Tiranë, 19 maj 2026 – Në qytetin e Beratit u zhvillua aktiviteti i dialogut të Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me pushtetin vendor, në kuadër të prezantimit të Manualit të Ndërveprimit me strukturat vendore, një dokument që synon forcimin e bashkëpunimit institucional në funksion të kujtesës historike, transparencës dhe respektimit të së vërtetës.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të bashkive të qarkut Berat, Prefektura e Qarkut, si dhe drejtues dhe ekspertë të Autoritetit. Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit institucional në trajtimin e figurave historike, vendeve të kujtesës, edukimin qytetar dhe procesin e identifikimit të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist.
Në fjalën e tij, Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit, theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me pushtetin vendor dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë në zbatim të ligjit nr. 45/2015. Ai u ndal te përgjegjësia institucionale për verifikimin e figurave publike, trajtimin e titujve të nderit dhe dekoratave, si dhe rëndësia e promovimit të materialeve me vlerë historike për qarkun e Beratit.
Më tej, Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit, theksoi se zbatimi konkret i bazës ligjore nga pushteti vendor është një domosdoshmëri morale dhe ligjore. Ai u ndal veçanërisht te historia e persekutimit të specialistëve të industrisë së naftës në Berat dhe Kuçovë gjatë viteve 1944–1960, duke përmendur raste si ai i inxhinierit Alizoti dhe profesorit Zuber. Sipas tij, dokumentet arkivore që lidhen me industrinë e naftës përbëjnë një pasuri historike dhe edukative, por edhe një potencial për zhvillimin e turizmit të kujtesës.
Altin Hoxha solli në vëmendje edhe tragjedinë e familjes së Teme Sejko, duke theksuar nevojën për vijimin e kërkimeve për vendvarrimet dhe bashkëpunimin me pushtetin vendor për sigurimin e informacioneve që mund të ndihmojnë procesin e identifikimit të personave të zhdukur.
Në vijim, Gjergj Marku, anëtar i Autoritetit, u ndal te detyrimi moral dhe qytetar për të rivlerësuar figurat që për dekada mbetën të përjashtuara dhe të stigmatizuara nga regjimi komunist. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së kërkimeve për vendvarrimet e personave të zhdukur dhe nevojën për bashkëpunim institucional në ruajtjen dhe evidentimin e vendeve të kujtesës në të gjithë Shqipërinë.
Ndërsa Albert Nikolla, anëtar i Autoritetit, vuri theksin te dimensioni edukativ i punës së Autoritetit, duke theksuar rëndësinë e dëshmive konkrete dhe edukimit të brezit të ri mbi periudhën 1944–1991. Ai nënvizoi rolin e klubit të librit, aktiviteteve edukative dhe bashkëpunimit me shkollat dhe institucionet arsimore për ndërtimin e një narrative të saktë historike.
Liliana Çoçoli, Drejtore e Drejtorise së Verifikimit te Figurës prezantoi manualin, objektin dhe parimet e ligjit, duke u ndalur te ndryshimet ligjore për dekoratat dhe titujt e nderit, si edhe te rëndësia e verifikimit të figurave dhe rishikimit të emërtimeve të hapësirave publike që lidhen me regjimin komunist.
Nga ana e pushtetit vendor, Kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Ceca, në fjalën e hapjes vlerësoi manualin si një urë bashkëpunimi mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor për çështje që lidhen me kujtesën historike, transparencën dhe përgjegjësinë institucionale ndaj qytetarëve. Ai theksoi se trajtimi me seriozitet i figurave historike, vendeve të kujtesës dhe edukimit të brezave të rinj është një detyrim moral dhe qytetar.
Prefektja e Qarkut Berat, Valbona Zylyftari, shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim më të ngushtë me Autoritetin në drejtim të verifikimit të figurave, edukimit qytetar dhe promovimit të botimeve të institucionit.
Në diskutime morën pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, dhe Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, të cilët vlerësuan rëndësinë e manualit dhe bashkëpunimit me Autoritetin në trajtimin e figurave historike dhe kujtesës lokale.
Nga ana e Autoritetit, Nertila Seitaj, Drejtore e Drejtorisë së Identifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me pushtetin vendor në procesin e identifikimit, kërkimit dhe rikuperimit të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit institucional dhe mbështetjes së strukturave vendore në evidentimin e vendvarrimeve.
Ndërsa Brunilda Çërraga, përgjegjëse edukimit qytetar u ndal te projektet edukative dhe roli i drejtorisë në informimin dhe edukimin e brezit të ri mbi periudhën 1944–1991, përmes platformave edukative, klubit të librit, klubit të filmit dhe aktiviteteve audiovizuale, duke kërkuar bashkëpunim për zhvillimin e tyre edhe në qytetin e Beratit.
Në përfundim, pjesëmarrësit e vlerësuan aktivitetin si një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në funksion të kujtesës historike, edukimit qytetar dhe promovimit të së vërtetës historike.






























