08.10.2026 Baku, Ajzerbaxhan- Kërkimi i personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste është një detyrë humanitare dhe një përgjegjësi e shtetit demokratik, që nuk mund të mbetet vetëm mbi supet e familjeve. Këtë mesazh përcolli sot, më 8 tetor 2026, Dr. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në Konferencën IV Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur në Baku, Azerbajxhan.
Në panelin “Nga vendvarrimet te identifikimi: qasjet kombëtare dhe praktikat më të mira”, ajo mbajti fjalën “Nga arkivat tek identifikimi: Përvoja e Shqipërisë në kërkimin e personave të zhdukur gjatë komunizmit”.
Sula e nisi me një krahasim mes së drejtës zakonore shqiptare dhe praktikave të diktaturës. Për shekuj, edhe në gjakmarrje, të vrarit i ruhej dinjiteti dhe familjes e drejta për të marrë trupin.
“Diktatura komuniste e shkeli edhe këtë. Për më shumë se katër dekada, ajo ekzekutoi mijëra qytetarë të vet, fshehu trupat e tyre dhe nuk ua ktheu kurrë familjeve”, u shpreh ajo.
Viktimat, kujtoi Sula, u ekzekutuan pas vendimeve gjyqësore ose u vranë pa gjyq, u qëlluan në përpjekje për t’u arratisur apo vdiqën nën tortura, nga rraskapitja dhe uria në burgje, kampe pune e internimi. Familjet shpesh e mësonin vdekjen vetëm te porta e burgut, kur shkonin për t’i takuar.
“Në Shqipëri, shteti zhduku qytetarët e vet”, theksoi ajo, duke shpjeguar se autorët e krimeve, viktimat, dëshmitarët dhe informatorët i përkisnin së njëjtës shoqëri, shpesh të njëjtit qytet dhe ndonjëherë së njëjtës familje.
Kjo përvojë mbart katër pengesa kryesore: stigmën, frikën, fshehjen e gjurmëve në arkiva dhe kalimin e kohës. Familjet e të zhdukurve, të etiketuar si “armiq të popullit”, mësuan të heshtnin për të mbijetuar. Dëshmitarët shpesh druhen të flasin, sepse dëshmia mund të zbulojë praninë e tyre pranë krimit.
“I njëjti shtet që fshehu trupat i dokumentoi vrasjet dhe më pas u përpoq të fshinte gjurmët e veta. Në arkivin tonë kemi procesverbale ekzekutimi nga të cilat emri i vendit është hequr qëllimisht”, tha Sula.
Ajo kujtoi se në fillim të viteve 1990, kur autorët dhe dëshmitarët ishin ende gjallë, kërkimi nuk u kthye në një proces sistematik. “Atë e mbajtën mbi supe vetëm familjet. Ato ndiqnin një fjalë, një gisht që tregonte drejt një fushe dhe gërmonin me duart e tyre.”
Sipas Sulës, kërkimi është humanitar, sepse çdo familje ka të drejtën të dijë dhe të varrosë të afërmin, por edhe politik, sepse zhdukja synonte ta fshinte njeriun nga komuniteti dhe kujtesa.
“Rikthimi i një emri është, për rrjedhojë, një pranim publik se këtij personi i është bërë një padrejtësi nga shteti. Shteti demokratik trashëgoi arkivin dhe, bashkë me të, detyrimin e pashlyer.”
Ajo theksoi se kjo përgjegjësi duhet të përmbushet pa e kthyer kërkimin në instrument të luftës politike: “Familjet meritojnë përgjigje, jo të përdoren.”
Për të thyer heshtjen, Sula kërkoi një përgjigje institucionale:
“Heshtja ishte institucionale. Ajo u krijua përmes urdhrave, dosjeve dhe procedurave. Prandaj duhet të thyhet në mënyrë institucionale, nga një shtet që merr zyrtarisht përgjegjësinë për kërkimin.”
Në këtë proces, ajo nënvizoi rolin e Autoritetit në mbledhjen e dëshmive dhe shqyrtimin e dokumentacionit. Kur dëshmitarët nuk pranojnë të flasin ose nuk mund të flasin më, arkivi mund të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës. “Dokumentet e hartuara për të fshehur mund të shndërrohen sot në prova që zbulojnë.”
Duke paraqitur punën e AIDSSH-së, Sula bëri të ditur se Autoriteti ka marrë rreth 460 kërkesa dhe ka miratuar 23 vendime për verifikim, të lidhura me rreth 25 vendvarrime të dyshuara. Në gjashtë prej tyre janë kryer kërkime me metoda joinvazive, së bashku me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me rezultate pozitive. Në bashkëpunim me bashkitë, këto vende shënohen dhe mbrohen deri në përfundimin e kërkimit.
“Kërkimi nuk është një operacion i vetëm mjekoligjor. Ai është një zinxhir përgjegjësish”, u shpreh ajo. Dokumenti mund të dëshmojë ekzekutimin, dëshmitari të tregojë vendin, kërkimi joinvaziv të përcaktojë vendndodhjen e një varri dhe analiza e ADN-së të rikthejë një emër.
“Asnjë prej këtyre hallkave nuk duhet të funksionojë e shkëputur nga të tjerat dhe familjet duhet të jenë partnere në çdo hap, jo vetëm dhuruese të mostrave të ADN-së.”
Dokumentacioni i paplotë ose i falsifikuar, ndryshimi i emërtimeve dhe ndërtimet mbi vendvarrimet e dikurshme mbeten sfida. Për këtë arsye, Sula theksoi nevojën për procedura, vendime të dokumentuara dhe të dhëna që u mundësojnë brezave të ardhshëm të vazhdojnë kërkimin.
Në përmbyllje, ajo nënvizoi se “Demokracia trashëgon detyrimin për të kërkuar” dhe se rruga drejt identifikimit mund të nisë në një arkiv, në kujtesën e një dëshmitari apo në një letër të ruajtur nga familja.
“Pas çdo dosjeje qëndron një njeri. Pas çdo mbetjeje njerëzore të paidentifikuar qëndron një emër. Dhe pas çdo zhdukjeje të pazgjidhur qëndron një familje që ende pret një përgjigje.”
Konferenca zhvillohet më 7–10 tetor 2026, në kuadër të Dialogut të Bakut për Personat e Zhdukur, me temë “Forcimi i besimit dhe zhvillimi i mekanizmave dhe zgjidhjeve efektive për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur”. Ajo mbledh 130 pjesëmarrës, përfshirë 15 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e rajonale dhe 115 përfaqësues të delegacioneve kombëtare. Mes organizatave të përfaqësuara janë OHCHR, ICRC, ICMP dhe IOM. Shqipëria përfaqësohet nga delegacioni i AIDSSH-së, i kryesuar nga Dr. Gentiana Sula.











