Përfshirja e shoqërisë në njohjen e së shkuarës është thelbësore për një të ardhme të qëndrueshme. Me këtë mesazh, Elodie Cantier-Aristide, Drejtuese e Zyrës Shumëvendëshe të OHCHR-së për Evropën, vlerësoi punën e Autoritetit të Dosjeve dhe shprehu gatishmërinë për të shqyrtuar mundësi bashkëpunimi e mbështetjeje.
Cantier-Aristide vizitoi AIDSSH-në së bashku me Mila Isakovskën, Oficere për të Drejtat e Njeriut pranë OHCHR-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, në kuadër të misionit të Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, më 16–19 nëntor 2026.
“Puna juaj është pjesë e përpjekjeve më themelore për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut”, u shpreh ajo gjatë takimit me kryetaren e AIDSSH-së, Gentiana Sula, dhe përfaqësues të institucionit.
Duke iu referuar përvojës së saj 30-vjeçare në Evropë, përfshirë vende që kanë kaluar procese të drejtësisë tranzicionale, Cantier-Aristide veçoi përpjekjen e Autoritetit për ta shtrirë njohjen e së shkuarës përtej procedurave institucionale, duke përfshirë grupe të ndryshme shoqërore.
“Ju tashmë jeni një institucion i konsoliduar dhe i keni të qarta përparësitë”, tha ajo. “Po përpiqeni ta rrënjosni kërkimin dhe njohjen e së shkuarës në segmente të ndryshme të shoqërisë dhe në institucione e sektorë të ndryshëm. Kjo është një qasje shumë e rëndësishme, të cilën nuk jam e sigurt se e kanë të gjitha institucionet.”
Sipas saj, përballja me trashëgiminë e konflikteve dhe regjimeve shtypëse kërkon trajtimin e shkaqeve dhe angazhimin e shoqërisë. Pa këtë proces, e ardhmja mbetet më pak e qëndrueshme.
Cantier-Aristide shpjegoi se OHCHR-ja po ngre praninë e saj në Vjenë, në kuadër të një reforme të brendshme që synon angazhim më të gjerë në Evropë dhe bashkëpunim më të afërt me vendet e rajonit. Vizitat në nivel pune mundësojnë njohjen më të thelluar të praktikave, nevojave dhe vështirësive të institucioneve. Në këtë kuadër, ajo përmendi edhe takimet me OSBE-në, Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian për të identifikuar mundësi të përbashkëta mbështetjeje.
Për AIDSSH-në, mundësitë që do të shqyrtohen përfshijnë shkëmbimet profesionale, bashkëpunimin me institucione të tjera, pjesëmarrjen në veprimtari ndërkombëtare dhe mbështetjen e nismave kërkimore. Cantier-Aristide bëri të ditur se diskutimin do ta vijojë me ekipin në Vjenë.
Sula: Teknologjia t’i shërbejë njohjes së të shkuarës, pa riprodhuar stigmatizimin
Kryetarja Gentiana Sula u ndal te mundësitë që krijojnë arkivi i digjitalizuar dhe inteligjenca artificiale për studimin e dokumenteve. Ajo ngriti një pyetje që lidhet drejtpërdrejt me të drejtat dhe dinjitetin e personave të përndjekur: “Si mund t’i përdorim pa riprodhuar etiketimet dhe stigmatizimet e së shkuarës?”
Sula theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe metodave të punës, për të shfrytëzuar më mirë potencialin e arkivit. “Disa gjëra i bëjmë mirë; për të tjera duhet të mësojmë. Nuk është domosdoshmërisht çështje burimesh financiare, por kryesisht metodash”, u shpreh ajo.
Kryetarja parashtroi gjithashtu nevojën për një rrjet kujtese në Ballkan, që të lidhë arkivat, qendrat kërkimore, historianët dhe profesionistët e fushave të tjera. Sipas saj, bashkëpunimi rajonal për trajtimin e padrejtësive historike duhet të mbështetet në dokumente dhe standarde të qarta kërkimore.
“E vërteta duhet t’u nënshtrohet standardeve akademike dhe verifikimit përmes fakteve e burimeve”, theksoi Sula.
Gjatë vizitës në arkiv, dy përfaqësueset e OHCHR-së u njohën me dosjet e përndjekjes, dokumentet hetimore e gjyqësore dhe tipologji të tjera të dokumentacionit të ish-Sigurimit të Shtetit. Drejtoresha e Informacionit, Adela Mance, prezantoi procedurat e aksesit në dokumente dhe shërbimet për qytetarët, ndërsa drejtori i Arkivit, Anton Dukagjini, shpjegoi punën për administrimin dhe ruajtjen e fondit dokumentar. Sekretarja e Përgjithshme, Sofi Noti, i informoi mbi procedurat që ndjek Autoriteti për deklasifikimin e dokumenteve arkivore. Në vizitë mori pjesë edhe anëtari i Autoritetit, Gjergj Marku.
Nertila Seitaj, nga Drejtoria për Rikuperimin e Eshtrave të Personave të Zhdukur, prezantoi punën dhe proceset që ndiqen për kërkimin e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist.
Drejtoresha e Mbështetjes Shkencore, Ornela Arapi, i njohu vizitoret me platformën “Mësojmë nga e Kaluara”, botimet dhe nismat edukuese të AIDSSH-së. Ajo shpjegoi mënyrat se si dokumentet arkivore dhe dëshmitë vihen në shërbim të kërkimit dhe mësimdhënies, duke u bërë të përdorshme për studiuesit, median, nxënësit, mësuesit dhe studentët e mësuesisë.
@followers United Nations AlbaniaUN Human Rights – AsiaGentiana Mara Sula,Gjergj Marku,Sofi Noti, Anton DukagjiniOrnela EleziAdela Mance Aurel Bekteshi , Nertila Seitaj








































