Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Tirana kujton 39 viktimat e vrasjeve pa gjyq të vitit 1944. Sula fton familjet të bashkëpunojnë për zbardhjen e ngjarjeve në kuadër të “Dialogut për Tiranën”

Fjala e kryetares së AIDSSH-së, Gentiana Sula, në 82-vjetorin e vrasjeve pa gjyq në Tiranë, 16 nëntor 2026

Më 16 nëntor 2026, Shoqata “Tirana” organizoi një aktivitet përkujtimor në nderim të 39 personave të vrarë pa gjyq në Tiranë dhe rrethinat e saj nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944. Në këtë përkujtimore, me rastin e 82-vjetorit të ngjarjeve, ishte e ftuar kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula.AIDSSH dhe Shoqata “Tirana” bashkëpunojnë në kuadër të “Dialogut për Tiranën”, i nisur në vitin 2021 me ekspozitën dokumentare “Tirana në sytë e ish-Sigurimit të Shtetit”.

……

Të dashur familjarë të viktimave,
Të nderuar përfaqësues të Shoqatës “Tirana”,
Të nderuar të pranishëm,

Të kam ardhur, o baba tinës rojeve
Kësaj nate në varr.
Se kam zjarr e kam mall të të pyes
Në u shkërmoqe e u trete.

Pabesisht ty me plumb të rrëzoi
Qeni i zi gjakatar.
Dhe pa varr, pa emër
Midis kombit që e deshe
Aq shumë ti mbete.

Po më fal, o baba, se të flas e të thërras
Në univers pa e ditur ku je ti.
Më ke lënë, siç e di, fillikat.
Pa atdhe e pa gëzim.

Fli i qetë, o baba.
Se drejt teje si erë po vij
Të të sjell si gur varri,
Trupin tim të gjymtuar edhe shpirtin tim.

(Burgu i Tiranës, qelia 79, viti 1948)

Mustafa Greblleshi e shkroi këtë poezi për të atin, Hamit Greblleshit, teksa vuante denimin në Burgun e Tiranës, katër vjet pasi të atin, mësues e më pas oficer të xhandarmërisë, e kishin vrarë pa gjyq. Në vargje, Mustafai shkon te varri i babait por në realitet ai nuk dinte ku ta kërkonte.

Për të atin foli edhe kur vetë ishte nën hetim. Në dosjen hetimore-gjyqësore nr. 1389, që shqyrtuam në Autoritet gjatë hulumtimeve për Dialogun e Tiranës, Mustafai thotë se babai i tij kishte qenë oficer me gradën major dhe se forcat nacionalçlirimtare e kishin marrë e pushkatuar kur hynë në Tiranë. Ai e quante vrasjen e të atit një gabim dhe tregonte sa thellë e kishte prekur.

Në të njëjtën dosje gjejmë deklarimin e Osman Bishqemit, kolegut të tij në gazetën “Bashkimi”. Edhe Osmanit ia kishin pushkatuar babanë, Tasim Bishqemin, pas një dënimi me vdekje në vitin 1945. Në hetuesi, Osmani tregoi se humbja e baballarëve i kishte afruar. Flisnin për lirinë e fjalës dhe të mendimit. Mustafai druhej se një ditë do t’i arrestonin dhe do t’i ndanin. Në vitin 1947, të dy dolën në të njëjtin gjyq. Mustafai u dënua fillimisht me dhjetë vjet burg. Më pas, dënimi iu ul në shtatë vjet.

Një vit më parë ju fola për shtëpinë e Ymer Dërhemit, ku linda dhe u rrita. Natën e 28 tetorit 1944, nga ajo shtëpi morën me forcë oficerin Akil Sakiqi, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën. Të tre u vranë pa gjyq. Vite më vonë, kur gjyshi im u zhduk në burgjet e diktaturës, familja ime gjeti strehë pikërisht në atë shtëpi.

Orhan Sakiqi, djali i Akilit, ka shkruar për të atin në kapitullin “Në kërkim të eshtrave të babait”, në librin Kronikë e jetëve të humbura, botuar më 2019. Ai kujton se e ëma i thoshte që babai mund të ishte ende gjallë, për sa kohë nuk ishte gjetur trupi dhe autoritetet nuk e kishin pohuar vrasjen. Orhani e pyeste “Po mirë, pse nuk jep shenja apo nuk dërgon letër?!”

Vargjet e Mustafa Greblleshit dhe pyetja e Orhan Sakiqit janë dy dëshmi therëse të bijve që kërkonin baballarët e tyre. Mustafai i shkruante të atit pa e ditur ku prehej. Orhani priste një letër, me shpresën se babai ishte ende gjallë dhe një ditë do të kthehej.

Sot  tekasa nderojmë 39 njerëzit e vrarë pa gjyq në Tiranë dhe në rrethinat e saj, nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944, oficerë, mësues, gazetarë, botues e sipërmarrës përulem me respekt edhe para atyre që dhanë jetën në luftën kundër pushtuesit.

Por clirimi i vendit duhej t’i hapte rrugën një jete ku ligji mbronte çdo qytetar. Në javët kur po çlirohej kryeqyteti, këta njerëz u morën dhe u vranë pa dalë para një gjykate. Familjeve u mbeti barra për të marrë vesh çfarë kishte ndodhur dhe, në shumë raste, për të gjetur ku preheshin të afërmit e tyre.

Për shumë prej viktimave kemi pak dokumente nga ato javë. Historiku i Tiranës, i hartuar më vonë nga vetë Sigurimi i Shtetit, na jep të dhëna për mënyrën si u ngrit rrjeti informativ gjatë luftës dhe si veproi më pas në kryeqytet.

Sipas historikut, në gusht 1943, Komiteti Qendror i Partisë i kërkoi Qarkorit të Tiranës të ngrinte një zyrë informative. Të dhënat ushtarake i dërgoheshin Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa ato që i interesonin Partisë i dërgoheshin Komitetit Qendror. Krahas të dhënave për lëvizjet e pushtuesit, rrjeti duhej të identifikonte edhe njerëzit që Partia i quante armiq dhe të mblidhte të dhëna për lidhjet dhe rrethin e tyre.

Në shtator 1944, pas urdhrit për marrjen e Tiranës, katër brigadave iu kërkua të dërgonin nga shtatë partizanë të përzgjedhur. Më 27 shtator, në Linzë, Mehmet Shehu dha udhëzime për mbledhjen dhe përcjelljen e fshehtë të të dhënave. Para se të përfundonin luftimet, ishin ngritur tri qendra zbulimi, te Rrapi i Trishit, në Linzë dhe në Surrel.

Në të njëjtin historik citohet urdhri i Enver Hoxhës i 17 nëntorit 1944 ku kërkonte që deri më 28 nëntor Tirana të “spastrohej” nga ata që urdhri i cilësonte “elementë të rrezikshëm” dhe “tradhtarë”. Historiku e lidh urdhrin me kontrollet që pasuan në lagje dhe banesa, sipas listave të miratuara nga Komiteti Qarkor i Partisë. Deri më 26 nëntor, sipas këtij burimi, ishin arrestuar rreth 300 veta.

Goditja vijoi ,ë 8 dhjetor u krijua Seksioni i Mbrojtjes së Popullit për Qarkun e Tiranës. Në fillim të vitit 1946, historiku shënon 37 arrestime në lidhje me “Bashkimin Demokrat”, ku ishin bashkuar rryma të ndryshme të opozitës, mes tyre socialdemokratët e Musine Kokalarit. Në fund të po atij viti shënon edhe 24 arrestime në çështjen që çoi te “Gjyqi i Deputetëve”.

Rrëfimet e familjeve na ndihmojnë të kuptojmë çfarë ndodhi pas vrasjeve. Në hulumtimet e historianit Uran Butka gjejmë rastin e kapitenit Anton Fekeçi. Atë e pushkatuan pranë banesës dhe më pas familjen e nxorën nga shtëpia. Fëmijët e Ali Panaritit e gjetën trupin e të atit pranë lumit të Tiranës. Familjarët e dy oficerëve, Muharrem Likut dhe Abdulla Saraçit, arritën t’i gjenin trupat dhe t’i varrosnin te Varri i Bamit.

Në Sharrë, sipas të njëjtit hulumtim, u vranë Kapllan, Jakup dhe Shefqet Deliallisi, bashkë me agronomin Isuf Allamani, themeluesin e fermës së Xhafzotajt. Riza Deliallisi ka treguar se pas vrasjeve pati të afërm që u burgosën dhe familje që kaluan vite në internim. Mësuesi Tefik Masar Deliallisi u ekzekutua më 10 tetor 1947, siç dëshmon procesverbali i botuar nga Autoriteti. Në ekspozitën “Të zgjedhur”, edhe mbesat e deputetit Shefqet Beja treguan si izolimi dhe damka politike ua kufizuan jetën familjarëve pas ekzekutimit të tij.

Pas vrasjes së vëllezërve Muntaz dhe Vesim Kokalari, Musineja u kujdes për fëmijët që ata lanë dhe punoi për të ndihmuar familjen. Këtë e dimë nga rrëfimi i Vesim Kokalarit, nipit që mban emrin e gjyshit të vrarë. Pastaj e arrestuan edhe Musinenë. Në vitin 2017, pas kërkesës së familjarëve të saj, Autoriteti kërkoi në arkiv dhe i vuri familjes në dispozicion rreth 1.200 faqe dokumente, ku permendet edhe vrasja pa gjyq e tyre.

Gazetari Nebil Çika u pushkatua në Hotel Bristol më 12 nëntor 1944. Bashkëshortja e tij, Elsa, u dënua më vonë me tetë vjet burg. Trashëgimtari i tij, Nebil Çikës i ri, identifikoi dosjen hetimore-gjyqësore dhe dosjen e ndjekjes së të atit,  mësuesit Sorkadh Çika përndjekjen që viji deri në brezin e tretë.

Mes viktimave të vjeshtës së vitit 1944 kujtojmë edhe Ismail Agë Petrelën, të vrarë pa gjyq në Tiranë. Nga vitet që pasuan kemi edhe dëshminë që Seit Petrela i dha Autoritetit. Ai ishte ende fare i vogël kur ai dhe tre vëllezërit humbën të dy prindërit gjatë transferimit të të internuarve nga Berati drejt Tepelenës, në maj 1949. Pas vdekjes së tyre, katër fëmijët i mori në kujdestari Gani Petrela, vëllai i gjyshit të tyre.

Në nëntor 2021, bashkë me Shoqatën “Tirana” dhe partnerët tanë, çelëm publikisht Dialogun për Tiranën me ekspozitën “Tirana në sytë e ish-Sigurimit të Shtetit”. Për ekspozitën u deklasifikuan 8.200 fletë. Dokumente të tjera u ishin vënë më herët në dispozicion familjarëve.

Në atë aialog, Afërdita Dalliu na tregoi çfarë kishte ndodhur me familjen e saj pas burgosjes së gjyshit, Hafiz Ibrahim Dalliut. Ajo ishte ende fëmijë kur e burgosën. Kur erdhi koha të vazhdonte shkollën, ia mohuan atë të drejtë. Më pas punoi për njëzet e pesë vjet në minierën e qymyrit në Valias.

Marsida Najdeni, pasardhëse e familjes Tufina, ka ndihmuar në mbledhjen dhe përcjelljen e historive të familjeve tiranase të përndjekura. Në Dialogun për Tiranën ajo foli për konfiskimin e pronave dhe burgosjet që prekën familje si e saja. Kërkoi që pasardhësit të kishin mundësi të tregonin vetë çfarë kishin përjetuar familjet e tyre.

Në kuadër të Dialogut, Autoriteti hulumtoi edhe dosjen e gazetarit Xhemal Farka, të pushkatuar nga regjimi në vitin 1948. Në vitin 2022, kur u shfaq dokumentari për përndjekjen e familjeve tiranase, mbesa e tij, Zenita Farka, tha se filmi tregonte vetëm një pjesë të vogël të vuajtjeve gjatë diktaturës. Ajo kërkoi që këto histori të përfshiheshin në librat e historisë, që fëmijët të mësonin çfarë kishte ndodhur.

Në vitin 2025, kur paraqitëm dosjen e Lejla Gjinali–Beshirit, fjalën e mori edhe vajza e saj, Miranda. Në atë takim u kujtua se Mirandës i ishte mohuar mundësia për të studiuar violinë dhe se motrën e saj, Aidën, e kishin internuar vetëm dhjetë ditë pasi kishte lindur.

Të dashur familjarë,

Sot ju ftoj të na tregoni çfarë ndodhi në shtëpitë tuaja pasi humbët njeriun tuaj. Si e morët vesh? Kush u kujdes për fëmijët? A mundën të vazhdonin shkollën? A iu desh të linin shtëpinë? Çfarë mësuat pas shumë vitesh dhe çfarë po kërkoni ende?

Mund t’i drejtoheni Autoritetit me një kujtim të shkruar. Mund ta nisim nga një letër, një fotografi me një shënim pas saj ose një vend që ju është përmendur në familje. Na tregoni çfarë mbani mend vetë dhe çfarë ju është rrëfyer. Do t’i shqyrtojmë dëshmitë krahas dokumenteve që kemi dhe do të bisedojmë me ju se si dëshironi të ruhen dhe t’u përcillen brezave të rinj.

Mustafa Greblleshi i shkroi të atit pa e ditur ku prehej. Orhan Sakiqi priste një letër nga babai. Tetëdhjetë e dy vjet më pas, ka ende familje që kërkojnë të dinë çfarë ndodhi dhe ku prehen njerëzit e tyre.

Sot, ndërsa nderojmë 39 viktimat, falënderoj familjet që kanë ruajtur kujtimin e tyre dhe kanë vazhduar t’i kërkojnë. Le të shkruajmë për ta. Le të tregojmë edhe çfarë ndodhi me familjet e tyre, që fëmijët tanë të mund t’i njohin këto histori me emra, me dokumente dhe me fjalët tuaja.

Ju faleminderit.

Më 16 nëntor 2026, Shoqata “Tirana” organizoi një aktivitet përkujtimor në nderim të 39 personave të vrarë pa gjyq në Tiranë dhe rrethinat e saj nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944. Në këtë përkujtimore, me rastin e 82-vjetorit të ngjarjeve, ishte e ftuar kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula.

AIDSSH dhe Shoqata “Tirana” bashkëpunojnë në kuadër të “Dialogut për Tiranën”, i nisur në vitin 2021 me ekspozitën dokumentare “Tirana në sytë e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Kufiri që ndau shtete, familje dhe fate njerëzore

Fjalë hyrëse e Dr. Gentiana Sula në konferencën shkencore ndërkombëtare “Kalimi i kufirit Shqipëri–Kosovë (Jugosllavi) gjatë viteve 1944–1991” Tiranë, 15 shtator 2026 Të nderuar kolegë, studiues, dëshmitarë dhe familjarë, Kufijtë

KUJTESA, DREJTËSIA DHE QËNDRESA E AVOKATIT

Fjalë për aktivitetin kushtuar avokatëve të përndjekurDr. Gentiana Sula Të nderuar të pranishëm,Dua ta filloj jo nga një institucion, jo nga një ligj dhe as nga një dokument me vulë