Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Kardinali Ernest Simoni rikthehet në Spaç, AIDSSH rithekson angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Spaç, 31 korrik 2026– Rikthimi i Kardinalit Ernest Simoni në ish-Burgun e Spaçit, ku ai vuajti vite burgimi dhe punë të detyruar gjatë diktaturës komuniste, u shndërrua në një homazh për martirët e regjimit, por edhe në një thirrje të fuqishme për të mos lënë në harresë personat e zhdukur, fati i të cilëve mbetet ende i pazbardhur.

Në ceremoninë përkujtimore, të organizuar me iniciativën e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, morën pjesë ish-të dënuar politikë, familjarë të viktimave, përfaqësues të institucioneve shtetërore, komuniteteve fetare dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).

Në vendin ku dikur kremtonte fshehurazi Meshën dhe punonte në galeritë e minierës, Kardinali Ernest Simoni u lut për të gjithë ata që humbën jetën në Spaç, për të ekzekutuarit, për viktimat e punës së detyruar dhe për personat e zhdukur. Në fund të Meshës u lexua edhe mesazhi i Papa Leonit XIV, i cili e cilësoi Spaçin “një nga faqet më të dhimbshme të historisë së Shqipërisë”, ku shumë njerëz “mbartën kryqin e rëndë të padrejtësisë”, duke theksuar se asnjë burg nuk mund ta ndajë njeriun nga dashuria e Zotit. (Vatican News)

Në këtë aktivitet, AIDSSH prezantoi punën e tij shumëvjeçare për dokumentimin e historisë së Spaçit dhe të krimeve të diktaturës komuniste. Përmes ekspozitës dokumentare të ngritur në ambientet e ish-burgut dhe posterit me portretet e 28 personave të zhdukur, Autoriteti solli në vëmendje një prej plagëve më të hapura të së shkuarës sonë: mungesën e informacionit për fatin dhe vendvarrimet e shumë viktimave të regjimit.

Prej vitesh, AIDSSH administron dokumente arkivore, mbledh dëshmi dhe zhvillon hetime administrative për personat e zhdukur gjatë regjimit komunist. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe familjarët e viktimave, puna e Autoritetit ka ndihmuar në identifikimin dhe shënjimin e disa vendvarrimeve të dyshuara, përfshirë edhe zona të lidhura me ish-Burgun e Spaçit.

Gjatë ceremonisë, Kardinali Ernest Simoni bekoi artefakte origjinale të përdorura nga të burgosurit politikë dhe posterin kushtuar personave të zhdukur, duke vizituar gjithashtu ekspozitën e AIDSSH, e cila dokumenton historinë e Spaçit përmes dokumenteve arkivore, fotografive dhe dëshmive të kohës.

Në përfundim të aktivitetit, Kardinali Ernest Simoni u nderua me Dekoratën e Mirënjohjes, të dorëzuar nga bashkëvuajtësi i tij, Zenel Drangu, në një moment me simbolikë të veçantë për kujtesën dhe qëndresën.

‼️Thirrje për bashkëpunim

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit u bën thirrje ish-të përndjekurve politikë, familjarëve të viktimave dhe çdo qytetari që disponon fotografi, dokumente, dëshmi apo informacione mbi personat që kanë vuajtur dënimin në ish-Burgun e Spaçit, veçanërisht për të zhdukurit, t’i vërë ato në dispozicion të Autoritetit.

Çdo dëshmi, sado e vogël të duket, mund të ndihmojë në plotësimin e historisë së Spaçit, në pasurimin e dokumentacionit arkivor, në identifikimin e vendvarrimeve të dyshuara dhe në qartësimin e fatit të personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste.

Kontributi i familjarëve dhe i dëshmitarëve është i pazëvendësueshëm në përpjekjen për të zbardhur të vërtetën historike dhe për t’u kthyer dinjitetin viktimave dhe familjeve të tyre.

Pape Leone bashkohet ne lutje për vuajturit dhe vdekurit në Spaç

Vëlla i nderuar,

me një mallëngjim të thellë bashkohem shpirtërisht me Eminencën Tuaj dhe me të gjithë ata që janë mbledhur në ish-kampin e burgimit të Spaçit, ku Ju ktheheni pas kaq vitesh për të kremtuar Eukaristinë, Sakrificën e Krishtit, e cila e shndërroi Kryqin nga shenjë vdekjeje në premtim jete.

Ai vend, i gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar, mbetet një prej faqeve më të dhimbshme të historisë së tij.

Spaçi ka qenë një vend ku shumë njerëz kanë mbartur kryqin e rëndë të padrejtësisë; gjaku i atyre që kanë vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë një dëshmi të heshtur besnikërie, guximi e shprese.

Sa shumë lutje do të jenë ngritur drejt Qiellit nga ai vend! Sa përgjërime janë pëshpëritur në zemër! Sa shumë njerëz, të shënuar nga mundimi dhe privimet, ia kanë besuar Zotit shpresën e tyre të fundit!

Memoria na e kujton se asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli, asnjë natë nuk është aq e gjatë sa të pengojë agimin që Zoti përgatit për bijtë e Vet dhe asnjë burg nuk është aq i thellë sa ta ndajë njeriun nga dashuria e Hyjit (krh. Rom 8,35-39).

Bashkohem në lutje për ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në Spaç, që kujtimi i tyre të mbetet i gjallë dhe të jetë për brezat e rinj një thirrje e vazhdueshme për të respektuar dinjitetin e pacenueshëm të personit njerëzor, vlerën e lirisë dhe angazhimin për paqen.

Të gjithë të pranishmit ia besoj ndërmjetësimit të së Lumes Mari Virgjër, Nënës së Shpresës, dhe, duke ju siguruar se do t’ju kujtoj në lutje, i jap me gjithë zemër Eminencës Suaj dhe të gjithë pjesëmarrësve në kremtim Bekimin Apostolik të kërkuar.

Nga Vatikani, më 30 korrik 2026

LEONI PP. XIV