Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Fjalë përshëndetëse e Ministrit të Drejtësisë, z. Ulsi Manja, në aktivitetin “Mbrojtja në Pranga: Përkujtimi i avokatëve dhe shtypja e drejtësisë (1944–1966)”

Data: 17 korrik 2026

E nderuar zonja Sula, Kryetare e Autoritetit,

I nderuar zoti Haxhia, Kryetar i Dhomës së Avokatisë,

I nderuar zoti Shabani, Avokat i Popullit,

E nderuar zonja Hoxha, Zëvendësministre e Drejtësisë,

Të dashur familjarë të avokatëve që u përndoqën egërsisht nga regjimi komunist,

Të nderuar kolegë avokatë, prokurorë, gjyqtarë dhe të ftuar,

Është një nder i veçantë të jem sot mes jush, si përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë dhe si Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.

Dua të falënderoj përzemërsisht Autoritetin e Dosjeve dhe Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë për kujdesin e treguar në organizimin e këtij aktiviteti sa të rëndësishëm, aq edhe simbolik, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë Penale.

Ky aktivitet nuk është thjesht një homazh i radhës; është një akt i domosdoshëm i pastrimit të ndërgjegjes sonë kombëtare dhe juridike.

Historia e drejtësisë shqiptare nuk shkruhet vetëm me kode, ligje e nene. Ajo është shkruar, mbi të gjitha, me gjakun dhe sakrificën e njerëzve që patën guximin t’i qëndronin besnikë ligjit, edhe atëherë kur kjo besnikëri u kushtoi lirinë, profesionin apo vetë jetën.

Sot ne kujtojmë ata avokatë që në vitet më të errëta të diktaturës komuniste, nga vitet 1944 deri në 1966 – kur avokatia u asgjësua edhe ligjërisht – u shndërruan nga mbrojtës të qytetarëve në viktima të persekutimit shtetëror. Ata u ndëshkuan jo sepse shkelën ligjin, por sepse besuan se çdo njeri meriton një mbrojtje të drejtë.

Kur një shtet fillon të ketë frikë nga avokati, ai nuk  sulmon thjesht një profesionist. Ai po sulmon vetë shtyllën e drejtësisë.

Avokati nuk është mbrojtës i krimit.

Ai është mburoja e të drejtave të njeriut dhe e procesit të rregullt ligjor. Sot ky parim na duket i vetëkuptueshëm, por liria që gëzojmë sot është paguar me çmimin më të lartë nga avokat si Erifili Bezhani, Koço Dilo dhe Muzafer Pipa.

Ata sot nuk mund të jenë thjesht emra në arkiva; ata janë simboli i dinjitetit të profesionit përballë arbitraritetit të pushtetit.

Përvoja ime personale – fillimisht si ndihmës gjyqtar, prokuror, dhe avokat e sot si ligjvënës – më ka bindur plotësisht për një të vërtetë absolute: nuk ka dhe nuk mund të ketë drejtësi pa një mbrojtje të fortë, të lirë dhe të pavarur. Këtë e bën të mundur vetëm profesioni fisnik i Avokatit .

Një sistem demokratik nuk matet vetëm me forcën për të ndëshkuar fajtorët. Ai matet me aftësinë për të garantuar të drejtat e individit kur ai gjendet në pozitën më të vështirë përballë makinerisë shtetërore.

Ky homazh e nderim sot nuk bëhet për të hapur plagë të vjetra, por për të ndërtuar një të ardhme ku ato plagë të mos përsëriten më kurrë. Prandaj puna e Autoritetit të Dosjeve është jetike. Hapja e arkivave dhe dokumentimi i së vërtetës janë gurët e themelit të një demokracie të shëndetshme.

Si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, e deklaroj me bindje: Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin kushtetues dhe moral të garantojë që institucionet e drejtësisë të mbeten të pavarura, që profesionet e lira të respektohen, dhe që askush, kurrë më, të mos përballet me persekutim për shkak të detyrës së tij.

Le të shërbejë kjo përkujtimore si një mesazh i fortë për brezin e ri të juristëve: profesioni ynë nuk është thjesht një karrierë. Është një mision kushtetues.

Drejtësia nuk fillon në sallën e gjyqit. Ajo fillon me respektin për të vërtetën dhe me guximin për të mos heshtur përballë padrejtësisë.

Ju faleminderit!