Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

Vetëm 13 muaj regjisor, dekada nën përndjekje: AIDSSH sjell historinë e Viktor Stratobërdhës në Korça Film Festival

Korçë, 27 tetor 2026 – Si u kthye një kineast nga njeriu pas kamerës në “objekt” të Sigurimit të Shtetit? Çfarë humbi kinemaja shqiptare nga ndërprerja e krijimtarisë së tij? Këto pyetje ishin në qendër të Klubit të Filmit kushtuar Viktor Stratobërdhës, të zhvilluar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, në kuadër të Korça Film Festival.

Takimi, pjesë e platformës edukative “Mësojmë nga e kaluara – Burime mësimore të hapura 1944–1991”, ndërthuri dokumentet e përndjekjes me krijimtarinë kinematografike, korrespondencën dhe dëshmitë familjare.

Motoja e festivalit, “Çfarë injorojmë, mbetet”, e lidhi këtë histori me nevojën për njohjen e së shkuarës dhe reflektimin mbi lirinë krijuese sot.

Në fjalën e hapjes, Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit, theksoi se rrugëtimi i shkurtër i Stratobërdhës në kinematografi u ndërpre nga ndëshkimi për mendimin e lirë. Ai u ndal te përgjegjësia për t’u përcjellë brezave të rinj historitë e përndjekjes dhe të qëndresës, duke nënvizuar se liria dhe të drejtat kërkojnë mbrojtje të vazhdueshme.

Prezantimi i Rovena Rrozhanit e vendosi jetën e kineastit në kontekstin e Konferencës së Tiranës të vitit 1956 dhe pasojave të saj. I shkolluar në Moskë dhe asistent regjisor në filmin “Skënderbeu”, Stratobërdha punoi vetëm 13 muaj si regjisor në Kinostudio, përpara se përndjekja t’i ndërpriste krijimtarinë.

Rreth 600 fletë dokumente dhe të dhënat për përfshirjen e 16 bashkëpunëtorëve në ndjekjen e tij ilustruan përmasat e mbikëqyrjes. Raportimet përfshinin qëndrimet politike, mendimet për artin, vizitat në shtëpi dhe bisedat familjare. Edhe kritikat profesionale për estradën, teatrin dhe filmin përfundonin në dosjen e Sigurimit.

Në prezantim u evidentua se Stratobërdha refuzoi dy herë kërkesën për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit. U paraqit gjithashtu dokumenti që planifikonte arrestimin e tij gjatë një mbledhjeje të lagjes, duke përcaktuar detyrat për sigurimin e pranisë së kineastit dhe ndërhyrjen e punonjësve të Sigurimit e të policisë.

Dokumentacioni hetimor-gjyqësor dëshmon se hetimi filloi më 24 prill 1979, ndërsa dy ditë më vonë u krye kontrolli i shtëpisë. Më 15 gusht 1979, Stratobërdha u dënua me 10 vjet heqje lirie dhe 5 vjet heqje të së drejtës së votës. Materialet e paraqitura treguan se mbikëqyrja vijoi edhe pas lirimit të tij.

Krahas dosjes së përndjekjes, materialet e përgatitura nga Eriona Kita-Vyshka, nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, sollën formimin profesional, krijimtarinë dhe korrespondencën e kineastit. Përmes tyre u diskutua vështrimi i Stratobërdhës mbi njerëzit e zakonshëm dhe vështirësitë e përditshme, si dhe përdorimi i humorit për të trajtuar realitetin. Vëmendje iu kushtua filmit “Pse kështu?” dhe përplasjes së këtij vështrimi kritik me kërkesat e propagandës.

Gledis Bica, regjisor dhe drejtues i Korça Film Festival, e cilësoi ndërprerjen e krijimtarisë së Stratobërdhës si humbjen e një alternative për kinemanë shqiptare. Ai theksoi përgjegjësinë e artistëve për të ngritur problematika shoqërore dhe e lidhi këtë histori me diskutimin e sotëm mbi autocensurën, financimin dhe hapësirën për zëra të lirë.

Portretin njerëzor të kineastit e plotësuan dëshmitë e regjistruara të bashkëshortes dhe vajzave të tij, si dhe kujtimet e familjarëve të pranishëm. Nipi i tij, Sotiraq Stratobërdha, e kujtoi si një njeri optimist, që përballonte vështirësitë me humor dhe nuk u thye nga vuajtjet.

Gjatë takimit u soll edhe qëndrimi i vetë Stratobërdhës për shfaqjen e filmave të periudhës së diktaturës, të shoqëruar me komente dhe vlerësim kritik. Për të, kjo ishte një mënyrë për të kuptuar se si politizimi dhe ideologjizimi cenojnë talentin dhe misionin human të artit.

Në vitin e dhjetë të veprimtarisë së AIDSSH-së, puna për informimin, shërbimin ndaj qytetarëve, dokumentimin dhe mbledhjen e dëshmive po pasuron edhe burimet për edukim. Përmes Klubit të Filmit, këto materiale vihen në dialog me publikun dhe në ndihmë të mësuesve e të rinjve, për ta njohur historinë përmes dokumenteve, veprave dhe përvojave njerëzore.

Arkivi Qendror Shteteror i FilmitKorça Short Film FestivalAidssh – Platforma: “Mësojmë nga e kaluara”Dorian ZanaliuRovena RrozhaniEriona Kita Vyshka, Skender Vrioni @Gledis Bici