Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

“Rrmaji – Vend Kujtese dhe Kërkimi”, Shkodër, 28 gusht 2026

Të nderuar familjarë të personave të zhdukur,

I nderuar Imzot Giovanni Peragine,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve, studiues, qytetarë dhe miq,

Ka një qetësi të veçantë në një varrezë.

Është qetësia e një vendi ku të vdekurit kanë një emër, një gur, një lule; ku familja mund të vijë, të ndalet, të kujtojë.

Por këtu, në Rrmaj, këtë qetësi dikur e çanë krismat.

Dhe pas krismave erdhi një heshtje edhe më e rëndë: trupat nuk iu kthyen familjeve. Vendet e varrimit u fshehën. Nënave, grave, fëmijëve iu mohua edhe e drejta e fundit njerëzore: të dinin ku prehej njeriu i tyre.

Sot, tetë dekada më pas, është e vështirë ta përfytyrojmë plotësisht këtë skenë. Prandaj na duhet historia. Na duhet dokumenti. Dhe ndonjëherë na duhet edhe arti.

E zeza e Lin Delijës, bir i Shkodrës, ku fytyra njerëzore dhe fytyra e Krishtit mbajnë dhimbjen dhe dinjitetin.

Goya, me njeriun e pambrojtur përballë skuadrës së pushkatimit.

Dhe Georges Rouault, që në ciklin Miserere e ktheu vuajtjen njerëzore në lutje dhe në pyetje morale.

Arti na ndihmon të përfytyrojmë atë që sot duket e paimagjinueshme. Dokumenti na thotë: kjo ka ndodhur.

Dhe kjo është arsyeja pse jemi sot këtu. Sepse pa kontekst historik, Rrmaji mund të mbetet vetëm një varrezë e qetë.

Me emrat, dokumentet dhe dëshmitë, ai bëhet ajo që është: Vend Kujtese dhe Kërkimi.

Jemi këtu edhe në vigjilje të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.

Kjo ditë nuk na kërkon vetëm të kujtojmë.

Na kujton se zhdukja vazhdon te nëna që pret, te fëmija që kërkon, te nipi që trashëgon një fotografi dhe të njëjtën pyetje: Ku është?

Prandaj 30 gushti është një thirrje për veprim.

Për të kërkuar. Për të ditur. Për të identifikuar.

Dhe, kur është e mundur, për t’ua kthyer të zhdukurit familjeve të tyre.

Dhe nuk është rastësi që këtë e themi në Shkodër.

Shkodra ka qenë një nga kryeqendrat shqiptare të kulturës, besimit, arsimit, mendimit dhe frymës atdhetare. Një qytet me një traditë të fortë qëndrese.

Një qytet që ka prodhuar ide, personalitete, institucione dhe modele që kanë shkuar shumë përtej vetes.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë goditja këtu ishte kaq e egër.

Sepse regjimet që kërkojnë bindje absolute kanë frikë nga vendet që kanë kujtesë, identitet dhe mendim të pavarur.

Por kur flasim për represionin në Shkodër, duhet të ndalemi te një pyetje: Kush ishin njerëzit që u goditën?

Në një pjesë të madhe, ata ishin ajka e shoqërisë së kohës. Klerikë. Intelektualë. Mësues. Shkrimtarë.

Njerëz të kulturës dhe të sipërmarrjes. Familje me traditë qytetare dhe autoritet moral.

U godit besimi. U godit mendimi. U godit kultura. U godit mundësia për të qenë ndryshe.

Dhe këtu është një nga humbjet më të mëdha që ndoshta ende nuk e kemi matur sa duhet:

këta njerëz nuk u munguan vetëm familjeve të tyre.

Ata i munguan Shqipërisë. Na munguan librat që mund të kishin shkruar. Nxënësit që mund të kishin formuar. Idetë që mund të kishin sjellë.

Institucionet që mund të kishin ndërtuar. Dhe, mbi të gjitha, modelet njerëzore që mund t’u kishin lënë brezave.

Sepse kur eliminon një njeri, nuk humbet vetëm atë që ai kishte bërë deri atë ditë. Humbet edhe atë që mund të kishte bërë më pas.

Por regjimi nuk u mjaftua me eliminimin fizik. Duhej të zhdukej edhe modeli.

Emrat u hoqën nga hapësira publike. Veprat u censuruan. Biografitë u deformuan. Mbi shumë prej tyre u ngrit një propagandë përbaltëse dhe çnjerëzuese.

Në raste të dokumentuara, deri edhe një poezi, një ditar, një përkthim apo një shkrim i ruajtur mund të kthehej në provë kundër njeriut.

Kontrollohej jo vetëm ajo që bëje. Kontrollohej ajo që mendoje, ajo që lexoje dhe ajo që shkruaje.

Prandaj rikthimi i këtyre njerëzve në kujtesën publike nuk është vetëm rehabilitim i viktimave.

Është edhe një mënyrë për t’i kthyer shoqërisë atë që iu mor: emrat e tyre, veprën e tyre, mendimin e tyre dhe modelet e tyre.

Në njëfarë mënyre, po i rikthejmë Shqipërisë një pjesë të Shqipërisë që iu mohua. Rrmaji, Kelmendi, Postriba, Zalli i Kirit, goditja e klerit — nuk janë histori të ndara.

Ato tregojnë një mekanizëm: arrestimin, dhunën, procesin politik, dënimin, ekzekutimin, fshehjen e trupit dhe heshtjen ndaj familjes. Mohimi i varrit ishte vazhdim i dënimit. Dhe këtu fillon përgjegjësia jonë sot.

Në vitin 2023, Autoriteti nisi verifikimin e thelluar për personat e vrarë ose të zhdukur në qarkun e Shkodrës.

Dua të falënderoj sot posaçërisht grupin e punës së AIDSSH-së. Ata kanë hapur e lexuar mijëra faqe. Kanë kërkuar emra në regjistra. Kanë krahasuar dokumente. Kanë dëgjuar familje dhe dëshmitarë. Kanë dalë në terren.

Kanë punuar me ICMP-në dhe me institucionet e Shkodrës. Pas numrave ka shumë punë njerëzore.

Nga ky proces janë evidentuar 372 persona të vrarë ose të zhdukur në qarkun e Shkodrës. Për 13 prej tyre, të dhënat e mbledhura e lidhin vendvarrimin e mundshëm me territorin pranë Rrmajit.

Rruga jonë është e thjeshtë për t’u thënë, edhe pse shumë e vështirë për t’u bërë: nga familja te dëshmia; nga dëshmia te dokumenti; nga dokumenti te terreni; dhe nga terreni te drejtësia dhe identifikimi.

Kemi kërkuar. Kemi dokumentuar. Kemi verifikuar.

Tani duhet të ecim më tej. Ekspozita që hapim sot nuk e zëvendëson kërkimin. E bën atë të dukshëm. Nuk e zëvendëson drejtësinë. Na kujton se drejtësia ende ka punë për të bërë.

Falënderoj Arqipeshkvinë Metropolitane Shkodër–Pult, Shoqatën e Ish-të Përndjekurve Politikë, Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës, Universitetin “Luigj Gurakuqi”, institucionet e Shkodrës, studiuesit, dëshmitarët dhe të gjithë ata që na kanë ndihmuar.

Por mbi të gjitha falënderoj familjet. Sepse ato nuk lejuan që bashkë me trupin të zhdukej edhe emri.

Ruajtën një fotografi. Një letër. Një kujtim. Një vend të treguar dekada më parë.

Dhe vazhduan të pyesnin: Ku janë? Shteti u ka ende borxh një përgjigje.

Pas diktaturës argjentinase, shkrimtari Ernesto Sábato drejtoi komisionin që dokumentoi fatin e mijëra të zhdukurve. Raporti i tij mori një titull që u bë mesazh universal:

Nunca Más. Kurrë më. Në këtë frymë, edhe ne sot duhet të themi: Të mos dorëzohemi. Jo përballë heshtjes.

Jo përballë kalimit të kohës. Jo përballë mendimit se pas tetë dekadash është tepër vonë.

Sepse për familjen që kërkon, e vërteta nuk vjetrohet.

Dhe do të doja që një ditë familjet të mos vinin më në Rrmaj për të kërkuar një të zhdukur.

Por të vinin për të vendosur një lule. Mbi një emër. Mbi një varr.

Dhe që qetësia e këtij vendi, e prishur dikur nga krismat, të bëhej më në fund qetësia e dinjitetit të rikthyer.

KUJTESA, DREJTËSIA DHE QËNDRESA E AVOKATIT

Fjalë për aktivitetin kushtuar avokatëve të përndjekurDr. Gentiana Sula Të nderuar të pranishëm,Dua ta filloj jo nga një institucion, jo nga një ligj dhe as nga një dokument me vulë