Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

AIDSSH mori pjesë në takimin e Rrjetit Evropian të Autoriteteve Përgjegjëse për Dosjet e Ish-Policive Sekrete

Më 9 tetor 2026, në Bukuresht, Rumani, u zhvillua takimi i radhës i Rrjetit Evropian të Autoriteteve Zyrtare Përgjegjëse për Dosjet e Ish-Policive Sekrete, me temë: “Roli i dosjeve të ish-policive sekrete në rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet e ekstremizmit”. Takimi u organizua nga Consiliul Național pentru Studierea Arhivelor Securității (CNSAS) dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve homologe nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Shqipëria u përfaqësua nga delegacioni i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), i kryesuar nga anëtari i Autoritetit, z. Skënder Vrioni, dhe me pjesëmarrjen e z. Aldo Kita, drejtor i Teknologjisë së Informacionit, Digjitalizimit dhe Sigurisë, dhe znj. Arlinda Toçi, përgjegjëse e Mediatekës së AIDSSH-së.

Në fjalën e tij, z. Vrioni përcolli përshëndetjet e Kryetares së Autoritetit, falënderoi organizatorët për mikpritjen dhe vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të ruajtjes së kujtesës historike dhe mbrojtjes së vlerave demokratike.

Gjatë prezantimit të tij, Skënder Vrioni paraqiti zhvillimet kryesore të AIDSSH-së, duke theksuar rëndësinë e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit në njohjen e mekanizmave të survejimit, kontrollit dhe represionit gjatë regjimit komunist. Ai vuri në dukje prioritetet e Autoritetit në fushën e digjitalizimit dhe zgjerimit të aksesit në dokumentacionin historik përmes platformave digjitale, si platforma e-learning, arkivi digjital dhe Mediateka e AIDSSH-së.

Në kuadër të diskutimeve, përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse shkëmbyen përvoja mbi administrimin e arkivave, proceset e digjitalizimit, promovimin e kujtesës historike dhe përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, në shërbim të arkivistikës dhe edukimit publik.

Takimi miratoi gjithashtu një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës anëtarët e rrjetit shprehën shqetësimin për rritjen e ekstremizmave dhe e konsideruan kujtesën historike, hapjen e arkivave dhe edukimin qytetar si instrumente të rëndësishme për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Në deklaratë u bëhet thirrje institucioneve evropiane të mbështesin digjitalizimin dhe përpunimin e arkivave të ish-policive sekrete në nivel evropian.

Ndër vendimet kryesore të takimit ishin pranimi i Republikës së Moldavisë si anëtare e rrjetit, përditësimi i materialeve informuese të rrjetit dhe intensifikimi i pranisë së tij pranë institucioneve evropiane përmes aktiviteteve të përbashkëta ndërgjegjësuese. Presidenca e rrjetit iu kalua Bullgarisë.

Gjatë takimit, anetari i AIDSSH-së, z. Vrioni ftoi institucionet partnere të marrin pjesë në aktivitetet që do të organizohen në Tiranë me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Autoritetit, duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal dhe evropian në fushën e dokumentimit, informimit dhe ruajtjes së kujtesës historike.

Fotot: @Consiliul Național pentru Studierea Arhivelor Securității (CNSAS)

@followers Skender VrioniArlinda Kondi @Aldo Kita