Fjala e Kryetares së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Dr. Gentiana Sula, në përkujtim të 53-vjetorit të Revoltës së Spaçit.
Spaç, 21 maj 2026
Të nderuar,
Nuk do të marr shumë kohë, por është institucioni që flet vetë dhe më duhet të përcjell disa mesazhe.
U tha këtu që zërat e ish-të dënuarve nuk janë dëgjuar. Është e vërtetë.
Në Autoritetin e Dosjeve ne kemi krijuar një grup të posaçëm pune. Kemi rreth dy vite që punojmë në mënyrë intensive. Kemi nxjerrë koleksionin e plotë arkivor për sa i përket burgut të Spaçit dhe çdo të dënuari në mënyrë të padrejtë.
Janë rreth 2200 të dënuar, nga të cilët, për fat të mirë, rreth 30% jetojnë ende sot.
Kemi ndërtuar një program aktiv të dëshmive të gjalla. Ju patë fotot aty. Kemi marrë rreth 70 dëshmi dhe do të vijojmë të marrim dëshmi nga çdo ish-i dënuar dhe dëshmitar që ka qenë, për fat të keq, pjesë e këtij burgu.
Duke folur për dëshmi, nuk kemi ndaluar vetëm tek ish-të burgosurit. Kemi përfshirë edhe zyrtarë të kohës që kanë qenë në ndërmarrjen e minierave dhe ata na kanë treguar fakte që ne i kemi renditur në një faqe interneti që quhet spac.al.
Është një proces që pasurohet çdo ditë dhe vërtet i kërkoj ndihmë kujtdo që ka dokumente, dëshmi apo fakte, qoftë edhe nga arkivat personale, të na bashkohet.
Çfarë na kanë thënë personat që punonin këtu?
Na kanë treguar se galeritë që hapën ish-të dënuarit politikë janë 82 mijë kilometra të gjata dhe janë këtu, brenda kësaj miniere.
Do të doja të gjenim forcën që këto t’i kthenim në vende dëshmie, sepse godina vetë flet, por vendi i punës është po aq i rëndësishëm.
Volumi i punës, i mineraleve, i piritit dhe bakrit që kanë nxjerrë ish-të dënuarit, sipas dëshmive që na kanë dhënë vetë ata, ka qenë shumë i madh.
Normat kanë qenë jashtëzakonisht të larta dhe puna ka qenë e papaguar.
Ne kemi gjetur në arkiv dokumentin, kontratën, sipas së cilës shteti, Ministria e Minierave, kontraktonte Ministrinë e Burgjeve për të dorëzuar sasinë e mineralit, në këmbim të së cilës puna paguhej zero lekë dhe mbi normën paguhej vetëm 10% e pagës ditore.
Pra ishte një shfrytëzim.
Një skllavëri.
Të gjitha këto produkte të punës, dhe këtu dua të falënderoj shumë Gjergj Markun, kryetarin e grupit të punës, për punën e çmuar në hulumtimin e ngjarjeve, tregojnë se ka ende shumë për të folur.
Nga filtrimi i përpunimit të mineralit janë nxjerrë 4 ton ar, pa llogaritur eksportet.
Ne kemi bërë edhe grafikë dhe punë hulumtuese për të kuptuar sesi më pas ra eksporti i bakrit dhe piritit, sepse pa punën njerëzore të detyruar ishte e paleverdisshme që shteti të investonte.
Këtë e them për të justifikuar me gjithë shpirt, para gjithë shoqërisë shqiptare, pse dëmshpërblimi i këtyre personave, që është minimal krahasuar me vuajtjet që kanë pasur, duhet të jetë prioritar.
Trajtimi special me pensione për ata që kanë mbijetuar ende sot duhet të jetë prioritar.
Autoriteti ka përpunuar zgjidhje juridike, ka dhënë propozime të argumentuara dhe shoh që ka lëvizje.
Falënderoj Avokatin e Popullit që e ka marrë këtë temë dhe po i rekomandon shtetit hapa konkretë.
Nuk duhet të lodhemi as ne, as shoqatat, as aktivistët.
Kjo duhet të jetë një përpjekje e madhe e përbashkët.
Duke lexuar dosjet dhe faktet për Revoltën e Spaçit, unë aty gjej parullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Është e vërtetë. E kam parë me sytë e mi.
“Liri, demokraci” është aty.
Flamuri pa yllin komunist është ngritur këtu.
Unë gjej një mendim politik të avancuar kundrejt atyre që thonë se Shqipëria nuk ka pasur disidencë.
Ka pasur disidencë.
Ka pasur mendim politik.
Ka pasur qëndresë.
Së fundi, e them me keqardhje që katër heronjtë e revoltës, të cilët ne i nderojmë, që kanë marrë çmime dhe kanë shkolla me emrin e tyre, ende nuk janë gjetur.
Familjet janë ende në kërkim të eshtrave të tyre.
Në Autoritet ne takojmë çdo dia njerëz, djem, familjarë, që vazhdojnë të kërkojnë një varr për njerëzit e tyre.
Autoriteti ka bërë çdo gjë dhe, për fat të mirë, për rastin e heronjve të Revoltës së Spaçit kemi identifikuar një vendvarrim ku ka shumë të ngjarë të jenë varrosur.
Kemi bërë hetime edhe përmes ICMP-së dhe këtu gjej rastin të falënderoj delegacionin e Bashkimit Europian.
Është financimi juaj që mundëson ICMP-në të kryejë hetimet dhe Spaçi është një ndër vendet ku po punohet.
Në Shpal mendojmë se, përmes provave që kemi mbledhur, mund të jetë vendi ku ndodhen trupat e tyre.
Raportin e kemi përfunduar, e kemi miratuar dhe ia kemi nisur Prokurorisë së Rrethit, së bashku me pesë raporte të tjera për vendvarrime të dyshuara.
Presim me padurim hapat e mëtejshëm: lejen për gërmim dhe procesin e identifikimit.
E di që nuk është e thjeshtë.
Por nuk është e pamundur.
Së fundi, dua t’ju kujtoj spac.al.
Është vendi ku ne kemi mbledhur çdo informacion dhe që pret të pasurohet më tej.
Kemi pasur dhurime letrash nga burgu, si për shembull nga z. Lekë Mirakaj, fotografi, histori personale — të gjitha po mblidhen.
Kemi bërë dokumentar për fëmijë, libër për fëmijë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë.
Ju uroj shëndet të plotë dhe jetë të gjatë të gjithë të mbijetuarve.
Shpresoj shumë që t’ia lehtësojmë sadopak barrën familjeve dhe vetë atyre.
Nga ana jonë nuk do të mungojë përkushtimi.
Por natyrisht duhet shumë më tepër sesa përkushtimi i një institucioni.
Duhet që çdo institucion të punojë: Kuvendi, Kryeministria, Ministria e Kulturës, bashkitë, shoqatat, studiuesit, aktivistët.
Dhe së bashku ta bëjmë Shqipërinë më pranë Europës.
Sot në Spaç u zhvillua aktiviteti përkujtimor me rastin e 53-vjetorit të Revoltës së Spaçit, organizuar nga Shoqata e Ish të Përndjekurve Politikë Antikomunistë, në praninë e ish-të burgosurve politikë, familjarëve të tyre, përfaqësuesve të institucioneve shqiptare dhe trupit diplomatik.
Të pranishëm në aktivitet ishin Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Dr. Gentiana Sula, Kryetari i Bashkisë së Mirditës, si edhe Kryetari i Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë Antikomunistë, z. Ethem Fejzollari.