëshmojnë histori dhe realitete të viteve1944-1991, dhe përfshirjen e tyre në vizita në vende të kujtesës historike. Historia mbi veprimtarinë ish-Sigurimit e Shtetit jo vetëm nuk është e përfshirë në asnjë nga programet lëndore apo tekstet shkollore, por edhe mësuesit e rinj në moshë ende nuk i njohin plotësisht të vërtetat e regjimit komunist në vend.

Këtu gjeni videon e aktivitetit.

Këndvështrim historik mbi librin e Lek Pervizit “Odiseja e Pafajsisë” – Enxhi Beka

Lek Pervizi, autor i disa veprave të shkruara në gjuhën amtare e atë të huaj, të zhanerit prozë dhe poezi, lindi më 26/06/1929 në Skuraj të Kurbinit. Mësimet e para të shkollës fillore, por dhe të mesme i kreu në Romë. Në vitin 1944 u kthye në atdhe, vit që shënoi kalvarin e persekutimeve nëpër burgje e kampe së bashku me familjen e tij. Piktor, përkthyes, dhe publicist, Lek Pervizi krahas krijmtarisë së tij të pasur, një kontribut të veçantë ka dhënë edhe në botimin e skicave, portreteve dhe pasazheve që përshkruajnë jetën e të internuarve në kampin e Tepelenës.

Më 2017, Lek Pervizi boton romanin me titull Odiseja e pafajsisë, si një dëshirë e papërmbushur e vëllait të tij Valentin Pervizi, njëkohësisht personazh qendror i këtij romani.

Në Bolonja të Italisë, Valentin Pervizi shkruan pas rënies së diktaturës, kujtimet e tij me synimin për t’i botuar në një libër, për t’i rrëfyer shqiptarëve dhe jo vetëm, një histori mbijetese të një kalvari të gjatë persekutimi. Fatkeqësisht, u nda nga jeta përpara se ky botim të merrte jetë. Duke e ndjerë, si një detyrim moral për të rrëfyer mbi kontributin, por edhe mbi vuajtjet nën diktaturë të familjes Pervizi e kryesisht të Valentinit, vëllait të tij, autori Lek Pervizi vendos që t’i jap jetë këtij romani.

Odiseja e pafajsisë, rrëfen historinë e Valentin Pervizit, djalit të Prenk Pervizit, i arsimuar në Akademinë Ushtarake të Vjenës dhe në Shkollën e Luftës në Torino. I ati i Valentinit ishte mbështetës i Ahmet Zogut, komandant qarku në vitet ’20 dhe komandant i ushtrisë shqiptare gjatë pushtimit gjerman. Pas gradimit nënkolonel u vendos fillimisht në Firence dhe vetëm më 1935 u caktua komandant i qarkut Korçë. Në vitet 1942-1944, Prenk Pervizi ka mbajtur funksionin e Gjeneralit dhe Ministrit të Mbrojtjes, njëkohësisht ka qenë një prej organizatorëve të rezistencës antikomuniste në Veri të Shqipërisë i cilësuar si “kriminel lufte” nga gjykata speciale dhe i arratisur në Greqi më 1946. Një parantezë kjo që na ndihmon të kuptojmë sesi në regjimin komunist fati i individit ishte i “paracaktuar”. Për këtë fakt familja Pervizi u internua për dekada, me fajin e vetëm se trashëgonin këtë mbiemër. Historia e Pervizëve është më e hershme se emri i Gjeneralit Prenk Pervizi. Pervizët konsiderohen si një ndër familjet që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë.

Kështu, paraardhësi i Pervizëve, Gjin Pjetër Pervizi, ka qenë udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit, e njëkohësisht një nga ata që kontribuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Gjurmët e të parëve të tij do t’i ndiqte edhe fëmija i parë i Prenk Pervizit, Valentin Pervizi, i lindur më 01/07/1920 në Skuraj të Kurbinit. Mësimet e para Valentini i mori në kolegjin San Giovanni Bosko, në Lanzo Torinese, kolegj ku studionin fëmijët e dinastisë Savoja, dhe familjeve të fisnikëve italianë dhe të huaj. Në vitin 1936 Valentin Pervizi filloi Shkollën Ushtarake të Romës, ku bënin pjesë edhe emra si: Abdyl Këllezi, Fiqret Hoxha, Ali Ohri, Nuri Nuçi, Stefan Bumçi etj. Talenti i V. Pervizit spikati që në vitet e para jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe atë atletike dhe sportive. Pas përfundimit të Shkollës Ushtarake të Romës, në shtatorin e këtij viti Valentin Pervizi fillon studimet në Akademinë më të rëndësishme të Italisë atë të Modenas. Studioi në armën e kalorësisë dhe më 1941 u diplomua oficer me gradën nëntoger, duke u caktuar kështu me shërbim në regjimentin e kalorësisë “Lancieri Vittorio Emanuele II” me qendër në Bolonja. Në një nga garat e rëndësishme me kuaj ku merrte pjesë ajka e shoqërisë, familjet fisnike që gëzonin titujt kontë, markezë, baronë etj, Valentini arriti të rrëmbente çmimin e parë nga duka i Bergamos, i Shtëpisë Savoia që vinte pas princit trashëgimtar, Umbertos.

Pikërisht, në Bolonja Valentini do të njihet me dashurinë e jetës së tij, Maria Gorizia Manini (Gori), që shumë shpejt do të kurorëzonin dashurinë e tyre në martesë.

Karriera e Valentin Pervizit dukej se ishte premtuese. Në vitin 1942, V. Pervizi kreu një kurs njëvjeçar për mjete të blinduara në Trieste dhe më 1943 caktohet komandant plotoni tankist në mbrojtje të Romës. Siç duket periudha historike nuk ishte aspak e përshtatshme për Valentinin si në rrafshin profesional dhe atë personal, e kjo për shkak të atmosferës së luftës që mbizotëronte. Në betejën e ashpër të Tivolit mes trupave italiane dhe atyre gjermane, të 8 shtatorit të vitit 1943 emri i Valentin Pervizit ishte ndër emrat që spikati në aftësitë ushtarake të njësisë tankiste. Italia fashiste kapitulloi, dhe më 20 shtator të vitit 1943, Valentini kapet rob lufte i gjermanëve bashkë me ofircerët e tjerë italianë, dhe i vendosën në kampin e Fraskatit, një kamp provizor i rrethuar me një gardh dhe tela me gjemba. Ky kamp ishte vetëm një destinacion i përkohshëm, pasi synimi i gjermanëve ishte që t’i dërgonin në kampin e Dakaut, oficerët italianë që nuk pranonin të shërbenin në forcat fashiste të Musolinit, që tashmë kishte krijuar Republikën e Salos. Në këto rrethana Valentini së bashku me dy persona të tjerë vendosën të arratisen nga kampi. Valentini niset në drejtim të Bolonjës, atje ku e priste Gori dhe në këto rrethana vendosin të kurorëzojnë martesën e tyre. I gjendur mes një situate lufte e bombardimesh të vazhdueshme dhe një robi lufte të

gjermanëve tashmë i arratisur nga kampi, Valentini vendos që së bashku me bashkëshorten Gorin, të braktisin njëherë e mirë Italinë, duke e gjykuar Shqipërinë, atdheun e tij si streha më e sigurt. Viti 1944 shënoi fillimin e një odiseje pafajsie, odiseje sepse ky vit shënoi siparin e një persekutimi e ndarje prej 47 vjetësh, aq sa “sfidoi” dhe vetë historinë e Odisesë dhe Penelopës së Homerit. Pafajsie, sepse për ironi të fatit, Valentin Pervizi duhet të vuante e të dënohej për faktin e vetëm se ishte djali i Gjeneralit Prenk Pervizi. Ky absurditet, në thelb vulosi fatin e një jete dhe lumturie të mohuar nën diktaturën komuniste. Pikërisht, kjo odise simbolizoi vuajtjen, sakrificën, mbijetesën, besnikërinë, dhe pritjen për dekada të një dashurie të vërtetë që jetoi përtej barrierave të ideologjisë komuniste.

Arratisja nga Italia drejt tokës amë, në fakt nuk ishte një arratisje drejt lirisë, ashtu sikundër e mendonin Valentini dhe Gori, pa e ditur ata kishin shkelur në një “tokë të minuar”. Për ironi, Valentini po vinte në atdheun e tij, jo më si një oficer me emër dhe me një karrierë premtuese në Itali, por si djali i një krimineli lufte. Regjimi kishte arritur të cënonte dhe tjetërsonte identitetin e tij. Më 10 tetor 1944, Valentini dhe Goria mbërritën në Shkodër, ku aty kuptuan të gjithë atmosferën politike, por njëkohësisht dhe rrezikun dhe shpalljen si “armik” nga komunistët. Fushata kundër armiqëve tashmë ishte e dukshme. Urdhër që duhej të zbatohej ishte vendosja e emrit në derë tek banesa e secilit qytetar, qartazi kjo ishte një politikë lehtësuese për të identifikuar lehtazi armiqtë e popullit.

Por, kush etiketohej armik sipas regjimit? A mund të trashëgohej ADN-ja e armikut, edhe nëse trashëgimtari nuk kishte kryer asnjë faj? Kjo ishte një rënie këmbane për të riun V. Pervzi. Historia e Valentin Pervizit na dëshmon se ADN-ja e armikut trashëgohej, sepse dënimi sipas filozofisë komuniste ishte kolektiv dhe jo individual.

Valentin Pervizi, së bashku me familjen e tij ishte një “kërcënim” për regjimin dhe duhej “luftuar” për faktin e vetëm se Prenk Pervizi ishte shpallur kriminel lufte dhe kërkohej nga regjimi i ri, por tashmë ishte arratisur në Greqi. Pikërisht, në dhjetor të vitit 1944 në Shkodër, u arrestua dhe u burgos Valentini, ku do të mbahej dy vjet me akuzën e vetme se ishte i biri i Gjeneralit Pervizi. Ndoshta, armiku Valentin Pervizi mund ta konsideronte ende veten me fat, duke ditur se në këto vite armiqtë e tjerë të popullit kishin shkuar drejt togës së pushkatimit. Burgu në vetvete u shndërrua për të burgosurit në një purgator ku, – askush nuk e ndjente veten të sigurtë për ditën tjetër, dhe ku, – përpara pushkatimit të burgosurit përshëndeteshin me frazën: Mirë u pafshim në botën tjetër! Ngjarjet që shoqëruan Revoltën e Malësisë së Madhe më 1945 dhe Kryengritjen e

Postribës më 9 shtator 1946, nuk do të bënin gjë tjetër veçse do të prodhonin më tepër “armiq” të regjimit.

Ishte koha kur çdo ditë në zallin e Kirit ekzekutoheshin me dhjetra burra pa gjyq, e për të vijuar më pas dhe në lagjet e rrugicat e qytetit. Në fillim të vitit 1945 kishin nisur gjyqet speciale, gjyqe në vetvete të inskenuara vendime të cilat i merrnin në emër të popullit dhe kështu ekzaltonin dhe manipulonin mendjet e masave, të cilët brohorisnin për dënimin e armiqëve të regjimit.

Në këtë situatë të dëshpëruar dhe tragjike bashkëshortja e Valentinit, Gori vendos të bëjë një përpjekje të takoj vetë Gjeneral Mehmet Shehun, të shprehë indinjatën e saj dhe të kërkoj lirimin e bashkëshortit të saj. Sipas, Mehmet Shehut, ajo duhet të ndihej me fat që bashkëshorti i saj nuk ishte pushkatuar, por jetonte. Zgjidhja më e përshtatshme për Gorin, për të mos e bërë pjesë të vuajtjes 47 vjeçare u pa riatdhesimi i saj në Itali.

Valentin Pervizi, u akuzua se ishte dërguar në Shqipëri nga ana e disa eksponentëve politikë në mërgim. Sipas, aktakuzës Valentini kishte takuar disa të arratisur në Itali si Abaz Kupin, Mehdi dhe Mit’hat Frashërin dhe persona të tjerë prej të cilëve kishte marrë udhëzime që të fillonte një kryengritje kundër regjimit komunist. Ai duhej të shkonte në Shqipëri dhe të angazhohej për bashkimin e forcave nacionaliste në luftën kundër komunizmit. Valentini e kishte pranuar misionin dhe, sapo kishte ardhë në Shqipëri ai kishte shkuar në Kelmend, Dukagjin dhe Mirditë. Madje, Valentini sipas kësaj akuze kishte marrë pjesë edhe në luftime të përgjakshme kundra forcave partizane. Me një akuzë të tillë ai do të mund të merrte një dënim shumë të rëndë, por kjo ishte një akuzë false.

Në sallën e gjyqit Valentini mohoi përpara trupit gjykues akuzën e ngritur ndaj tij, me argumentin se lidhjet me personat e përmendur më lart ishin të pabaza se të tilla lidhje nuk kishin ekzistuar asnjëherë. Madje, mbi identitetin e tyre, Valentini kishte mësuar vetëm në burg me anë të leximit të shtypit të ditës. Mbi të gjitha, Valentini pohoi në sallën e gjyqit se nëse të tilla akuza do të kishin qenë të vërteta, se qëllimi i tij ka qenë të luftojë në Shqipëri kundër regjimit komunist, ai kurrsesi nuk do ta kishte marrë me vete gruan e tij italiane. Pas mbrojtjes që bëri Valentini në sallën e gjyqit, trupi gjykues e dënoi atë me tre vjet internim.

Vendimi i parë që do të merrej për Valentin Pervizin, edhe pse i pafajshëm ishte internimi i tij në Berat prej tre vjetësh, ku aty do të mund të takohej me familjen e tij. Kushtet e internimit në Berat ishin ekstreme, Berati u mbush plot me të internuar, aq sa u bë problem strehimi dhe mbajtja e

tyre. Një pjesë u caktuan në Kuçovë, ku u caktuan për të punuar për ndërtimin e fushës së aviacionit, e të tjerë u vendosën në fushën e Valiasit e të Kamzës.

Në kontekstin ndërkombëtar kjo lidhet me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, gjë që solli arratisjen e shumë malësorëve nga zonat veriore. Për pasojë u internuan familjet në Berat, më pas u mor vendimi që të krijohej një qendër më e izoluar. U zgjodh Tepelena, fshatrat si Turani, Veliçoti, dhe Memaliaj, aty ku ishin disa baraka italiane të braktisura. Ky transferim u realizua në gusht të vitit 1948. Pikërisht, në këtë vit Valentini përfundoi dënimin e internimit prej tre vjetësh, ndërsa e ëma dhe gjyshja, (kjo e fundit do të ndahej nga jeta pikërisht në këtë kamp) së bashku me qindra familje të tjera u dërguan në Kampin e Tepelenës. Lirimi i Valentinit nuk do të zgjaste për shumë kohë për t’u internuar sërish, tanimë në kalanë-burg të Porto-Palermos. Kjo kala u kthye në burg vetëm për burrat. Personat që vuanin dënimin, sipas Lek Pervizit nuk ishin dënuar me vendim gjykate, por nga Sigurimi i Shtetit. Mungesa e ushqimit në Porto-Palermo kishte shkaktuar verbërinë tek gjysma e të dënuarve. Për Valentin Pervizin, Porto-Palermo ishte dyfish vuajtje, pasi shkëputi çdo korrespondencë të mundshme me të shoqen tashmë në Itali.

Vrasja e Bardhok Bibës, shtoi numrin e të burgosurve politikë, ku më 1949 Kampi i Tepelenës do të arrinte në 4000 të internuar. Pikërisht, në këtë kamp do të bashkohej Valentini me nënën dhe të vëllain, Lekën. Më 1954, u mbyll përfundimisht Kampi i Tepelenës dhe u krijuan kampet e punës në bujqësi në rrethin Lushnjë. Valentinin e dërguan në Çorovodë, ndërsa vëllain dhe të ëmën në Pluk, aty ku u bashkuan sërish të tre, e prej andej në Shtyllas, për të përfunduar në zonën e thellë të grykës së Kurveleshit. Në vitin 1955 vendosen në Kuç, e pas mbylljes së kampit të Kuçit më 1958 të internuarit u zhvendosën në kampin e Gradishtës. Kampet, nuk ishin gjë tjetër veçse laboratore për të zvetënuar dinjitetin e qenies njerëzore, për të tjetërsuar identitetin e qenies njerëzore, e për të tjerët jashtë kampeve ishte një mesazh për t’iu bindur regjimit. Kampi, ishte një instrument eksperimental i njeriut për njeriun.

Pavarësisht, jetës në internim në zhvendosje të ndryshme gjeografike të Shqipërisë sa herë që mund të krijohej mundësia e një korrespondence mes Valentinit dhe Gorit, bashkëshortët lidhnin kontakt, edhe pse vitet e gjata kishin bërë të tyren. Siç duket, ende nuk ishin krijuar kushtet, sepse prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe lidhja me Kinën do ta përkeqësonte dhe më shumë gjendjen në vend. E ndërsa vitet 1970-1980, nuk sollën gjë tjetër veçse një varfërim të mëtejshëm të popullsisë. Më 20 shkurt 1991, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit, Odiseja, i këtyre kohërave Valentin Pervizi, pas 47 vjetësh mundi të bashkohet me Penelopën e tij, Maria Gorizia, pikërisht

në qytetin ku kurorëzuan martesën e tyre, në Bolonja. Ndryshe nga personazhet mitik, ndarja nga njëri- tjetri prej dekadash bëri që ata mos të linin një trashëgimtar në këtë jetë, një Telemak si ai i Odisesë dhe Penelopës, por pas tyre mundi të jetonte vetëm historia e tyre sa e dhimbshme aq edhe e fuqishme. Valentin Pervizi u nda nga jeta në vitin 1999 dhe Gori në vitin 2003, duke lënë prapa një histori me mesazhe sublime në një periudhë të errët, edhe atëherë kur regjimi nuk përcaktonte vetëm fatin e shoqërisë, por edhe atë të çdo individi.

Ky roman nuk është vetëm historia Valentinit dhe Gorit, është historia e çdokujt që u shpall armik në regjimin komunist, e çdokujt që kujtimet e tyre nuk arritën të depërtojnë në romane a shkrime të tilla, por mbetën të fjetura për arsye të ndryshme. Ky roman është historia e besnikërisë, e pritjes dhe e dashurisë të shumë çifteve si ajo e Valentinit dhe Gorit. Eshtë historia e të gjithë atyre që kaluan përmes një odiseje sakrificash, e atyre që për fat mbijetuan dhe e atyre që fatkeqësisht, nuk ia dolën dot. Është historia e sistemit të vendeve të internimit në Shqipërinë komuniste. Historia e atyre që për dekada u burgosën, internuan e për fat të keq u pushkatuan pa pasur faj. Por, mbi të gjitha mbetet një roman shprese, se një ditë të tilla dëshmi nuk do të mbesin të kyçura më në sirtare personale, por do të rrëfehen në mjedise të hapura, mbi të gjitha për të kuptuar rëndësinë e të qënurit të lirë e për të dënuar çdo formë dhune dhe skllavërie.

Diskutim mbi librin:”Nëpër shtigjet e Ferrit”

U themelua në Shkodër Klubi i Librit “Mësojmë nga e kaluara”, një nismë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe

Klubi i Librit – Sarandë – Biri i Armikut

AXHENDA E AKTIVITETIT Në Bibliotekën e qytetit – Sarandë13:00 – 13:15 Fjalë përshëndetjejeKryetar në detyrë i Autoritetit z. Altin HoxhaFamiljarë të të ndjerit ÇikaKryetar i ‘’Klubit të krijuesve Joniane’’ z.

Klubi i Librit – Tiranë – Grabjani rrëzë kodrave

Themelohet në Tiranë Klubi i Librit- Mësojmë nga e kaluara, nënshkruhet bashkëpunimi me QKLL -Diskutohet me pjesmarrje të gjerë të mësuesve të historisë, letërsisë, qytetarisë dhe profesorëve të Universitetit të Tiranës,