Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Ekspozita “Mbrojtja nën Pranga” – Dokumentet arkivore që dëshmojnë fatin e avokatëve të përndjekur (1944–1966)

Prezantimi i mbajtur nga Adela Toporja, përgjegjëse e Arkivës në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)

Përpara se të ndalemi te dokumentet e ekspozuara në kuadër të aktivitetit “Mbrojtja nën pranga”, dëshiroj t’ju prezantoj shkurtimisht fondin arkivor nga i cili janë përzgjedhur dokumentet që do të prezantohen sot.

Për më shumë se katër dekada, organet e ish-Sigurimit të Shtetit krijuan dhe administruan një dokumentacion të gjerë, i cili pasqyronte pothuajse çdo aspekt të veprimtarisë së tyre. Çdo informacion, çdo raport, çdo hetim, çdo vendim dhe çdo veprim procedural materializohej në dokumente, të cilat krijoheshin dhe ruheshin sipas rregullave të administrimit arkivor. Të krijuara fillimisht për nevoja operative dhe administrative, sot këto dokumente përbëjnë burime autentike për studimin e historisë së regjimit komunist në Shqipëri.

Me krijimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe në zbatim të ligjit nr. 45/2015, të ndryshuar, si dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 98, datë 15.02.2017, “Mbi përcaktimin e kalimit nën administrimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit që gjenden në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin Informativ të Shtetit, si dhe në autoritete të tjera publike”, nisi procesi i kalimit të këtij dokumentacioni pranë Autoritetit. Sot, Arkivi i Autoritetit administron një fond dokumentar unik, i cili përfaqëson një nga burimet më të rëndësishme për njohjen e historisë së diktaturës komuniste dhe të mekanizmave të funksionimit të ish-Sigurimit të Shtetit.

Dokumentacioni i administruar nga Autoriteti përbëhet nga tipologji të ndryshme dokumentesh arkivore, ndër të cilat dosjet e ndjekjes, dosjet hetimore-gjyqësore, dosjet personale dhe dosjet e punës së bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, dosjet e objekteve me rëndësi të veçantë, si dhe regjistra, procesverbale dhe raporte informative. Të marra së bashku, këto burime na japin mundësinë të rindërtojmë mekanizmat e ndjekjes, hetimit, gjykimit dhe kontrollit të ushtruar mbi individin.

Ekspozita që prezantojmë sot është rezultat i një pune të kujdesshme evidentimi dhe përzgjedhjeje të dokumentacionit arkivor. Përmes dokumenteve autentike synojmë të paraqesim jo vetëm mënyrën se si zhvillohej një procedim penal, por edhe vendin që zinte mbrojtja juridike në sistemin e drejtësisë së regjimit komunist.

Përzgjedhja nis me dosjen hetimore-gjyqësore nr. 552, të avokatit Abdulla Rami, e përbërë nga 29 fletë, e cila dokumenton pothuajse të gjithë procedimin penal të zhvilluar ndaj tij gjatë vitit 1945.

Abdulla Rami, i lindur në Tatzat të Delvinës, ishte jurist i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Montpellier në Francë. Pas arrestimit të tij në fund të vitit 1944, ai u akuzua për bashkëpunim me organizatën “Balli Kombëtar” dhe për veprimtari kundër regjimit komunist. Me Vendimin nr. 88, datë 06.08.1945, të Këshillit Gjyqësor Ushtarak të Qarkut Gjirokastër, ai u dënua me 30 vjet burgim.

Dosja ruan procesverbalet e seancave gjyqësore të zhvilluara gjatë vitit 1945, pretencën e prokurorit, mbrojtjen e paraqitur nga avokati Tasho Loli, si dhe një promemorie të hartuar me shkrim dore nga vetë Abdulla Rami, përmes së cilës ai kundërshton akuzat e ngritura ndaj tij dhe kërkon pafajësinë.

Po aq domethënëse janë edhe deklaratat me shkrim dore të personave të ndryshëm, të depozituara në favor të tij. Ndër to spikat deklarata e avokatit Aristidh Totozani, e datës 1 gusht 1945, në të cilën ai shprehet:

“E dija se kishte lidhje me Ballin Kombëtar, por nuk kam konstatuar se zhvillonte ndonjë aktivitet në favor të kësaj organizate. Përkundrazi, më ka dhënë përshtypjen se ishte tërhequr prej saj dhe po përpiqej të hapte zyrë avokatore.”

Kjo dosje ka një vlerë të veçantë historike dhe dokumentare, pasi, përveç akteve procedurale, ruan dokumente origjinale të hartuara nga vetë i pandehuri, avokati mbrojtës dhe personat që dëshmuan në favor të tij, duke i dhënë vizitorit mundësinë të ndjekë hap pas hapi zhvillimin e një procesi penal dhe të njohë dimensionin njerëzor të kësaj historie.

Figura e Aristidh Totozanit shfaqet fillimisht pikërisht në dosjen e Abdulla Ramit, si një nga personat që dëshmon në favor të tij. Vetëm gjashtë vjet më vonë, edhe vetë ai do të bëhej objekt i një procedimi penal.

Dosja hetimore-gjyqësore nr. 7594/A, e përbërë nga 12 fletë, dokumenton procedimin penal të zhvilluar ndaj tij gjatë periudhës shkurt–nëntor 1951.

Aristidh Shemsi Totozani, i lindur në Gjirokastër në vitin 1889, kreu studimet për drejtësi në Stamboll dhe ndërtoi një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë shqiptare. Pas ushtrimit të detyrës si nënprokuror, ai ushtroi profesionin e avokatit në Tiranë deri në arrestimin e tij më 20 shkurt 1951.

Me aktakuzën nr. 311, datë 23.02.1951, të Prokurorisë Ushtarake të Tiranës, ai u akuzua si element armik i pushtetit popullor dhe si pjesëtar i një grupi kundërshtar që, sipas aktakuzës, vepronte në favor të shteteve imperialiste. Mbrojtja e tij u përfaqësua nga avokati Koço Dilo.

Ndër dokumentet më të rëndësishme të dosjes evidentohen procesverbalet e hetimit, aktakuza, aktgjykimi i datës 13.09.1951, si dhe dokumente të tjera procedurale të krijuara deri në muajin nëntor 1951.

Me interes të veçantë është procesverbali i marrjes në pyetje, i mbajtur më 19.06.1951 në ambientet e burgut, ku Aristidh Totozani deklaron se nuk ishte në dijeni të arsyeve të arrestimit të tij.

Ndryshe nga dy dosjet e tjera të ekspozuara, procedimi penal ndaj Aristidh Totozanit përfundon me Vendimin nr. 258, datë 13.09.1951, me të cilin Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaron të pafajshëm për mungesë provash dhe urdhëron lirimin e tij të menjëhershëm.

Ekspozita përmbyllet me dosjen hetimore-gjyqësore nr. 2011, të përbërë nga 414 fletë, në të cilën dokumentohet procedimi penal i zhvilluar ndaj avokatit Zija Luniku. Kjo është një nga dosjet më të plota dhe më të pasura me dokumentacion proceduror që ruhet në fondin arkivor të Autoritetit.

Zija Luniku lindi në Elbasan në vitin 1909 dhe kreu studimet për drejtësi në Universitetin e Firences. Pas përfundimit të studimeve ushtroi detyrën e ndihmësgjyqtarit në Vlorë, Berat dhe Shkodër, ndërsa në fund të vitit 1942 u rikthye në Elbasan, ku mori lejen për të ushtruar profesionin e avokatit.

Dosja dokumenton procedimin penal ndaj një grupi prej 15 të pandehurish, të akuzuar për krijimin e strukturave të organizatës “Balli Kombëtar” në qarkun e Elbasanit. Në të ruhen procesverbalet e marrjes në pyetje, aktakuza e datës 03.12.1947, mbrojtja e paraqitur nga avokati Mentor Nocka, vendimet e gjykatës, rekursi i hartuar personalisht nga vetë Zija Luniku, si dhe një numër i konsiderueshëm dokumentesh procedurale që lejojnë ndjekjen e plotë të ecurisë së procesit penal.

Një nga dokumentet më domethënëse është procesverbali i marrjes në pyetje i datës 06.08.1947, në të cilin Zija Luniku përshkruan me hollësi formimin e tij profesional, veprimtarinë si jurist dhe rrethanat e përfshirjes së tij në organizatën “Balli Kombëtar”, duke dhënë shpjegime të detajuara mbi aktivitetin e zhvilluar prej tij gjatë kësaj periudhe.

Pas pretencës së prokurorit, i cili kërkon dënimin kapital, avokati mbrojtës Mentor Nocka paraqet mbrojtjen përfundimtare dhe i kërkon gjykatës të tregojë klemencë, duke vlerësuar pendimin e të pandehurit. Megjithatë, me Vendimin nr. 793, datë 15.12.1947, Gjykata Ushtarake e Elbasanit e dënon Zija Lunikun me vdekje.

Pas shpalljes së vendimit, Zija Luniku ushtron personalisht rekurs pranë Gjykatës së Lartë Ushtarake. Në rekurs ai pranon se kishte qenë pjesëtar i “Ballit Kombëtar”, por kundërshton cilësimin si drejtues i organizatës dhe kërkon zëvendësimin e dënimit me vdekje me një dënim me heqje të lirisë. Rekursi nuk pranohet dhe, me Vendimin nr. 105, datë 02.03.1948, dënimi me vdekje lihet në fuqi.

Ndër dokumentet më prekëse të dosjes është shkresa e datës 11.03.1948, drejtuar Zyrës së Gjendjes Civile të Elbasanit, me të cilën Kryetari i Gjykatës Ushtarake njofton ekzekutimin e Zija Lunikut, Fadil Dumanit dhe Xhafer Mirakës, duke kërkuar pasqyrimin e këtij fakti në regjistrat e gjendjes civile.

Sipas dokumentacionit arkivor, fjalët e fundit të Zija Lunikut, përpara ekzekutimit, ishin:

“Rroftë Shqipëria!”

Tre dosjet e prezantuara sot pasqyrojnë tre fate të ndryshme, por një histori të përbashkët. Ato dokumentojnë jetën dhe rrugëtimin profesional të tre juristëve shqiptarë, të cilët u përballën me ndryshimet rrënjësore të sistemit politik dhe juridik pas vitit 1944. Përmes tyre mund të ndiqet jo vetëm zhvillimi i procedimeve penale, por edhe ndikimi që këto procese patën mbi profesionin e avokatit në vitet e para të regjimit komunist.

Disa prej tyre u dënuan me burgim, të tjerë me vdekje, ndërsa pati edhe raste kur, pas zhvillimit të procedimit penal, gjykata vendosi pafajësinë për mungesë provash. Krahas avokatëve që u arrestuan, u dënuan ose humbën jetën, pati edhe juristë të tjerë që, përballë një realiteti të ri politik, zgjodhën të tërhiqeshin nga profesioni ose të përshtateshin me sistemin e kohës. Për shumë prej tyre, kjo nuk ishte domosdoshmërisht një zgjedhje e lirë, por një mënyrë për të mbrojtur veten, familjen dhe mundësinë për të vazhduar jetën në kushtet e një regjimi gjithnjë e më represiv.

Dokumentet arkivore nuk na lejojnë t’i gjykojmë këto zgjedhje; ato na ndihmojnë t’i kuptojmë në kontekstin historik në të cilin u morën.

Kjo është edhe arsyeja pse dokumentet e ekspozuara sot nuk përfaqësojnë vetëm akte procedurale të një kohe të shkuar. Ato janë dëshmi autentike të jetëve njerëzore, të profesionistëve të së drejtës dhe të mënyrës se si funksionoi sistemi i drejtësisë në një nga periudhat më të vështira të historisë së vendit tonë.

Arkivi ruan dokumentet. Por janë këto dokumente që ruajnë kujtesën e njerëzve.

Ju faleminderit!